E rëndë/ Ishte nisur drejt Londrës, rrëzohet avioni me 242 pasagjerë

Një aeroplan i Air India u rrëzua në aeroportin e Ahmedabadit pak minuta para ngritjes të enjten. Sipas informacioneve fillestare, fluturimi duhej të nisej nga Ahmedabadi për në Gatwick të Londrës.

Pamjet e frikshme nga toka tregojnë një re të madhe tymi të zi që del nga vendi i rrëzimit.

Sipas Air India, “Fluturimi AI171, që operonte Ahmedabad-Londër Gatwick, u përfshi në një incident sot, më 12 qershor 2025.” Kompania ajrore shtoi se në këtë moment po përcaktojnë detajet dhe do të ndajnë përditësime të mëtejshme sa më shpejt të jetë e mundur.

Aeroplani u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga Ahmedabadi me 242 persona në bord, të përbërë nga 2 pilotë dhe 10 anëtarë të ekuipazhit të kabinës, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil, raportoi ANI

Arrihet marrëveshja: Mbrojtësi i Kombëtares bëhet me skuadër të re

Enea Mihaj do të vazhdojë karrierën në Turqi. Mbrojtësi i Kombëtare shqiptare ka arritur marrëveshjen me Samsunspor.

Bëhet fjalë për një kontratë katërvjeçare, me mundësi rinovimi edhe për një tjetër sezon.

Arritjen e marrëveshjes e ka bërë të ditur vetë presidenti i klubit turk, Yuksel Yildirim, i cili deklaroi: “Kemi mbyllur akordin me Enea Mihajn, i cili vjen pas aventurës te portugezët e Famalicao. Kemi planifikuar vizitat mjekësore brenda 10 ditëve të ardhshme.”

Mihaj ishte pjesë e Famalicao nga viti 2022, ndërsa vendosi të mos rinovojë.

26-vjeçari do të luajë në Turqi për herë të parë në karrierë.

Në të kaluarën, mbrojtësi ka luajtur në Greqi, me ekipe si Panetolikos dhe PAOK.

Në rrjet po përflitet për lidhje të re por Sara Hoxha habit me veprimin! Nis pushimet me Ledrin dhe vajzën (Foto)

Një lidhje e re e Sara Hoxhës është thashethem i ditëve të fundit në media rozë. Ndonëse nuk ka bërë asnjë reagim publik Sara duket po preferon të shijojë pushimet e saj në heshtje.

Derisa para pak ditësh ajo ka publikuar disa pamje me vajzën e saj në bregdet, Ledri sot e ka bërë të njëjtin veprim në Instastory.

A kanë nisur ish çifti pushimet së bashku për të qëndruar më afër vajzën? Kjo pritet për tu parë.

Fillimisht u aludua se influencerja ishte në një romancë me një djalë shumë të njohur në rrethet e Tiranës. Por së fundmi referuar postimeve të bërë në rrjet, është krijuar një ide se kush është djali misteriz që i vodhi zemrën Sarës.

Pas publikimit të videos, prokuroria merr vendim për vrasjen e Martin Canit Pas publikimit të videos, prokuroria merr vendim për ngjarjen e Martin Canit

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë regjistroi procedim penal për veprën penale ‘Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete’ parashikuar 295/a pas publikimit në media dhe portale të ndryshme të një video mbi ngjarjen në shkollën 9-vjeçare ‘Fan Noli’, ku humbi jetën i mituri M.C.

Video e publikuar në disa media përmban pamje filmike të datës 18.11.2024, ku shfaqen të miturit me etiketimet e gjeneraliteteve të tyre përkrah secilit.
Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera në lidhje më këtë procedim, janë administruar në cilësinë e provës materiale edhe një CD me pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë që kanë fushëpamje në rrugën ku kanë kaluar të miturit drejt vendit të ngjarjes, veprim i cili është dokumentuar me procesverbalin për këqyrje dhe marrje të provës materiale nga ana e policisë gjyqësore.

Pamjet filmike, që u publikuan dy ditë më parë në media e shpërndarë edhe në disa portale on-line, përmbajnë të njëjtat pamje filmike që ndodhen edhe në CD-në që u administrua në fashikullin hetimor.
Në përfundim të hetimeve, CD-në me pamjet filmike të disponuara nga prokuroria, i janë vënë në dispozicion mbrojtësit të familjarëve të viktimës, avokatit, i cili e ka marrë atë dhe të gjitha aktet e fashikullit, kundrejt nënëshkrimit të deklaratës për mospublikimin e saj.
Kjo çështje aktualisht është në gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku po zhvillohet gjykimi në themel me dyer të mbyllura.

Konstatohet se në rastin konkret, me publikimin e videos, janë shkelur të dy detyrimet e parashikuara në nenin 103/1, 2 të Kodit të Procedurës Penale pasi janë publikuar prova (video) që janë akte të shqyrtimit gjyqësor me dyer të mbyllura si dhe janë publikuar me video, foto dhe gjeneralitete të pandehur, viktima dhe dëshmitarë të mitur të kësaj çështjeje.
Nisur sa më sipër, ka të dhëna të mjaftueshme se janë konsumuar elementët e figurës së veprës penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, të parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal.

V▪︎au grυan në sy të fëmijëve, i jep fυnd j. etës në burg 31-vjeçari

I ka dhënë fund në burgun e Italisë Lulzim Toçi, i cili vrau gruan e tij 24-vjeçare vitin e kaluar në Caserta të vendit fqinj.

Mediat italiane shkruajnë se Lulzim Toçi, 31 vjeç, i dënuar për vrasjen e gruas së tij Eleonora Toçi, i dha fund jetës sot në burgun e Santa Maria Capua Vetere, ku po vuante dënimin për krimin e kryer më 9 tetor të vitit të kaluar.

Vetëvrasja ndodhi në zonën psikiatrike të institucionit të vuajtjes së dënimit.

Ai e mbyti gruan në shtëpinë e tyre, para dy fëmijëve të tyre të vegjël, atëherë 6 dhe 4 vjeç, një akt që tronditi komunitetin shqiptar, por edhe atë italian.

Autoritetet po hetojnë për të sqaruar se si ndodhi vetëvrasja. Çifti kishte marrë një shtëpi më të madhe në “Via Caravaggio”, për të jetuar me fëmijët e tyre, respektivisht 6 dhe 4 vjeç.

Krimi i rëndë ndodhi në dhomën e gjumit të çiftit. Hetuesit thanë se vrasja me siguri është kryer teksa viktima ka qenë duke fjetur.

“E çova fëmijën në makinën që ishte e parkuar në diell, më pas…”- Misteri i υ▪︎ekjes së foshnjës 5-muajshe, zbardhet dëshmia e nënës shqiptare! Dy momentet kyçe të hetimeve

Autoritetet gjyqësore në Paro të Greqisë po përpiqen të zbulojnë shkaqet e vdekjes së një foshnje pesë muajshe, për të cilën deri më tani nuk ka një shpjegim të qartë.

Ngjarja ka ndodhur në plazhin Paraspóros, ku foshnja qëndroi disa orë nën diell. Sipas babait shqiptar, foshnja ishte në diell rreth dy orë, ndërsa nëna, po shqiptare pretendon se qëndruan nga mëngjesi deri në mesditë.

Dy momente kyçe janë theksuar gjatë hetimeve. I pari është periudha kur nëna ndodhej vetëm me foshnjën në makinë, e cila ishte gjithashtu ekspozuar ndaj temperaturave të larta dhe kishte ngjashmëri me një furrë. Në dëshminë e saj, nëna tregoi:

“Shkuam në mëngjes me bashkëshortin dhe fëmijët tanë. Qëndruam gjithë kohën në diell. Foshnja filloi të qante dhe unë vendosa ta çoja në makinë, e cila ishte e parkuar në diell. Qëndrova aty për gjysmë ore dhe më pas i tregova burrit se foshnja qante pa pushim, nuk ishte mirë dhe duhej të largoheshim. U larguam në orën 15:00 drejt shtëpisë.”

Nga ana e tij babai pretendon se nëna mungoi për vetëm 10-15 minuta dhe nuk di se çfarë ndodhi gjatë asaj kohe.

Momenti i dytë i rëndësishëm është periudha kur nëna mbeti vetëm me foshnjën në shtëpi nga ora 15:00 deri në orën 17:00, kur ajo e transportoi foshnjën tashmë të pajetë në Qendrën Shëndetësore të Paros.

“Pak pas pas ardhjes në shtëpi, bashkëshorti dhe djali im shkuan përsëri në plazh. Pas një ore e gjysmë apo dy orë, kuptova se diçka nuk shkonte me foshnjen. E mbështolla me një batanije dhe e dërgova në Qendrën Shëndetësore të Paros. Kur mbërrita, i thashë mjekut se foshnja nuk po merrte frymë. Nuk e di se çfarë ndodhi.”

Nëna është në gjendje shoku që nga pasditja e së dielës dhe nuk ka dhënë detaje për orët vendimtare që kaloi vetëm me foshnjen, raportojnë mediat greke.

Mjekët ligjorë po hetojnë jo vetëm për komplikimet nga goditja e diellit, por mundësinë e gëlltitjes së ndonjë trupi të huaj, ndërsa është përjashtuar skenari i një veprimi kriminal.

Babai dhe pjesëtarë të tjerë të familjes ndodhen në Paro duke u përpjekur të përballojnë humbjen tragjike, ndërsa nëna pritet të japë shpjegime para gjykatës lidhur me vdekjen e foshnjes.

Skandali/ Kompania shkarkon mbetjet e pulave në liqenin e Shkodrës, “shpërthen” gazetari: Të procedohet ky palaço

Një rast i rëndë i ndotjes së mjedisit është raportuar në rrjetet sociale, ku një kompani lokale në Shodër është filmuar duke shkakruar mbetjet e pularisë në liqenin e qytetit.

Në video duket furgoni i kompanisë “Driza” teksa ka hapur dyert e pasme nga ku një punonjës hedh në liqen mbetjet. Nuk dihet se kur është realizuar video.

Lidhur me pamjet e shëmtuara, ka reaguar i revoltuar edhe gazetari dhe ambientalisti Mentor Kikia, i cili kërkon që prokuroria të nisë menjëherë procedim për këtë ngjarje.

Reagimi i plotë:

Të ndëshkohet ky njeri e kjo kompani!

Unë nuk do të ndaloj së publikuari çdo ditë këtë video, derisa të dale lajmi që ky palaçoja dhe kjo kompania të jenë dënuar nga inspektoriatet, dhe prokuroria të ketë hapur një procedim ndaj këtij maskarallëku.

Po pastron makinën ky!

E pra, të dielën, ne me një grup prej 50 vullnetarësh do shkojmë të pastrojmë një zonë në shtratin e lumit Vjosë.

Po ku dhe çfarë të pastrosh?

Do shkojmë në BE ne, në 2027 do e mbyllim e kapitullin e mjedisit?

Ec e bëje atje këtë gjë, po nuk ta bënë gropën me gjithë pula e me gjithë glasa, plehrat.

Shperndajeni këtë video, derisa shteti të reagojë.

Boll na e qelbën këtë vend.

“I lashë pasuritë, ish-burri më mori dhe djalin”, rrëfehet mjekja shqiptare në SHBA!

Mjekja shqiptare që jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka treguar betejën e gjatë ligjore për të qenë pranë djalit të saj, i cili aktualisht mbahet nga ish-bashkëshorti në një shtet tjetër amerikan.

Shqiptarja Briseida Xhelaj e cila ka ndërtuar jetën në SHBA rrëfeu se ishte martuar më parë me një shtetas nigerian, të cilin e kishte ndihmuar të marrë dokumentet dhe të arsimohej.

Sipas saj, në kohën kur e njohu ai ishte pa shkollë dhe pa leje qëndrimi, por falë ndihmës së saj arriti të pajisej me “green card” dhe të ndërtonin së bashku një pasuri të madhe, duke përfshirë biznese, prona dhe toka në Karaibe.

“Ish-bashkëshorti im është doktor, profesor. Fillimisht e kam ndihmuar, sepse kur e njoha ishte pa shkollë dhe pa letra. U shkollua dhe krijuam një pasuri shumë të madhe së bashku me të në Karaibe, toka mes deti dhe biznese makinash”.

Ajo tha se u divorcua pas prishjes së marrëdhënies për shkak të tradhtive të përsëritura të ish-bashkëshortit. “Në marrëveshjen e divorcit, unë mbajta kujdestarinë e djalit, ndërsa ai mori të gjitha pasuritë. E lashë gjithçka sepse doja vetëm djalin”, tha ajo.

Por historia mori një kthesë të papritur teksa ndodhej në Shqipëri për një vizitë, ish-bashkëshorti kërkoi ta merrte djalin për pushimet e dhjetorit dhe më pas nuk e ktheu më. Sipas saj, ai ka ndikuar gjykatat lokale në SHBA për të marrë kujdestarinë e përkohshme përmes mashtrimesh dhe akuzash të rreme.

“Djali më tha vetë më 29 dhjetor se ish-bashkëshorti kishte bërë dokumente për të mos e sjellë më te unë. Ai e ka mësuar djalin të gënjejë në gjykatë. Ai mori urdhër që ta mbante përkohësisht, por gjykata ende nuk ma ka hequr kujdestarinë ligjore. Jam në një betejë të vështirë dhe të padrejtë për ta rikthyer djalin pranë meje.”

“Ish-bashkëshorti është i zemëruar që unë u rimartova dhe po përdor djalin për hakmarrje. Ka kërkuar që unë të shpërnguhem në të njëjtin shtet me të, me justifikimin që do ta shohim të dy djalin, kur për 10 vjet nuk kishte asnjë kontakt me të.”

Ajo thekson se ka depozituar fakte që tregojnë për ndikim të padrejtë në procesin gjyqësor. “Nuk besoja që kishte korrupsion në Amerikë, por ja që ka. Avokatët dhe gjyqtarët korruptohen, dhe ai ka lidhje të forta. Gjyqtari i çështjes u zëvendësua me një që është mik i ngushtë i tij si dhe i kumbarit të djalit, gjë që është në konflikt të hapur interesi.”

Ajo përshkruan ndikimin e kësaj beteje në jetën dhe punën e saj: “Tani kemi gjyqe të tjera, ku është një kalvar i gjatë lodhjeje psikologjike dhe një mbarim financash, sepse janë shumë të shtrenjta dhe unë po luftoj në dy shtete të ndryshme, ku vetëm një udhëtim që bëj shkon 3 mijë dollarë. Po shkëputem nga puna, nga përqendrimi dhe probleme të tilla. Djalin e kam takuar dy herë në gjyq, ku monitorohem me polici dhe trajtohem si kriminele”, thotë ajo.

Ndërkohë që beteja ligjore vazhdon në dy shtete të ndryshme amerikane, mjekja shqiptare është mbështetur nga bashkëshorti i saj i ri, i cili e mbështet moralisht dhe emocionalisht.

“Ai më thotë: “Burri i ri më suporton shumë dhe më jep kurajo, duke më thënë se djali, që është 10 vjeç, do rikthehet. Dhe unë e di që ai do të kthehet, se dhe pak do të rritet, por s’duhet të kalojë gjithë këtë traumë nga babai, që s’ka qenë kurrë aty.”

E vendosur për të mos u dorëzuar, ajo ka nisur edhe një peticion publik, përmes të cilit i kërkon gjykatës të dëgjojë zërin e saj si një nënë që po lufton për të drejtën e saj dhe për të ardhmen e të birit.

“Dua t’i tregoj gjykatës se jam një nënë e mirë, që djali më do dhe unë e dua. Njerëzit që më njohin e dinë kush jam dhe si jam. Nuk po kërkoj asgjë më shumë, vetëm të drejtën për të qenë me fëmijën tim”, tha ajo në Real People.

Pas 14 vitesh martesë, Erion Isai ndahet nga gruaja: Nuk ka më …

Kryebashkiaku i Ersekës, njëkohësisht humoristi Erion Isai i ka dhënë fund zyrtarisht martesës me bashkëshorten e tij.

Ndonëse fjalët qarkullonin prej kohësh se Isai jetonte i vetëm mes Tiranës dhe Ersekës së bashku me thashetheme të tjera, kjo asnjëherë nuk ishte pranuar prej tij.

Por tashmë duket se ndarja e është zyrtarizuar nga Gjykata e Tiranës në prill të këtij viti, ndërsa kërkesa për divorc ishte paraqitur një vit më parë.

Isai dhe Ajlin Petrela ishin martuar në vitin 2011 dhe bashkë kanë edhe dy fëmijë.

Në vendimin e gjykatës, ndër të tjera thuhet se nuk ka më afeksion, jetojnë të ndarë dhe se martesa e tyre ka humbur kuptimin.

Pas ditëve përveluese, kur priten rrebeshet në Shqipëri? Ja çfarë thotë metereologia Lajda Porja

E ftuar në emisionin “Wake Up”, Lajda Porja ka bërë një parashikim të motit dhe temperaturave për stinën e verës.

Metereologia e njohur u shpreh se muaji qershor është më i nxehti ndër vite dhe se jemi përpara një vere me temperatura ekstreme.

E pyetur nëse do të ketë ‘vetëm temperatura të larta dhe diell apo do të ketë dhe rrebeshe shiu?”, Porja u shpreh se do të ketë rrebeshe që do zgjasin pak minuta dhe më pas rikthehen orët me diell.

“Zona e juglindjes që unë e kisha të shënuar me ngjyrën pink dhe portokalli, patjetër rrezikojnë, janë rrebeshe ose reshje konvektive. E gjithë ajo pjesa që është kafe do të thotë që janë zona shumë të thata. Elbasan, Berat, Gjirokastër dhe qarku i Korçës parashikohet të ketë rrebeshe në formë konveksioni. Që do të thotë është rrebesh që zgjat për disa minuta, po marr maksimumin 50 minuta dhe më pas ka sërish diell dhe temperatura të larta.

Megjithatë fenomenet më ekstreme do t’i presë Spanja, do ketë kryesisht Italia dhe disa zona në qendër të Europës, për shkak edhe të temperaturave mjaft të larta që kanë nisur prej disa ditëve”, tha metereologia.