Zgjedhjet e mesmandatit në SHBA/ Fitore historike në Kansas, demokrati Adam Hamilton fiton vendin në Senat pas 94 vìtesh

Demokratët kanë shënuar një fitore historike në shtetin e Kansasit, ku Adam Hamilton është zgjedhur senator, duke i dhënë fund një periudhe 94-vjeçare pa përfaqësim të kësaj partie në Senatin amerikan nga ky shtet.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, Hamilton, pastor me profesion, ka mposhtur senatorin republikan në detyrë, Roger Marshall, i cili kishte mbështetjen e presidentit Donald Trump.

Rezultati përbën një surprizë të madhe politike, pasi Kansasi konsiderohet një shtet me prirje konservatore dhe republikanët nisën garën si favoritë për të ruajtur vendin në Senat.

Fitorja është edhe më domethënëse duke pasur parasysh se Donald Trump kishte fituar Kansasin me më shumë se 16 pikë përqindjeje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Suksesi i Hamiltonit i jep një shtysë të rëndësishme demokratëve në përpjekjet për të forcuar kontrollin e tyre mbi Senatin dhe shënon një ndryshim të rëndësishëm në hartën politike të shtetit.

Humbja e republikanit Roger Marshall është gjithashtu një goditje për kampin e Trumpit, pasi presidenti kishte mbështetur kandidaturën e tij në një garë që fillimisht konsiderohej e favorshme për republikanët.

Rezultati në Kansas bëhet një prej zhvillimeve më të spikatura të zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, duke dëshmuar se demokratët kanë arritur të konkurrojnë edhe në territore tradicionalisht republikane.