Shqiptari në Greqi ishte anëtar i një bande, ja pse ia mori jetën gruas

Autori i krimit brenda faniljes që ndodhi në Volos u kap sot nga autoritetet. Të premten paradite, rreth orës 11, një grua shqiptare 36-vjeçare humbi jetën brenda shtëpisë së saj nga dora e bashkëshortit 40-vjeçar, gjithashtu shqiptar. Sipas dëshmive, çifti po zihej për një kohë të gjatë para syve të katër fëmijëve të tyre, të moshës 5 deri 18 vjeç.

Pse e vrau?

Sipas informacioneve nga gazetari i kronikës së zezë të gazetave Ta Nea dhe To Vima, Vasilis Lambropoulos, fëmijët treguan në polici se familja kishte probleme të mëdha, kryesisht ekonomike, pasi vetëm dy fëmijët më të mëdhenj punonin. Për këtë arsye kishin vetëm një celular në shtëpi.

Babai, Pandeli Nakoleci, sipas fëmijëve, kishte probleme me drogën dhe kohët e fundit ishte i fiksuar me idenë se gruaja e tij Marjola Nakoleci, kishte një lidhje jashtëmartesore. Kjo ishte arsyeja e disa grindjeve të shpeshta.

“Sot, duket se e pa gruan e tij të shkruante diçka në celular, mendoi se ishte mesazh. Kjo çoi në një zënkë të madhe dhe ai mori mjetin e mprehtë me të cilin e goditi. Fëmijët dëshmuan se babai i tyre kishte probleme serioze me narkotikët”, shpjegon gazetari.

Profili i autorit të dyshuar

40-vjeçari ka qenë i akuzuar më parë për pjesëmarrje në organizatë kriminale, shkelje të ligjit për narkotikët, ndërsa në fund të qershorit 2025 ishte dërguar me urdhër prokurorie në një klinikë për ekzaminim psikiatrik, ku qëndroi për trajtim.

“Është tregues fakti se më 28 qershor 2025 u dërgua në klinikën psikiatrike. Një ditë më parë kishte bërë një tentativë vetëvrasjeje në ballkonin e shtëpisë, përsëri para fëmijëve të tij”, shton Lambropoulos.

“Ky njeri është arrestuar 3–4 herë gjatë vitit 2019, shumicën e herëve për trafik droge. Në shtator dhe tetor 2019 u kap për posedim droge dhe në dhjetor të po atij viti u zbulua në Pella për pjesëmarrje në organizatë kriminale që shpërndante kokainë. U burgos për dy muaj”, përfundon gazetari.

Kronologjia e ngjarjes

Gjatë konfliktit, 40-vjeçari, sipas burimeve, e goditi gruan me thikë. Ajo u përpoq të ikte drejt hyrjes së pallatit, por aty mori edhe një goditje tjetër dhe ra mbi xhamin e hyrjes në rrugën Konstanta 17, i cili u thye dhe e plagosi rëndë.

36-vjeçarja e pafat u transportua me autoambulancë drejt spitalit, duke pasur ende ndjenja, por ndërroi jetë gjatë rrugës.

Shenjat tregojnë për sulm me mjet të mprehtë që i shkaktoi plagë fatale. Menjëherë pas krimit, burri braktisi banesën dhe u largua me vrap drejt rrugës Gladstonos dhe sot u kap nga policia.

Sipas raportimeve, nuk ishte hera e parë që ndodhte dhunë në familje. Viktima 36-vjeçare e kishte dëbuar më parë burrin nga shtëpia, por më pas e kishte pranuar sërish.

Policia ka nisur një operacion në shkallë të gjerë për ta lokalizuar dhe arrestuar, ndërsa në vendngjarje ndodhen mjeko-ligjori dhe ambulanca. Zona mbetet e rrethuar nga forca të shumta policore.

Tre nga fëmijët (5, 7 dhe 16 vjeç) do të dërgohen fillimisht në Spitalin e Volosit dhe më pas do të kërkohet strehim në një qendër sociale.

Ky krim i ri ka shkaktuar tronditje dhe indinjatë në komunitetin lokal, duke u shtuar listës makabre të gjenocideve ndaj grave që kanë tronditur Greqinë vitet e fundit. /noa.al

17-vjeçari me ‘Land Rover’ përplas këmbësorin, dërgohet në gjendje të rëndë në spital

Një tjetër aksident është shënuar në Fier në kryqëzimin pranë shkollës së muzikës. Një automjet tip “Land Rover”, i drejtuar nga një 17-vjeçar, ka përplasur një 35-vjeçar që po kalonte rrugën.

I plagosuri është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal Fier në gjendje të rëndë dhe në rrezik për jetën. Policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit dhe po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

“Rreth orës 11:00, në lagjen “Liri Gero” automjeti me drejtues një shtetas 17 vjeç, banues në Fier, ka përplasur një këmbësor, rreth 35 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Eshtë shoqëruar në Komisariat drejtuesi i automjetit me të cilin po kryhen veprimet procedurale. Grupi hetimor po punon për identifikimin e shtetasit të dëmtuar dhe për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.”, njofton policia.

Moti i keq ‘godet’ vendin fqinj, përmbytën rrugë dhe rrëzohen pemë! Trenat pezullohen për disa orë

Një stuhi e fortë goditi gjatë natës rajonin e Romagna në Itali, duke shkaktuar dëme të mëdha në zonat bregdetare Ravenna, Forlì-Cesena dhe Rimini. Pavarësisht paralajmërimit të nivelit të verdhë, intensiteti i fenomenit meteorologjik ishte i papritur, duke ngjallur frikë dhe panik në shumë zona. “Duket si një uragan”, thanë autoritetet, raporton La Repubblica.

Shiu i rrëmbyeshëm, breshëri dhe erërat e fuqishme shkaktuan përmbytje në rrugë, bodrume dhe garazhe, ndërsa shumë pemë u rrëzuan mbi makina dhe rrugë, duke bllokuar qarkullimin. Plazhet u boshatisën.

“Një stuhi filloi rreth orës 1:20 të mëngjesit në lindje të Ferrarës dhe u intensifikua përgjatë bregdetit të Ferrarës. Pasi goditi shpejt qytetin e Ravenës, ajo vazhdoi në jug, duke prekur të gjithë Rivierën e Romagnës. Nga Cesenatico, por veçanërisht nga Gatteo dhe Bellaria Igea Marina në Rimini dhe më pas në Riccione dhe Cattolica, ishte shumë e dhunshme me erëra shumë të forta. Të dhënat: erëra me shpejtësi 123 km/orë në Bellaria, 121 në Rimini, 106 në Gatteo Mare.”, tha Shërbimi Meteorologjik i rajonit.

Më i goditur ishte Milano Marittima në Ravenna, ku ndodhi një ‘shpërthim’ i fuqishëm ere që çoi në rrëzimin e pishave dhe paralizoi përkohësisht vendin. Në Rimini, ra 75 mm shi në pak minuta, duke përmbytur nënkalime dhe zona të tëra urbane.

Në linjën hekurudhore mes Riminit dhe Cesenaticos, qarkullimi u pezullua për gjashtë orë për shkak të një peme të rënë mbi binarë. Një tren me 23 pasagjerë, i bllokuar nga një pemë e rrëzuar në linjën Bellaria-Igea Marina, u evakuua në orët e para të mëngjesit.

Fatmirësisht, nuk ka të lënduar të raportuar dhe moti është përmirësuar.

Nxehet situata në Lindjen e Mesme, Izraeli sulmon kryeqytetin e Jemenit

Sulme ajrore izraelite kanë goditur kryeqytetin jemenas, Sana të dielën, më 24 gusht, raportuan mediat lokale.

Këto sulme vijnë vetëm disa ditë pasi rebelët jemenas, të mbështetur nga Irani, gjuajtën municione thërrmuese drejt Izraelit.

Televizioni Al-Masirah, që udhëhiqet nga rebelët Huthi, raportoi për sulmet. Këto janë sulmet e para në Sana, që kontrollohet nga rebelët, që nga 17 gushti, kur Izraeli shënjestroi infrastrukturën energjetike që besohej se përdorej nga rebelët.

Izraeli ende nuk ka konfirmuar sulmet e së dielës.

Rebelët Huthi kanë lëshuar raketa e dronë drejt Izraelit dhe kanë shënjestruar anije në Detin e Kuq për më shumë se 22 muaj. Ata thonë se sulmet kryhen në shenjë solidariteti me palestinezët, që po përballen me luftë në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023.

Këto raketa dhe dronë të lëshuar nga rebelët zakonisht rrëzohen para se të arrijnë në Izrael.

Një zyrtar i Forcave Ajrore të Izraelit, duke folur në kushte anonimiteti, tha se predha e lëshuar nga Jemeni drejt Izraelit të premten mbrëma paraqiti një kërcënim të ri. Raketa ishte e mbushur me municion thërrmues.

Kjo ishte hera e parë që rebelët Huthi, lëshuan predha të tilla drejt Izraelit, që kur grupi militant filloi të gjuante raketa drejt Izraelit në vitin 2023, tha zyrtari. Përdorimi i municioneve thërrmuese e bën të vështirë që Izraeli t’i rrëzojë ato dhe po ashtu është tregues, sipas zyrtarit, se rebelët Huthi kanë siguruar teknologji shtesë nga Irani. /rel/ Top Channel

Psikologja e njohur në zi, humb papritur bashkëshortin në moshë të re (Foto)

Është ndarë nga jeta parakohe bashkëshorti i psikologes së njohur Jorida Rustemi.

Vetë Jorida ka ndarë sot lajmin e hidhur për humbjen e jetës s bashkëshortit të saj, Vasileios Stachos për shkak të një sëmundjeje të rëndë.

Rustemi shkruan se bashkëshorti i saj për më shumë se katër vite përballoi me forcë dhe dinjitet vuajtjet, pa humbur kurrë shpresën, deri në frymën e fundit.

“Të nderuar familjarë, miq dhe të afërm! Me zemër të thyer, më lejoni të ndaj me ju dhimbjen e thellë për largimin e parakohshëm nga jeta, të bashkëshortit tim, Vasileios Stachos, babait të shtrenjtë të dy fëmijëve tanë, të cilët ende të vegjël, besojnë se do të rriten me të dy prindërit pranë.

Vasili, tepër i ri për të ndërprerë veprimtarinë profesionale edhe planet familjare, e deshi shumë jetën dhe nuk e humbi kurrë shpresën. I bëri të gjitha përpjekjet, tej të mundurës, luftoi fortë me sëmundjen e rëndë. Për më shumë se katër vite vërtetë të rënda fizikisht përballoi me forcë dhe dinjitet vuajtjet, pa u epur, deri në frymë të fundit.

Miqtë dhe kolegët e shumtë anekënd botës do ta kujtojnë Billin për forcën e karakterit, largpamësinë dhe shpirtin e sipërmarrjes.
Ne, familjarët dhe të afërmit e tij, nuk do ta harrojmë kurrë Vasilin, për gjithë njeriun që ishte, si dhe për gjithçka bëri e mundësoi me përkushtim.”

“Berisha po përgatitet të arratiset”, avokati: Pritet zbërthimi i dosjeve të rënda. Ka blerë apartamente në…

Avokati Idajet Beqiri, komentoi dosjen “Partizani”, teksa nuk i kurseu kritikat ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

Sipas avokatitBeqiri, pritet që të zbërthehen edhe dosje të reja të rënda për ish-kryeministrin Berisha, ndërsa paralajmëroi se ky i fundit po përgatitet që të arratiset.

“SPAK ka ndërtuar dy standarde. SPAK nuk po i përgjigjet në bazë të kodit të procedurës penale krimeve të rënda që ka kryer Berisha. Ai është person që po hetohet për një numër të rëndë krimesh.

Pra janë shumë çështje. Dhe një person i tirë nuk mund të lihet i lirë. Sepse kur të duash mund të arratiset. Ai në Kosovë shkoi në Istog që është afër Serbisë, pra shkon të bëjë kontrollin ku do jetojë dhe të gjitha me radhë.

Ai atje e ka kokën, në Serbi. Ose Serbia mund ta përcjellë në Rusi”, tha ai duke shtuar se Berisha po përgatitet të arratiset”, tha ndër të tjera ai në një intervistë në ABC

I po të njëjtin qëndrim është shprehur edhe gazetari Fatos Mahmutaj, i cili gjatë intervistës tha se vitet e fundit familja Berisha ka blerë apartamente në shumë shtete europiane dhe se sipas tij, kanë dhënë shenja se po përgatitet për t’u arratisur.

“Vitet e fundit familja Berisha ka blerë apartamente në shumë shtete europiane. Vetë ata e kanë deklaruar që kanë blerë apartamente në shumë vende europiane. Dhe këto janë për të përgatitur planin për t’i ndihmuar për azil politik. Pra familja Berisha ka marrë masa për këto. SPAK duhet të hetojë të gjitha këto apartamente”, tha gazetari Mahmutaj.

Aksident tragjik/ 35-vjeçari goditet rëndë nga një 17-vjeçar, babai i tre fëmijëve lufton për jetën (Foto)

Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 11:00 të ditës së sotme pranë Shkollës së Muzikës në Fier, ku një këmbësor u përplas nga një automjet tip “Range Rover”.

I aksidentuari është identifikuar Kreshnik Tomani, 35-vjeç, baba i tre fëmijëve.

Sipas dëshmive, ai ishte duke kaluar rrugën kur u godit nga automjeti që drejtohej nga një 17-vjeçar, i cili qarkullonte pa leje drejtimi. Përplasja ka qenë shumë e fortë dhe i ka shkaktuar plagë të rënda.

Menjëherë pas ngjarjes, Tomani u transportua fillimisht në Spitalin Rajonal të Fierit, por për shkak të gjendjes së rëndë u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Mjekët konfirmojnë se ai ndodhet në gjendje kome dhe i intubuar, duke luftuar për jetën.

Policia e Fierit ka shoqëruar adoleshentin që drejtonte mjetin dhe ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Sherr mes dy familjeve shqiptare në Bari, pesë të plagosur

Dy familje shqiptare janë përfshirë në sherr në qendër të Cassano delle Murge, në provincën e Barit ndërsa pesë persona kanë mbetur të plagosur.

Shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta ndërsa gjashtë persona kanë përfunduar në prangat e policisë italiane.

Në spital përfunduan pesë nga të dyshuarit, të moshës midis 27 dhe 66 vjeç. Tre prej tyre pësuan lëndime më të rënda, ndërsa dy të tjerë më të lehta.

Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për të gjashtë personat e përfshirë në konflikt.

E trishtë/ Ndahet nga jeta në moshën 64-vjeçare, gazetari dhe analisti i njohur, Artur Zheji

Gazetari dhe analisti i njohur, Artur Zheji, është ndarë sot nga jeta.

Ai ishte duke drekuar me bashkëshorten dhe djalin në një restorant në rrugën “Butrinti”, kur dyshohet se ka pësuar një arrest kardiak.

Zheji u transportua me urgjencë me autoambulancë drejt spitalit “Petro Nako” në Sarandë, por fatkeqësisht mbërriti atje i pa jetë.

Njoftimi i policisë:

Sarandë/Infomacion paraprak

Sot, rreth orës 16:10, në afërsi të rrugës “Butrinti”, shtetasi A. Zh., 63 vjeç, banues në Tiranë, dyshohet se ka shfaqur probleme shëndetësore gjatë qëndrimit në një restorant dhe gjatë transportit drejt spitalit me autoambulancë, ka ndërruar jetë.

Vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

“Fëmija im më i vogël nuk e di si duken dhe çfarë shije kanë frutat”, banorët e Gazës në zi buke

Banorët e Rripit të Gazës kanë përshkruar efektet e urisë së rëndë në trupat e tyre, pasi raportit të mbështetur nga OKB-ja që konfirmoi për herë të parë urinë në territor.

Reem Tawfiq Khader, 41 vjeç, nënë e pesë fëmijëve nga qyteti i Gazës, tha për BBC-në: “Shpallja e urisë erdhi shumë vonë, por është ende e rëndësishme. Nuk kemi ngrënë asnjë proteinë për pesë muaj. Fëmija im më i vogël është katër vjeç. Ai nuk e di se si duken ose çfarë shije kanë frutat dhe perimet.”

OKB-ja thotë se Izraeli ka kufizuar ndjeshëm sasinë e ndihmës që hyn në Gaza, gjë që Izraeli e mohon.

Një tjetër grua 47-vjeçare, Rajaa Talbeh, nënë e gjashtë fëmijëve, tha se kishte humbur 25 kg në peshë. Ajo iku nga shtëpia e saj në lagjen Zeitoun të qytetit të Gazës një muaj më parë dhe tani jeton në një tendë të improvizuar pranë plazhit.

Ajo vuan nga intoleranca ndaj glutenit dhe tha se nuk mund të gjente më ushqim për të ngrënë.

“Para luftës, një organizatë bamirëse më ndihmonte të merrja produkte pa gluten, të cilat nuk mund t’i përballoja kurrë vetë. Që kur filloi lufta, nuk mund ta gjej atë që më nevojitet në treg, dhe edhe kur e gjej, nuk kam mundësi ta përballoj. A nuk mjafton të përballosh bombardimet e përditshme, zhvendosjen dhe të jetosh në një tendë që nuk na mbron as nga vapa e verës dhe as nga i ftohti i dimrit dhe tani edhe nga uria?”

Rida Hijeh, 29 vjeç, tha se pesha e vajzës së saj pesëvjeçare, Lamia, kishte rënë nga 19 kg në 10.5 kg.

Ajo tha se Lamia ishte e shëndetshme para se të fillonte lufta dhe nuk kishte pasur sëmundje të mëparshme.

“E gjithë kjo ndodhi vetëm për shkak të urisë. Thjesht nuk ka asgjë për të ngrënë fëmija. Nuk ka perime, as fruta. Tani, Lamia vuan nga ënjtje në këmbë, rënie të flokëve dhe probleme nervore. Ajo nuk mund të ecë. Shkova në shumë klinika, mjekë dhe spitale. Të gjithë më thanë se vajza ime vuan nga kequshqyerja. Por asnjëri prej tyre nuk më dha asgjë, as trajtim, as mbështetje”, tha ajo.

Izraeli gjithashtu mohon se ka uri në territor, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me atë që thonë më shumë se 100 grupe humanitare, dëshmitarë në terren dhe organe të shumta të OKB-së.

Të premten, Klasifikimi i Integruar i Fazës së Sigurisë Ushqimore (IPC) i mbështetur nga OKB-ja tha se kishte një zi buke “tërësisht të shkaktuar nga njeriu” në Qytetin e Gazës dhe zonat përreth tij.

Ai paralajmëroi se më shumë se gjysmë milioni njerëz në të gjithë Rripin e Gazës po përballeshin me kushte “katastrofike” të karakterizuara nga “uria, varfëria dhe vdekja”.

Më shumë se 62,000 njerëz janë vrarë në Gaza që kur Izraeli filloi fushatën e tij ushtarake, në përgjigje të sulmit të udhëhequr nga Hamasi në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, në të cilin u vranë rreth 1,200 njerëz dhe 251 të tjerë u morën peng.

Që nga fillimi i luftës, të paktën 271 persona, përfshirë 112 fëmijë, kanë vdekur nga “uria dhe kequshqyerja”, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, e cila drejtohet nga Hamasi.