Një operacion kompleks shpëtimi në det u zhvillua mëngjesin e sotëm për një 49-vjeçare me origjinë shqiptare, e cila pësoi një ishemi cerebrale teksa ndodhej në bordin e një trageti që udhëtonte nga Greqia drejt Ankonës.
Pasagjerja u evakuua me helikopterin e Rojës Bregdetare dhe u transportua me urgjencë në spitalin e Chietit.
Alarmi u dha rreth orës 10:00, kur salla operative e Drejtorisë Detare të Peskarës mori një kërkesë për evakuim mjekësor nga trageti Ro-Pax ‘Superfast IX’, i cili në atë moment ndodhej rreth 68 milje detare larg brigjeve të Peskarës.
Qendra Ndërkombëtare e Radio-Mjekësisë (CIRM), pasi vlerësoi situatën, rekomandoi transferimin e menjëhershëm të pacientes në tokë. Salla operative urdhëroi tragetin të ndryshonte kurs dhe të lundronte me shpejtësi maksimale drejt Peskarës, ndërsa njëkohësisht dërgoi në det anijen patrulluese CP 828 dhe bëri të ngrihej në fluturim helikopteri Nemo 20 i Seksionit të Tretë të Helikopterëve të Rojës Bregdetare në qytetin bregdetar.
Pasi helikopteri arriti pranë tragetit në det të hapur dhe nisën operacionet për transferimin e gruas në bordin e tij përmes vinçit të helikopterit, me ndërhyrjen e specialistit të shpëtimit ajror detar.
Rreth orës 11:40, pasagjerja, e cila ishte në gjendje të qëndrueshme, por kishte nevojë për trajtim të vazhdueshëm të specializuar, u evakuua dhe u mor në bordin e helikopterit.
Më pas, helikopteri u drejtua drejt spitalit të Chietit, ku rreth orës 12:00, 49-vjeçarja iu dorëzua stafit mjekësor, shkruan ANSA.