Romeo Kara nxjerr mesazhet : i dënuar përjetë del natën nga qeIia me mision për të

Lufta e dëshmive rreth aferës “CEZ-DIA” është rindezur me tone të ashpra. Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka dalë në një deklaratë të fortë për mediat, ku ka vënë në dyshim integritetin e dëshmitarit kyç, Romeo Kara, duke e cilësuar atë si një “kallëzues të rremë” dhe duke hedhur hije dyshimi mbi gjendjen e tij mendore. Sipas dokumenteve të publikuara nga Blushi (referuar vendimeve të vitit 2019), Romeo Kara pretendohet se është dënuar për dhunë në familje ndaj motrës dhe babait të tij.

Blushi ka shkuar më tej duke deklaruar se kërkesa e Karës për t’u bërë dëshmitar i mbrojtur lidhet me “problematika të rënda të shëndetit mendor”, të cilat sipas tij, janë shfrytëzuar nga pushteti për ta detyruar atë të japë dëshmi kundër Ilir Metës. Juristi Romeo Kara ka sqaruar se kërkesa e tij për mbrojtje nuk erdhi nga paqëndrueshmëria mendore, por nga informacione tronditëse për sigurinë e jetës së tij.

Kara dëshmoi se ka pasur informacione të sigurta (përfshirë mesazhe nga Izet Haxhia nga Turqia në atë kohë) se një vrasës i dënuar përjetë, dilte natën nga burgu me mision për ta survejuar ose eliminuar atë. Sipas tij, kjo liri e vrasësit brenda burgut 313 paguhej me miliona nga Kastriot Ismailaj.

-Tedi Blushi ka publikuar një material, aty e bazon akuzën për shëndetin tuaj mendor, ku ju në një kërkesë për t’u bërë, i mbrojtur nga drejtësia, keni shkruar që disa të burgosur përdoren edhe për vrasje me pagesë ose të çfarëdolloji. A është informacion real? Ashtu ka qenë në kohën që ju dyshonit se mund të ishte e vërtetë? Çfarë mund të thoni për këtë? A keni qenë ndonjëherë i kërcënuar?

Romeo Kara: Unë kam pasur, një telefonate kërcënimi para se t’i jepja dëshminë për Kastriot Ismailajn në 2016, dhe është bërë telefonata direkt, duke më paralajmëruar që “ti nuk e di se kush është përfshirë dhe çfarë do të të gjejë ty”. Telefonata është e regjistruar. Kam marrë një mbrojtje dhe kam kërkuar të mbrohem derisa të jap dëshminë, pastaj nuk po pyes më për hakmarrje.

Telefonata ka ardhur nga një i burgosur i përjetshëm që ka qenë aty me Ismailin në të njëjtin burg. Gjatë kohës që unë isha në mbrojtje, unë tani marr vesh pse paskam qenë “shërbimi më i vështirë” për repartin e RESI-t në atë kohë, se ata i kanë ditur informacionet dhe nuk i kanë përfolur. Ka qenë viti 2017 pak pas zgjedhjeve, më merr Izet Haxhia duke më çuar një mesazh: “Shihe mirë dhe vlerësoje se ku je”, më tha. Një kushëri i drejtorit të burgut 313 (ose 302, nuk jam shumë i qartë), ka qenë në Turqi dhe e kishte takuar atë.

Mesazhi thoshte: ” Drejtori i burgjeve ka marrë miliona, por emrin mos ma nxirr se e ka shumë të afërt ky mysafiri im. Romeo, mora vesh nga një burim i sigurt se Dritan Dajti del nga burgu natën dhe kthehet në mëngjes. Ka bërë disa vrasje me porosi dhe disa herë të ka ruajtur ty. Burimi është tepër i sigurt. Kam një mysafir këtu që ka njerëzit e vet në drejtorinë e burgjeve”. Kur fola me ty në telefon, ai e kishte pyetur: “Me kë fole?” “Me filanin”. Dhe ai i ka treguar: “Thuaji të ruhet se unë kam simpati për atë”.

Unë i them: “Po drejtori i burgut nga e di që ai më ka ruajtur mua, apo është edhe ai i përfshirë?” Ai thotë: “E ka nxjerrë me mision dhe Kastriot Ismaili ka paguar paratë. Drejtori ka marrë miliona, por të lutem emrin mos ma nxirr.” Përveç kësaj, edhe një nga gazetarët më të devotshëm, Fatos Mahmutaj, më ka dhënë pafund skema se si kjo punë është përdorur edhe më parë.

Pra, kjo është një dukuri jo e vogël. Përdoren dy palë letra: i lënë këta njerëz të dalin, por vetëm që të mos bjerë në sy mungesa e tyre, mos të dalin nga qelia dy-tre veta… por mos ta vazhdojmë këtë se hyjmë në tema të tjera. Tani, si mund të thuash që një njeri që mund të ketë frikë për jetën ka probleme me shëndetin mendor?