Policia e Brazilit ka publikuar pamjet e arrestimit të Ervin Matës. Në pamje, duken forcat speciale braziliane, të pajisur me armë, duke shoqëruar Matën.
Mata ishte shpallur në kërkim në nëntor të vitit 2023 me urdhër të SPAK, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik ndërkombëtar të kokainës. Sipas hetimeve, grupi akuzohet gjithashtu për pastrim parash dhe sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjeve.
Operacioni është zhvilluar në kuądër të bashkëpunimit ndërkombëtar mes SPAK, EUROJUST, EUROPOL dhe agjencive ligjzbatuese të disa shteteve në Europë, Amerikën e Jugut dhe më gjerë. Arrestimi u bë i mundur pas shkëmbimit të informacionit në kohë reale mes Interpol Tiranës dhe Interpol Brasilias, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.
Sipas njoftimit të Policisë, 39-vjeçari u kap në qytetin e Ilha Bela, ku rezulton se përdorte edhe dokumente identifikimi britanike të falsifikuara.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kishte caktuar në vitin 2023 masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Sipas hetimeve të SPAK, Mata dyshohet se ka koordinuar aktivitetin e grupit për trafikimin e rreth 240 kilogramëve kokainë në shtator të vitit 2020. Hetimet kanë përfshirë gjithashtu bashkëpunim me autoritetet belge, franceze, holandeze, gjermane, braziliane dhe kolumbiane, si dhe verifikime për ngjarje të mëparshme kriminale në Shqipëri.
Interpol Tirana njofton se vijon të bashkëpunojë me Interpol Brasilia, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e tij në Shqipëri.
Lajmi për arrestimin e Ervin Matës është mbuluar edhe nga mediat e huaja, mes tyre edhe CNN Brasil. Në një deklaratë për këtë media, Policia Ushtarake (PM) tha se biznesmeni shqiptar u lokalizua pas informacioneve të inteligjencës që tregonin se ai ishte zhvendosur nga rajoni i Baixada Santista drejt Bregut Verior. Sipas autoriteteve, gjatë patrullimit, i dyshuari u gjet në një biznes dhe u shoqërua në Komisariatin e Policisë Federale në São Sebastião.
Gjatë operacionit u sekuestruan dy telefona celularë dhe dokumentet që i përkisnin të shumëkërkuarit.