Krijohet zona më e madhe e tregtisë së lirë në botë, BE dhe Mercosur firmosin marrëveshjen historike

Pas 25 vitesh bisedime të gjata dhe shpeshherë të bllokuara, Bashkimi Evropian dhe vendet e Mercosur-it kanë firmosur në Asunción të Paraguait marrëveshjen historike të tregtisë së lirë. Ky hap krijon zonën më të madhe të këmbimit tregtar në botë, duke bërë bashkë 750 milionë konsumatorë dhe duke hequr mbi 90% të tarifave doganore.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cilësoi këtë firmë si një sinjal të fortë për botën dhe si një trashëgimi për gjeneratat e ardhshme, ndërsa udhëheqësit e tjerë evropianë theksuan se, në një kohë kur disa vende ngrenë mure dhe vendosin tarifa, Europa po ndërton ura bashkëpunimi.

Edhe liderët e Amerikës Latine e mirëpritën marrëveshjen me entuziazëm, duke e parë atë si një fitore të diplomacisë ndaj izolimit. Presidenti brazilian Lula da Silva e quajti këtë një përgjigje ndaj politikave izoluese, ndërsa presidenti argjentinas, Javier Milei, gjeti rastin të vlerësonte publikisht rolin e kryeministres italiane Giorgia Meloni në arritjen e dakordësisë brenda Këshillit Europian.

Sipas parashikimeve të Brukselit, përfitimet do të jenë të menjëhershme, me një rritje të ndjeshme të shkëmbimeve tregtare, veçanërisht në sektorin ushqimor, ku do të mbrohen qindra produkte tipike evropiane nga imitimet.

Megjithatë, rruga drejt zbatimit të plotë mbetet e përpjetë dhe e mbushur me pengesa politike. Fermerët europianë janë rreshtuar kundër kësaj marrëveshjeje, duke paralajmëruar protesta masive me mijëra traktorë në Strasburg, pasi i tremben konkurrencës nga produktet e Amerikës Jugore.

Paralelisht me tensionet në rrugë, beteja do të zhvendoset edhe në Parlamentin Europian. Javën e ardhshme pritet të votohet një kërkesë për ta dërguar marrëveshjen në Gjykatën Europiane të Drejtësisë, gjë që mund ta shtyjë hyrjen e saj në fuqi edhe me dy vite të tjera, duke mbajtur pezull një proces që ka nisur që në fund të shekullit të kaluar.

Talenti i Kombëtares shqiptare bën debutimin në Serinë A

Sulmuesi shqiptar Joi Nuredini ka debutuar në Serinë A gjatë ndeshjes midis Parmës dhe Genoas.

Futbollisti i lindur në vitin 2007 u aktivizua në minutat e fundit të takimit nga trajneri Daniele De Rossi, duke zëvendësuar Lorenzo Colombon.

Nuredini, i cili është pjesë e Genoas prej dy sezonesh, kishte qenë i grumbulluar me ekipin e parë edhe më herët, por vetëm sot mori minutat e para zyrtare në elitën e futbollit italian.

18-vjeçari po kalon një sezon mjaft pozitiv me ekipin Primavera, ku ka shënuar 4 gola dhe ka dhënë 1 asist në 9 ndeshje.

Përveç rritjes në nivel klubesh, Nuredini është një element i rëndësishëm i moshave kuqezi, ku aktualisht përfaqëson Shqipërinë U-19.

“Ia merr në kthesë Serena Sulës”, ish-banorja nxjerr fotot e Brikenës: Kjo “vajza e mirë”…

Brikena Selmani, ish-Miss Kosova dhe një nga banoret më të përfolura të “Big Brother VIP Albania 5”, është vënë në shënjestër të sulmeve nga jashtë shtëpisë.

Këtë herë, “shigjetat” kanë ardhur nga një ish-konkurente e formatit, Armela Hyseni.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Armela ka ironizuar rëndë figurën e Brikenës, duke iu përgjigjur edhe fansave që i kanë dalë në mbrojtje modeles.

Ajo ka bërë një krahasim të fortë, duke e paralelizuar sjelljen e Brikenës me atë të personazhit të Serena Sulës.

“T’i bëj pak diss fansave që më janë sulur për të mbrojtur ‘vajzën e mirë’ që ia merrka Serena Sulës në kthesë. Gjen dhe bën, në rregull është,” ka shkruar Armela në Instastory, duke lënë të kuptohet se imazhi i “vajzës së mirë” që Brikena po shfaq, është thjesht një fasadë.

“Ia merr në kthesë Serena Sulës”, ish-banorja nxjerr

“Makineri” golash në Spanjë, Muriqi shkëlqen me tripletë në La Liga

Vedat Muriqi ka udhëhequr Mallorcan drejt fitores 3-2 në shtëpi kundër Athletic Bilbaos, duke realizuar një tregolësh personal.

Sulmuesi i Kosovës hapi serinë e golave që në minutën e pestë të takimit. Në minutën e 42-të, ai shënoi golin e dytë pasi ndoqi topin e kthyer nga portieri pas ekzekutimit të një penalltie.

Gjatë pjesës së dytë, Muriqi u tregua sërish i saktë nga pika e bardhë, duke vulosur rezultatin përfundimtar. Me këto tri realizime, ai ngjitet në kuotën e 14 golave në 20 javë kampionat, duke mbajtur vendin e dytë pas Kylian Mbappe.

Aktualisht, Muriqi ka shënuar gjithsej 48 gola në La Liga me fanellën e Mallorcas.

Fundi i mundshëm i Kadyrov-ëve: “Kasapi i Groznit” në gjendje kritike, edhe djali trashëgimtar mes jetës dhe vdekjes

Epoka e përgjakshme e familjes Kadyrov në Çeçeni mund të jetë duke shkuar drejt fundit. Ramzan Kadyrov, 49 vjeç, lideri autoritar i republikës çeçene dhe një nga aleatët më brutalë të Vladimir Putin-it, ndodhet në gjendje shëndetësore të rëndë. Prej kohësh ai vuan nga insuficiencë renale dhe, sipas burimeve ukrainase, gjendja e tij është përkeqësuar ndjeshëm që prej dhjetorit.

Situata komplikohet edhe më shumë nga fakti se djali i tij 18-vjeçar, Adam Kadyrov, i konsideruar trashëgimtari i regjimit dhe tashmë i emëruar ministër i Brendshëm, ndodhet në terapi intensive pas një aksidenti shumë të rëndë automobilistik. Sipas disa zërave, ai është transportuar me urgjencë në Moskë. Nervozizmi në Kremlin është në nivele të larta, pasi suksesi dinastik i regjimit totalitar çeçen është tani në pikëpyetje.

Epoka Kadyrov nisi me Akhmad Kadyrov, babanë e Ramzanit dhe gjyshin e Adamit. Gjatë Luftës së Dytë Çeçene, ish-myftiu tradhtoi kauzën separatiste dhe u rreshtua me Putin-in, duke u bërë president i Çeçenisë në vitin 2003. Ai u vra tre vjet më vonë në një atentat. Pas një lufte të dhunshme për pushtet, Ramzan Kadyrov mori drejtimin dhe nga viti 2007 instaloi një regjim represiv brutal.

Rrëmbime, zhdukje, vrasje të opozitarëve dhe gazetarëve, një aparat spiunazhi gjithpërfshirës, masakra kolektive dhe spastrime të egra kundër komunitetit LGBTQ+ u bënë shenja dalluese të regjimit të njohur si “Kasapi i Groznit”. Kadyrov kultivoi një imazh të dhunshëm, duke u shfaqur me Rolex, kallashnikovë dhe luks ekstrem, ndërsa rindërtoi Groznin me fondet e Kremlinit, përfshirë edhe një xhami gjigante.

Gjatë luftës në Ukrainë, Kadyrov u rikthye në skenë me shfaqje propagandistike: në vitin 2022, njerëzit e tij dështuan në një tentativë për të vrarë Volodymyr Zelensky-n, ndërsa ai vetë pretendonte se ishte në front, edhe pse gazetarët lokalizuan telefonin e tij në Grozni. Megjithatë, batalionet çeçene luftuan realisht përkrah ushtrisë ruse dhe, që nga viti 2023, kanë zëvendësuar pjesërisht mercenarët e Wagner, sidomos në Donbas.

Adam Kadyrov u shfaq për herë të parë publikisht në vitin 2016, kur ishte vetëm 9 vjeç dhe u hodh nga i ati në një ndeshje arteve marciale pa mbrojtje, duke shkaktuar reagime edhe në Moskë. Në moshën 15-vjeçare, ai u filmua duke rrahur brutalisht një të burgosur të pambrojtur, akt për të cilin Ramzan Kadyrov u shpreh “krenar” dhe e dekoroi. Për shumë vëzhgues, kjo ishte ceremonia e kurorëzimit të trashëgimtarit. Sot, gjithçka duket sërish në ajër.

Nëse shëndeti i Ramzan Kadyrov dhe i djalit të tij nuk përmirësohet, Çeçenia dhe Moska mund të përballen me një vakuum pushteti të rrezikshëm, me pasoja të paparashikueshme për rajonin dhe për strategjinë e Kremlinit.

Salianji mund Berishën në përballjen online

Kreu i PD Sali Berisha dhe ish-deputeti i PD Ervin Salianji zhvilluan dy takime të ndryshme me demokratët ditën e sotme.

Berisha mblodhi militantët e tij në në Kombinat, Tiranë, ndërsa Salianji zhvilloi foltore në Lezhë ditën e sotme.

Ndonëse takimet ishin në distancë, Berisha dhe Salianji u “përballën” online, pasi ora e takimeve ishte e njëjtë, në 18:00.

Por, përballja online duket se nuk është aq e favorshme për kreun e PD, pasi kishte 168 shikime gjatë fjalimit të tij, ndërsa Salianji 2.7 mijë shikime./Shqiptarja

Greqia me rregulla të reja për emigracionin e ligjshëm! 90,000 leje qëndrimi në pritje të zhbllokohen menjëherë

Ndryshime të rëndësishme në kuadrin e migracionit të ligjshëm parashikon projektligji i ri i Ministrisë së Migracionit dhe Azilit në Greqi, me synim adresimin e problemeve në dhënien dhe rinovimin e lejeve të qëndrimit, uljen e burokracisë dhe mbulimin e nevojave të ekonomisë greke për fuqi punëtore, raporton Protothama.

leje qendrimi greqi

Projektligji, i cili pritet të paraqitet së shpejti në Komisionin përkatës të Parlamentit, vjen në një periudhë kur çështja e migracionit rikthehet në qendër të debatit si në nivel kombëtar ashtu edhe evropian.

Qeveria greke synon të bëjë një ndarje të qartë mes migracionit të ligjshëm dhe atij të paligjshëm.

“Me projektligjin e ri për migracionin e ligjshëm i japim fund vonesave shumëvjeçare dhe bllokimeve burokratike që kanë munduar punëtorët dhe bizneset”, deklaron për agjencinë APE-MPE ministri i Migracionit dhe Azilit, Thanos Plevris.

Aktualisht, në Greqi jetojnë rreth 793 mijë emigrantë të ligjshëm, ndërsa afro 293 mijë aplikime për leje qëndrimi mbeten pezull. Vonesat në shqyrtimin e tyre kanë sjellë probleme serioze për përfituesit, pasi shpesh lejet lëshohen pasi kanë skaduar, duke krijuar pasiguri dhe vështirësi në punë dhe integrim shoqëror.

Me rregullimet e reja, pritet të zhbllokohen menjëherë rreth 90 mijë leje në pritje, ndërsa brenda dy viteve vlerësohet se do të rregullohen edhe po aq raste të tjera.

Rregullimet kryesore të projektligjit

Projektligji përfshin masa që synojnë lehtësimin e procedurave për emigrantët që qëndrojnë ligjërisht në Greqi. Parashikohet rinovim automatik për kategori të caktuara lejesh qëndrimi, veçanërisht kur emigranti vazhdon të punojë te i njëjti punëdhënës, duke shmangur dorëzimin e përsëritur të dokumenteve pa arsye thelbësore. Po ashtu, çdo leje e re do të ketë kohëzgjatje minimale dyvjeçare, në mënyrë që vonesat administrative të mos penalizojnë vetë emigrantin dhe të mos çojnë në humbje formale të statusit të ligjshëm.

Parashikim i veçantë bëhet për emigrantët që jetojnë ligjërisht në Greqi prej pesë vitesh ose më shumë dhe aplikimi i të cilëve ishte refuzuar më parë për arsye thjesht formale.

Këta persona do të kenë mundësinë të riaplikojnë dhe të marrin leje qëndrimi, pasi të korrigjohen mangësitë procedurale, duke garantuar integrimin e plotë të tyre në shoqërinë greke.

Një tjetër rregullim ka të bëjë me emigrantët mbi 65 vjeç, kryesisht të brezit të parë, që kanë jetuar dhe punuar ligjërisht në Greqi për të paktën 20 vjet. Ata do të mund të qëndrojnë pa detyrim për të punuar, me kusht që të kenë sigurim privat shëndetësor dhe pensioni, pa ngarkuar sistemin publik të sigurimeve shoqërore.

Thirrje e përshpejtuar e punëtorëve nga vendet e treta

Projektligji sjell gjithashtu ndryshime të rëndësishme në procesin e thirrjes së punëtorëve nga vendet e treta, me synim uljen e burokracisë dhe mbulimin më të shpejtë të vendeve të lira të punës. Procedurat thjeshtohen dhe kompanitë e punësimit të përkohshëm do të kenë mundësi të realizojnë thirrje në emër të bizneseve që kanë nevoja të menjëhershme për staf.

Vëmendje e veçantë i kushtohet projekteve të mëdha, ku parashikohet thirrja e menjëhershme e deri në 500 punëtorëve, ndërsa procedurat në konsullata thjeshtohen ndjeshëm, duke ulur kohën e lëshimit të dokumenteve të nevojshme.

Një risi e rëndësishme është edhe mundësia e ndryshimit të punëdhënësit për punëtorët që hyjnë në vend përmes thirrjes zyrtare, pa humbur statusin e qëndrimit të ligjshëm. Kjo rrit lëvizshmërinë në tregun e punës dhe kufizon fenomenet e varësisë apo shfrytëzimit.

Paralelisht, forcohen marrëveshjet dypalëshe me vende të treta si Filipinet, Armenia dhe Egjipti, veçanërisht në sektorë si bujqësia, me kusht bashkëpunimin në luftën kundër migracionit të paligjshëm.

“Greqia po riformëson rrugën e ligjshme”

Me këtë kuadër të ri, Ministria e Migracionit dhe Azilit synon të krijojë një sistem më efikas dhe funksional të migracionit të ligjshëm, që mbështet ekonominë dhe tregun e punës, garanton siguri juridike për emigrantët që qëndrojnë ligjërisht dhe njëkohësisht mban qëndrim të rreptë ndaj migracionit të paligjshëm.

“Ne çlirojmë dhe përshpejtojmë procedurat për dhënien dhe rinovimin e lejeve të qëndrimit dhe punës, me procese më të thjeshta. Greqia mbetet absolutisht e ashpër ndaj migracionit të paligjshëm, por po riformëson rrugën e ligjshme për ata që duan të punojnë, duke mbuluar boshllëqet në sektorë si bujqësia, ndërtimi dhe turizmi”, thekson ministri Plevris.

“Duhet të vish në shtëpi, ke djalin sëmurë”, banori i “Big Brother VIP” merr telefonatën dhe largohet nga gara

Florian Arapi ka ndërprerë rrugëtimin e tij në shtëpinë e “Big Brother VIP Albania 5”, për arsye se djali i tij është sëmurë.

Gjatë prime-t të mbrëmjes së djeshme, Flori është telefonuar nga i vëllai, i cili i tha se ka djalin sëmurë me temperaturë dhe se duhet të kthehet pranë familjes së tij.

“S’ka asgjë për t’u shqetësuar, por djali është i sëmurë me temperaturë. Fëmijët kanë nevojë për ty, dhe ti duhet të jesh pranë tyre. Nëse është e mundur, duhet të vish në shtëpi.”, i tha vëllai florit.

Pas kësaj telefonate, Flori vendosi që të lërë garën dhe të kthehet pranë familjes së tij.

“Çirri maskën ose ik nga shtëpia”/ Keijsi i flet KEQ Mateos për Brikenën: Të shkeli me këmbë, ajo është…

Brikena mori mbrëmë një vendim të rëndësishëm në lidhje me nominimin. Zarfi i zi çoi në televotim Keijsin, Erikun dhe Inën për shkak të shkeljes së rregullores.

Duke qenë se Ina ishte një banore e vetme me Stelinën, Brikena si lidere e shtëpisë kishte një avantazh, të linte Stelinën në nominim ose t’a hiqte dhe t’a zëvendësonte me një banor tjetër.

Brikena u shpreh se Stelina nuk kishte aspak lidhje me këtë nominim, e si pasojë e zëvendësoi atë me Mateon, i cili nuk e priti aspak mirë këtë vendim nga ana e saj.

Mateo ka biseduar mbrëmë me Keijsin, ku ky i fundit i tha se mendon se ai është më i rrezikuari. Gjithashtu e këshilloi atë që t’i çirrte maskën Brikenës, ose të ikte nga shtëpia më e famshme në Shqipëri, “Big Brother VIP5”.

Pjesë nga biseda:

Keijsi: A më erdhi mua momenti me Stelinën, e bëra, ça të bëja, as unë nuk kam qejf të flas për femra

Mateo: Normale, të vë me shpatulla pas muri

Keijsi: Ty jo me shpataulla pas muri, ty të shkeli me këmbë. Ishte nominim i pastër, personi i katërt që do futej ishte më i rrezikuari në këtë nominim. Mos me ta ndjell

Mateo: I thashë, kaq bezdi e ke praninë time në shtëpi, kaq shumë të ka penguar prezenca ime. Më tha jo. Si jo kur më vë në nominim, nuk te nxorra me të nxjerrë nga shtëpia, por të ndihesh si u ndjeva unë.

Keijsi: E di se ju dëgjova, prandaj u futa brenda

Mateo: Aq shumë u dëgjuam

Keijsi: Po ta thotë Keijsi, ajo ka bërë gabimin më të madh, i ka humbur pikë vetes

Mateo: Nuk e di pse e ka kaq siklet të pranojë

Keijsi: Ti e di më mirë se të gjithë që është më falsja këtu brenda. Ose çirri maskën e rri këtu, ose ik të shtëpia.

Parashikimi i motit për javën e ardhshme-Ja kur pritet të ketë reshje bore

Nesër pritet të ketë më shumë intervale me diell dhe më shumë kthjellime, duke u shpërndarë vranësirat.

Kështu ka njoftuar Mendimi për Motin. Aty shtohet edhe se, mot i kthjellet parashihet të jetë edhe gjatë javës tjetër, edhe pse, temperaturat do të jenë më të ulëta.

Postimi:Përgjatë ditës së shtunë vransirat do të mbulojnë pjesën më të madhe të vendit, Herë herë vransirat largohen për të lejuar rreze dielli të depërtojnë në sipërfaqe.

Nuk përjashtohen mundësi që përreth zonave malore të ketë edhe ndonjë rrebesh të dobët dëbore më vonë duke shkuar nga mbrëmja. Temperaturat në rënie, minimalet zbresin në -2C e 2C, e ato maksimale shkojnë deri në 4C e 6C. Frynë erë e lehtë dhe mesatare nga verilindja 3-8m/s.

Me kalimin në ditën e diel, vransirat parashihet të shpërndahen, e të ketë më shumë kthjellime dhe intervale me diell. Mot stabil me më shumë kthjellime po parashihet ditëve të para të javës vijuese, megjithëse me temperatura të ulëta.

Minimalet zbresin deri në -7C e -8C, ndërsa maksimalet shkojnë deri në 3C e 4C. Ditën e mërkurë shfaqen kushte për reshje të dobëta dëbore, ndërkohë që temperaturat po mbesin të ulëta. Frynë erë e lehtë dhe mesatare verilindore e lindore 3-8m/s, nga dita e martë me hove mbi 10m/s.