Kriza në Lindjen e Mesme në pikë kritike/ Bisedimet nisin me kushte të forta nga Teherani

Në Islamabad kanë nisur bisedimet e paqes mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, në një proces të zhvilluar me ndërmjetësimin e Pakistanit, raportojnë agjencitë ndërkombëtare.

Sipas Reuters, negociatat po zhvillohen në një format trepalësh, ku pala pakistaneze luan rolin e ndërmjetësit. Deri tani nuk është e qartë nëse delegacionet amerikane dhe iraniane ndodhen në të njëjtën sallë apo nëse komunikimi po bëhet përmes ndërmjetësve që përcjellin mesazhet mes palëve.

Para nisjes së bisedimeve, Irani ka vendosur dy kushte kryesore për një marrëveshje: armëpushim të menjëhershëm në Liban dhe zhbllokimin e aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit. Sipas Teheranit, këto pika kanë qenë pjesë e një marrëveshjeje paraprake të arritur më herët gjatë javës.

Nga ana e Shteteve të Bashkuara, presidenti Donald Trump është shprehur skeptik, duke deklaruar se Irani “nuk ka karta të forta negociuese” dhe duke theksuar se hapja e Ngushticës së Hormuzit është prioritet i menjëhershëm për Uashingtonin. Ai ka shtuar gjithashtu se pengimi i Iranit për të zhvilluar armë bërthamore përbën “99% të çështjes”.

Sipas burimeve pakistaneze të cituara nga Reuters, negociatat mes palëve po zhvillohen edhe ballë për ballë. Në takim marrin pjesë zyrtarë të lartë nga të dyja vendet, përfshirë përfaqësues amerikanë dhe iranianë, ndërsa ndërmjetësit pakistanezë ndodhen në të njëjtën sallë.

Ndërkohë, situata mbetet e tensionuar në terren. Irani ka paralajmëruar se një anije ushtarake amerikane mund të goditet brenda pak minutash nëse kalon Ngushticën e Hormuzit, ndërsa mediat ndërkombëtare raportojnë për lëvizje të anijeve amerikane në këtë zonë strategjike.

Bisedimet konsiderohen vendimtare për përpjekjet e fundit diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.