Një lokal është përfshìrë nga flakët në lagjen Nea Jonia të Athinës, duke u shkatërruar tërësisht nga zjarri. Flakët kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale edhe në tre banesa që ndodhen mbi godinën ku ishte lokali.
Shkaqet e zjarrit ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa hetimet janë marrë në dorë nga autoritetet greke, të cilat dyshojnë se bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.





Sipas policisë greke, ky është i njëjti lokal ku më 22 shkurt 2023 u ekzekutua me armë zjarri 37-vjeçari shqiptar Pëllumb Islami. Ai u qëllua për vdekje me një plumb në ambientet e lokalit. Autoritetet greke nuk kanë deklaruar deri tani nëse zjarri i rënë sot ka ndonjë lidhje me vrasjen e Pëllumb Islamit apo me persona të përfshirë në atë ngjarje.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe nëse ai është vendosur qëllimisht, ndërsa policia po mbledh prova dhe dëshmi për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.