Një konflikt i hershëm mes dy familjeve në Dedaj të Pukës ka përfunduar me përplasje fizike, plagosje dhe arrestime. Shkak dyshohet të jetë një mosmarrëveshje për motive pronësie, ndërsa përplasja ka përfshirë përdorimin e sendeve të forta dhe mjeteve prerëse.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së martës, ku në konflikt u përfshinë familja Shkreli dhe familja Istrefi. Nga njëra anë ishin 67-vjeçari Isa Shkreli dhe djali i tij Fatjon Shkreli, ndërsa nga ana tjetër 34-vjeçari Gramoz Istrefi dhe tre familjarë të tij.
Sipas dëshmisë së familjes Shkreli në polici, anëtarë të familjes Istrefi kanë shkuar në banesën e tyre dhe i kanë sulmuar, duke e cilësuar ngjarjen si një përplasje të organizuar.
Ndërkohë, pala tjetër ka dhënë një version të ndryshëm. Familjarët Istrefi dhe dhëndri i tyre kanë pretenduar se konflikti nisi pasi Isa Shkreli i ka ofenduar ndërsa kalonin në rrugë, çka solli përshkallëzimin e situatës.
Përplasja fizike la të plagosur disa persona nga të dyja familjet.
34-vjeçari Gramoz Istrefi pësoi frakturë në dorë, ndërsa motra e tij, Fiqirete Istrefi, mori plagë në kokë. Edhe Isa Shkreli dhe djali i tij Fatjon Shkreli kanë pësuar dëmtime në kokë.
Të gjithë personat e përfshirë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Pas ngjarjes, Komisariati i Policisë Pukë vendosi arrestimin e Isa dhe Fatjon Shkrelit, si dhe të Gramoz Istrefit. Dy persona të tjerë nga familja Istrefi janë proceduar penalisht.
Policia ka sekuestruar sende dhe mjete që dyshohet se janë përdorur gjatë konfliktit, ndërsa hetimet do të vijojnë nga Prokuroria e Shkodrës.
Sipas burimeve policore, dy familjet kanë pasur konflikte të vazhdueshme prej rreth 20 vitesh. Pas përplasjes së fundit, të dyja palët kanë shprehur qëndrime hakmarrëse ndaj njëra-tjetrës, duke shtuar shqetësimet për përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.