Një deklaratë e bujshme u bë ditën e djeshme nga avokati Alban Duraj, i cili gjatë një interviste për “Top News” tha se është gjetur Bleona Mata.
Sipas avokatit, ajo jeton në një vend të Bashkimit Europian, së bashku me prindërit adoptues, një çift grek.
Por pas kësaj deklarate, ka ardhur reagimi nga avokati i familjes Mata, Idajet Beqiri.
Beqiri ka hedhur poshtë deklaratën e avokatit Duraj, duke e cilësuar të papërgjegjshme. Për Top Channel, ai u shpreh se Duraj nuk ka asnjë lloj lidhje me çështjen.
“Jo vetëm që është e papërgjegjshme, por krijon probleme ligjore, e hedh organin e akuzës në një drejtim që nuk duhet të shkojë. Gjithashtu ka probleme të rëndë me familjen, nënën e Bleonës, njerëzit e tjerë të dashur, vëllain e saj. Ua ngacmon plagën padrejtësisht. Ky person nuk ka lidhje, nuk e di pse është futur këtu”, tha avokati.
Lidhur me nënën e Bleonës, zonjën Bukurie, Beqiri tha se ajo thashmë është mësuar me deklarata të tilla, pasi edhe në rrjetet sociale çfarë nuk thuhet.
“Dikush thotë është martuar këtu, dikush e gjetëm këtu, dikush thotë është adoptuar. Ka plot teori. Me dhimbje i pret të gjitha, edhe këtë deklaratë, por e di që është një gënjeshtër, mashtrim i madh”, tha avokati.
I pyetur nëse ka informacione mbi vajzën që përmendi avokati Duraj, Beqiri tha se e gjitha është një ‘sajesë e turpshme’.
“Madje është vepër penale. Nuk dua të flas shumë për të, komuniteti jonë ka lloj-lloj njerëzish. U bë vetting gjithandej, por duhet bërë dhe brenda avokatëve. Çfarë nuk po dëgjojmë”, vijoi avokati.
Sipas Beqirit, hetimet për rastin e Bleonës janë në një drejtim tjetër dhe këto deklarata thjeshtë shpërqendrojnë vëmendjen. Ai shton se është një situatë jo normale në hetimet e kësaj çështje.
“Është si puna e kungulleshkës, një erë e merr çështjen Prokuroria e Kukësit dhe e ndalon, e dërgon te Policia. Kjo e merr dhe e kthen sërish te Prokuroria që më pas ia dërgon SPAK. SPAK nuk bën gjë. Momentalisht është çështje e ‘vdekur’, është e pezulluar, nuk ka ndonjë gjë konkrete në drejtimin e duhur. Është një fatkeqësi e madhe, në krim kaq i madh prej 16 vitesh, sot vajza është 22 vjeçe, nuk merr drejtimin e duhur çështja”, përfundoi avokati Beqiri./Tch