Kastriot Myftarajn mund ta kenë vrarë, Alfred Cako plas “bombën”, detaji misterioz në shtëpi që hedh dyshimet e forta për vdekjen e gazetarit dhe biseda e fundit me nënën e tij
Vdekja e gazetarit Kastriot Myftaraj vijon të mbetet e mbuluar me mister dhe pikëpyetje, duke ushqyer prej kohësh dyshime për atë që mund të ketë ndodhur realisht pas dyerve të banesës së tij në Tiranë.
Edhe pse versioni zyrtar e ka klasifikuar ngjarjen si një vetëvrasje, vazhdon të qarkullojë ideja se ai mund të jetë eliminuar për shkak të qëndrimeve të tij të forta dhe shpesh të debatueshme mbi çështje sensitive. Deklaratat e fundit të konspiracionistit Alfred Cako, kanë hedhur sërish benzinë mbi këtë debat, duke rikthyer në vëmendje detaje të pazbardhura dhe rrethana që, sipas tij, nuk përputhen plotësisht me narrativën zyrtare. “Nuk jam i qartë, po dyshoj.
Dyshoj sepse kur hÿri policia në shtëpinë e tij, derën e gjeti hapur. Unë e di se ka qenë miku im, unë e kam ndihmuar që ka ardhur edhe në Tiranë mbas vitit ’97 dhe kemi pasur shumë miqësi bashkë. Megjithëse pastaj në fund u ftohëm pak, por unë kam marrë pjesë në varrimin e tij, në të gjitha ato përkujtimet që janë bërë nga familja. Në fund patëm divergjenca sepse Kastrioti e humbi pak koherencën në lidhje me çështje të gjeopolitikës, sidomos me politikën e Izraelit. Nuk ishte i paanshëm siç jam përpjekur unë të jem për të treguar të vërtetën. Unë nuk jam antisemit, por nuk jam as kundër myslimanëve, nuk jam as kundër të krishterëve, të gjithë i dua dhe përpiqem që të kem në ato që flas të vërtetën si fe mbi fe.
Kastrioti nuk ishte koherent; në fillim thoshte “do të djeg flamurin e Izraelit para universitetit kur të vijë ministri i jashtëm”. Unë gjëra të këtilla s’i kam thënë kurrë dhe s’i bëj kurrë. Pastaj kur erdhi fjala në një bisedë që kemi qenë te Artur Zheji, te “360 Gradë”, kur unë po flisja mbi disa ngjarje në Lindjen e Mesme, për disa masakra që kishte bërë Izraeli dhe kur unë thashë që ka pikësynim të bëhet “Izraeli i Madh”, ai mu sul në një mënyrë të egër dhe tha “ti antisemit”, gjëra të tilla që nuk janë të vërteta. Unë mendoj që edhe mund ta kenë vrarë, sepse rrethanat kanë qenë kështu: unë kam pyetur nënën e vet çfarë ka ndodhur, dhe ky i ka thënë mamasë “hyr brenda në dhomë sepse po pres të vijnë disa njerëz për të biseduar, kam një bisedë me ta”.
E ëma ka hyrë në dhomë dhe vetëm kur ka ardhur policia, pas nja 45 minutave që kishte ndodhur vdekja e tij. Unë kam ato dyshimet e mia se kush, në qoftë se është vrasje, kush mund t’ia ketë bërë, por nuk mund ta them dot”, u shpreh Alfred Cako.
Denoncimi në polici
Disa ditë më parë, gazeta “SOT” raportoi denoncimin publik të historianit dhe analistit Olsi Jazexhi, i cili tha se është kërcënuar me jetë nga një person që përdor pseudonimin “Ken Shiro” në rrjetet sociale dhe aplikacionet e komunikimit që sipas tij ka deklaruar gjithashtu se ka lidhje me vrasjen e të ndjerit Kastriot Myftaraj . Sipas Jazexhit, personi në fjalë i ka dërguar mesazhe kërcënuese, ku shprehet se do ta qëllojë “me dy plumba”, duke e paraqitur këtë si një premtim të drejtpërdrejtë. Jazexhi ka bërë të ditur se ka paraqitur kallëzim penal në Policinë e Shtetit, duke kërkuar identifikimin dhe ndalimin e personit që e kërcënon.
Më tej, ai ka deklaruar se personi në fjalë është parë rreth orës 12:45 në parkingun e Partisë Demokratike, pranë Xhamisë së Namazgjasë. Sipas tij, kamerat e sigurisë së Partisë Demokratike mund ta kenë regjistruar këtë individ, i cili dyshohet se lëviz i armatosur në Tiranë dhe vijon ta kërcënojë me vrasje. “Njoftim për Policinë e Shtetit. Një person me pseudonimin “Ken Shiro”, që pretendon se ka vrarë Kastriot Myftarajn, më kërcënon me vrasje. Do të bëj kallëzim në polici për personin me pseudonimin “Ken Shiro” dhe shpresoj që policia ta identifikojë këtë person që më kërcënon me dy plumba dhe pretendon se ka vrarë edhe Kastriot Myftarajn.
Personi në fjalë, në orën 12:45, ka qenë në parkingun e Partisë Demokratike, pranë Xhamisë së Namazgjasë. Kamerat e PD-së mund ta kenë kapur personin në fjalë, i cili duket se lëviz i armatosur në Tiranë dhe më kërcënon me vrasje me plumba”, shprehet në një reagim të fundit Jazexhi.