Zhvlerësimi i Euros thyen rekorde të reja këtë verë, ja sa ka arritur vlera në lekë

Kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut po thyen në ditët e fundit rekorde të reja historike.Sipas kursi zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye me 97.55 lekë, vlera më e ulët e regjistruar ndonjëherë.

Agjentët e tregut valutor shprehen se efekti i sezonit veror ka forcuar më shumë presionet rënëse mbi kursin e këmbimit të Euros, që janë të qëndrueshme prej vitesh në ekonominë shqiptare. Një rritje e këtyre presioneve në këtë periudhë ishte e pritshme, duke pasur parasysh se pjesa e dytë e korrikut dhe fillimi i gushtit shënojnë edhe pikun e sezonit veror.

Pavarësisht se Banka e Shqipërisë që prej muajit maj ka ndërhyrë në treg, me blerje të herëpashershme të valutës, përsëri kursi i këmbimit ka pësuar një rënie të lehtë poshtë kufirit të 98 lekëve, duke regjistruar minimume të reja historike.

Burime nga tregu valutor shprehen se Banka e Shqipërisë ka vazhduar blerjet, madje ndërhyrja e fundit ka qenë jo më larg se dita e hënë. Megjithatë, në rastin më të mirë kjo ndërhyrje e ka ngadalësuar rënien e Euros, por nuk ka mjaftuar për ta ringritur kursin e monedhës europiane.

Kursi i Euros pati rënë lehtë poshtë nivelit të 98 lekëve qysh në qershor, por ishte ringritur përsëri, kryesisht falë blerjeve periodike të Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, gjatë muajit korrik Euro ka rënë në mënyrë të qëndrueshëm poshtë këtij kufiri, që deri para pak javësh kishte qenë si një lloj objektivi kufi (megjithëse i padeklaruar ndonjëherë zyrtarisht), poshtë të cilit Banka e Shqipërisë nuk kishte lejuar rënien e kursit të Euros.

Duket se presionet rënëse mbi kursin e këmbimit të Euros po vazhdojnë të jenë të pranishme edhe këtë vit, madje në një masë më të madhe se pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë.

Megjithëse forcimi i Lekut me bazë vjetore është ngadalësuar ndjeshëm, kjo edhe falë ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë, sërish vlerësohet se kursi i këmbimit mund të vazhdojë të ndikojë në ecurinë e inflacionit të importuar dhe në objektivin e përgjithshëm të inflacionit, të Bankës së Shqipërisë. Vazhdimi i forcimit të Lekut besohet të ketë qenë një nga faktorët që shtynë Bankën Qendrore të ulë normën bazë të interesit në 2.5%, në fillim të këtij muaji.

Përveç efektit të zakonshëm sezonal, të lidhur me pushimet verore, flukset hyrëse të valutës në ekonominë shqiptare ngelen të larta edhe nga investimet e huaja, sidomos në pasuri të paluajtshme.

Nga ana tjetër, edhe politika fiskale shtrënguese e qeverisë, e karakterizuar nga suficite të mëdha buxhetore, ka ndikuar në uljen e ofertës së Lekut dhe në forcimin e monedhës vendase. Të dhënat paraprake treguan se buxheti e mbylli 6-mujorin 2025 me suficit në shumën e 33.5 miliardë lekëve, në rënie sidoqoftë me 35% krahasuar me suficitin e regjistruar në të njëjtën periudhë të një viti më parë./ Monitor

“Një skelet njeriu dhe një kafshe në murin e kalasë”, zbulim i rrallë në Gjirokastër

Pas rikthimit të arkeologëve në kalanë e Gjirokastrës po dalin në dritë dëshmi të reja të së kaluarës së hershme të monumentit.

Në zonën e murit antik të zbuluar rishtazi arkeologët kanë evidentuar një skelet njeriu, i cili sipas vlerësimeve paraprake i përket një mashkulli të ri. Ajo që ka ngjallur interes të veçantë është pozicioni i skeletit: trupi ndodhet në pjesën e brendshme të murit, ndërsa këmbët shtrihen jashtë tij, një detaj i pazakontë që mund të hedhë dritë mbi praktikat ndërtimore ose ngjarje të pazbuluara historike të periudhës antike.

Në të njëjtin sektor është gjetur gjithashtu edhe skeleti i një kafshe, që mendohet të jetë një kalë, duke shtuar kompleksitetin e zbulimit.

“Përveç murit të zbuluar janë gjetur në të edhe dy skelete, një skelet kafshe dhe një tjetër njeriu që është vendosur përgjatë gjatësisë së murit, mendohet se ky fragment muri i përket antikitetit të vonë, për skeletin nuk është akoma e sigurtë se cilës periudhe mund ti përkasi por mendohet se mund të jetë i antikitetit të vonë”, tha Pamela Llapaj, arkeologe.

Eshtrat do t’i nënshtrohen analizave të mëtejshme laboratorike për të përcaktuar me saktësi periudhën dhe rrethanat e varrimit.

“Është një dukuri të cilën e hasim shpesh gjatë antikitetit të vonë, varrosjen në zona të cilat mund të kenë qenë të rrënuara më parë ose i kanë hapur vetë dhe i kanë varrosur njerëzit aty brenda”, shtoi arkeologia.

Kërkimet arkeologjike do të vazhdojnë gjatë gjithë verës në pika të ndryshme të kalasë së Gjirokastrës për të dokumentuar më tej historikun e këtij monumenti të rëndësishëm.

Inteligjenca kroate: Ka rrezik përshkallëzimi të tensioneve Kosovë-Serbi

Përshkallëzimi i tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë paraqet një rrezik të vazhdueshëm. Ky fakt bëhet i ditur me anë të një raporti nga Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës së Kroacisë e cila vlerëson se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeten të paqëndrueshme.

Në raportin e saj vjetor, inteligjenca kroate hedh dritë jo vetëm mbi situatën e sigurisë në Kroaci, por edhe mbi zhvillimet në Ballkanin Perëndimor – një rajon që, sipas saj, vazhdon të përballet me sfida të thella politike dhe të sigurisë, të lidhura ngushtë me çështjet e pazgjidhura ndërshtetërore.

Edhe pse BE-ja dhe SHBA-ja mbeten të përfshira në përpjekjet për stabilizim, raporti nënvizon se zgjidhja e këtyre çështjeve vazhdon të jetë e vështirë. Kjo klimë pasigurie, sipas inteligjencës kroate, ndikon drejtpërdrejt edhe në procesin e integrimit evropian të rajonit, i cili po ec me ritme të ngadalta.

Për sa i përket Kosovës, inteligjenca kroate vë në dukje ekzistencën e grupeve që synojnë destabilizimin e situatës në veri të vendit, ku shumica e popullsisë është serbe. Si shembull për këtë, raporti përmend sulmin e armatosur të formacioneve serbe ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, më 24 shtator të vitit 2023, në të cilin mbeti i vrarë një polic.

Raporti vëren se ende nuk është e qartë se si është organizuar ky formacion paraushtarak dhe si është armatosur me armë të rënda me origjinë ushtarake. Për Millan Radoiçiqin, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit dhe ka qenë pjesëmarrës në të, raportohet se është larguar në Serbi, ku është marrë në pyetje, por ende pritet ngritja e procedurave penale kundër tij. Raporti i inteligjencës kroate përmend edhe përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për të shuar institucionet paralele serbe në veri, me qëllim forcimin e sovranitetit të shtetit dhe kufizimin e ndikimit të Beogradit në këtë zonë.

“Në rrethana të tilla, përshkallëzimi i tensioneve në Kosovë mbetet një rrezik i vazhdueshëm. Ndaj, rolin e garantuesit të sigurisë vazhdon ta luajë prania ushtarake e forcave ndërkombëtare”, përfundon Agjencia e Inteligjencës Kroate.

Përkeqësohet gjendja shëndetësore e Bruce Willis: Aktori ka humbur aftësinë për të folur dhe për të lexuar

Ikona e kinemasë amerikane, Bruce Willis, po përballet me një përkeqësim të ndjeshëm të gjendjes së tij shëndetësore si pasojë e demencës frontotemporale, një sëmundje e rëndë neurodegjenerative që prek zonat e trurit përgjegjëse për komunikimin, sjelljen dhe lëvizjen.

Sipas burimeve pranë familjes, aktori i dashur tashmë nuk është më në gjendje të flasë dhe ka humbur edhe aftësinë për të lexuar. Gjendja e tij fizike është gjithashtu përkeqësuar, pasi përballet me vështirësi serioze në ecje.

Willis u largua nga aktrimi në vitin 2022, pasi u diagnostikua me afazi, një çrregullim që ndikon në aftësinë për të komunikuar, përpara se diagnoza të rikonfirmohej si demencë frontotemporale në fillim të vitit 2023.

Përgjatë viteve 2023 dhe 2024, raporte të shumta zbuluan se ylli i filmave si Die Hard dhe Pulp Fiction ishte bërë kryesisht jofjalor dhe kishte ndaluar së lexuari, ndërsa tani përballet edhe me sfida motorike të mëdha. Megjithatë, familja ka zgjedhur të mos ndajë detaje të mëtejshme për aspektin fizik të gjendjes së tij.

Në prill të këtij viti, bashkëshortja e tij Emma Heming Willis dhe vajzat e çiftit konfirmuan përmes një deklarate se sëmundja vazhdon të jetë progresive, por e qëndrueshme. “Bruce po përballet me këtë sfidë me dinjitet dhe i rrethuar nga dashuria jonë. Ne jemi pranë tij në çdo hap,” – thuhej në deklaratë.

Largimi i Bruce Willis nga skena kinematografike ka lënë një boshllëk të madh në botën e filmit dhe në zemrat e miliona fansave që janë rritur me filmat e tij.

Temperatura deri në 44 °C, i nxehti ekstrem “mbërthen” Europën

Mbarë Europa është përfshirë nga një valë e të nxehtit ekstrem. Në Greqi, temperaturat këtë javë pritet të arrijnë 44 gradë Celsius. Këto ekstremitete do të zgjasin për gjashtë ditë, njoftoi Shërbimi Kombëtar Meteorologjik i vendit.

Turistët në Greqi thonë se po përballojnë të nxehtin duke pirë shumë ujë dhe duke kërkuar hije. Ka qenë e vështirë deri tani. Nuk e prisja të ishte kaq shumë vapë, kështu që thjesht jam përshtatur duke pirë shumë ujë.

Qëndrojmë brenda gjatë mesditës dhe po mundohemi të gjejmë restorante dhe dyqane me ajër të kondicionuar. Po pimë shumë ujë. Dushet e ftohta dhe veshja e rrobave të lehta na kanë ndihmuar shumë.

Ndërkohë, zyrtarët grekë kanë publikuar një sërë rregullash të reja për punëtorët e kompanive të ndërtimit, duke urdhëruar ndërprerjen e punës gjatë orëve të pikut.

Edhe në Itali, i nxehti ekstrem i ka nxitur autoritetet të lëshojnë alarmin e kuq në disa rajone të vendit. Ndërkohë, edhe në Turqi janë regjistruar zjarre të mëdha në disa zona dhe prej ditësh forcat zjarrfikëse janë në luftë me flakët.

“S’keni parë gjë akoma…”! Me kë do qeverisë Rama në shtator? Lorenc Vangjeli bën paralajmërimin e fortë: Do të ketë “shkundje” të…

I ftuar në emisionin ‘Log’ në News24, Lenc Vangjeli flet për shkarkimet që janë bërë deri më sot dhe çfarë e pret qeverinë gjatë muajve pasardhës, në shtator e në vijim kur të formohet qeveria e re “Rama 4”.

Analisti shprehet se Rama do të bëjë shkarkime masive, ndërsa paralajmëron atë që ai e quan “shkundje” të jashtëzakonshme.

“Do të ketë shkarkime të jashtëzakonshme te socialistët, qeveria do të jetë me të panjohur. Askush nuk e di se çfarë letrash ka në dorë Edi Rama.”, tha ai.

Lorenc Vangjeli: Do të shkarkohen një pjesë e madhe e drejtorëve, do të ketë një shkundje të jashtëzakonshme. Në telefonin e një drejtori të administratës qendrore kanë dalë gjëra që mund të japin dhimbje koke shumëkujt. Lidhjet okulte mes pushtetit dhe opozitës, vërtetohet sepse kjo e fundit nuk ka ardhur në pushtet. Lidhjet okulte tregojnë sekretet publike sepse opozita nuk është sot në pushtet. Nuk ka kuptim që një ministër të qëndrojë më shumë se 6 vite në pushtet. Qeveria do të jetë me të panjohur, mjafton që të dinë të flasin anglisht. Më të topitur dhe të tronditur janë edhe vetë socialistët, askush nuk e di se çfarë letrash ka në dorë Edi Rama.

Tensioni te socialistët është i jashtëzakonshëm. Kudo SPAK të hedhë zaret, hetimi do të përfundojë absolutisht te mëkatarët.

(BalkanWeb)

“Je e ftuar kot, u pendova…”/ Ronaldo përzë Krisën nga emisioni: Turp që të ftova

“Je e ftuar kot”, – i tha moderatori i njohur në mënyrë spontane, duke nxitur një reagim të menjëhershëm nga Krisa, e cila u përfshi në lojën me tone thumbuese të gazetarit.

“Se di, u pendova që të mora në emision”, vijoi Ronaldo, duke i dhënë ngjyrë bisedës që megjithëse u duk si përplasje, ishte më shumë një shkëmbim shakash në stilin ironik që e karakterizon emisionin.

VIDEO

Farage: Rama ka rënë dakord të marrë mbrapsht të burgosurit shqiptarë në Britani

Deputeti britanik Nigel Farage ka deklaruar se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pranuar që të marrë mbrapsht të gjithë shtetasit shqiptarë të dënuar në Mbretërinë e Bashkuar. Komentet ai i bëri gjatë prezantimit të programit të partisë së tij për sistemin e drejtësisë penale.

“Jam në bisedime me Edi Ramën nga Shqipëria dhe mendoj se ai ka rënë dakord që do të marrë mbrapsht të gjithë të burgosurit shqiptarë që ndodhen në këtë vend, gjë që është mjaft pozitive,” u shpreh Farage, citon e përditshmja britanike The Telegraph.

Kjo deklaratë vjen pasi tensionet mes Farage dhe Ramës janë rritur ditët e fundit. Gjithçka nisi pas një interviste të kryeministrit shqiptar për The Guardian, ku ai hodhi poshtë mundësinë e ndërtimit të një qendre azilantësh nga Britania në Shqipëri. Rama përshkroi Mbretërinë e Bashkuar si një “vend të errët” pas daljes nga BE-ja, koment që ngjalli reagime të forta në Londër.

Farage, në një reagim për GBNews, e akuzoi Ramën për hipokrizi dhe pretendoi se shqiptarët janë përfshirë masivisht në kriminalitet në Britani, duke shtuar se “1 në 50 shqiptarë ndodhen në burg”.

Rama reagoi duke e sfiduar për një përballje me shifra reale dhe u zotua se nëse pretendimet rezultojnë të sakta, atëherë do të pranojë kthimin e të gjithë të dënuarve shqiptarë në Shqipëri.

Në kuadër të planeve të tij për të lehtësuar kapacitetin e burgjeve në Britani, Farage propozoi ndërtimin e “burgjeve Nightingale”, të frymëzuara nga struktura të përkohshme si ato të përdorura gjatë pandemisë.

Ndërkohë, pritet të caktohet një datë për një vizitë të mundshme të Nigel Farage në Shqipëri, ndërsa debati mes tij dhe kryeministrit shqiptar vijon të mbetet në fokusin e mediave britanike dhe shqiptare.

Largohet nga drejtimi i QSUT-së Donjeta Bali, në vend të saj emërohet ish deputeti

Largohet nga drejtimi i QSUT-së Donjeta Bali.

Në vend të saj është emëruar një tjetër mjek, Florenc Spaho, sipas burimeve të gazetares së Top Channel, Alma Demiraj.

Mjeku Spaho është ish deputet dhe anëtar i komisionit të shëndetësisë.

Donjeta Bali ende pa mbushur dy muaj në drejtimin e QSUT-së u dorëhoq nga ky pozicion.

Ajo u emërua në 29 maj dhe zëvendësoi Alma Canin.

Top Channel