Gjilani është bërë sot qendra e një zhvillimi të rëndësishëm për industrinë e mbrojtjes në Kosovë, ku kryeministri në detyrë Albin Kurti ka përuruar dronin e parë të prodhuar në vend, të quajtur “Skifteri”.
Ky dron është ndërtuar nga kompania vendore “Future Minds Academy”, e cila operon në qytetin e Gjilanit. Në një postim në Facebook, Kurti e cilësoi këtë arritje si një hap të madh drejt zhvillimit të kapaciteteve teknologjike dhe të mbrojtjes në Kosovë.
“Të ardhmen e industrisë së mbrojtjes dhe avancimit të dronëve luftarakë po e ndërtojmë e zhvillojmë edhe në Kosovë. Shteti ynë po shndërrohet në vend që prodhon. Në Gjilan, bashkë me kryetarin Hyseni, vizituam kompanitë e prodhimit të dronëve ushtarak ‘Skifteri’ dhe dronët civil, nga ‘Future Minds Academy’ dhe MIGA SkyShield MAR.
‘Made in Gjilan’ përveçse natyrisht ‘Made in Kosova’. Droni kamikaz ‘K1’, arrin shpejtësi maksimale prej 180km/h e lartësi deri në 2500 metra. Ndërsa ‘Skifteri’ arrin në 5000 metra lartësi, hapësirë operuese 20km dhe shpejtësi prej 270km/h.”, shkruan Kurti.
Kryeministri theksoi rëndësinë e mbështetjes institucionale për këto iniciativa, duke premtuar përkrahje si në nivel qendror ashtu edhe lokal.
“Në mbrojtje e siguri kemi investuar duke blerë nga shtetet tona mike dhe partnere dronët Bayraktar TB-2, Puma dhe së fundmi dronët kamikazë Skydagger. Tash dronët luftarakë po i prodhojmë edhe vetë. Si qeveri, edhe në nivel qendror edhe lokal, do ta mbështesim dhe përkrahim ngritjen e kapaciteteve dhe prodhimtarisë, gjersa nuk do t’i ndalim investimet për mbrojtje e siguri.”, shtoi ai.
Me përurimin e “Skifterit”, Kosova ka hyrë në fazën e prodhimit të dronëve luftarakë, duke synuar pavarësi teknologjike dhe ngritje të kapaciteteve vendore.
Inxhinieri grek, Yannis Kirkinezis, është njeriu që foli në SPAK, duke dhënë shpjegime të sakta mbi fitimin e kontratës me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për mbikëqyrjen e punimeve që po kryheshin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë në Orikum.
Deri në këtë fazë ku ndodhet hetimi i dosjes së supervizimit të tunelit të Llogarasë, rrëfimi i inxhinierit grek dhe komunikimet në telefonat e ministres Belinda Balluku, ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberit dhe Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Infrastrukturës, Viola Haxhiademi, përbëjnë provat gjenerale për ngritjen e akuzës penale ndaj Ballukut dhe zyrtarëve të tjerë.
Kirkinezis, ka qëndruar mbi 6 orë në SPAK duke dhënë shpjegime dhe pas përfundimit të orarit zyrtar, prokurori i çështjes Dritan Prençi, është kujdesur që dëshmia e grekut të ndërpritej dhe më pas ka vijuar ditën tjetër.
Për shkak të vonesës dhe prezencës së gjatë në SPAK të inxhinierit Kirkinezis, interes ka shfaqur dhe smbasada greke në Tiranë, e cila mësohet të jetë vënë në dijeni nga SPAK, se shtetasi grek po merrej në pyetje si person që ka dijeni mbi rrethanat e ngjarjes dhe jo si person nën hetim apo qoftë të ishte marrë ndonjë masë ndalimi.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se shtetasi grek ka bashkëpunuar me prokurorinë duke treguar të gjithë dinamikën e plotë që çuan atë dhe “Net-Group” të Valter Begaj, në fitimin e kontratës prej 2 milion euro për supervizimin e punimeve të tunelit të Llogarasë.
Ai i ka pohuar hetuesve të BKH-së dhe prokurorit Prençi të gjitha marrëveshjet që ka bërë në vitin 2021 e në vijim me Valter Begaj të “Net-Group” që tashmë ndodhet në burg. Begaj njihet si njeri i afërt me ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, edhe ky i fundit në burg.
Yannis Kirkinezis, ka treguar se është me profesion inxhinier dhe në Shqipëri administron degën e kompanisë hollandeze “Hill Internacinal N.V” me Seli në Amsterdam. Si përfaqësues ligjor i kësaj kompanie vepron dhe shtetasi tjetër, Emmanouil Sigalas.
Sipas tij, kompania është hapur në 4 qershor 2019 në Tiranë, ndërsa marrëdhënien e punës, fillimisht e kanë nisur me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, ku kanë marrë kontratën e parë në administratën publike.
Një muaj më pas kompania e administruar prej tij, arrin të fitojë tenderin 2 milionë euro të hapur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ku në këtë garë inxhinieri grek kishte bashkuar forcat me kompaninë “Net-Group”, e Valter Begaj.
Yannis Kirkinezis, ka pohuar në SPAK se tenderi për supervizimin është hapur në datën 25 nëntor 2021 nga Sekretaria e Ministrisë së Infrastrukturës, Viola Haxhiademi.
“Net Group” dhe “Hill Internacinal N.V” kanë garuar përballë dy kompanive të tjera që kishin hyrë si Bashkim Operatorësh Ekonomikë “Stucky” l.t.d dhe “Gjeokonsult & CO”.
Fondi limit i këtij tenderi ishte planifikuar në 1 miliard e 947 milion lekë të vjetra, ku shërbimi duhej të kryhej në 34 muaj.
Sipas dokumentave zyrtare të sekuestruara tashmë nga SPAK, kompania “Hill Internacinal N.V” e inxhinierit grek dhe “Net Group” e Valter Begaj, në total ka përfituar në 14 transaksione të bëra nga Ministria e Infrastrukturës, 1 miliard e 979 milion lekë.
Pra edhe 32 milion lekë të vjetra mbi atë që ishte parashikuar në kontratën mes palëve.
Shuma prej 1 miliard e 979 milion lekë është paguar në bazë të kontratës Nr.1537/3 të lidhur në 16 Maj 2022 ku parashikoheshin shërbime inxhinierike për 13 situacione të mbikqyrjes së punimeve në tunelin e Llogarasë.
Situacionin e parë, Ministria e Infrastrukturës rezulton ta ketë paguar drejt “Hill Internacinal N.V” në muajin Tetor 2022 në vlerën prej 88 milion lekë të vjetra. Ndërsa situacioni i fundit është paguar në 24 Janar 2025 në vlerën prej 55 milion lekë.
Kjo kontratë shërbimi ka dyshime të forta se është paracaktuar në favore korruptive, ndaj dhe SPAK prej disa muaj ka sekuestruar të gjithë praktikën dokumentare që është mbajtur për këtë tender, raporton Syri.net.
Ndërkohë të dhënat kompromentuese që janë luajtur në prapaskenën e këtij tenderi, tashmë ndodhet në telefonat e Evis Berberit dhe Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Infrastrukturës, Viola Haxhiademi, të cilët i ka sekuestruar dhe ekspertuar prokuroria e posaçme SPAK.
Kjo është një dosje Nr.2 për ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila ka afatin e parashkrimit deri në 25 nëntorin e 2026.
Ndërsa aktualisht, Belinda Balluku, është marrë e pandehur së bashku me 5 zyrtarë të tjerë, për praktikën tenderuese të ndërtimit të tunelit të Llogarasë me vlerë gati 180 milion euro.
Por kjo është vetëm fillimi, pasi ndaj Ballukut janë hapur dhe tre hetime të tjera duke filluar nga hetimi pasuror, hetim për dy anijet Gjenerator “Tigri 1” dhe “Tigri 2” si dhe hetime për kontratën konçesionare të ndërtimit të rrugës Thumanë-Kashar. /Syri.net
Një nga premtimet kryesore të qeverisë në fushën ekonomike është “Paqja fiskale”.
Sipas Ministrisë së Financave, nisma do të fillojë të zbatohet nga 1 janari 2026 dhe do të zgjasë për tre vjet, deri në fund të 2029-ës.
Qëllimi kryesor i “Paqes fiskale” është krijimi i një marrëdhënieje të re dhe transparente midis administratës tatimore dhe tatimpaguesve, duke ofruar lehtësime të konsiderueshme për qytetarët dhe bizneset.
Kush do të përfitojë dhe si?
Nisma parashikon rregulla të favorshme për tre grupe kryesore tatimpaguesish:
Fshirje e Plotë për Borxhet më të Vjetra: Të gjitha detyrimet tatimore dhe doganore të krijuara para vitit 2016 (më shumë se 10 vjet më parë) do të fshihen plotësisht. Kjo do t’i çlirojë shumë biznese nga statusi i debitorit.
Fshirje e Gjobave për Borxhet e Mesme: Për tatimpaguesit me borxhe të krijuara deri në 5 vjet më parë (deri në fund të 2024), do të fshihen të gjitha gjobat dhe interesi i vonesës. Ata duhet të paguajnë vetëm shumën kryesore të borxhit.
Zbritje deri në 50% për Borxhet 5-10 vjeçare: Për bizneset me borxhe në këtë kategori ofrohen dy opsione:
Zbritje 50%: Nëse paguajnë të gjithë borxhin kryesor me një shumë të vetme, u fshihen 50% e gjobave dhe interesave.
Zbritje 25%: Nëse zgjedhin ta shlyejnë borxhin në disa këste, marrin një zbritje prej 25% për gjobat dhe interesat.
Në total, nga “Paqja Fiskale” pritet të përfitojnë rreth 213 mijë tatimpagues.
Politikat kryesore të reformës fiskale
Përveç “Paqes Fiskale”, qeveria po ndjek edhe disa reforma të tjera kapitale në rrugën drejt Bashkimit Europian:
Vazhdim i Tatimit 0% për Bizneset e Vogla: Nëntaksa 0% për bizneset e vogla do të zgjasë deri në vitin 2029, si një nxitje për formalizimin e tyre.
Reforma e Tatimit mbi Pasurinë: Pritet të rifillohet diskutimi për një reformë të këtij takse.
Mbështetje për Bujqësinë: Do të rishikohet skema e TVSH-së për fermerët në përputhje me praktikat e Bashkimit Europian, për të mbështetur më shumë sektorin.
Këto masa, së bashku me “Paqen Fiskale”, synojnë të lehtësojnë barrën financiare për bizneset dhe qytetarët, duke nxitur një mjedis biznesi më të shëndoshë dhe formalizimin e ekonomisë.
Nëse gjithçka shkon sipas vizionit të Komisionit Evropian, europianët mund të jenë në mëngjes në Berlin dhe të hanë drekë në Kopenhagë, të udhëtojnë nga një kryeqytet në tjetrin përmes një treni super të shpejtë që kalon kontinentin si një linjë arteriale moderne.
Sipas The Guardian, Komisioni Europian publikoi planet për ndërtimin e një rrjeti hekurudhor “me të vërtetë evropian” me shpejtësi të lartë deri në vitin 2040, që do të ulë ndjeshëm kohën e udhëtimit mes qyteteve kryesore të kontinentit. Trenat pritet të arrijnë shpejtësi mbi 250 km/h, duke konkurruar drejtpërdrejt me fluturimet e shkurtra brenda BE-së.
Nëse projekti realizohet, udhëtimi midis Berlinit dhe Kopenhagës mund të zgjasë vetëm katër orë deri në vitin 2030, nga shtatë që duhen sot. Po ashtu, rruga midis Sofies dhe Athinës do të shkurtohet në gjashtë orë, nga pothuajse 14 aktualisht. Ndërkohë, një udhëtim midis Talinit dhe Rigës do të zgjasë vetëm 1 orë e 45 minuta (krahasuar me mbi 6 orë tani), dhe rruga Lisbonë–Madrid do të reduktohet nga nëntë në tre orë.
Komisioneri për Transportin, Apostolos Tzitzikostas, e quajti këtë një hap drejt “një rrjeti më të shpejtë dhe vërtet evropian”, duke theksuar se objektivi është ta bëjë trenin alternativën më tërheqëse ndaj avionëve, sidomos për distancat e shkurtra dhe mesatare.
Megjithatë, sfidat janë të mëdha: infrastrukturë e pamjaftueshme, sisteme të papërputhshme, rregullore që bien ndesh dhe një sistem biletimi që sot konsiderohet “një labirint burokratik”.
Aktualisht, rreth 12,128 kilometra linja hekurudhore me shpejtësi të lartë ndodhen kryesisht në Francë, Gjermani, Itali dhe Spanjë, ndërsa Evropa Qendrore dhe Lindore mbeten “dobët të lidhura”.
Ekspertët llogarisin se 546 miliardë euro do të nevojiten për të trefishuar rrjetin ekzistues, duke përfshirë ndërtimin e infrastrukturës, blerjen e trenave të rinj dhe zhvillimin e teknologjisë së përbashkët të sinjalizimit dhe biletimit në nivel kontinental.
Një nga qëllimet ambicioze të Komisionit është krijimi i një platforme unike për biletat ndërkufitare, që do t’u mundësonte pasagjerëve të blejnë një biletë të vetme për udhëtime në disa shtete, madje edhe kombinimin e trenit me avionin në një itinerar të vetëm. Propozimet ligjore për këtë pritet të publikohen në fillim të vitit 2026.
Organizatat e konsumatorëve dhe industrisë e kanë pritur planin me optimizëm. Robin Loos nga Organizata Evropiane e Konsumatorëve (BEUC) e përshkroi si “një hap përpara për udhëtimet e qëndrueshme”, ndërsa Community of Railway and Infrastructure Companies (CER) e cilësoi objektivin e 250 km/h si një “standard të ri konkurrues me udhëtimet ajrore”.
Megjithatë, jo të gjithë janë bindur. Eksperti i pavarur, Jon Worth, vuri në dyshim realizimin e projekteve konkrete, duke e quajtur dokumentin e Komisionit “më shumë aspiratë sesa plan real”. Ai theksoi se projektet e mëparshme të BE-së për rrjetet hekurudhore kanë qenë “jashtëzakonisht të ngadalta” në zbatim, duke pyetur pse këtë herë gjërat do të jenë ndryshe.
Nëse Europa arrin ta përmbushë këtë vizion, do të ishte një revolucion transporti, një mënyrë për të lidhur kontinentin më shpejt, për të ulur ndotjen dhe për t’i dhënë fund epokës së fluturimeve të shkurtra. Por deri në atëherë, mbetet një “premtim në shina”.
Tre persona të humbur në fshatin Leshicë të Përmetit, janë zhdukur e për herë të fundit janë parë duke kaluar nga një rrugë që përshkon buzën e lumit të Vjosës.
Për herë të fundit, një kamerë arriti të fiksonte Agron Çumanin, i cili i qetë po ecte e ndërsa në duar po mbante një thes.
Kjo daton më 4 nëntor, e që prej asaj dite 66-vjeçari ka humbur çdo kontakt me familjen.
Familjarët kanë nisur nga kërkimet deri në kufi me Greqinë, por asnjë shenjë e vetme prej tij nuk është parë.
Ajo që e bën ngjarjen më misterioze, janë deklaratat e banorëve të zonës, të cilët tregojë e për dy persona të tjerë Niko Dhimitri dhe Filip Kristidhi të zhdukur në fshat, të cilët pasi kanë kaluar nga ajo rrugë, nuk janë parë më.
Ndër të tjera, ata përjashtojnë çdo mundësi që ndonjëri prej tyre të jetë mbytur në lumin Vjosa pasi asnjë trup nuk është gjetur deri më tani nga kërkimet.
Një histori tragjike me viktimë një nënë me katër fëmijë dhe njëkohësisht punëtore pastrimi po bëhet jehonë në mbarë botën.
32-vjeçarja Maria Florida Rios Perez, nënë e katër fëmijëve, u qëllua për vdekje kur u paraqit pa dashje në shtëpinë e gabuar për të bërë pastrimin.
Ngjarja tragjike ndodhi pak para orës 7 të mëngjesit të së mërkurës në Indiana, kur Perez dhe bashkëshorti i saj, Mauricio Velásquez, mbërritën në një adresë ku besonin se kishin marrë përsipër pastrimin e një banese.
Sipas autoriteteve, çifti bëri dy herë xhiron e bllokut për t’u siguruar se ishin në vendin e duhur.
Kur iu afruan hyrjes, Perez u përpoq të fuste çelësin në derë, para se të dëgjohej një të shtënë.
“E pashë gruan time të bënte dy hapa prapa dhe pastaj të rrëzohej. Po përpiqesha ta ngushëlloja, por gjaku nuk ndalonte”, deklaroi i shkatërruar Velasquez për gazetën Indy Star.
Policia e Whitestown, që mbërriti menjëherë në vendngjarje, konfirmoi se nuk kishte asnjë tentativë grabitjeje, ndërsa autori ende nuk është identifikuar. Autoritetet po hetojnë rrethanat e të shtënës.
Komuniteti lokal është tronditur, duke e përshkruar Marian si një grua punëtore, e sjellshme, që i kushtonte jetën familjes.
Është krijuar një fushatë GoFundMe për të mbështetur bashkëshortin dhe katër fëmijët e saj, të moshës nga disa muajsh deri në 17 vjeç.
Grumbullimi i fondeve ka kaluar tashmë gjysmën e objektivit prej 100,000 dollarësh.
Trupi i Perez do të transferohet në Guatemala, vendlindjen e saj. Bashkëshorti i saj kërkon vetëm “drejtësi dhe lutje” për familjen, duke thënë me lot në sy: “Nuk do të jetë e lehtë të rris fëmijët tanë vetëm”.
Senida Mesi, ish-zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, zbulon për herë të parë se vitet e fundit kanë qenë tepër vështirë, një luftë e vërtetë për jetën, të cilën ajo fatmirësisht e ka fituar dhe sot është më e fortë se kurrë.
Ajo është prekur nga kanceri dhe pas një rrugëtimi të vështirë e të gjatë me muaj, në heshje dhe pa bujë, e ka mposhtur sëmundjen dhe tani ka nisur “rilindjen”.
“Gëzuar për fillimet e reja”, shkruan Senida Medi, duke cituar dhe një shprehje filozofike që thotë “Çdo fillim i ri vjen nga fundi i një fillimi tjetër.”
Ish-politikania socialiste e Shkodrës ka zgjedhur që në këtë moment të rrugëtimi të saj të ndajë dhe një fotografi me flokët e shkurtër.
Senida ka marrë mbështetje të gjerë nga miqtë dhe mikeshat e saj, një prej tyre ish-zëvendësministrja Ornela Çuçi.
AKU ka bllokuar një kamion me 25 ton misër që vinte nga Serbia.
Mësohet se bllokimi u bë në doganën e Hanit të Hotit teksa kamioni ishte duke hyrë drejt Shqipërisë nga Mali i Zi.
Shkak i ndalimit të kamionit me misër është bërë prania në sasinë e misrit të aplatoxinë B1 e cila ka dalë mbi normat e lejuara për Shqipërinë.
Kjo normë për vendet e BE është e lejueshme por në Shqipëri jo për shkak se ka norma të tjera.
Siç raportohet, destinacioni final ishte qyteti i Elbasanit ndërsa bëhet fjalë për misër blegtoral refuzho.
Skaq, aksioni është duke vijuar ndërsa priten edhe bllokim i sasive të tjera të misrit sepse janë duke u kryer procedurat në doganën e Hanit të Hotit.
Gjithashtu bëhet me dije se AKU ka bllokuar edhe një fermë qumështi në fshatin Trush të bashkisë Shkodër për shkak të disa parregullsive të gjetura atje.
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi njofton mes dhimbjes lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të vëllait të tij, në moshën 61 vjeçare.
“Me duar te arta e shpirt punetor te palodhur vijoi te udheheqe familjen e tij fierake. Por shendeti i lig i beri prite te pabese. Lufta me diagnozen onkologjike vijoi thuajse nje vit e gjysem dhe perfundoi duke u gdhire dita e sotme. Jeta vazhdon, por familjes tone, bashkeshortes e femijeve te Benit e sidomos nenes tone qe me humbjen e Benit, pas humbjes se vellait tone te vogel Arjanit vetem 26 vjec ne 1998 en, do u mbetet shpirti i perveluar“, shkruan ish-deputeti Petro Koçi.
Shënimi i trishtë i ish-deputetit Petro Koçi për ikjen e të vëllait:
Beni yne nuk ja doli dot! Nder 5 djem qe shtuan familjen qe krijuan babai dhe nena jone, Beni ishte i dyti.
Lindi ne Fier, ne 13 Shkurt 1964. Edhe se i rritur ne kushtet e vetekuptueshme te nje familjeje ne veshtiresi ai shpejt u shnderrua ne nje djalosh energjik dhe me shpirt sportiv.
8 vjecaren e kreu te Shkolla Andon Xoxa e me pas vijoi ne nje shkolle teknike per te plotesuar etjen dhe pasionin per fushat teknike dhe elektronike. Punoi disa vjet si teknolog ne Azotik, Fier. Dallohej per nje shpirt krenar e te paster.
Ndersa mberriti ne moshen e duhur per te krijuar familje e sfidoi shoqerine dhe mentalitetin e kohes duke u lidhur krenarisht me shoqen e jetes, Vasilika Gjikopullin, mbese e te pushkatuarit politik Milto Gjiokopulli. Beni nuk iu dorezua as presionit shoqeror e as atij familjar, duke i mbetur besnik zgjedhjes se tij shpirterore.
Familja e re lindi dy femijet Xhinen dhe Vasilin. Hapja e kufijve solli dhe ikjen e Benit si emigrant drejt Greqise. Per te siguruar familjen beri pune te veshtira e te mundimshme. Para disa vitesh u kthye ne qytetin e lindjes Fier.
Me duar te arta e shpirt punetor te palodhur vijoi te udheheqe familjen e tij fierake. Por shendeti i lig i beri prite te pabese. Lufta me diagnozen onkologjike vijoi thuajse nje vit e gjysem dhe perfundoi duke u gdhire dita e sotme.
Jeta vazhdon, por familjes tone, bashkeshortes e femijeve te Benit e sidomos nenes tone qe me humbjen e Benit, pas humbjes se vellait tone te vogel Arjanit vetem 26 vjec ne 1998 en, do u mbetet shpirti i perveluar!
Biznesmeni kontrovers Fatmir Bektashi, me dy dosje në Prokurorinë e Posaçme, një që lidhet me ish-kompleksin Partizani dhe tjetra me dosjen e kryebashkiakut të Tiranës, vijon të marrë leje për komplekse të mëdha ndërtimi.
Pasi betonoi zonën pranë burgut të gravë, duke ndërtuar 50 pallate pa bërë asnjë park të mirëfilltë për fëmijët, apo pa bërë çerdhe, kopësht apo shkollë, pa përmendur edhe rrugët për të hyrë dhe dalë, ai i ka vënë “syrin” zonës së preferuar të Farkës.
Disa kohë më parë, ai mori leje nga Bashkia e Tiranës për kompleksin “Aba”, duke ndërtuar disa godina nga 3 e 4 katë në një sipërfaqe të madhe ndërtimi.
Dhe, pa përfunduar ende projektin në fjalë, Bektashi ka marrë një leje të dytë nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, duke e quajtur projektin “Aba 2”.
Leja mban firmën e kreut të KKTU-së, kryeministrit Edi Rama, dhe zëvendëses së tij, Belinda Balluku, e marrë edhe ajo e pandehur për aferën e Tunelit të Llogarasë.
Një paradoks tepër i madh, pasi megjithëse Bektashi është nën hetim për dy raste, ai sërish “shpërblehet” nga mazhoranca.
Duket se, Bektashi vepron me “dy porta”, duke qenë se ai është i afërm me Jamarbër Malltezin, teksa të dy janë marrë të pandehur për aferën “Partizani”.
Por, Bektashi ka pasur akses edhe nga eksponentë të mazhorancës së sotme, pasi me firmën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ai mori lejen për pallatet te ish-kompleksi Partizani por edhe lejen për kompleksin “Mangalem 21”.
Bektashi ka përdorur edhe pasaportën e tij gjermane, ndërkohë që firma e tij “Kontakt” ka marrë leje edhe në zonën pranë Malit të Dajtit, në afërsi të Bulevardit të Ri, në Ali Dem, Farkë, Paskuqan e madje edhe në Parkun Kombëtar të Drilonit, një zonë e mbrojtur.
Lejet i janë dhënë edhe gjatë kohës që ka pasur dy dosjet e SPAK-ut mbi shpinë, teksa ai hetohet me masën e sigurisë detyrim paraqitje.
Faksimile: Vendimi i KKTU-së për lejen e ndërtimit për firmën “Kontakt” në zonën e Farkës
Një nga lejet e fundit është ajo e marrë për kompleksin e radhës në zonën e Farkës.
Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, KKTU-ja ka zbardhur ditët e fundit lejen për objektin “ABA 2”, një kompleks banimi me godina 2-3 kate dhe 1 kat nëntokë, në Rrugën e “Turdive”, në Njësinë Administrative Farkë.
Në dokumentet që hulumtoi redaksia jonë shkruhet se trualli pozicionohet në juglindje të qytetit të Tiranës, në rrugën e Turdive, rreth 5 km në vijë ajrore nga qendra e qytetit.
“Sheshi i ndërtimit ka një sipërfaqe trualli prej rreth 3,600 m² dhe është i kufizuar në pjesën veriore nga rruga automobilistike që lidh Tiranën me Farkën, në jug nga Liqeni i Farkës dhe toka bujqësore që e rrethon, në lindje nga toka e pasur me bimësi dhe zona të gjelbra, dhe në perëndim nga një zonë e hapur, e cila është e papërdorur dhe me potencial zhvillimi” thuhet në dokument.
Sipas saj, sipërfaqja është e lirë nga ndërtimet, me pjerrësi të moderuar prej rreth 12%.
“Sheshi aksesohet nga rruga e ‘Turdive’ në perëndim, nga rruga që lidh Farkën me Liqenin e Farkës në jug dhe nga rruga që lidhet me zonat përreth liqenit në lindje. Megjithëse nuk ka kontakt dhe shikueshmëri të drejtpërdrejtë, trualli ka një afërsi prej rreth 900 m në vijë ajrore me Liqenin e Farkës” vijon dokumenti.
Faksimile: Trualli ka një sipërfaqe prej 3.600 m2 dhe ka një distancë prej 900 metrash nga Liqeni i Farkës
Në dokumentet që hulumtoi redaksia jonë shkruhet se kompleksi do të ketë 6 godina, ngjitur me njëra tjetrën në një sipërfaqe të pjerrët.
“Baza e strukturës së objektit është drejtkëndore, me vetrata të mëdha transparente, ndërkohë që çdo objekt rrethohet me konsola në fasadë, të cilat shfrytëzohen si ballkone dhe korridore kalimi.
Secili objekt është konceptuar me tonalitete të zbehta të ngjyrave të ngrohta, të verdhës dhe portokallisë, për të dhënë idenë e dritës” vijon dokumenti.
Në foto: Firma “Kontakt” e ka reklamuar projektin para se leja të zbardhej nga KKTU, teksa ka shitur edhe apartamentet
VoxNews shfletoi edhe faqen e internetit të kompanisë “Kontakt”. Kompleksi është reklamuar prej shumë muajsh, megjithëse leja nuk ishte zbardhur nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit. Një skemë që përdoret nga të gjithë ndërtuesit, të cilët shesin apartamentet para se të hapin gropat. Kjo me qëllim që me paratë e klientëve të ndërtojnë edhe godinat.
Redaksia jonë kërkoi informacion edhe te agjentët e shitjes së “Kontakt” dhe ka mësuar se shumica e apartamenteve janë shitur. Kjo evidentohet edhe në internet, ku rezulton se pjesa më e madhe e banesave rezultojnë “shitur”.
Duket se, firma “Kontakt” ka sfiduar edhe ligjet dhe rregulloret e nxjerra nga qeveria. Kjo e fundit ka nxjerrë udhëzime që të ndalojnë shitjen e apartamenteve që në gropë.
Por Bektashi me këto lidhjet majtas dhe djathtas ka qenë i “amnistuar” gjithmonë nga politika, teksa edhe SPAK-u s’e ka ndaluar dot veprimtarinë e tij!