Policia e Shtetit ka lëshuar një paralajmërim tjetër të fortë dhe të drejtpërdrejtë ndaj prindërve dhe kujdestarëve ligjorë, duke u kërkuar atyre të mbajnë përgjegjësi të plotë për praninë e fëmijëve të tyre në protestat e dhunshme të ditëve të fundit.
Përmes një deklarate zyrtare, autoritetet policore kanë vënë theksin te rritja e numrit të të miturve në vijën e parë të përplasjeve, ndërsa kanë njoftuar se do të ndërmarrin masa ligjore dhe dokumentim të çdo rasti ku fëmijët përdoren apo nxiten për akte të kundërligjshme.
Sipas Policisë së Shtetit, mbrojtja e fëmijëve nuk është vetëm detyrë e institucioneve, por rëndon drejtpërdrejt mbi prindërit:
“Nëse fëmija juaj mungon në shkollë, interesohuni ku ndodhet. Asnjë fëmijë nuk duhet të gjendet mes gurëve, mjeteve piroteknike dhe gazit lotsjellës”, apelon policia, duke ua kaluar barrën e kontrollit familjeve.
Më tej, në deklaratë nënvizohet se përgjegjësia ligjore dhe morale u takon fillimisht prindërve:
“Siguria e fëmijëve është një përgjegjësi që nuk mund të negociohet dhe nuk mund të përdoret për asnjë qëllim. […] Kjo përgjegjësi u takon, para së gjithash, prindërve dhe kujdestarëve ligjorë.”
Përveç thirrjes ndaj prindërve, Policia e Shtetit ka lëshuar kërcënime të qarta për procedime ligjore ndaj çdo personi apo strukture që dyshohet se po përdor të miturit si “mburojë” njerëzore në përplasjet me forcat e rendit.
“Përdorimi i fëmijëve si mburojë për akte dhune nuk është ushtrim i së drejtës për protestë. Është një veprim i papranueshëm që cenon sigurinë dhe të drejtat e tyre. Çdo rast i dyshuar i nxitjes, organizimit apo shfrytëzimit të të miturve për veprime të kundërligjshme do të dokumentohet dhe do t’u referohet institucioneve kompetente, në përputhje me ligjin”, paralajmëron policia.
Në përmbyllje të deklaratës, autoritetet kërkojnë që pjesëmarrësit në tubime të distancohen nga personat e maskuar dhe aktet e shkatërrimit të pronës publike e private, duke insistuar se “fëmijët nuk janë mburojë e askujt dhe nuk mund të kthehen në instrumente të përplasjeve”.