Një emër i njohur i futbollit shqiptar është përfshirë në një ngjarje që ka tronditur opinionin sportiv.
Ish-futbollisti i Kombëtares, Olgerd Muka, ka përfunduar në prangat e policisë franceze, pasi dyshohet se ishte përfshirë në shpërndarjen e kokainës.
Sipas mediave franceze, Muka është ndaluar në qytetin e Dizhonit, ku autoritetet e kishin mbajtur nën vëzhgim për më shumë se 10 ditë.
Arrestimi ka ndodhur në flagrancë, teksa ai dhe një tjetër shtetas shqiptar dyshohet se po shpërndanin lëndë narkotike në një park të qytetit.
Pas ndalimit nga policia, 46-vjeçari është paraqitur para gjykatës, ku ka dhënë versionin e tij për ngjarjen.
Ish-futbollisti ka deklaruar se vështirësitë ekonomike dhe problemet personale e kishin çuar drejt një vendimi ekstrem, pas një periudhe të vështirë në jetën e tij.
Në dëshminë e tij para gjykatës, Muka është shprehur:
“Rreth 18 muaj më parë, unë kalova një sëmundje dhe më shkarkuan nga puna.”

Ish-lojtari ka treguar se pas humbjes së vendit të punës dhe vështirësive financiare, kishte kërkuar një mënyrë për të mbështetur familjen e tij. Megjithatë, kjo zgjedhje i ka kushtuar shtrenjtë, pasi tashmë ai përballet me drejtësinë franceze.
Olgerd Muka ka një karrierë të pasur në futbollin shqiptar. Ai ka luajtur me disa prej klubeve më të njohura në vend, si Lushnja, Teuta, Dinamo, Bylis, Flamurtari, Partizani dhe Besa, ndërsa ka veshur edhe fanellën e Kombëtares shqiptare në disa ndeshje miqësore.
Dy trofetë e vetëm që fitoi, ishin Kupa e Shqipërisë me Dinamon dhe Superkupa në radhët e Partizanit. Me Kombëtaren, Muka zhvilloi vetëm 2 ndeshje, periudhë kur Shqipëria kishte trajner Sulejman Demollarin.
Pas mbylljes së karrierës si futbollist, Muka u orientua drejt pankinës, duke nisur rrugëtimin si trajner. Por një periudhë e vështirë ekonomike dhe personale e ka vendosur tashmë ish-futbollistin përballë një prej momenteve më të vështira të jetës së tij.