Edmond Sula dyshohet se është vrårë me sniper, zbardhen detaje, dyshohet se vrasja mund të jetë e porositur

50-vjeçari Edmond Sula dyshohet se është vrarë me sniper nga një distancë prej më shumë se 70 metrash.

Ky është konkluzioni i grupit hetimor të ngritur nga Policia e Tiranës, e cila rindërtoi skenën e krimit. Autorët ishin pozicionuar në një zonë me bimësi përballë banesës, ku dyshohet se kanë pritur objektivin derisa ka mbërritur dhe më pas e kanë qëlluar vetëm me një plumb që ka rezultuar fatal.

Nisur nga teknika e përdorur, blutë besojnë se mund të jemi përballë një vrasjeje të porositur.

Duke qenë se provat në vendngjarje kanë qenë të pakta, policia po hulumton mbi aktivitetin e Edmond Ali Sulës për të zbuluar konfliktet e mundshme që mund ta çojnë tek autorët.

Rezulton se Edmond Sula merrej me shitblerje tokash në zonë, biznes i cili herë pas here i krijonte mosmarrëveshje, të cilat janë referuar edhe nga familjarët. Po ashtu, edhe me banorët e zonës ka pasur konflikte, por që sipas policisë nuk janë një pistë e fortë.

Sula rezulton të jetë proceduar 28 herë nga policia për vepra të ndryshme penale, ndërsa në gusht të vitit 2019 është arrestuar nga policia për moskallëzim krimi, pasi rezultonte se kishte dijeni për vrasjen e 26-vjeçarit Indrit Çela, teksa po montonte kondicionerët në ndërtesën e vëllezërve Griseldo dhe Albano Kusi.

Përgjigje, po ashtu, policia po kërkon edhe nga Interpoli, pasi dyshohet se viktima mund të jetë i përfshirë në trafikun e drogës.

Një tjetër drejtim ku po kryhen verifikime janë edhe lidhjet shoqërore të 50-vjeçarit, i cili rezulton se ka pasur kontakte me persona me precedent të theksuar kriminal dhe grupe kriminale në zonë.