Dalin mesazhet / Balluku i drejtohet Berberit: Çunat i kanë mbuluar nga xhepi vetë mediat, ti një kishe e bëre çorap

Dalin të tjera detaje nga dosja hetimore e SPAK ndaj Belinda Ballukut. 

Nga komunikimet e zv/kryeministres me drejtorin e ARRSH, Evis Berberi, flitet për pagesa që u janë bërë në vijimësi mediave të caktuara.

“Pas këtij mesazhi, në orën 18:02, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhet në aplikacionin ‘Signal Private Messenger’, me tekst: ‘Çunat e tjerë janë duke i mbuluar nga xhepi vetë mediat, ty një të kam lënë, ngelën duke e bërë çorap’.”

“Në orën 18:02, Evis Berberi: ‘Kuptova’. Në orën 18:05, Belinda Balluku: ‘Ke një supervizion mirëmbajtje’. Në orën 18:05–18:06, Evis Berberi: ‘Po, më thuaj’. Në orën 18:07, shtetasja Belinda Balluku ka dërguar një fotografi, si ajo nga sistemi elektronik i prokurimeve …”

Ky paragraf është i mjaftueshëm për të kuptuar marrëdhënien që zv/kryeministrja e vendit, Belinda Balluku, krijonte me mediat.

Dalin mesazhet / Balluku i drejtohet Berberit: Çunat i kanë mbuluar

Putin: Nuk do të ketë më luftëra pas Ukrainës, nëse Europa dhe SHBA e trajtojnë Rusinë me respekt!

Presidenti rus Vladimir Putin, ka deklaruar se nuk do të ketë më luftëra pas Ukrainës nëse Rusia trajtohet me respekt, dhe pretendimet se Moska po planifikon të sulmojë vende europiane janë “marrëzira”.

Në një ngjarje televizive maratonë që zgjati gati katër orë e gjysmë, ai u pyet nga gazetari i BBC-së, Steve Rosenberg, nëse do të kishte operacione të reja “speciale ushtarake” (termi i Putinit për luftën në shkallë të plotë).

“Nuk do të ketë operacione nëse na trajtoni me respekt, nëse respektoni interesat tona ashtu siç kemi provuar gjithmonë të respektojmë tuajat,” pohoi ai, citon BBC.

Deklaratat e tij ishin në përputhje me një koment të fundit ku tha se Rusia nuk po planifikonte të shkonte në luftë, por ishte gati “tani” nëse Europa dëshironte.

Ai shtoi kushtin: “Nëse nuk na mashtroni siç na mashtruat me zgjerimin lindor të NATO-s”.

Putin prej kohësh e ka akuzuar NATO-n se ka thyer një premtim të supozuar të perëndimit në vitin 1990, para rënies së Bashkimit Sovjetik. Ky pretendim u mohua vite më vonë nga ish-lideri sovjetik Mikhail Gorbachev.

Lufta në Ukrainë dhe kushtet e Moskës

Edhe pse u shpreh “i gatshëm” për t’i dhënë fund luftës “në mënyrë paqësore”, Putin nuk dha sinjale kompromisi. Ai përsëriti kërkesat e artikuluara më herët: tërheqjen e forcave ukrainase nga katër rajone pjesërisht të pushtuara dhe heqjen dorë të Kievit nga synimi për anëtarësim në NATO.

Kërkesë kyçe mbetet kontrolli i plotë i Donbasit lindor, përfshirë zona të rajonit të Donetskut që Rusia nuk i ka nën kontroll.

Putin pretendoi se forcat ruse po avancojnë përgjatë vijës së frontit dhe ironizoi vizitën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Kupiansk.

Ai kërkoi gjithashtu zgjedhje të reja në Ukrainë si pjesë e propozimeve për paqe të paraqitura nga presidenti amerikan Donald Trump, duke thënë se Rusia do të ndalte bombardimet gjatë votimit.

Mbi tre milion pyetje

Maratona “Linja e Drejtpërdrejtë” kombinoi pyetje nga publiku i gjerë dhe gazetarë nga e gjithë Rusia në një sallë në Moskë, me Putinin ulur nën një hartë gjigante të Rusisë që përfshinte edhe zonat e pushtuara të Ukrainës, përfshirë Krimenë.

Putin: Nuk do të ketë më luftëra pas Ukrainës,

Televizioni shtetëror rus pretendoi se ishin dorëzuar mbi tre milion pyetje.

Megjithëse ngjarja ishte kryesisht e orkestruar, disa komente kritike nga publiku u shfaqën në ekranin e madh, përfshirë një që e quante ngjarjen “cirk”, një tjetër që ankohej për ndërprerje të internetit dhe një që theksonte cilësinë e dobët të ujit të rubinetit. Autoritetet i kanë fajësuar ndërprerjet e internetit mobile tek sulmet me dronë ukrainas.

Putin gjithashtu trajtoi ekonominë e dobësuar të Rusisë, me çmimet në rritje, rënien e rritjes ekonomike dhe rritjen e TVSH-së nga 20 në 22% më 1 janar. Një mesazh drejtuar presidentit lexonte: “Ndalo rritjen e çmendur të çmimeve në gjithçka!”.

Kremlini përdor rregullisht këtë event të fundvitit për të nxjerrë në pah qëndrueshmërinë e ekonomisë dhe, ndërsa Putin fliste, banka qendrore e Rusisë njoftoi se po ulte normat e interesit në 16%.

Çështjet e politikës së jashtme u ndërthurën me reflektime për atdheun, lavdërime për bizneset lokale, çmimet e peshkut dhe rëndësinë e kujdesit për veteranët.

Gjysma e shqiptarëve jashtë/ 2.2 milionë shtetas shqiptarë jetojnë jashtë vendit, kryeson Italia

Diaspora shqiptare vijon të zgjerohet dhe të mbetet një nga fenomenet më të rëndësishme demografike dhe ekonomike të vendit.

Sipas vlerësimeve më të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT), në vitin 2025 numri i shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë llogaritet në rreth 2.25 milionë persona, ose afro 49% e shtetasve shqiptarë gjithsej jetojnë jashtë sipas Botimit Diaspora në Shifra.

INSTAT thekson se, për shkak të mungesës së regjistrimeve të rregullta administrative për largimet nga vendi, diaspora nuk mund të përllogaritet me saktësi absolute. Për këtë arsye përdoren metoda të tërthorta, duke krahasuar të dhënat e regjistrit civil me popullsinë banuese në vend.

Ky vlerësim tregon se diaspora shqiptare ka një profil relativisht të ri dhe ekonomikisht aktiv, me rreth 77% të saj në grup-moshën 15–64 vjeç, ndërsa vetëm rreth 5% janë mbi 65 vjeç, çka e bën atë një burim të rëndësishëm potencial për tregjet e punës në vendet pritëse.

Historikisht, migrimi i shqiptarëve ka qenë i vazhdueshëm dhe i larmishëm, duke nisur që nga shekujt XV–XVI e deri te valët masive pas viteve ’90. Botimi dallon mes “diasporës së vjetër”, të formuar kryesisht para vitit 1944 dhe gjatë periudhës 1945–1990, dhe “diasporës së re”, e cila lidhet me migrimin masiv pas rënies së komunizmit. Në këtë fazë të fundit, destinacionet kryesore kanë qenë Greqia, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Franca.

Të dhënat nga censet ndërkombëtare tregojnë se rreth 1.1 milion persona të lindur në Shqipëri jetojnë sot në 31 vende të Europës, ndërsa rreth 939 mijë shtetas shqiptarë figurojnë si rezidentë në këto vende.

Italia dhe Greqia mbeten dy destinacionet kryesore historike dhe aktuale, të ndjekura nga Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar. Paralelisht, në vitet e fundit është rritur edhe numri i shqiptarëve që fitojnë shtetësinë e vendeve pritëse, veçanërisht në Itali, Greqi, Gjermani dhe Suedi, duke reflektuar një integrim më të qëndrueshëm afatgjatë.

Gjysma e shqiptarëve jashtë/ 2.2 milionë shtetas shqiptarë

Një kapitull i veçantë i botimit i kushtohet diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetojnë mbi 206 mijë persona me origjinë shqiptare, të ndarë mes gjeneratës së parë të emigrantëve dhe gjeneratës së dytë të lindur në SHBA. Ky komunitet paraqitet me norma të larta punësimi dhe me një strukturë arsimore të diversifikuar, duke përforcuar rolin e diasporës si faktor ekonomik dhe social me peshë.

INSTAT thekson se publikimi synon të shërbejë si instrument informues për politikëbërësit dhe institucionet, në funksion të hartimit të politikave më të mira për diasporën dhe forcimit të lidhjeve të saj me vendin e origjinës, në një kontekst ku migrimi mbetet një nga sfidat strukturore më të mëdha për Shqipërinë./Marrë nga Monitor

QEVERI TEKNIKE/ Takimet SEKRETE të ndërkombëtarëve në Tiranë

Analisti Ergys Mërtiri, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderatore Pranvera Borakaj, komentoi sjelljen e opozitës këtë të enjte në Parlament.

Ai tha se opozita kërkon të bëjë gjeste nëpërmjet të cilave përpiqet të tërheqë vëmendjen e publikut, në pamundësi për të fituar besueshmërinë.

Sipas Mërtirit, kjo sjellje që po ndjek PD-ja i shërben drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama.

INTERVISTA E PLOTË:

Çfarë ishte ajo që ndodhi ditën e sotme në sallën e parlamentit në këndvështrimin tuaj, zoti Mërtiri? Ishte i nevojshëm gjithë ai sherr, ajo zhurmë, ai flakadan nga ana e opozitës?

Mërtiri: Sigurisht që nuk është e nevojshme. Veprime të tilla, shfaqje të tilla, teatro të tilla janë të nevojshme vetëm kur një parti politike nuk ka më mesazh politik dhe ka humbur gjënë më thelbësore që i duhet një opozite, besueshmërinë. Në momentin që ajo humbet besueshmërinë dhe në momentin që të gjithë zërat kritikë, e gjithë indinjata e shoqërisë drejtohet drejt saj sepse ajo i ka vrarë shoqërisë mundësinë, alternativën për të zëvendësuar një qeveri të korruptuar si kjo, detyrimisht pastaj opozita kërkon të bëjë gjeste nëpërmjet të cilave kërkon të tërheqë vëmendjen e publikut, në pamundësi për të fituar besueshmërinë e publikut. Është si ai fëmija në dhomë që kërcënon se do të prishë, do të thyejë gjithë orenditë e shtëpisë, vetëm që prindërit t’i ofrojnë pak vëmendje.

Kujt i shërben kjo sjellja?

Mërtiri: Patjetër që i shërben Edi Ramës. Sa më shumë një opozitë të bëjë shfaqje negative të cilat tërheqin, papëlqyeshmërinë e publikut, aq më shumë pikët i shtohen qeverisë. Sa më shumë pikë humbet opozita, aq më shumë pikë fiton pushteti.

Për shkak të sjelljes sot në parlament, Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin e gati 29 deputetëve të opozitës. Të gjithë ata të cilët do të duhet të ishin ditën e nesërme në Këshillin e Mandateve dhe të Rregullores, ishin në këtë listë që janë kërkuar nga Partia Socialiste të përjashtohen. Çfarë do të thotë kjo për atë mbledhje të rëndësishme të Këshillit të Mandateve ku do të vendoset edhe fati i Belinda Ballukut nesër?

Mërtiri: Po pra, më shumë se gjysma e deputetëve të opozitës nuk do të jetë atje, dhe kjo tregon që opozita nuk është në parlament për të bërë garë. Beteja, nga vetë fjala parlament, bëhet me fjalë, beteja bëhet me argumente, beteja bëhet me fakte. Këta nuk e bëjnë me fakte, por e bëjnë me flakadanë, me bryla, me shtyrje, me shfaqje banale të cilat nuk sjellin absolutisht asnjë efekt politik përveç zvogëlimit të opozitës. Dhe kjo bëhet me një qëllim, sepse ata janë në pamundësi për të fituar pëlqyeshmërinë e publikut. Ata duhet të mbajnë gjallë militantët e tyre më të ngushtë dhe më të verbër, të cilët gënjehen me këto shfaqje duke i ofruar idenë sikur këtu po bëhet luftë politike, ndryshe nga realiteti i cili ofron pazare midis pozitës dhe opozitës. Në këtë rast, opozita militantëve të vet u ofron shfaqje e cila falsifikon betejën e vërtetë politike që mungon në realitet.

Ndërkohë që ka gjithë këto zhvillime në Shqipëri dhe pritet me interes se cili do të jetë edhe qëndrimi i Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit ditën e sotme nga Haga ka folur për të tjera çështje, për çështje ndërkombëtare, për çështje të Kosovës, por jo për situatën politike në Shqipëri.

Mërtiri: Po, sigurisht. Rama i shfaq publikut kontrastin. Ndërkohë që opozita bën shfaqje me flakë dhe bën shfaqje teatrale, aq më tepër për një çështje që në fakt është faj i saj, se bëri teatër edhe për emërimin e avokatit të popullit, Endri Shabanit. Në një kohë që opozita bën këto shfaqje të shëmtuara banale, Rama i ofron publikut shfaqjen e një pushtetari i cili takon njerëz, merret me çështjen kombëtare, flet me njerëz të rëndësishëm në BE e të tjerë. Pra, ky është thjesht kontrasti që Rama i përcjell publikut për të fituar pikë gjithmonë e më shumë përballë një opozite që gjithmonë e më shumë bën autogola në portën e vet.

Çfarë presim nesër për fatin e zëvendëskryeministres, ndërkohë që sot është shprehur edhe apeli?

Mërtiri: Do të duhet të presim të nesërmen, por dukshëm deri tani Rama është pozicionuar në mbrojtje të zonjës Balluku. Ai ka sulmuar SPAK-un me gjuhë të tepruar, me gjuhë që nuk i takon një kryeministri. Aq më tepër ka sulmuar institucionin më serioz që ka ky vend, i vlerësuar si i tillë edhe nga raportet ndërkombëtare. Në këtë kuadër, unë mendoj që Rama, në armiqësi me SPAK-un, do të detyrohet të mbrojë Ballukun, sepse duke mbrojtur Ballukun, do të mbrojë veten e vet. Megjithatë, si do të jetë çështja nesër, sa do të ketë bërë efekt edhe presioni ndaj Ramës, për shkak se edhe faktorët ndërkombëtarë reaguan ndaj gjuhës së Ramës, kjo do të vlejë të shihet deri nesër.

/vizionplus.tv

VIDEO

Rama flet troç për Linda Ramën: U bëra burrë 24 karat, ja çfarë më dha ajo, që gratë tjera nuk ma dhanë dot

Momenti më i rëndësishëm në jetën e Edi Ramës, është dita kur Linda pranoi që të ishte gruja e tij. Kështu deklaroi kryeministri në një intervistë për “Opinion”.

“Momenti më i rëndësishëm në jetën time publike dhe private ka qenë kur Linda pranoi të bëhej gruaja ime. Më i rëndësishmi në jetën time publike dhe private”, tha ai.

Rama e përshkruan Lindën si gruaja që i dha atq që atij i mungonte më shumë në jetë, qetësinë, mundësinë për të parë veten në disa dimensione si dhe sfidën për tu vendosur përballë argumenteve ndryshe nga ajo që ai ishte mësuar për gjëra të ndryshme.

“Linda më ka dhënë atë që më mungonte në kuptimin e një gjysme tjetër që nuk është aty thjesht se është aty, por është aty për të qenë komplementare dhe nga ana tjetër për të vendosur gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë me ekuilibër këtë qenie të përbashkët që është një burrë dhe një grua. Më ka dhënë qetësi, më ka dhënë mundësinë që ta shoh veten vazhdimisht nga një këndvështrim tjetër. Më ka vendosur vazhdimisht përballë sfidës së të argumentuarit të gjërave në një mënyrë krejt ndryshe nga sa isha mësuar”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se pavarëisht se nuk ishte hera e parë që martohej, por ishte e para herë që martesën e festonte në një ceremoni, me miq, shokë e familje.

“Më mbresëlënësi është që unë u bëra burrë i martuar 24 karat. Nuk ishte hera e parë që martohesha, por ishte hera e parë që martohesha me dasëm, me miq me shokë, me familje, me njerëz. Ishte mbresëlënëse ta shihja veten në atë pozicion pasi kisha ndërtuar një filozofi të tërë që nuk dua as martesë as shtëpi. Se unë asnjëherë nuk kam pasur në periudhën më pas, asnjëherë shtëpinë time. Mjafton një shtëpi me qira se shtëpia ime jam vetë. Këto të dyja më ranë në tokë si kolona filozofike”, tha ai.

Ndahet Grida Duma nga Ervin Salianji? Gazetari Andi Vrapi jep informacionet e bujshme

Lajme të pakonfirmuara për një ndarje të mundshme mes Gridës Duma dhe Ervin Salianjit kanë qarkulluar gjatë orëve të vona të natës, duke nxitur reagime në media dhe rrjete sociale. Në Dita Jonë në A2 CNN, gazetari Andi Vrapi ka deklaruar se më shumë kjo është një ndarje politike për të zhvendosur vëmendjen nga aludimet për ndikim politik në situatat që po ndodhin në Partinë demokratike.

“Këtu s’kemi të bëjmë vetëm me një ndarje alla shoëbiz, por është edhe çështje politike, duke qenë se shpesh herë Grida është vënë në shënjestër të marrëdhënies së saj me Salianin, duke u përdorur politikisht edhe për shkak të pozicionit që ajo ka në media, duke drejtuar një emision politik në Prime Time që jep goxha peshë politike dhe mediatike”.

Sipas Vrapit, kjo vjen pas deklaratave të kreut demokrat për përjashtimin e mundshëm të Ervin Salianjit nga partia.

“Grida është vënë në shënjestër të marrëdhënies së saj me Salianin, duke u përdorur politikisht edhe për shkak të pozicionit që ajo ka në media, duke drejtuar një emision politik në Prime Time që jep goxha peshë politike dhe mediatike. Edhe dikush një skeptik mund të thotë që ndoshta kjo është një mënyrë e Gridës për të zhvendosur vëmendjen nga aludimet për ndikim politik në situatat që po ndodhin tashmë në Partinë demokratike se kemi të bëjmë dhe një deklaratë të liderit demokrat që po bëhet gati për përjashtimin e Salianit kështu që nuk besoj se kemi të bëjmë vetëm me një ndarje, por ndoshta me një ndarje politike nga Salianji”, tha ai.

(A2 Televizion)

E fundit! Aksion rrufe, arrstohet një ish-ministër dhe disa zyrtarë të lartë shqiptarë të akuzuar për korrupsion

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka njoftuar mbrëmjen e sotme, më 18 dhjetor, se është finalizuar me sukses një operacion i gjerë kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit, pas një hetimi disamujor të zhvilluar nga Policia e Kosovës dhe institucionet relevante.

Sipas Sveçlës, operacioni është bazuar në të dhënat e siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe ka çuar në arrestimin e disa zyrtarëve të lartë publikë, të dyshuar për përfshirje në veprime të paligjshme të lidhura me procesin e shpronësimit të pronave private. Përfshirë këtu edhe një ish-ministër.

“Në këtë rast janë të përfshirë disa zyrtarë të lartë publikë dhe persona përgjegjës, përfshirë: kryetarin e degës së Gjykatës së Graçanicës, J. M.; zyrtarë nga avokatura N. K., M. D. dhe B. D.; ekspertin e gjykatës Sh. T.; zyrtarin në Departamentin e Shpronësimeve; zyrtari i ATK G.L si dhe ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, F. I.”, shkruan Sveçla.

Sipas grupit të hetimit, të akuzuarit kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës. Grupi dyshohet se “ka iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës me qëllim të rikompensimit të paligjshëm për shpronësime” të realizuara gjatë viteve 2011–2015, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike.

Ministri Sveçla theksoi se periudha kur zyrtarët publikë keqpërdornin buxhetin e shtetit pa u ndëshkuar ka përfunduar, duke përgëzuar institucionet për suksesin e radhës në luftën kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Ai shtoi se vullneti politik, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përfshirja qytetare po japin rezultate konkrete në ndërtimin e një shteti ligjor, të zhvilluar dhe të pacenueshëm nga çdo formë e krimit në Kosovë.

/tvklan.al

E bujshme! Berisha tha që është ‘vetëpërjashtuar’, Salianji i bën veprimin që askujt nuk ia merrte mendja

Situata brenda Partisë Demokratike ka arritur në një pikë të nxehtë vlimit, ku akuzat e rënda për bashkëpunim me elementë të krimit të organizuar dhe lëvizjet paralele politike po tronditin strukturat drejtuese. Pavarësisht kësaj klime përçarëse, duket se nevoja për aksion opozitar kundër qeverisë po shërben si një “armëpushim” i përkohshëm për disa figura.

Përjashtimi nga Njësia 6 dhe Akuzat e Berishës
Ditën e djeshme, kreu i PD-së, Sali Berisha, mori një vendim drastik duke larguar Ervin Salianjin nga drejtimi politik i Njësisë 6 në Tiranë. Shkaku i këtij vendimi, sipas burimeve brenda selisë blu, lidhet me dyshimet e forta se Salianji ka bashkëpunuar me figura të botës së krimit për agjendën e tij politike.

Berisha e ka akuzuar drejtpërdrejt Salianjin se takimin e fundit të mbajtur në qytetin e Elbasanit e ka pasur të organizuar dhe të mbështetur nga Suel Çela, një emër i lakuar shpesh në dosjet e drejtësisë. Kjo akuzë vjen në një kohë kur lidershipi i PD-së po tenton të mbajë një vijë të qartë demarkacioni me personazhet e shpallur “non-grata” ose të përfshirë në ngjarje kriminale.

Salianji i Përgjigjet “Injorimit” me Aksion Opozitar
Megjithëse goditja nga Berisha dhe përplasjet publike me Sekretarin e Përgjithshëm, Flamur Noka, kanë qenë të ashpra, Ervin Salianji ka zgjedhur të mos tërhiqet nga skena politike. Në një lëvizje që duket se synon të tregojë besnikëri ndaj kauzës opozitare (pavarësisht përplasjeve me individët), ai ka shpërndarë sot një poster thirrës për protestën e javës që vjen.

Postimi i Salianjit: Fotoja e publikuar prej tij tregon kryeministrin Edi Rama me kokën poshtë, shoqëruar me mbishkrimin e madh “Protestë Kombëtare”. Ky gjest interpretohet si një përpjekje për të treguar se, pavarësisht “luftës” brenda llojit, fokusi mbetet rrëzimi i qeverisë aktuale.

Sfondi i Konfliktit: “Foltoret” Paralele
Marrëdhënia mes Salianjit dhe lidershipit të PD-së u kris përfundimisht kur ky i fundit nisi një tur takimesh nëpër Shqipëri, të cilat u quajtën në media si një “foltore e re”. Kjo nismë nuk u prit mirë nga Berisha dhe Noka, të cilët e panë si një tentativë për të krijuar një fraksion të ri brenda partisë ose për të sfiduar autoritetin e tyre në prag të zgjedhjeve.

Detajet e Protestës së 22 Dhjetorit
Ndërsa brenda PD-së po “luhet” një betejë për pushtet dhe pastërti figure, e hëna e 22 dhjetorit pritet të jetë një ditë prove për opozitën.

Ora: 18:00
Vendi: Tirana (Përpara Kryeministrisë)
Qëllimi: Protestë kundër keqqeverisjes, korrupsionit dhe kërkesa për qeveri teknike.
Mbetet për t’u parë nëse Salianji dhe mbështetësit e tij do të jenë krah Berishës në shesh, apo nëse përplasjet e fundit do të çojnë në një ndarje përfundimtare të rrugëve mes tyre.

Halli i madh i Edi Ramës me SHBA? Pse Barjam Begaj shkarkoi ambasadorin e Shqipërisë në NATO?

Ilir Gjoni, një politikan dhe diplomat karriere, është liruar sot nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në NATO, përmes një vendimi të beftë të firmosur nga Presidenti Bajram Begaj.

Dekreti ka marrë fuqi të menjëhershme, por nuk dihen arsyet, përcjell newsbomb.al. Ajo që dihet me siguri, është se propozimi për shkarkimin e Ilir Gjonit është bërë nga Kryeministri Edi Rama dhe Begaj vetëm e ka firmosur.

Ambasadori Ilir Gjoni është emëruar në krye të misionit të Shqipërisë në NATO dy vite më parë, pas një karriere tridhjetë vjeçare në institucione të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare.

Vendimi per lirimin nga detyra te Ambasadorit Ilir Gjoni
Ai ka qenë diplomat karriere (MPJ) për më shumë se dhjetë vjet, ndërkohë, ka shërbyer si Drejtor Kabineti në Kryeministri në vitet 1999-2000, kur qeveria drejtohej nga Ilir Meta. Gjithashtu, ai ka shërbyer dhe dy herë si ministër, përkatësisht Ministër i Mbrojtjes dhe i Brendshëm përkatësisht në vitet 2000-2002.

Ilir Gjoni ka qenë deri në vitin 2013 kur Partia Socialiste erdhi në pushtet, një ndër zërat më aktiv të kësaj force politike në momentet më të vështira në opozitë, shkruan newsbomb.al.

Ai është zgjedhur edhe deputet në dy legjislatura; në vitet 2001- 2005 dhe 2009-2013, duke përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë qytetarët dhe votuesit socialistë. Kur PS mori pushtetin, Ilir Gjoni u emërua Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Konfederatën Zvicerane dhe Principatën e Lihtenshtajnit.

Kjo ishte detyra e parë e tij si diplomat dhe shërbyeu për plot një dekadë, nga viti 2014 deri në vitin 2023. Në përfundim të kësaj detyre, në Shtator 2023, Ilir Gjoni u emërua Ambasador, Përfaqësues i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë në NATO.

Mirëpo, pavarësisht viteve që i ka shërbyer Partisë Socialiste dhe shtetit shqiptar si diplomat karriere, është e paqartë se përse pas dy vitesh, Edi Rama u detyrua t’i propozonte Presidentit Bajram Begaj, që të nxirrte dekret për lirimin e Ilir Gjonit.

© Newsbomb.al

‘Edi RAMA po shkon drejt DORËHEQJES’/ Analisti: Ballukun po e ndihmon Berisha

Analisti Milaim zeka ishte i ftuar në lidhje direkte në emisionin “Breaking” në Top News ku foli rreth çështje së zv.kryeministers Belinda Balluku.

Ai theksoi se berisha po e ndihmon Ballukun duke publikuar mesazhet sepse pengon hetimet e SPAK. gjithashtu ai tha se me këto skandale jo vetëm Balluku duhet të dorëhiqet por e gjithë qeveria Rama dhe vendi të futej në zgjedhje të lira sërish.

“Kemi thënë që në Shqipëri do të ketë arrestime që para një viti. Publikimi i mesazheve që bën Berisha për Ballukun, ai me këto veprime ndihmon Ballukun dhe kampin socialist, sepse e pengon hetimin dhe punën e SPAK-ut. Do të krijohet një lloj ideje që SPAK-u është ose në dorë të Ramës ose të Berishës, sepse duke publikuar këto sekrete hetimore, ky e pengon drejtësinë shqiptare që të veprojë, sepse nuk është një sekret publik që Berisha ka vetëm hallin personal dhe familjen e tij. Po të ekzistonte kodi moral, Berisha pas 21 janarit, ai nuk do merrej me politikë.

Ai ka keq punën për shumë gjëra. Unë e them përsëri, pavarësisht vërejtjeve ndaj SPAK-ut për procedurat e gabushme, si rasti i Metës, rasti i Veliajt, dhe i Ballukut dhe Ahmetit, nuk mund të arrestosh një njeri publik dhe pastaj të grumbullosh prova. Çfarë provash mund të dëmtojë Balluku, kur ka 7-8 muaj që ka pasur informacion se është target i SPAK-ut? Domethënë, nuk ekziston logjika që Veliaj apo Meta prishin prova, edhe mënyra e arrestimit të Metës në rrugë, sikur një rrugac, ishte e turpshme për drejtësinë shqiptare. Kam krijuar një bindje që ka elementë brenda SPAK-ut, të cilët janë shumë më të etur për t’u bërë njerëzve gjyq moral e politik sesa gjyq i mbështetur në prova e fakte juridike. Njerëzit te ne i ngjyrosin si hajdutë, prandaj SPAK-u para se t’i arrestojë ose të shpallë urdhër arrest, 90% duhet të grumbullojë prova, atëherë s’ke frikë se prishen provat.

Në bazë të informacionit që kam unë, Belinda Balluku do të japë dorëheqje dhe e dyta, nuk besoj se PS do të votojë pro kërkesës së SPAK-ut për heqje imuniteti. Ajo do të jetë deputete, por nuk do ketë post politik. Po të isha unë këshilltar, do këshilloja të tërhiqej nga të gjitha postet, në mënyrë që të krijohej një opinion që, domethënë, jam e lirë, s’kam çfarë fsheh, prish urdhëroni, më hutoni. Por në politikën shqiptare nuk ekziston asnjë kod, s’ka dorëheqje. Kjo që ka ndodhur aktualisht, kudo që të ishin në Europë, qeveria do të jepte dorëheqje dhe vendi do të kishte zgjedhje të lira përsëri.”. tha Zeka.