Prej datës 10 prill, drejtori i përgjithshëm i policisë, Skënder Hita, ka vendosur të heqë patrullat rrugore, me argumentin se, përmes teknologjisë së radarëve dhe dronëve, identifikohen lehtësisht shkeljet rrugore pa pasur nevojë për ndalime pa shkak nga policia.
“Kam nxjerrë një telegram që nuk duhet të ndalojmë makina në akset kryesore minimalisht, pra ndalimi nuk duhet të jetë pa asnjë shkak. Nga komentet që kam parë në media, ka pasur një vlerësim pozitiv nga pjesa dërrmuese e qytetarëve”, u shpreh Hita.
Synimi i këtij vendimi, sipas policisë, është rritja e parametrave të sigurisë rrugore dhe parandalimi i çdo akti abuziv në terren. Kjo e fundit duket se është parandaluar, por shifrat për rritjen e sigurisë rrugore flasin ndryshe.
Sipas të dhënave të INSTAT, në muajin mars 2026 janë shënuar në total 10 viktima nga aksidentet dhe 107 të plagosur në harkun kohor 4-javor.
Nga një hulumtim që A2 CNN ka bërë nga data 10 prill, kur doli urdhri, deri më sot, pra në një hark kohor 2-javor, në vendin tonë janë shënuar të paktën 36 aksidente të raportuara në media, me 14 viktima dhe të paktën 62 persona të plagosur.
Shifrat janë vetëm për aksidentet e raportuara në media në vetëm dy javë pas telegramit të Hitës, fakt që tregon se situata mbetet ende shqetësuese sa i përket sigurisë rrugore edhe pas urdhrit të ri të kryepolicit.
Krahasuar me muajin mars, ku janë shënuar 10 viktima, pas heqjes së patrullave në akset kryesore rrugore, në muajin prill, në vetëm dy javë, janë regjistruar 14 viktima.
Numri i lartë i aksidenteve mund të jetë edhe rastësi, por edhe tregues se, si shoqëri, nuk e ndjejmë rrezikun nëse presioni para nesh nuk është fizik dhe, për pasojë, rrezikojmë deri edhe jetën tonë. /A2 CNN