Pas kontratës me Korporatën e Investimeve Shqiptare, biznesmeni Shkëlqim Beshiri ka regjistruar shoqërinë që do të ndërtojë dhe administrojë kullën në zemër të Tiranës. Kompania e tij është pjesë e projektit të përzgjedhur mbi 4.760 metra katrorë truall publik, ndërsa lidhjet e Beshirit me familjen Berisha e vendosin sërish në qendër të vëmendjes marrëdhënien mes pushtetit të Edi Ramës dhe interesave të biznesit pranë opozitës.
Shkëlqim Beshiri, ‘prestanome’ i Shkëlzen Berishës në bizneset e ndërtimit, ka themeluar kompaninë që do të realizojë kullën 65-katëshe pranë Pallatit të Kongreseve. Projekti, i siguruar më parë përmes një gare të Korporatës së Investimeve Shqiptare, po merr formë konkrete me krijimin e një shoqërie të posaçme për investimin mbi truallin shtetëror në zemër të Tiranës.
Sipas dokumenteve të publikuara nga ‘Kapitali’, kompania “KLAR” sh.p.k. ka themeluar shoqërinë “Klar Congress Development” sh.p.k., me kapital fillestar 10 milionë lekë. Shoqëria e re zotërohet 100% nga “KLAR”, ndërsa administrator është emëruar Gentjan Sali.

Objekti i aktivitetit të kompanisë së re lidhet drejtpërdrejt me kontratën e sipërmarrjes të nënshkruar më 5 tetor 2026 ndërmjet “KLAR” dhe Korporatës së Investimeve Shqiptare. Kontrata përfshin projektimin, financimin, ndërtimin, menaxhimin dhe operimin e projektit për rivitalizimin e Pallatit të Kongreseve dhe zhvillimin e një objekti multifunksional në pronën shtetërore ngjitur me të.Read alsoNë Katar: Kush ishin imamët e BIK-ut që morën pjesë në konferencën ku shefi i Hamasit kërkonte armë?
Kjo është faza e radhës e një investimi që qeveria Rama e ka futur në rrugën e realizimit prej vitit të kaluar. Në shtator 2025, me vendimin nr. 503, qeveria i kaloi Korporatës së Investimeve Shqiptare 4.760 metra katrorë truall publik, pjesë e hapësirës së gjelbër rreth Pallatit të Kongreseve, që më parë ishte në pronësi të Bashkisë së Tiranës.
Më 27 nëntor 2025, drejtoresha e Korporatës, Elira Kokona, shpalli garën për zhvillimin përmes sipërmarrjes private të objektit multifunksional pranë Pallatit të Kongreseve. Fitues u shpall konsorciumi i përbërë nga studioja zvicerane “Herzog & de Meuron Basel Ltd”, Julian Beqiri, Marsela Demaj, Michel Desvigne, Gentian Shkurti, SUEB Industries, The Space Factory dhe “KLAR” sh.p.k.
Përtej emrave të arkitektëve dhe prezantimit të projektit, një prej kompanive të konsorciumit është pikërisht ajo e Çim Beshirit, biznesmenit që ka dalë në disa projekte të mëdha ndërtimi dhe që lidhet me Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Beshiri ka siguruar më parë leje ndërtimi për tre hotele në Himarë dhe statusin e investitorit strategjik për një kompleks vilash e pallatesh në Lalëz, në një sipërfaqe prej 119 hektarësh tokë shtetërore, nga të cilat 28 hektarë janë pyll me pisha buzë detit.

Më 17 nëntor 2025, ai mori gjithashtu leje për një kullë tjetër 65-katëshe mbi tokë dhe gjashtë kate nëntokë në Bulevardin e Ri të Tiranës, me funksione banimi, tregtie dhe hotelerie.
Ndërkohë, familja Berisha është lidhur edhe me projekte të tjera ndërtimi në kryeqytet përmes Fatmir Bektashit, ortakut të Jamarbër Malltezit, dhëndrit të Sali Berishës.
Në rastin e Pallatit të Kongreseve, projekti është paraqitur si ndërhyrje për përmirësimin e një objekti publik, me ndryshime në çati, akustikë dhe shtimin e gjashtë sallave të konferencave me rreth 1.600 vende. Por pjesë e së njëjtës marrëveshje është ndërtimi i kullës gjigante me zyra dhe hoteleri në truallin publik ngjitur.
Kështu, ndërsa qeveria Rama ka vënë në dispozicion pronën shtetërore dhe ka zhvilluar procedurën e përzgjedhjes së projektit, kompania e Çim Beshirit po organizon strukturën tregtare për zbatimin e tij.
Themelimi i “Klar Congress Development” është zhvillimi më i fundit i kësaj historie: projekti i kullës është përzgjedhur, kontrata është nënshkruar dhe tashmë është krijuar edhe shoqëria që do të merret me realizimin e investimit.
Nga 4.760 metra katrorë lulishte publike te një kullë 65-katëshe për aktivitete private, ky është transformimi që po merr formë pranë Pallatit të Kongreseve, me firmën e Çim Beshirit dhe me vendimet e qeverisë Rama në themel të projektit. /Pamfleti