Ky është 30-vjeçari që e mori rrjedha e ujit gjatë aksidentit në Klos/ U braktis nga shoku i tij pas rënies së makinës në përrua

Personi që shihni në foto, është 30-vjeçari Jurgen Karaj, i cili rezulton i zhdukur pasi makina ku ndodhej si pasagjer, ra në një përrua në fshatin Dars të Klosit.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, kur mjeti tip “Audi” me targa angleze, humbi kontrollin dhe përfundoi në ujë.

Së bashku me Karajn në makinë, ishte edhe 24-vjeçari Andi Losha, drejtuesi i automjetit. Losha ka arritur të dalë vetë nga makina dhe ka shpëtuar, ndërsa dyshohet se Karajn e ka marrë rrjedha e përroit.

Policia e ka arrestuar 24-vjeçarin, pasi ai u largua nga vendngjarja pa njoftuar autoritetet dhe pa i dhënë ndihmë pasagjerit që ndodhej ende në automjet.

Testi i alkoolit e ka nxjerrë atë në gjendje të dehur në momentin e aksidentit. Ndërkohë, kërkimet për gjetjen e Jurgen Karajt vijojnë .

Shërbimet e Policisë dhe polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet për gjetjen e pasagjerit, që dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.

Njoftimi:

“Rreth orës 01:30, është marrë informacion se në vendin e quajtur ura e fshatit Dars, njësia administrative Klos, një mjet tip “Audi”, me targa angleze, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e fshatit Dars.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe shërbimi zjarrfikës.

Nga veprimet e shpejta të kryera nga shërbimet e Policisë u bë i mundur identifikimi i drejtuesit të mjetit, shtetasit A. L., 24-vjeç, banues në fshatin Fullqet, Klos.

Po nga veprimet dyshohet se në automjet ka qenë edhe një pasagjer, shtetasi J. K., 30-vjeç, banues në fshatin Fullqet, të cilin dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.

Gjatë veprimeve për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan shtetasin A. L., 24-vjeç, i cili dyshohet se pas shkaktimit të aksidentit është larguar nga vendngjarja.

Ky shtetas iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

Ndërkohë, polumbarët e RENEA-s, shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit vijojnë kërkimet në përroin e fshatit Dars për gjetjen e pasagjerit, shtetasit J. K.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, thuhet në komunikatën zyrtare të policisë.

Divorc i dhimbshëm/ “Kurthi me fallxhore”, ish-bashkëshorti ngre akuza të rënda ndaj këngëtares së njohur: S’më lejon të shoh fëmijët

Një konflikt i ashpër familjar ka dalë në dritë publike mes këngëtares së njohur kosovare dhe kandidates fituese për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Edona Llalloshi, dhe ish-bashkëshortit të saj, Gazmond Haxhifejzullahut.

Ky i fundit ka bërë deklarata të forta në një intervistë për Insajderin, duke ngritur akuza të rënda ndaj ish-partneres së tij, duke pretenduar se ajo po shkel vendimet e gjykatës dhe po përdor fëmijët si mjet presioni dhe hakmarrjeje pas kërkesës së tij për ndarjen e pasurisë së përbashkët.

Sipas tij, prej më shumë se tetë muajsh nuk ka pasur asnjë kontakt me fëmijët e tij, një situatë që e përshkruan si dramatike dhe jashtëzakonisht të dhimbshme.

“Jam i përjashtuar plotësisht nga jeta e fëmijëve të mi. Nuk më lejohet as t’i shoh, pavarësisht vendimeve të gjykatës”, është shprehur ai.

Një nga pikat më të forta të akuzave lidhet me atë që ai e quan “kurthi me fallxhore”. Haxhifejzullahu pretendon se gjithçka filloi të përkeqësohej në momentin kur Edona Llalloshi, sipas tij “e ndikuar nga motra, filloi t’i besonte këshillave të një fallxhoreje”.

“Këtu nisi shkatërrimi i familjes. Vendimet nuk merren më në bazë të arsyes, por të parashikimeve”, ka deklaruar ai, duke e konsideruar këtë si një faktor kyç që solli krisjen përfundimtare të marrëdhënies.

Paralelisht, ai thotë se kërkesa e tij për ndarjen e pasurisë së përbashkët ka qenë një tjetër shkak i rëndësishëm që ka thelluar konfliktin dhe ka sjellë, sipas tij, përjashtimin nga jeta e fëmijëve.

Kujtojme se ish-bashkëshorti i këngëtares së njohur është arrestuar me parë për dhunë në familje./Insajderi

Thjeshtohen procedurat për pasaportë/ Aplikim në çdo zyrë, ja hapat

Me udhëzimin e ri, për të gjitha riaplikimet për pasaportë biometrike dhe kartë identiteti, (standarde ose të përshpejtuara), procedura mund të kryhet pranë çdo zyre aplikimi të IdentiTek në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht njësisë ku qytetarët janë të regjistruar në Gjendjen Civile.

Ky lehtësim synon të rrisë aksesueshmërinë dhe fleksibilitetin e shërbimit për qytetarët, si dhe reduktuar kohën e kostot e lëvizjes.

Nga ky ndryshim përjashtohen rastet kur pasaporta e fundit është aplikuar përpara vitit 2012. Këto aplikime do të vijojnë të kryhen vetëm në zyrat sipas vendbanimit të qytetarëve, në përputhje me procedurat në fuqi. Karta e identitetit tërhiqet pranë zyrës së aplikimit, ndërsa pasaporta biometrike pranë Drejtorisë Vendore të Policisë në qarkun ku bëhet aplikimi.

I dogji krevatin bashkëjetuesit, zyrtarja e ministrisë se Brendshme, Alma Bime thyen arrestin në shtëpi dhe tenton t’i vërë flakën edhe makinës së ish-partnerit

Policia e Tiranës ka vënë në pranga 43- vjeçaren Alma Bime, drejtoreshe e Emigracionit në Ministrisë së Brendshme.

Bime dyshohet se ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” si dhe ka tentuar t’i djegë automjetin ish-bashkëjetuesit.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4., arrestuan shtetasen A. B., 43 vjeçe, pasi dyshohet se ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” si dhe ka tentuar t’i djegë automjetin ish-bashkëjetuesit;”, njofton policia.

Drejtoresha e Ministrisë së Brendshme u shoqërua ne dhjetor nën dyshimet për kanosjen e një të huaji përmes mesazheve dhe djegien e orendive shtëpiake të ish-bashkëjetuesit të saj, Mareglen Tomori.

Tomori raportohet se ka një vilë tre katëshe në rrugën “Hysen Xhura” në Kinostudio dhe prej disa kohësh kishte punësuar një të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri që jetonte në katin e parë të vilës dhe kujdesej për kopshtin.

Sipas News 24, Bime është zënë me ish-bashkëjetuesin kohë më parë, dhe i ka djegur krevatin në vilë. Më pas është konfliktuar edhe me të huajin, të cilin e ka akuzuar për bashkëpunim me ish-bashkëjetuesin e saj dhe se do t’ia hiqte lejen e qëndrimit.

Denoncimi është bërë nga Tomori, i cili ka marrë dëshmitarë edhe punëtorin e huaj për të provuar mesazhet kërcënuese të Bimes ndaj tij.

Turisti nga Zelanda e Re zhduket në Malin e Krujës, familja kërkon ndihmën e shqiptarëve (FOTO)

Daniel, një turist nga Zelanda e Re, rezulton se ka humbur kontaktet me familjen prej më shumë se dy ditësh në malin Gamti të Krujës. Ai ka ardhur për të vizituar Shqipërinë dhe bukuritë natyrore të vendit tonë, por prej 48 orësh është zhdukur.

Vëllai i tij Christopher Hughes, ka publikuar një fotografi të Daniel dhe kërkon ndihmën e shqiptarëve, nëse mund ta kenë parë apo dinë diçka për të riun, raporton newsbomb.al.

“Vëllai im Daniel është zhdukur jashtë shtetit. Ai është shtetas i Zelandës së Re. Vendndodhja e fundit e njohur: Mali Gamti, Shqipëri më shumë se 48 orë më parë”, thuhet në mesazhin e publikuar në një llogari në “Facebook”, e cila ndan informacione për turistët në Shqipëri.

Vëllai i tij ka publikuar një fotografi të Daniel dhe kërkon ndihmën e shqiptarëve
Mali i Gamtit (1268m) ndodhet në mes të malit të Krujës dhe malit të Brarit (maja e Priskës së Vogël).

Vitet e fundit ngjitja në këtë mal është kthyer në një itinerar mjaft tërheqës ku mund të shfrytëzohet ecja alpine dhe ngjitja mbi Gamt, në livadhet karakteristike me një panoramë të shkëlqyer nga të gjitha drejtimet.

Si itinerar ndiqet rruga deri tek liqeni i Bovillës dhe nga aty fillohet ecja, e cila në total shkon rreth 5 orë ngjitje-zbritje.

E bujshme! Shtohen ekipet që kërkojnë Asllanin, në garë edhe…

E ardhmja e Kristjan Asllanit duket gjithnjë e më larg Interit. Pas ndërprerjes së parakohshme të huazimit te Torino, klubi zikaltër është në kërkim të një zgjidhjeje të re për mesfushorin shqiptar, i cili nuk pritet të rikthehet në Milano për të qenë pjesë e projektit të skuadrës së parë.

Interi po punon për ta sistemuar Asllanin gjatë kësaj merkatoje, me synimin që lojtari të gjejë vazhdimësi dhe hapësira që nuk i ka pasur në muajt e fundit. Në këtë kontekst, Paris FC ka shfaqur interes konkret, duke kryer një sondazh për kushtet e një transferimi të mundshëm në këtë afat kalimtar.

Klubi francez, që synon të përforcohet në mesfushë, e sheh 21-vjeçarin si një profil interesant për të rritur cilësinë dhe konkurrencën në repartin qendror.

Për Asllanin, një kalim i tillë do të përfaqësonte një mundësi të rëndësishme për të rilançuar karrierën dhe për të fituar minutazh të rregullt, ndërsa për Interin do të ishte zgjidhja e duhur për një situatë që aktualisht mbetet e hapur.

Zbulohet doktrina ushtarake daneze për Groenlandën: Do të qëllojmë të parët në rast pushtimi

Danimarka ka konfirmuar se një rregull ushtarak i vitit 1952 mbetet ende në fuqi dhe parashikon që trupat daneze të hapin zjarr menjëherë në rast të një pushtimi të huaj të territorit të saj, përfshirë edhe Groenlandën, pa pritur urdhra nga zinxhiri më i lartë komandues.

Lajmi është raportuar nga The Telegraph, duke cituar Ministrinë daneze të Mbrojtjes, e cila thekson se rregulli zbatohet ekskluzivisht në rast të një pushtimi ushtarak dhe jo për incidente diplomatike apo prani të zakonshme ushtarake.

Sipas këtij parimi, nëse trupa të huaja zbarkojnë në territor danez, ushtarët në terren kanë detyrimin ligjor të reagojnë menjëherë me forcë, pa pritur konfirmim apo udhëzime shtesë nga komanda qendrore. Doktrina përmblidhet qartë: “mbro fillimisht, heto më pas”.

Groenlanda në qendër të vëmendjes strategjike

Rikujtimi publik i këtij rregulli vjen në një kontekst të ndjeshëm gjeopolitik, ku Groenlanda ka marrë rëndësi të veçantë strategjike për shkak të pozicionit të saj në Arktik, burimeve natyrore dhe interesit në rritje të fuqive të mëdha, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Megjithëse Danimarka dhe SHBA-të janë aleate në kuadër të NATO-s, autoritetet daneze sqarojnë se ligji nuk bën përjashtime për aleatë, nëse skenari përfshin një pushtim të mirëfilltë ushtarak pa pëlqimin e Kopenhagenit.

Doktrinë e Luftës së Ftohtë, ende aktive

Rregulli daton nga periudha e Luftës së Ftohtë, kur frika nga një sulm i papritur e bënte të domosdoshme reagimin e menjëhershëm në terren.

Fakti që ai mbetet ende në fuqi tregon se Danimarka vazhdon ta konsiderojë sovranitetin territorial si një vijë të panegociueshme, pavarësisht ndryshimeve në arkitekturën e sigurisë globale.

Ministria e Mbrojtjes thekson se ky është një mekanizëm mbrojtës ekstrem, i projektuar për skenarë po aq ekstremë, dhe se politika zyrtare e Danimarkës mbetet bashkëpunimi dhe koordinimi me aleatët.

Megjithatë, mesazhi është i qartë: në rast pushtimi ushtarak, armët flasin para.

Moti i keq në vend, Rama: Shoferët të kenë kujdes të shtuar, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë

Teksa vendi është ‘pushtuar’ ditët e fundit nga moti i keq kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, shkruan se shoferët duhet të kenë kujdes të shtuar në rrugë.

Rama thotë se ARRSH po punon për të mbajtur akset rrugore të hapura e për të garantuar sigurinë e çdo qytetari

Në këto kushte të vështira moti, ekipet e Autoritetit Rrugor Shqiptar janë në terren pa ndërprerje, duke punuar ditë e natë për të mbajtur akset rrugore të hapura dhe për të garantuar sigurinë e çdo qytetari në lëvizje.

Drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të ulin shpejtësinë dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë.

130 mjete borëpastruese

577 mjete të tjera

800 punonjës

5 300 ton kripë

1 800 ton granil

Largohet La Nina, afrohet El Nino! Çfarë po ndodh me motin në Europë e Ballkan?

Fenomeni La Niña po dobësohet mbi Paqësorin ekuatorial, duke treguar se El Niño mund të afrohet gjatë verës 2026 dhe të konsolidohet deri në vjeshtë.

Ky ndryshim i sistemit klimatik ENSO ka ndikime globale, përfshirë Europën dhe Ballkanin. Sipas Severe Weather gjatë pjesës së parë të këtij viti ndikimi i La Niñës do të vazhdojë, duke sjellë temperatura më të buta dhe mot relativisht të qëndrueshëm në Europën Perëndimore dhe Qendrore.

Ndryshimi kryesor pritet vetëm në gjysmën e dytë të vitit. Të gjitha modelet sezonale pohojnë se La Niña do të përfundojë relativisht shpejt, dhe se fenomeni El Niño mund të fillojë që gjatë verës. Për Europën, El Niño zakonisht sjell ndryshime më të theksuara në qarkullimin mbi Atlantikun e Veriut.

Të dhënat historike tregojnë se dimrat e tij shpesh karakterizohen nga kushte të paqëndrueshme të motit, stuhi më të ashpra dhe kontraste më të mëdha temperaturash.

Një element veçanërisht i rëndësishëm është se gjatë dimrit me El Niño shpesh formohet një “korridor i ajrit të ftohtë”, që mund të shtrihet nga pjesa jugore e Mbretërisë së Bashkuar, përmes Europës Qendrore, deri në juglindje të kontinentit.

Dhe për Ballkanin, afrimi i tij nënkupton një dimër më të ashpër vitin që vjen me mundësi më të mëdha për borë në brendësi të vendit, ndryshime më të shpeshta midis periudhave më të ngrohta dhe më të ftohta, si dhe situata cikloni, më të theksuara mbi detin Adriatik, teksa stabiliteti i gjatë ka gjasë t`ia lërë vendin ndryshimeve të papritura të motit.

TRAGJEDI në Itali/ Punëtori shqiptar VDES në vend, u shtyp nga përpunuesi i mbetjeve (EMRI)

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali. Një shqiptar ka humbur jetën, pasi është shtypur nga makineria e përpunimit të mbetjeve.

Viktima është Zevxhet Halili, 59 vjeç, i cili jetonte në bashkinë e Ospedaletto Euganeo. Ngjarja ndodhi në Ospedaletto Euganeo në “Sesa”, një kompani e shërbimeve mjedisore Este.

Mediat italiane shkruajnë se nuk dihet për momentin nëse ai ishte viktimë e një pakujdesie të parëndësishme, një sëmundje apo një makinë ku punonte kishte një prishje. Ky është aksidenti i dytë fatal që nga fillimi i vitit në provincën e Padovës.

Shtetasi shqiptar, nga një rikonstruksion fillestar i kryer nga karabinierët e stacionit Este dhe nga teknikët e Spisal, ishte punonjës i Sesa, kompanisë së shërbimeve mjedisore Este.

Papritur, gjatë disa punëve të mirëmbajtjes, ai u shtyp brenda një shtypësi. Një skenë e tmerrshme që ndodhi para syve të kolegëve të shumtë që ngritën menjëherë alarmin.

Pas pak minutash punonjësit shëndetësorë Suem 118 mbërritën në Ospedaletto Euganeo. Përpjekjet për të ringjallur 59-vjeçarin që vdiq praktikisht në vend ishin të padobishme.

Prokurori i Prokurorisë Publike të Rovigo u vu në dijeni të aferës. Është sekuestruar zona ku ka ndodhur aksidenti, ndërsa trupi është transportuar në institutin e mjekësisë ligjore në dispozicion të autoriteteve gjyqësore.