Administrata Trump duket se ka ndryshuar strategjinë ndaj Shqipërisë: nga goditja e karteleve të drogës, në një ofensivë shumë më të gjerë kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar, duke vënë në shënjestër mekanizmat financiarë dhe gjurmët digjitale që mund të çojnë te politikanët dhe zyrtarët e dyshuar për afera korruptive.
Mesazhi i ambasadorit amerikan në Tiranë, Eric Wendt, pas takimit të 24 nëntorit në Prokurorinë e Posaçme SPAK, nuk është thjesht një deklaratë diplomatike, por një paralajmërim për një fazë të re bashkëpunimi mes Uashingtonit dhe drejtësisë shqiptare.
Në qendër të kësaj strategjie janë serverët amerikanë, ku ruhen komunikime elektronike, të dhëna të rrjeteve sociale dhe informacione në platformat cloud, të cilat mund të shërbejnë si prova në hetimet për korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Ekspertiza amerikane synon t’u japë hetuesve shqiptarë mundësinë të ndjekin transfertat bankare, portofolet e kriptomonedhave, kompanitë guaskë dhe llogaritë offshore, aty ku mund të fshihen përfituesit realë të parave të dyshuara si të paligjshme. Një rol të rëndësishëm në këtë bashkëpunim ka eksperti i Departamentit amerikan të Drejtësisë, Taylor Phillips, i cili ka trajnuar hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët për sigurimin dhe përdorimin e provave digjitale. Ekspertiza e tij përbën një urë të rëndësishme teknike mes institucioneve shqiptare dhe mekanizmave amerikanë të hetimit, duke krijuar mundësi për të ndjekur gjurmët elektronike përtej kufijve. Megjithatë, nuk ka një njoftim zyrtar se Phillips do të jetë i vendosur pranë SPAK-ut si përfaqësues i përhershëm amerikan.
Nga McGonigal, inceneratorët, koncesionet në shëndetësi, te “21 Janari” dhe Gërdeci”, tri hallkat e drejtësisë përballë provave amerikane
Por në këtë panoramë rikthehen në vëmendje disa prej çështjeve më të bujshme të politikës shqiptare: dosja McGonigal, “Albanian Files”, inceneratorët, koncesionet në shëndetësi, rrugë dhe ushtri, fondet IPARD, kompleksi Partizani, CEZ-DIA, 21 Janari dhe Gërdeci. Çështje këto që në periudha të ndryshme kanë përfshirë akuza, kallëzime apo hetime ku janë përmendur emra të rëndësishëm të politikës, përfshirë Edi Ramën, Sali Berishën, Ilir Metën dhe Belinda Ballukun. Në këtë panoramë përfshihet edhe vëmendja ndaj çështjeve që lidhen me Taulant Ballën si dosja “Sky ECC”. Po ashtu, dosja CEZ-DIA, çështja e lobimit në SHBA dhe Gërdeci mbeten ndër çështjet me peshë të veçantë, ndërsa 21 Janari, ku humbën jetën katër protestues, vazhdon të jetë një nga plagët më të debatueshme të drejtësisë shqiptare. Përgjegjësitë individuale në secilën prej këtyre çështjeve duhet të përcaktohen nga provat dhe vendimet gjyqësore.
Megjithatë ajo që e bën këtë zhvillim veçanërisht të rëndësishëm është zinxhiri me tri hallka që ambasadori Wendt vuri në qendër: BKH-ja për identifikimin dhe ruajtjen e provave, SPAK-u për ndërtimin e akuzave dhe GJKKO-ja për vlerësimin e tyre dhe dhënien e drejtësisë. Tre institucione me funksione të ndryshme, por që duhet të garantojnë se asnjë provë nuk humbet dhe asnjë person nuk përjashtohet nga përgjegjësia për shkak të pushtetit apo lidhjeve politike. Mesazhi amerikan është i qartë: korrupsioni nuk konsiderohet më vetëm një problem i brendshëm shqiptar, por një çështje që prek drejtpërdrejt sigurinë dhe interesat ekonomike të Shteteve të Bashkuara. Dhe fjalia që përmbledh gjithë këtë strategji është ajo e ambasadorit Wendt: “Ndiqni provat. Ndiqni paratë.” Tashmë mbetet të shihet se cilat prej gjurmëve financiare dhe digjitale do të shndërrohen në prova konkrete dhe nëse drejtësia do të arrijë deri te përgjegjësit, pavarësisht emrit dhe pozicionit të tyre.