Ish-ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka reaguar për protestat studentore që kanë përfshirë Tiranën dhe thotë se vendi është i bekuar me të rinjtë që ka, por thekson se ata nuk kanë nevojë “për kujdestarë që të flasin në emër të tyre”.
“Studentët nuk kanë nevojë për suplement politik që t’i orientojë, as për kujdestarë që të flasin në emër të tyre. Ata kanë zërin, arsyet dhe të drejtën e tyre për të protestuar. Po aq sa kanë të drejtën të zgjedhin të mos protestojnë.
Shqetësimet dhe aspiratat e tyre meritojnë të dëgjohen. Por dhuna dhe vandalizmi nuk i shërbejnë asnjë kauze. Zemërimi dhe pakënaqësia nuk i përligjin. Ata që ushtrojnë dhunë verbërisht e pastaj fshihen pas studentëve, po e përdorin kauzën e tyre”, shkruan ai.
Pirro Vengu shton se studentët e duan Shqipërinë dhe atdheun dhe nuk e djegin atë, duke ju referuar skenave të dhunës dhe zjarrit ndaj institucioneve private e shtetërore gjatë protestës. Sipas tij, pedagogët po kërcënojnë studentët me ulje notash nëse nuk dalin në tubim.
“Pedagogët që kërcënojnë me ulje notash ata që nuk protestojnë, apo deputetët që kërkojnë të rishpikin veten në kurriz të dilemave dhe aspiratave legjitime të rinisë, vetëm sa e thellojnë hendekun e besimit me një brez që paragjykohet shumë dhe dëgjohet pak.
Të rinjtë meritojnë të dëgjohen dhe të vendosin vetë. Edhe kur protestojnë. Edhe kur zgjedhin të mos protestojnë”, shkruan ish-ministri Pirro Vengu.