Ardit Gjebrea është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme ku ka qëndruar për rreth tre orë dhe është marrë në pyetje nga prokurët.
Nuk ka ende një reagim zyrtar, lidhur me arsyet e thirrjes së tij në SPAK, apo se për çfarë është pyetur nga prokurorët e posaçëm.
Në fakt, Ardit Gjebrea është marrë në pyetje për dosjen e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliajt.
Sipas informacioneve që ka mundur të verifikojë CNA, nëpërmjet burimeve zyrtare nga bashkia e Tiranës dhe transfertat e bëra nga ky institucion, konfirmohet se shuma që bashkia e Tiranës i ka dhënë Ardit Gjebreas për eventet dhe aktivitetet e tij, nga dita që ka marrë detyrën Veliaj, është rreth 600 milionë lekë.Këto para janë paguar për evente, aktivitete të ndryshme kulturore e sociale të organizuara dhe zhvilluara nga Ardit Gjebrea. Nuk dihet nëse prokurorët po hetojnë dhe këtë pistë.
Shuma në fjalë është një shumë kolosale e paguar nga bashkia e Tiranës, çfarë do të thotë që në 10 vitet e fundit, çdo vit shuma e dhëna për eventet dhe aktivitetet e organizuara nga Ardit Gjebrea mund të variojnë nga 50-80 milionë lekë.
Miliona të tjera i janë dhënë Ardit Gjebreas edhe nga Arbër Veliaj, vëllai i kryebashkiakut, nëpërmjet kompanive që reklamohen në eventet e tij, por këto janë pjesë tjetër e shumës marramendëse që Gjebrea ka mund të marrë nga bashkëpunimi me vëllezërit Veliaj.
Pas daljes nga SPAK-u, Gjebrea u shpreh për gazetarët se është thirrur si person në dijeni, por nuk mund të zbulonte më shumë se kaq për shkak të sekretit hetimor.
Ai tha se ishte hera e parë që shkonte në SPAK dhe prokurorët ishin shumë miqësorë. Gjebrea u shpreh se ata e ftuan në SPAK, ndërsa ai i ka ftuar në programin e tij “E diela Shqiptare”.
Ndërkohë, prokurorët e SPAK-ut duket se i kanë hyrë në themel çështjes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe po zbërthejnë skemat e financimeve që bëheshin në bashki për eventet dhe aktivitetet e ndryshme. /CNA