“Orë vendimtare!” – Berisha: Rama të japë dorëheqjen e menjëhershme, studentët dhe Shqipëria kanë nevojë për PD-në

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama, teksa ka shprehur edhe mbështetjen për protestën studentore.

Gjatë takimit me kryetarët e degëve të Tiranës, kreu i selisë blu u kërkoi të gjithë shqiptarëve që të mbështesin studentët. Sipas tij kjo është një orë shumë e rëndësishme dhe vendimtare e historisë dhe se “studentët, Tirana dhe Shqipëria kanë nevojë që PD të bëjë gjë çdo për mbrojtjen e tyre”.

“Unë duhet të përgëzoj të gjithë drejtuesit, anëtarët, mbështetësit e PD, të cilët kanë qenë dje dhe sot kanë mbështetur studentët.

Një rol të veçantë, siç e keni parë edhe vetë, dhe i përgëzoj, në mbrojtje të studentëve kanë luajtur deputetët e PD.

Edhe në sheshbetejë, edhe në komisariate.

Mendoj se ka qenë një qëndrim i duhur, pasi ne këtë protestë, ne këta studentë do i mbështesim me të gjithë potencialin tonë.

Edi Rama nuk do ndeshet vetëm me studentët, do të ndeshet me të gjithë opozitën, me të gjithë qytetarët.

Ne studentët nuk i lëshojmë, ne do i mbështesim ata me të gjitha format dhe mundësitë.

Duhet të përgëzoj forumin rinor të universiteteve, të cilët kanë qenë shumë efiçent dhe me angazhimin e tyre kanë dhënë një kontribut vërtet të çmuar.

Këto janë dy dìtët e para. Sot Edi Rama, që më në fund doli nga vrima e miut ku ishte futur, filloi dhe po akuzon armiq që kanë penetruar te studentët e të tjerë me radhë.

Unë në mënyrë më të prerë i kërkoj atij dorëheqjen e menjëhershme.

Dhe i bëj thirrje shqiptarëve të angazhohen me gjithë mundësinë e tyre në mbështetje të studentëve për largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

Ai mendon se kjo protestë nuk dallon nga protestat e tjera.

Gabon shumë rëndë.

Kjo është protesta kur është mbushur kupa. Shqiptarët kanë katër muaj që protestojnë.

Por protesta studentore është protesta e kupës së mbushur. Nuk ka ku të shkojë.

Studentët, siç e shihni, janë shumë të kthjellët, shumë të guximshëm. Por studentët, Tirana dhe Shqipëria kanë nevojë që PD të bëjë çdo për mbrojtjen e tyre.

Të bëjë çdo gjë për mbështetjen e tyre. Kjo është një orë shumë e rëndësishme e historisë. Kjo është një orë vendimtare”.