Përse Parashqevi Simaku mendon që nuk është e ndarë me bashkëshortin? Djalin nuk e takoi për 15 vite…

Historia e këngëtares së njohur shqiptare, Parashqevi Simakut, e cila u gjet e pastrehë në SHBA, tronditi opinionin publik. Dhe e gjendur përballë këtyre kushteve, një nga personat që e ndihmoi atë është Elton Ilirjani, i cili tregoi mbrëmjen e djeshme në “Opinion” se Parashqevi Simaku u nda me bashkëshortin, Robert Nolfe, pas lindjes së djalit të tyre.

Sipas tij vdekja e të atit, presioni psikologjik dhe zhgënjimi në vitet e para të karrierë kanë qenë disa nga arsyet që ndikuan në marrëdhënien e tyre. Pavarësisht këtyre, Ilirjani tregon se Parashqevia u bë një nënë e dedikuar.

“E ka ushqyer djalin e saj Luke dy vite me gji. Në SHBA është diçka që nuk imagjinohet”, tha Ilirjani.

Sa i përket ndarjes, Ilirjani tregoi se edhe Robert Nolge i ka rrëfyer të njëjtën gjë si Parashqevia. Por megjithatë ai zbuloi për herë të parë se Parashqevia nuk ka shkuar kurrë në një proces gjyqësor për t’u ndarë me të, madje ajo mendon se ajo nuk është ndarë me bashkëshortin e saj.

“Pasi vendosën që të jetonin të ndarë, dua ta them këtë publikisht, Parashqevia asnjëherë nuk ka shkuar në një proces gjyqësor për t’u ndarë është momenti ta them ekskluzivisht te ju. Parashqevia mendon që nuk është e ndarë me bashkëshortin e saj dhe ka të drejtë ta mendojë këtë sepse nuk ka marrë pjesë në asnjë proces gjyqësor. Është shumë e komplikuar dhe ngurroj të them një fjalë të qartë. Dua ta lë të nënkuptuar që nuk është e çuditshme që shumë njerëz ndahen edhe pa dijeninë e tyre”, tha ai.

Ilirjani tregoi se Gjykata Supreme kishte vendosur që djali i tyre, Luke, të jetonte me të atin pasi e kishin vlerësuar si jo të aftë për të rritur fëmijën. Për këtë arsye, Parashqevi Simaku nuk e takoi djalin e saj për 15 vite rresht.

Në Shqipëri janë shitur ëmbëlsira me copa metali, BE lëshon alarmin: Largojini nga tregu!

Sistemi RASFF i Bashkimit Evropian, i cili mundëson shkëmbim të menjëhershëm informacioni, ka njoftuar autoritetet Shqiptare se në vendin tonë janë futur ëmbëlsira me copa metali.

Në njoftimin e kategorisë “Alert” është bërë me dije se duhet të largohet menjëherë nga tregu produkti “Fruit Toffee” Mix 500g me origjinë nga Maroku dhe datë skadence 26.04.2026 pasi te këto ëmbëlsirat janë konstatuar copa metali të cilat përbëjnë risk serioz për shëndetin e njeriut.

Prania e copave të metalit është konstatuar nga kompania prodhuese gjatë një vetëkontrolli , kjo e fundit më pas ka kërkuar tërheqjen nga tregu të këtij produkti.

Televizioni “Ora News” iu drejtua AKU me një kërkesë për informacion në lidhje me këtë rast. Ky institucion na bën me dije se subjekti importues i ëmbëlsirave është “World Wine shpk”.

Pas kontrolleve të kryera nga inspektoret e AKU në terren, më qëllim bllokimin e produktit, rezultoi se subjektet e kishin shitur dhe nuk kishte më gjendje.

Ajo që të bën përshtypje në këtë rast është se AKU jep emrin e ëmbëlsirave, të cilat janë paketim 500 g, por nuk publikon asnjë foto te produktit që paraqet rrezik nëse konsumohet.

Në mungesë të publikimit të fotove , i kemi kërkuar këtij institucioni informacion se përse nuk i njofton qytetarët për këto problematika me anë të rrjeteve sociale që disponon.

AKU që i përdor rrjetet sociale vetëm për të treguar sukseset imagjinare dhe reale, e tejkalon përgjegjësinë duke u shprehur se njoftimin e ka bërë ne faqen zyrtare AKU.

Mos publikimi i këtyre njoftimeve kaq të rëndësishme për konsumatorët në rrjetet sociale të AKU, ngre pikëpyetje mbi transparencën e këtij institucioni, i cili paguhet nga taksat tona për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve./ Ora News

E përplasi makina, humb jetën 50-vjeçarja shqiptare në Itali(Foto)

Një 50-vjeçare shqiptare, Amela Drini, ka humbur jetën pas një jave shtruar në spital, pasi e kishte përplasur një makinë teksa po ecte përgjatë rrugës Circonvallazione est.

50-vjeçarja, e cila u hodh disa metra tutje nga mjeti që e përplasi, ka ndërruar jetë për shkak të plagëve shumë të rënda të marra, në veçanti një goditje fatale në kokë.

Shkak i aksidentit, sipas mediave italiane, dyshohet se u bë dukshmëria e ulët në zonë, edhe për shkak të shiut të rrëmbyeshëm atë mbrëmje, i cili nuk e lejoi shoferin të shmangte përplasjen me 50-vjeçaren, e cila jetonte pak hapa larg vendit ku u godit, në via Sofia Da Camino.

Rozana g* det ne fytyrë Loredanën, dalin pamjet(Video)

Në rrjet është bërë virale një video teksa Loredana shihet duke zgjuar në mëngjes Rozanë, ku me pas kjo e fundit e goditi në fytyr.

Ndjekësit kanë reaguar menjëherë duke kërkuar që vëllai madh të sjell zarfin e zi, por a do të ndodh kjo mbetët të shihet, shkruan “Kosovarja”

Me pas Loredana ka vazhduar duke i zgjuar të gjithë banoret, por ata nuk e kanë pasur sjelljen e njëjtë me të Roznës.

Ndiqeni pamjet për më shumë.

VIDEO

BIRN: “Ëndrra europiane”, si po e përdor Edi Rama integrimin në BE si kartë elektorale

Kur mbeten ende 3 javë nga hapja zyrtare e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kryeministri Edi Rama ka nisur të artikulojë tezat e tij në kërkim të një mandati të katërt në qeverisje. Të enjten, Rama publikoi në rrjetet e tij sociale një poster me numrin 5, që tregon renditjen e Partisë Socialiste në fletën e votimit, duke kërkuar votat në këmbim të premtimit për “pasaportën europiane” ndaj shqiptarëve.

“Me thjesht një votë për mua dhe PS më 11 maj, çdo prind ka në dorë t’u japë fëmijëve të vet pashaportën e qytetarit shqiptar të Bashkimit Europian, e të mos i lerë të rriten si qytetarë të dorës së dytë në mes të Europës,” propagandoi Rama në Facebook, duke përdorur si simbol edhe flamurin e Bashkimit Europian.

Duke e përdorur procesin e integrimit në BE si kartë elektorale, kryeministri Rama u bën thirrje qytetarëve që të votojnë Partinë Socialiste, si e vetmja forcë sipas tij që mund ta fusë vendin në BE, duke premtuar në mënyrë të njëanshme edhe përfundimin e negociatave në vitin 2027.

Procesi i integrimit është një proces më shumë teknik dhe varet nga përmbushja e kritereve që i vendosen qeverisë shqiptare nga Brukseli. Aktualisht, Shqipëria ndodhet në fillim të rrugës për anëtarësim, pasi në dhjetor u mor vendimi për çeljen e negociatave për grup-kapitujt e parë, të ashtuqujturat “Themeloret”, që përfshijnë sundimin e ligjit dhe institucionet demokratike.

Ky proces i zgjatur prej dy dekadash që nga marrëveshja e Stablizim-Asociimit në vitin 2005, është penguar ose ka mbetur pezull në të shumtën e rasteve për shkak të konflikteve të brendshme politike, mungesën e vullnetit për të luftuar krimin dhe korrupsionin dhe mosrealizimit të zgjedhjeve sipas standardeve demokratike.

Për opozitën dhe ekspertë të politikës, përdorimi i tezës së integrimit si tezë elektorale nga Rama nuk është i bazuar në realitet dhe tregon sipas tyre shterpësinë e një programi pas një kohe të gjatë në pushtet.

“Po përdoret procesi i integrimit për fushatë në një moment kur jemi në fazën e hapjes së grup-kapitujve,” thotë Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike dhe kryetare e Komisionit Parlamentar të Integrimit.

Tabaku i tha BIRN se opozita ka pasur një kërkesë të qartë për përfaqësuesit e Komisionit Europian që gjatë periudhës zgjedhore të mos ketë konferenca ndërqeveritare Shqipëri-BE për shkak të përdorimit të tyre në mënyrë elektorale.

“Procesi i integrimit nuk ka pasur ndonjë avancim në 12 vite dhe këta pretendojnë se atë që s’kanë bërë në 12 vite do ta bëjnë në 1 vit,” theksoi Tabaku, duke këmbëngulur se afati i premtuar nga Rama për pasaportën europiane në 2027 është jorealist.

“Nuk ka për ta marrë çfarëdo që të bëjnë, sepse ashtu siç tha Komisonierja për Zgjerimin; nuk ka rëndësi sa grup-kapituj hap, po sa prej tyre mbyll,” shtoi ajo.

Edhe Arlind Qori, kryetar i partisë “Lëvizja Bashkë” mendon se Rama e ka zgjedhur “në mënyrë të pandershme” procesin e integrimit si kartë elektorale dhe po e përdor atë për të mbuluar skandalet korruptive dhe dështimet e qeverisjes.

“Rama është një kryeministër shterpë në ide. Vizioni i tij zhvillimor nuk shkon dot përtej pastrimit të parave të pista në sektorin e ndërtimit. Ndaj këtë shterpësi dhe korrupsion orvatet ta mbulojë përmes gjesteve teatrale apo legjitimitetit fals që vjen prej organizimeve ndërkombëtare,” tha Qori për BIRN.

Sipas Qorit, një proces i shëndoshë i integrimit duhet të vijë prej përfshirjes së të gjithë shoqërisë dhe jo të instrumentalizohej për arsye elektorale. Gjithsesi, ai beson se premtimet për pasaporta europiane nuk do të japin rezultat në zgjedhje.

“Dikur luante rol edhe një foto me përfaqësues ndërkombëtarë. Tanimë jo. Qytetarët duan në radhë të parë që Shqipëria të bëhet e jetueshme, të kemi një model të qëndrueshëm zhvillimi dhe shërbime publike cilësore,” theksoi Qori.

Përdorimi politik i integrimit
Kryeministri Edi Rama erdhi në pushtet në vitin 2013 me premtime të tjera, të cilat lidheshin me luftën kundër korrupsionit, shëndetësinë falas, përmbylljen e procesit të legalizimeve apo taksën progresive dhe forcimin e shtetit. Ai i fitoi zgjedhjet pas një koalicioni me Ilir Metën, ish-aleatin e Berishës në qeveri, por 4 vite më vonë në 2017-ën u kërkoi votat shqiptarëve për të qeverisur i vetëm, duke e akuzuar aleancën me Metën se kishte përdorur pushtetin si një ‘tepsi’ për korrupsion.

Ndërsa në vitin 2021, Rama përdori reformën në drejtësi si kalin e betejës elektorale, e cila sapo kishte nisur të jepte frytet e para pas ngritjes së institucionet e reja të drejtësisë.

Sot kur bilanci i kësaj reforme ka çuar pas hekurave për korrupsion disa nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ramës në ekzekutiv dhe së fundmi dhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, kryeministri ka zgjedhur t’u ofrojë shqiptarëve “ëndrrën europiane”.

Në fushatën elektorale të vitit 2013, ish-kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha u fut në zgjedhje me një tezë të ngjashme dhe me avantazh vendimin e Bashkimit Europian për të liberalizuar vizat me Shqipërinë. Por Berisha i humbi zgjedhjet.

Sipas ekspertit të politikës, Ervis Iljazaj, pedagog i Shkencave Politike pranë Universitetit Europian të Tiranës, procesi i integrimit gjithmonë është përdorur nga politika shqiptare gjatë tranzicionit, sepse klasa politike luan me ëndrrën e shqiptarëve për t’u bërë qytetarë europianë.

“Edhe pse procesi i integrimit ka qenë i gjatë, rraskapitës dhe shumë i vështirë, përsëri shqiptarët kërkojnë të jenë pjëse e BE me të drejta të plota. Në këtë kuptim, edhe kësaj here procesi i integrimit po përdoret për interesa politike,” tha ai për BIRN.

Por, sipas Iljazajt, kartat e integrimit që po luan Rama nuk janë përcaktuese për konsensusin popullor. Ai beson se ka disa arsye se pse Rama krejt papritur e ktheu këtë proces në një tezë elektorale pas 12 vitesh në pushtet, që janë të lidhura me mungesën e ideve të reja të tij dhe me një faktor gjeopolitik që favorizon integrimin e Shqipërisë.

“Tashmë që Shqipëria ka çelur negociatat, konteksti gjeopolitik është i favorshëm dhe Rama kërkon ta përdorë si meritë të tij integrimin e Shqipërisë në BE”, tha Iljazaj, duke theksuar edhe kontradiktën në qëndrimet e kryeministrit, të tipit:“kur Shqipëria merrte vendime negative nga BE ishte faji i Europës, ndërsa tashmë që integrimi europian ka shanse vërtet, kjo është meritë e Qeverisë”.

Iljazaj beson gjithashtu se Rama po e luan këtë kartë, pasi pas 12 vitesh në qeveri dhe me pushtet të plotë, nuk ka se çfarë të premtojë më. Nga ana tjetër, lojën politike me procesin e integrimit, ai e sheh si të dëmshëm për vetë procesin, i cili kërkon “bashkëpunim dhe jo konflikt”.

“Sigurisht që kjo qasje konfliktuale e politikës së brendshme ndikon në marrëdhëniet Shqipëri-Bruksel, pasi zyrtarët e BE kërkojnë një klimë bashkëpunuese për integrimin dhe jo përdorimin e kësaj çështje për arsye elektorale,” përfundoi Iljazaj.

Rama bën deklaratën e papritur për Altin Dumanin

Kryeministri Edi Rama, ka folur nga Durrësi, ku shprehet se “vota më 11 maj është votë për BE”, ku i bëri thirrje shqiptarëve që të votojnë për PS dhe jo për “kënetën”, duke iu referuar opozitës.

Në një takim me kandidatët për deputet në qarkun e Durrësit, Rama tha se opozita kërkon të zhbëjë reformën në drejtësi dhe me shpatën që PS i ka dhënë drejtësisë të “presë kokën e Altin Dumanit”.

Ai u kërkoi shqiptarëve që të bëhen bashkë dhe më 11 maj të votojnë për BE-në.

Rama: Çfarë do pala tjetër sot? Thotë “sa të marrim votën do t’ia marrim shpatën drejtësisë dhe gjëja e parë që do të bëjmë me atë shpatë do presim Kokën e Altin Dumanit”, asnjëherë shqiptarët nuk do kenë garanci që barazia para ligjit të jetë jashtë diskutimeve politike. Kur të hyjmë në BE askush s’do ketë mundësi të bëjë lëvizje të tilla se nuk të le ajo familje. Prandaj vota më 11 maj nuk është votë për PS. Çdo shqiptar që është në Durrës dhe çdo qytet e fshat të Shqipërisë, çdo qytet dhe fshat të botës, voton dhe merr mbrapsht diçka që është pasaporta e BE.

Ka disa që thonë “ç’na duhet ne pasaporta e BE”. Nuk janë të informuar se çfarë është pasaporta e BE, e cila si me magji bën kalimin nga një qytetar i dorës së dytë në një qytetar të barabartë menjëherë, që nga aeroporti, porti, që nuk do na fusë më njeri në radhë. Ta marrin atë votën e tyre dhe mos ta hedhin në kënetë për tifozllik kot…atë votë duhet ta marrin dhe ta fusin te kutia e PS për të marrë pasaportë për fëmijët që e kanë 14-vjeç.

Kur të bëhet fëmija 18-vjeç ta çojë në Universitet jashtë dhe të mos jetë i huaj. Jo se ata të tjerët do anulojnë negociatat, por do vonojnë shumë dhe do mbyllet dera. Maqedonia e Veriut, është bërë kandidate në 2005, sot akoma s’ka filluar negociatat. Për ne është hapur, thonë “mbaroni detyrat dhe hajdeni”. Të mbarosh detyrat atje do të thotë të bësh shtet. Populli shqiptar duhet të bashkohet dhe të thotë njëzëri “ne duam BE”.

Karamuço zbulon kush është Nesti Angoni që denoncoi Veliajn

Profesori i kriminalistikës Ervin Karamuço ka deklaruar mbrëmjen e djeshme se Nesti Angoni, personi që ka bërë edhe denoncimin ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj në SPAK, dyshohet të jetë një ish-financier

Sipas tij, është një ish-financiere e biznesit e cila ka pasur dijeni në detaje për mënyrën se si menaxhoheshin paratë, fluturimet, hotelet e gjithçka.

“Për mendimin tim ka një dëshmitar të akuzës në rastin e hetimeve që po zhvillohen, flitet për një ish-financiere që jep të dhëna shumë të sakta. Ish-financiere e bizneseve që jep të dhëna shumë të sakta që ka ngritur një pistë hetimore, që ka çuar deri në këto masa që shikojmë sot e deri në ato volume që do të shkojnë në gjykatë nesër për tu shqyrtuar e për të dhënë një vendim.

Askush nuk mund ti dinte qoftë blerjet, qoftë mënyrën se si menaxhoheshin paratë, fluturimet, hotelet e gjithçka në aspektin politik. Këto janë shumë teknike, financiare dhe deri diku juridike dhe janë shumë të sqaruara”,-tha Karamuço në Euronews Albania.

Akrepat shkojnë 60 minuta para! Ja kur rikthehet ora verore

Në natën mes të shtunës dhe të dielës, 29 dhe 30 Marsit, akrepat e orës shkojnë 60 minuta para duke shënuar zyrtarisht rivendosjen e orës diellore.

Orët që kërkojnë ndërhyrje manuale duhet të zhvendosen me një orë përpara, nga ora 2:00 deri në 3:00. Pra kjo do të thotë që do flini pak më pak, por nga ana tjetër regjimi i ri për orë do t’ju lejojë të përfitoni nga rrezet e diellit deri vonë, edhe falë zgjatjes së ditëve që sjell vera.

Ora verore do të qëndrojë në fuqi deri në fundjavën e fundit të tetorit ku akrepat do të ndryshojnë sërish 60 minuta. Sipas disa studiuesve, thuhet se koha verore sjell përfitime për shëndetin tonë, sepse është më në sinkron me orën tonë biologjike, e cila ka nevojë për errësirë ​​gjatë orëve të mbrëmjes për të prodhuar melatoninë dhe për të siguruar pushimin e duhur.

Kompjuterët dhe pajisjet e lidhura me internetin përditësohen automatikisht, ndërkohë që është e nevojshme të korrigjoni manualisht kohën e mbajtur nga orët analoge.

Turqia merr në mbrojtje rajonin dhe Shqipërinë! Zbulohet marrëveshja e luftës

Turqia është e vendosur të ratifikojë marrëveshjet e kornizës ushtarake të nënshkruara me tre shtete të Ballkanit, një lëvizje që do të forcojë më tej praninë ushtarake të Ankarasë në rajon, ndërkohë që do të shtrijë ndikimin strategjik të saj përreth Greqisë.

Marrëveshjet, të nënshkruara në vitin 2024 me Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, vijnë në një kohë kur tensionet gjeopolitike në Mesdheun Lindor janë të larta. Greqia ka shprehur shqetësim për partneritetet ushtarake në rritje të Turqisë, veçanërisht në rajone me rëndësi historike dhe strategjike. Ballkani ka qenë prej kohësh një terren për betejë të ndikimeve mes aleatëve të NATO-s dhe fuqive të jashtme, dhe lidhjet ushtarake të thelluara të Turqisë me këto shtete sinjalizojnë synimin e saj për të luajtur një rol më aktiv në dinamikat e sigurisë rajonale.

Marrëveshjet janë përshpejtuar për t’u futur në agjendën e Parlamentit turk, ndryshe nga paketa të ngjashme ushtarake që zakonisht kalojnë nëpër një proces shqyrtimi më të gjatë. Ankaraja i sheh këto marrëveshje si pjesë të një strategjie më të gjerë për të forcuar bashkëpunimin e saj ushtarak me shtetet fqinje dhe aleatët, ndërkohë që kundërshton kërcënimet e sigurisë në rajon.

Përmes marrëveshjeve, Turqia dhe partnerët e saj do të bashkëpunojnë në një gamë të gjerë fushash ushtarake dhe mbrojtëse, përfshirë trajnim dhe arsimim, ushtrime të përbashkëta, bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes, ndarjen e informacionit të inteligjencës, mbështetje logjistike, shërbime mjekësore, mbrojtje nga sulmet kibernetike, misione paqeruajtëse dhe kundërminim të minave dhe pajisjeve shpërthyese të improvizuara. Marrëveshjet gjithashtu lehtësojnë shkëmbimin e personelit, kërkimin e përbashkët në shkencën dhe teknologjinë ushtarake dhe bashkëpunimin operativ në misionet e ndihmës humanitare dhe ndihmën pas katastrofave.

Turqia e sheh këtë lloj marrëveshjeje ushtarake formale si një hap në thellimin e lidhjeve të mbrojtjes dhe për marrëveshje të mundshme të ardhshme. Ato gjithashtu shërbejnë si një referencë për bashkëpunim të gjerë në industrinë e mbrojtjes. Një strategji që fillimisht ishte e lidhur me shitjet e dronëve të prodhuar nga kompania Baykar e dhëndrit të Presidentit Recep Tayyip Erdogan, ka kaluar më pas në produkte të tjera mbrojtëse.

Monitori Nordic ka raportuar më parë se Turqia ka filluar të përdorë gjithnjë e më shumë marrëveshje kornize gjithëpërfshirëse për të fshehur marrëveshje të mëtejshme ushtarake, mbrojtëse dhe të inteligjencës nga vëmendja publike. Raporti citon Gjeneral Brigade Esat Mahmut Yılmaz, kreun e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Ligjore në Ministrinë e Mbrojtjes të Turqisë, i cili ka zbuluar këtë qasje në një seancë të mbyllur më 21 maj 2024 me Komitetin për Marrëdhëniet me Jashtme të parlamentit.

Sipas Yılmaz, Turqia ka konsoliduar këto tre marrëveshje, të cilat fillimisht ishin negociuar veçmas, në një kornizë të vetme për të përshpejtuar angazhimin në operacione ushtarake të huaja.

Pasi të ratifikohen dhe të publikohen në Fletoren Zyrtare, këto marrëveshje do t’i mundësojnë ushtrisë turke të hyjë në marrëveshje sekondare me partnerët e huaj pa kërkuar miratimin e mëtejshëm nga parlamenti. Kjo metodë kufizon debatin publik mbi përmasat dhe shtrirjen e aktiviteteve ushtarake të Turqisë jashtë vendit. Duke përshpejtuar procesin e miratimit, Ankara synon të eliminojë pengesat burokratike dhe të sigurojë vazhdimësinë e angazhimeve të saj mbrojtëse. Analistët vërejnë se kjo qasje pasqyron strategjitë e ngjashme që janë përdorur në marrëveshje të mëparshme mbrojtëse me shtete nga Afrika dhe Azia Qendrore, ku Turqia ka kërkuar partneritete të qëndrueshme mbrojtëse përmes kornizave ligjore gjithëpërfshirëse.

Derisa deri kohët e fundit, Turqia ka negociuar marrëveshje të veçanta për trajnim ushtarak, bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes dhe bashkëpunim të përgjithshëm ushtarak, qeveria tani i ka përmbledhur ato në marrëveshje më të gjera kornizë. Ky qasje, veçanërisht e aplikuar me partnerët në Afrikë, Europën Lindore dhe Azinë, synon të përshpejtojë operacionet ushtarake, të minimizojë pengesat burokratike dhe të mbajë të fshehura marrëveshjet sekondare. Këto marrëveshje kanë luajtur një rol kyç në ndikimin në rritje të mbrojtjes së Turqisë, veçanërisht në shtetet ku teknologjia ushtarake turke dhe programet e trajnimit janë pritur mirë.

“Ne dikur i paraqisnim këto tre veçmas si marrëveshje individuale në parlamentin tonë. Megjithatë, më vonë i bashkuam të treja. Tani i negociojmë këto nën një kornizë të vetme dhe marrëveshje bashkëpunimi në mbrojtje”, tha Yılmaz.

Në dhjetor 2024, Turqia kishte nënshkruar marrëveshje të kornizës ushtarake me 89 shtete dhe marrëveshje bashkëpunimi për trajnim ushtarak me 65 shtete. Negociatat janë në vazhdim me 47 shtete për marrëveshje të kornizës ushtarake dhe 13 për marrëveshje trajnimi. Për më tepër, Turqia ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes me 90 shtete.

Pothuajse të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare që janë procesuar nga Parlamenti turk vitet e fundit kanë rënë nën këto korniza të gjera ushtarake. Në mënyrë të veçantë, Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtme, dhe jo Komiteti për Mbrojtjen, shpesh mbikëqyr shqyrtimin dhe miratimin e këtyre marrëveshjeve, pavarësisht se i mungon ekspertiza në çështjet ushtarake. Kjo sugjeron një përpjekje nga administrata e Erdoganit për të kufizuar shqyrtimin parlamentar. Ligjvënësit kritikë të qeverisë kanë shprehur shqetësime për mungesën e transparencës në këto marrëveshje, duke argumentuar se ato i japin qeverisë një larmi të madhe vendimesh në çështjet ushtarake.

Interesi i fortë personal i Erdoganit në marrëveshjet ushtarake dhe mbrojtëse të huaja ka luajtur një rol të rëndësishëm në përshpejtimin e këtyre marrëveshjeve. Familja e tij ka përfituar financiarisht nga shitjet e armëve ushtarake, veçanërisht dronëve Bayraktar të prodhuar nga Baykar. Gjatë viteve, familja Erdogan ka përfituar gjithashtu indirekt nga komisionet e lidhura me kontratat mbrojtëse, të mundësuara përmes politikave qeveritare të favorshme si tenderët pa garë, ulje taksash dhe subvencione.

Kristjan Asllani tregon sekretin se si ndalen anglezët, garanton motivimin e Kombëtares kuqezi

Kristjan Asllani shihet si një nga lojtarët më të mirë të skuadrës tonë përfaqësuese. Ai ka besim se Shqipëria do ta nisë mbarë aventurën e saj në kualifikueset e Kupës së Botës, duke shtuar se kuqezinjtë janë të motivuar dhe do të bëjnë më të mirën në lojën e tyre për të marrë pikë ndaj “Tre Luanëve”. Asllani foli për përgatitjet e skuadrës për dy ndeshjet e para në kualifikueset e Kupës së Botës ndaj Anglisë dhe Andorrës.

Asllani tha se atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë dhe të gjithë lojtarët janë të fokusuar, ndërsa theksoi se Shqipëria do të japë maksimumin ndaj Anglisë për një rezultat pozitiv. Në fund, ai i bëri thirrje tifozëve të mbështesin skuadrën dhe të mbushin shkallët e stadiumit në “Arenën Kombëtare” për ndeshjen ndaj Andorrës.

Një nga pyetjet që iu bë Asllanit ishte: Me Interin në Botërorin e Klubeve në Amerikë, sa i sigurtë je që do shkosh vitin tjetër në Botërorin e vërtetë me Kombëtaren? Përgjigja e tij ishte sa diplomatike aq dhe pragmatiste. “Këtu jemi për Kombëtaren, kemi një grup të vështirë, e dimë. Tani po stërvitemi dhe jemi gati për ndeshjen e parë”, theksoi ai.

Sekreti për të ndalur “Tre Luanët”

Më tej mesfushori kuqezi foli për praninë e tij tek Interi dhe ambiciet me skuadrën zikaltër. Në këtë pikë Asllani u ndal edhe tek vështirësia e lojtarëve anglezë për të cilët ai tha se i njeh e janë shumë të rrezikshëm. Sipas tij, sekreti për t’I ndalur anglezët është që përfaqësuesja jonë të luajë me zemër. “Janë një skuadër shumë e fortë, skuadër fizike dhe shumë teknike. Lojtarët e tyre i njohim shumë mirë. Besoj se nuk duhet të mendojmë shumë, por të luajmë me shpirt e zemër. Të mos shkojmë atje si turistë se gjithmonë kur hyjmë në fushë, futemi për fitore. E dimë që është e vështirë, por do të punojmë edhe këto 2-3 ditë dhe do shkojmë aty me shumë shpirt”, nënvizoi mesfushori kuqezi.

Mendimi në funksion të ekipit

Për Asllanin përfaqësuesja është gjë shumë speciale dhe ai tha se mendonte tërë kohën për ekipin, ku loja në grup duhet të shpërblehet. “Nuk e di çfarë prisni nga Asllani. Mendoj për ekipin, nuk jam këtu për të luajtur vetëm për veten time. Jemi një grup, një skuadër. Në kombëtare duhet të luajmë të gjithë së bashku. Kemi një ndeshje të vështirë. Po punojmë këto ditë, dje erdhëm.

Kemi edhe dy ditë për të punuar, fokusi është te ndeshja me Anglinë”, nënvizoi më tej Asllani. ai komentoi më pas mesfushën e skuadrës angleze, gjithnjë duke e krahasuar me tonën. por Asllani e pranoi se Anglia ka një skuadër shumë të fortë, ku të gjitha repartet e daj janë të kompletuara dhe me lojtarë shmë cilësorë. pra ai e pranoi se kjo ndeshje do të ishte e vështirë për Shqipërinë. “Mesfusha e Anglisë është shumë e fortë. Gjithë skuadra angleze është shumë e fortë. Do jetë ndeshje e vështirë. Do të luajmë si ekip, me shpirt dhe zemër siç kemi luajtur”, shtoi Asllani.

Në fund ai pranoi se një barazim do të ishte rezultat i mirë për ekipin tonë. “Nuk isha në Kombëtare në ndeshjen ndaj Anglisë katër vite më parë. Ne do të hyjmë në fushë dhe do të luftojmë që nga minuta e parë. E dimë që do na sulmojnë se kanë lojtarë shumë të shpejtë. Do të luajmë siç kemi luajtur në ndeshjet para Europianit”, përfundoi Asllani.