Kristjan Asllani debutoi të shtunën me Besiktas, por gjërat nuk shkuan mirë për mesfushorin e kombëtares. Ai u ndëshkua me karton të kuq ndaj Konyaspor, vetëm disa minuta pas aktivizimit. Trajneri i Besiktasit, Sergen Jalçin dha mendimin e tij pas ndeshjes.
“Kur na ndodh ne, është një karton i kuq. kur i ndodh kundërshtarëve, është i verdhë. Të dy qendërmbrojtësit e kundërshtarit duhej të kishin dalë me dy kartonë të verdhë që në fund të pjesës së parë. Është shumë e çuditshme që nuk ua treguan. Ata e mbyllën ndeshjen me nga një të verdhë secili.
Ne po luajmë vazhdimisht me 10 lojtarë, ndërsa kundërshtarët marrin paralajmërime apo të verdhë. Gjyqtarët duhet të jenë më të kujdesshëm. Nëse ua jep atyre, na e jepni edhe ne gjithashtu. Nuk duam asgjë ekstra. Ne e luajmë lojën në çdo mënyrë. Kjo situatë e prish ekuilibrin tonë. Në po luajmë derbi me 10 lojtarë. Po shfaqen kartonë të kuq të panevojshëm. Kjo situatë nuk është aspak e shëndetshme”, tha ai.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka thënë më 1 shkurt se shteti nuk ka asnjë lidhje me aferën që bërë e ditur pas kapjes së pesë tonëve të marihuanës në pronën e një zyrtari lokal të partisë në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS).
Ai ka thënë se policia “ka arrestuar njerëz” dhe që kundërshtarët e tij politikë “kanë kthyer gjithçka mbrapsht” dhe pretendojnë se shteti është mbrapa aferës.
“Njerëzit nga Policia gjetën pesë tonë të një lloj droge. Tani, nëse vetëm djali e ka ditur për këtë apo të dy, edhe djali edhe babai, kjo është çështje tjetër, le ta vendosin autoritetet kompetente, nuk dua të pretendoj asgjë. Ne e kemi kryer atë operacion”, ka thënë Vuçiq për Televizionin Pink.
Më 29 janar, Policia e Serbisë, në bashkëpunim me Zyrën e Prokurorit për Krim të Organizuar ka konfiskuar pesë tonë marihuanë në zonën e fshatit Konjuh afër Krushevcit, në Serbinë qendrore.
Të dyshuar për këtë rast janë Aleksandar Mijajlloviq, Nebojsha Spasojeviq, Rade Spasojeviq, Ivan Dragniq and Urosh Mlladenovski.
Autoritetet kanë kërkuar lëshimin e një fletarrestimi, përfshirë edhe atë ndërkombëtar për Aleksandar Mijajlloviqin, i cili është identifikuar si organizator i grupit të organizuar kriminal dhe tani është në arrati.
Sipas autoriteteve serbe, grupi ka vepruar në nivel ndërkombëtar dhe ka përvetësuar pesë tonë të marihuanës në territorin e Maqedonisë së Veriut përgjatë muajit janar.
Presidenti i partisë opozitare Lëvizja Popullore e Serbisë, Mirosllav Aleksiq, ka thënë përmes një postimi në X – dikur Twitter, se njëri prej të arrestuarve gjatë sekuestrimit të drogës ishte një këshilltar i Partisë Përparimtare Serbe, parti në pushtet, në Krushevc.
Aleksiq ka thënë se personi i arrestuar është “mik dhe ndihmës i ngushtë” i familjes së ministrit të Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq.
Ministri Gashiq nuk ka bërë ndonjë koment pas akuzave dhe as nuk e ka përmendur emrin e personit të arrestuar.
Përmes një deklarimi të publikuar në gazeta serbe, ai i ka përgëzuar autoritetet policore dhe të sigurisë për aksionin, duke thënë se veprime si këto tregojnë se “nuk ka njerëz të mbrojtur në Serbi”./REL
Dosjet e reja të FBI-së mbi Jeffrey Epstein kanë rikthyer vëmendjen te rrjetet informale që kanë vepruar rreth presidencës Trump. Në këtë sfond, Chabad-Lubavitch shfaqet si një urë e mundshme afrimi drejt botës trumpiste, një rrugë që figura të ndryshme politike e kanë parë si alternativë ndaj diplomacisë zyrtare
Publikimi i dokumenteve të reja nga dosjet e Jeffrey Epstein në Shtetet e Bashkuara ka rikthyer në vëmendje jo vetëm emra të njohur të politikës dhe biznesit amerikan, por edhe mënyrën se si institucionet federale amerikane kanë parë, qysh prej vitesh, rrjetet informale të ndikimit që veprojnë paralelisht me pushtetin zyrtar. Mes këtyre dokumenteve, një memorandum i brendshëm i FBI-së spikat jo për provat që sjell, por për alarmet që ngre.
Një memorandum i FBI‑së i vitit 2020, i publikuar me dosjet “Epstein Files”, përmbante pretendime nga një burim konfidencial se lëvizja Chabad‑Lubavitch synonte të “kapte” presidencën Trump. Sipas memos, burimi tha se Chabad ishte “duke bërë gjithçka” për të ndikuar në presidencë. Në të njëjtën memo, burimi tha se presidenti Trump ishte “komprometuar nga Izraeli” dhe se dhëndri i tij Jared Kushner ishte “truri i vërtetë” pas organizatës. Në të njëjtin dokument, burimi pretendonte se Jeffrey Epstein ishte rekrutuar nga shërbimi sekret izraelit Mossad dhe se kishte marrë trajnim nga ish‑kryeministri Ehud Barak; ky pretendim lidhej me akuza se Epstein shërbeu si agjent për Izraelin.
Në këtë mozaik marrëdhëniesh që kalojnë përmes Chabad-it dhe botës trumpiste, nuk mund të anashkalohet as hija e gjatë ruse, e cila prej vitesh shfaqet në të njëjtat hapësira jo si aktor zyrtar, por si prani e vazhdueshme e interesave që lëvizin paralelisht me politikën perëndimore.
Chabad-Lubavitch është një lëvizje brenda judaizmit ortodoks, por kufizimi i saj vetëm si organizatë fetare do të ishte një keqkuptim i madh, sepse roli i saj real, sidomos në dekadat e fundit, ka tejkaluar prej kohësh dimensionin strikt religjioz dhe është shndërruar në një strukturë globale ndikimi, e pranishme aty ku përplasen politika, kapitali dhe diplomacia.
E themeluar në Evropën Lindore në fund të shekullit të 19 dhe e konsoliduar në Shtetet e Bashkuara pas Luftës së Dytë Botërore, Chabad-Lubavitch ka ndërtuar një rrjet të gjerë qendrash, rabinësh dhe institucionesh në mbi 100 shtete të botës. Nuk funksionon si një hierarki klasike kishtare, por si një rrjet horizontal besimi dhe besnikërie, ku çdo përfaqësues ka autonomi të madhe, por mbetet i lidhur fort me qendrën simbolike dhe ideologjike të lëvizjes.
Në qendër të kësaj bote ndodhet një vend i vogël në Nju Jork, i njohur si Ohel, varri i udhëheqësit historik të Chabad-it. Aty shkohet për të lënë një shënim, për të qëndruar pak minuta në heshtje dhe për të dhënë një sinjal që kuptohet vetëm nga ata që e njohin këtë gjuhë. Aty kanë shkuar politikanë amerikanë, njerëz të afërt me Donald Trump, dhe së fundmi edhe Edi Rama.
Nuk është pa domethënie fakti që në të njëjtin vend simbolik të Chabad-Lubavitch, në Ohel-in në Queens të Nju Jorkut, janë shfaqur në kohë të ndryshme figura që lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me botën politike të Donald Trump: vetë Trump, i shoqëruar publikisht nga familjarë të tij, dhëndri Jared Kushner dhe vajza, Ivanka Trump, të cilët prej vitesh njihen për afërsinë e tyre me Chabad-in, por edhe presidenti i Argjentinës Javier Milei dhe Edi Rama, secili më vete, në kohë të ndryshme, pa asnjë takim të përbashkët dhe pa ndonjë koordinim të deklaruar, por duke ndjekur të njëjtën rrugë simbolike.
Duke shkuar në të njëjtin vend dhe duke përdorur të njëjtin ritual, gjë që tregon se Ohel-i nuk është thjesht një varr fetar, por një pikë ku shprehet përkatësia ndaj një bote politike dhe marrëdhëniesh që rrotullohet rreth Trumpit dhe rrethit të tij, dhe ku Chabad shfaqet si ndërmjetës i heshtur, si kumbari që nuk del në fotografi zyrtare, por që krijon afërsi, besim dhe ndjesinë se je brenda të njëjtit rreth, edhe kur pushteti ndryshon.
Marrëdhënia e Edi Ramës me Chabad-Lubavitch nuk ka nisur si çështje politike e shpallur, por si një afrim i vazhdueshëm, i ndërtuar me kohë, përmes ceremonive, pranive simbolike dhe kontakteve personale që janë zhvilluar larg zhurmës publike, duke e kthyer këtë rrjet fetar në një pikë referimi të qëndrueshme për kryeministrin shqiptar në marrëdhëniet e tij me botën hebreje dhe më gjerë.
Nga aktivitetet e zhvilluara në Shqipëri, te vizitat në vende të shenjta për Chabad-in dhe deri te prania në Ohel-in në Nju Jork, Rama ka dhënë vazhdimisht shenja se e njeh dhe e respekton këtë rrjet si kanal besimi dhe afrimi, jo si institucion fetar klasik, por si hapësirë ku ndërtohen marrëdhënie që zgjasin më shumë se një mandat qeverisës. Pikërisht kjo e bën lidhjen me Chabad-in të rëndësishme në raport me Donald Trump, sepse kjo lëvizje është prej vitesh e pranishme në rrethin familjar dhe politik të Trumpit, përmes Jared Kushner dhe Ivanka Trump, dhe përmes vetë Trumpit, i cili e ka përdorur këtë afërsi si shenjë identiteti dhe mbështetjeje. Në këtë kuptim, afrimi i Ramës me Chabad-in duket më pak si gjest fetar dhe më shumë si përpjekje për të qenë në të njëjtën hapësirë marrëdhëniesh ku lëviz edhe bota trumpiste.
Mesazhi ka qenë i qartë: Edi Rama po pozicionohet si lider i besueshëm për një botë që nuk flet me gjuhën e BE-së, por me gjuhën e marrëdhënieve personale.
Në këtë kontekst, Chabad shfaqet si ura e mundshme drejt Donald Trump, ose më saktë, drejt asaj bote që vazhdon të ekzistojë rreth Trump edhe pasi ai nuk është më president. Një botë ku figura kyçe është Jared Kushner, dhëndri i Trump, njeriu që lidh familjen, politikën amerikane, Izraelin dhe kapitalin e Gjirit në një nyje të vetme.
Investimi i Kushnerit në Shqipëri, në ishullin Sazan, nuk është thjesht një projekt turistik. Është një shenjë politike. Fakti që ky projekt merr status strategjik, mbrojtje të plotë politike dhe promovim nga Edi Rama, tregon se kemi të bëjmë me diçka më shumë sesa biznes. Është një bast politik, i ndërtuar mbi idenë se lidhja me rrethin trumpist mund të ruhet përmes këtij kanali joformal.
Chabad shihet si ura që i lidh të gjitha këto pika: Ramën, Kushnerin dhe botën trumpiste. Një urë e ndërtuar mbi besim, mbi afërsi dhe mbi idenë se kjo rrugë është më e sigurt sesa kanalet e zakonshme diplomatike. Një urë që Rama duket se e ka parë si garanci për të mos mbetur jashtë lojës, pavarësisht se kush është në pushtet në Uashington.
Por pikërisht këtu hyn në skenë një element që e trondit këtë ndërtim të heshtur: dokumentet e FBI-së që dolën nga dosjet e lidhura me Jeffrey Epstein.
Këto dokumente nuk flasin për Shqipërinë dhe as për Ramën. Ato nuk sjellin akuza të drejtpërdrejta dhe nuk japin përfundime por tregojnë diçka shumë të rëndësishme: se vetë FBI dhe institucionet amerikane kanë parë me dyshim mënyrën se si janë ndërthurur rreth presidencës Trump lidhjet familjare, fetare dhe interesat private.
Për Ramën, kjo do të thotë se shpresa për një ndërmjetësim të heshtur drejt Trumpit, përmes këtij rrjeti, bëhet gjithnjë e më e pasigurt. Sepse ajo që deri dje shihej si derë e hapur, sot shihet si zonë e dyshimtë. Dhe në politikë, zonat e dyshimta janë më të rrezikshme se dyert e mbyllura.
Në fund, pyetja nuk ka të bëjë me moralin e një rrjeti fetar, por me zgjedhjet politike që janë bërë mbi të. A është mbështetur Edi Rama, në raportin e tij me Donald Trump dhe rrethin e tij, te një ndërmjetësim që sot, në dritën e dosjeve të FBI-së, nuk ofron më qetësi, por pasiguri? /Pamfleti
Rrjeti është ndezur nga teoritë konspirative pas një videoje të publikuar nga Niko Komani, ish-konkurrent i “Ferma VIP”.
Në llogarinë e tij në Facebook, Komani ka hedhur dyshime të forta se banori i “Big Brother VIP Albania”, Miri, posedon një telefon brenda shtëpisë, duke aluduar se mund t’ia ketë dhënë vajza gjatë surprizës së mbrëmshme.
Videoja është bërë menjëherë virale, duke grumbulluar rreth 1 milion shikime në pak orë.
Video Player
Në videon e shpërndarë, Miri shfaqet i ulur në divanin rozë të dhomës së ndenjes. Në një moment, ai shihet duke mbajtur një objekt të zi në dorë (i cili ngjason shumë me një smartphone) dhe me lëvizje të shpejta e fsheh atë poshtë jastëkut të divanit, duke u siguruar që të mos duket.
Por, si qëndron e vërteta? Edhe pse objekti mbetet i paidentifikuar (mund të jetë çdo gjë personale), teoria se ai ia dha vajza nuk qëndron.
Burimet konfirmojnë se ky moment ka ndodhur më herët, përpara se vajza e tij të hynte në shtëpi për ta surprizuar.
Konkretisht, skena përkon me momentin kur vëllai i madh kërkoi që Rogerti dhe Selina të qëndronin vetëm në sallon, ndërsa banorët e tjerë duhet të largoheshin. Miri shihet që e merr objektin me vete dhe, kur rikthehet në sallon, e fut sërish me nxitim poshtë divanit.
Një moment qesharak është regjistruar mbrëmjen e djeshme gjatë spektaklit “prime” të Big Brother VIP Kosova, duke shkaktuar reagime dhe komente të shumta në rrjete sociale.
Situata ka ndodhur në një çast që zakonisht shënon kulmin e tensionit në format, atë të shpalljes së të eliminuarit.
Teksa moderatorja e programit, Jonida Vokshi, njoftoi se spektakli do të shkonte në publicitet dhe se pas rikthimit do të bëhej i ditur emri i banorit që do të largohej nga shtëpia, banorja Olta ndërhyri papritur me një koment që menjëherë u kthye në memen e javës.
Ajo u dëgjua të thotë: “Sa të bëjë Jonida çiçin”, një shprehje që u transmetua drejtpërdrejt dhe nuk kaloi pa u vënë re nga publiku.
Mbrëmja e djeshme ka qenë një “dush i ftohtë” për Mirin. Hapja e Kutisë së Pandorës e përballi atë me një deklaratë shokuese nga babai i Selinës, i cili e cilësoi sjelljen e tij si “perversitet të nivelit të lartë” dhe e krahasoi atë me një “zhigolo”.
Fillimisht, Miri zgjodhi rrugën e diplomacisë. I prekur nga fjalët e rënda, ai mohoi kategorikisht çdo qëllim të keq, duke kërkuar ndjesë nëse është keqkuptuar.
“Ndjehem i fyer… Nuk jam pervers, kam parimet e mia në jetë. E kam parë gjithmonë me admirim dhe shpesh e shoh me syrin e vajzës sime e them: dashtë Zoti vajza ime bëhet një ditë si ajo,” u shpreh ai, duke premtuar se tashmë do të mbante distancë dhe rezerva në këtë raport.
Por, pas përfundimit të spektaklit, në dhomën e gjumit, Miri ka treguar një anë tjetër. Në një bisedë me Stelinën dhe Krusitën, ai është shfaqur i ashpër dhe llogaritës, duke i kujtuar Selinës (në mungesë) se ai e ka jetën e rregulluar.
“Isha unë burrë i martum, ajo ishte gocë beqare. Kam marrë unë halle, se unë do ndahesha nga gruaja nesër, po ajo? Do i thoshin thjesht ‘O ti, si shkon me 50-vjeçarin?’ Unë nuk lej as gruan, nuk lej as kalamonin dhe jam prapë këtu ku jam,” deklaroi ai me tone të forta.
Miri gjithashtu analizoi ftohtë afrimitetin e Selinës me Gimbon, duke e akuzuar atë se po e përdor këtë situatë për t’u shkëputur prej tij tani që mori vëmendjen.
“E di për çfarë jam xheloz? Ne gjatë ditës konsumonim kohë… Me ardhjen e Gimbos, kjo koha mua më iku. Ajo doli zbuluar me fuqinë që mori. Donte të shkëputej nga kjo gjëja, duke shfrytëzuar këto situata dhe këtë djalin (Gimbon),” tha Miri.
Në fund, ai e mbylli me një paralajmërim për lojën:
“Bëje lojën, unë kam lojën time. Por mos më thuaj që do ndahemi tek dita 39… Po e more ti, e kam fituar dhe unë ‘BBV’. Por po e mora unë, ti s’ke thënë kurrë që je e gëzuar.”
Mediat pranë Erdoganit, transmetim Live dhe jehonë protestës dje kundër vizitës së Ramës në Izrael…
Vizita e Ramës në Izrael duket se nuk kapërdihet lehtë nga Recep Tayyip Erdogan. Presidenti turk e ka shpallur armik Netanyahun, ndërkohë Rama shkoi, i shtrëngoi dorën dhe i thuri elozhe. Kjo gjë ka shkaktuar irritim në Ankara, pasi edhe pse vetë institucionet nuk kanë reaguar, mjafton të shohësh mediat pranë Erdoganit për të kuptuar se sa i madh është ky irritim.
Dje, qarqet pro-turke në Tiranë zhvilluan një protestë kundër vizitës së Ramës në Izrael. Me flamuj të Palestinës dhe parulla nga më të ndryshmet, protestuesit shpreheshin se kryeministri nuk po flet në emër të popullit shqiptar, por për interesa personale dhe “për të shpëtuar lëkurën e vet nga drejtësia”.
Por teksa kjo protestë nuk u pasqyrua thuajse fare në mediat shqiptare, ka ndodhur krejt e kundërta në ato turke. Për më tepër, agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu”, e cila financohet nga presidenca turke, e ka transmetuar Live në rrjetet e saj sociale, si në Facebook ashtu edhe në Instagram. Po ashtu, është bërë lajm për të si te kjo agjenci, ashtu edhe te shumë media të tjera turke pranë Erdoganit.
Transmetimi i protestës
“Kryeministri shqiptar Rama, i cili ishte në një vizitë zyrtare në Izrael, deklaroi në fjalimin e tij në një seancë të posaçme të parlamentit izraelit më 26 janar se parlamenti izraelit ishte një ‘vend shumë i veçantë’ dhe se ndihej ‘nder i madh’ që ndodhej atje, dhe përdori fjalë lavdërimi për Netanyahun. Rama u bojkotua nga ligjvënësit arabë, ndërsa shumica e ligjvënësve izraelitë gjithashtu nuk morën pjesë në seancë. Rama, i cili nuk e ka kritikuar gjenocidin e Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023, fajësoi Hamasin për shndërrimin e Gazës në një ‘burg të hapur’”, shkruan “Anadolu”, teksa u ka dhënë zë shumë prej personave që folën në protestë.
Ndërkohë, disa media të tjera kanë qenë akoma edhe më të ashpra, duke e quajtur Edi Ramën një sionist. “Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Izraelin gjenocidal, shprehu mbështetje për shtetin vrasës të Izraelit dhe udhëheqësin e tij. Ai donte t’i jepte botës një imazh se një shoqëri myslimane që jeton në Evropë, si Shqipëria, ‘mbështet Izraelin, i cili po kryen masakra në Gaza’”, shkruajnë mediat turke.
Ndërsa një tjetër shkruan se në Tiranë shpërthen zemërimi kundër Kryeministrit “pro-sionist”: “Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, u ngrit kundër kryeministrit Edi Rama, i cili mbështet gjenocidin e kryer nga Izraeli terrorist në Gaza. Mijëra njerëz, të mbledhur para ndërtesës së Parlamentit me thirrjen e organizatave të shoqërisë civile, protestuan fuqishëm kundër vizitës së Ramës në Izrael midis 25-27 janarit dhe takimit të tij me kriminelin e luftës Netanyahun”.
Pra, duket se raportet janë krisur. Rama duket se po sakrifikon miqësinë me Erdoganin për t’u afruar me Trump. Vizita në Izrael, më shumë se mbështetje për Netanyahun, ishte një lëvizje strategjike për të lënë përshtypje në Uashington. Por duket se Erdogan e ka “vath në vesh” këtë vizitë dhe nuk ka për ta harruar lehtë. /Pamfleti
Gazetari Denis Minga ka komentuar qëndrimin e Sali Berishës gjatë kohës që qëndron në opozitë.
Minga tha se Rama është e keqja më e mirë për vendin temka paralajmëroi se në rast se Berisha do të qëndrojë në opozitë, në 2029 opozita do të pësojë një humbje më të rëndë.
“Ne jetojmë në një sistem bipartiak; duam s’duam, ne dy parti janë sot. Të tjerat janë garnitura ose të PS-së, ose të PD-së. Pse është PD? Sepse me PD-në rritet arroganca e PS-së. PS nuk lëviz aty. PS nuk bie nga 48 përqind, kurse PD bie vetëm më poshtë. Edhe në zgjedhjet e fundit, me gjithë skandalet e qeverisë, bie në 500 mijë vota. Ne duhet të jemi të interesuar për PD. Berisha nuk e bën dot këtë mision. Ka pjesën më të madhe të 500 mijë votave. Berisha nuk kalon dot Bashën. Ai është mbret në opozitë. Është partneri kryesor i qeverisë. Bie balanca politike e vendit. Rama nga 83 mund të shkojë 93 vende. Sa më keq shkon PD-ja, aq më keq për vendin. Edhe në 2029, nëse shkon, do të humbë më keq”, tha Minga.
Shembja e një masivi shkëmbor për pak nuk u kthye në tragjedi për një familje e cila udhëtonte në rrugën turistike Pejë – Bogë.
Masivi shkëmbor goditi automjetin që ishte në lëvizje në momentin që po qarkullonte në drejtim të Pejës. Për fat të mirë, guri goditi kollonën mes derës së shoferit dhe derës së pasme, si dhe nuk mundi ta hidhte në humnerë.
Për pasojë ka mbetur i lënduar drejtuesi automjetit, ndërsa të tjerët nuk pësuan lëndime.
Rruga Pejë – Bogë është ndër rrugët turistike më të frekuentuara gjatë gjithë vitit. Por fluksin më të lartë e ka gjatë stinës së dimrit për shkak të bukurisë natyrore të “Grykës së Rugovës” nga prania e dëborës.
Kjo zonë frekuentohet shumë edhe nga shqiptarët e Shqipërisë, por rruga është në gjendjen më të degraduar të mundshme.
Si pasojë e mungesës së investimeve dhe mirëmbajtjes së vazhdueshme, kjo rrugë vë në rrezik jetën e udhëtarëve çdo ditë për shkak të shembjes së gurëve nga shpati i malit.
Megjithëse rruga është e një zone turistike që gjeneron miliona euro të ardhura në vit, infrastruktura rrugore lë për të dëshiruar.
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, ka reaguar pas aksidentit tragjik të regjistruar pasditen e sotme ku aktori i mirënjohur i humorit shkodran, Nexho Shabani u përplas nga një automjet teksa ishte duke kaluar me biçikletën e tij.
Menjëherë Shabani u dërgua me urgjencë në spital, ndërkohë që së fundmi kryebashkiaku bën me dije se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë.
Beci shkruan se aktori, shkodrani i mirë, njeriu popullor dhe ashtu si ai e quan “Nexhoja i tavolinave” në këto orë kritike për të ka nevojë për lutjet e të gjithë qytetarëve të Shkodrës, por jo vetëm.
“Sonte, Nexho Shabani, Nexhoja i tavolinave, njeriu popullor që sjell humorin tipik shkodran kudo ku ulet, ka nevojë për lutjet tona.
Pas një aksidenti të rëndë, gjendja e tij shëndetësore është e paqëndrueshme, ndërsa mjekët e Spitalit Rajonal të Shkodrës janë të angazhuar maksimalisht. Le t’i jemi pranë me mendim të mirë dhe shpresë”, shkruan Beci.
Kujtojmë se aksidenti i rëndë u regjistrua rreth orës 20:05, në sheshin “Demokracia”, ku automjeti me drejtues shtetasin N. Xh., përplasi aktorin e humorit, Nexho Shabanin, i cili po lëvizte me biçikletë.
“Rreth orës 20:05, në sheshin “Demokracia”, automjeti me drejtues shtetasin N. Xh., është përplasur me shtetasin N. Sh., i cili po lëvizte me biçikletë.
Si pasojë e aksidentit, është dëmtuar shtetasi N. Sh., i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër, nën kujdesin e mjekëve”, njoftoi policia më herët.