Trump zbulon bisedën me Putin: Negociatat për armëpushim do nisin menjëherë! Do bëjmë tregti të madhe me Rusinë pas luftës nv

Presidenti amerikan Donald Trump thotë se telefonata me Vladimir Putinin shkoi “shumë mirë” dhe se Rusia dhe Ukraina do të fillojnë menjëherë negociatat për armëpushim.

Në një postim në Truth Social pak çaste më parë, Trump shtoi se Vatikani kishte shprehur interes për të pritur negociatat.

Ai më pas vazhdoi duke thënë se Rusia “dëshiron të bëjë tregti në shkallë të gjerë” me SHBA-në sapo të mbarojë lufta, dhe se Ukraina gjithashtu mund të përfitojë shumë nga tregtia.

Trump tha gjithashtu se kishte informuar Volodymyr Zelenskyy-n, presidentin ukrainas, si dhe udhëheqësit e BE-së, Francës, Italisë, Gjermanisë dhe Finlandës, menjëherë pas telefonatës me Putinin.

Ja postimi i plotë:

Sapo përfundova telefonatën time dy-orëshe me Presidentin Vladimir Putin të Rusisë. Besoj se shkoi shumë mirë. Rusia dhe Ukraina do të fillojnë menjëherë negociatat drejt një armëpushimi dhe, më e rëndësishmja, një FUND i luftës. Kushtet për këtë do të negociohen midis dy palëve, siç mund të bëhet vetëm sepse ato i dinë detajet e një negociate për të cilën askush tjetër nuk do të ishte në dijeni. Toni dhe fryma e bisedës ishin të shkëlqyera. Nëse nuk do të ishte kështu, do ta thoja tani, në vend që të ndodhte më vonë. Rusia dëshiron të bëjë TREGTI në shkallë të gjerë me Shtetet e Bashkuara kur kjo “gjakderdhje” katastrofike të mbarojë, dhe unë pajtohem.

Ekziston një mundësi e jashtëzakonshme për Rusinë për të krijuar sasi të mëdha vendesh pune dhe pasurie. Potenciali i saj është i PAKUFIZUAR. Po kështu, Ukraina mund të jetë një përfituese e madhe në tregti, në procesin e rindërtimit të vendit të saj. Negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës do të fillojnë menjëherë. E kam informuar Presidentin Volodymyr Zelenskyy të Ukrainës, Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, Presidentin Emmanuel Macron të Francës, Kryeministren Giorgia Meloni të Italisë, Kancelarin Friedrich Merz të Gjermanisë dhe Presidentin Alexander Stubb të Finlandës, gjatë një telefonate me mua, menjëherë pas telefonatës me Presidentin Putin. Vatikani, i përfaqësuar nga Papa, ka deklaruar se do të ishte shumë i interesuar të priste negociatat. Le të fillojë procesi!

Një tjetër shqiptar humb jetën në punë, shtypet nga kamioni në Itali

Një aksident tragjik ka ndodhur në vendin e punës në komunën Vernio pranë Pratos në Itali. Mësohet se një punëtor 56-vjeçar me origjinë nga Shqipëria humbi jetën pasi u shtyp nga një kamion ndërtimi në zonën via del Bisenzio, në fshatin Mercatale.

Siç raportohet viktima ishte duke punuar në shkarkimin e materialeve ndërtimore nga mjeti, i cili ishte ndalur në një shpat. Për shkak të humbjes së tërheqjes në asfalt, kamioni u lëviz papritur dhe goditi burrin, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas, automjeti përfundoi në një kanal anës rrugës. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00 paradite.

Punëtori ishte i punësuar nga një kompani që kryente aktivitete për llogari të Hekurudhave Shtetërore. Në vendin e ngjarjes mbërriti menjëherë një ambulancë e emergjencës 118, por mjekët nuk mundën të bënin gjë tjetër veçse të konfirmonin vdekjen. Ndërkohë, ndërhyrja u krye edhe nga zjarrfikësit, karabinierët, policia bashkiake dhe inspektorë të Departamentit të Parandalimit të ASL Centro.

“Zoti po na sheh, Berisha po zbret nga froni i sunduesit”,Kara: Ka ardhur fundi i pandëshkueshmërisë së elitës politike

Avokati Romeo Kara komentoi në një studio televizive, vendimin e gjykatës së posaçme për kalimin për gjykim të dosjes “Partizani”

Avokati Kara theksoi se për herë të parë, ish-kryeministri Berisha po “zbret nga froni i sunduesit dhe po i afrohet ndëshkimit”.

Në këtë rast drejtësia në këtë fushatë e ulën tempin. Besoj që kjo tregon se e bënë sepse akoma nuk kanë dalë nga stereotipi… pra siguria jonë juridike është shumë e brishtë.

Ne na fut ujë sistemi edhe aty ku mendojmë se është më i miri. Ta shohësh si një person të vështirë, edhe të ta hetuar…Na paska parë Zoti që shqiptarët, votuan njësoj…

Për herë të parë po zbret nga froni i sunduesit dhe po i afrohet ndëshkimit. Ky është fillimi i fundit të sundimit të njerëzve që me pushtetin politik kanë mbajtur peng drejtësinë”, tha ndër avokati.

Gjylameti kërkoi pamjet e numërimit të votave, reagon Rama! Zbardhet mesazhi që i ka nisur socialistëve!

Pas kërkesës së Blerina Gjylametit për të kërkuar pamjet të numërimit të votave për qarkun e Tiranës, ka reaguar edhe kryeministri Rama.

Burime bëjnë me dije se Rama ka kërkuar në formë këshillë që të mos ndiqet kjo rrugë. Sipas informacioneve, Rama nuk ka urdhëruar që të heqë dorë, por u ka kujtuar socialistëve që janë skuadër. Dhe këto ankimime, sipas tij, do ta dëmtonin më shumë kandidatin humbës dhe të gjithë njerëzit që prej me shumë se një jave kanë numëruar.

Gjithashtu, Rama beson se nuk ka patur asnjë çrregullim në proces.

Edhe pse në mesazh Rama nuk i referohet me emër Gjylametit, ndër të tjera shton që diferenca është e madhe për të patur pretendime/a2cnn

Pensionet me Italinë, ja çfarë përfitojnë emigrantët

Më 1 qershor hyn në fuqi marrëveshja për njohjen e pensioneve me Italinë. Lajmi u bë i ditur një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama. Por çfarë parashikon marrëveshja, e cila është nënshkruar që në 6 shkurt të vitit 2024?

Kjo marrëveshje u jep mundësinë emigrantëve shqiptarë që të trajtohen me pension në Itali dhe në Shqipëri në të njëjtën kohë. Janë rreth 500 mijë shtetas shqiptarë dhe rreth 4 mijë shtetas italianë, të cilët do të jenë përfitues të pensioneve në Itali dhe Shqipëri, që do të sigurojnë bashkimin e periudhave kontributeve, duke bërë të mundur që asnjë vit pune të mos humbasë.

Por cilat janë përfitimet konkrete të emigrantëve?

Ata përfitojnë pensionet e pleqërisë; invaliditetit; familjare, pensionet e papunësisë; mbulime për sëmundjet dhe barrëlindjen.

Shqipëria njihet si një vend që ka emigracion shumë të lartë në shumë vende të botës. Sa marrëvshje për njohjen e pensioneve ka nënshkruar deri më tani vendi ynë?

Janë finalizuar 12 të tilla, me rëndësi për tu theksuar ato me vendet e Bashkimit Europian, ku ndodhet edhe pjesa dërrmuese e emigrantëve shqiptarë. Ndërkohë që janë drejt finalizimit katër marrëveshje të tjera, kryesisht me vendet e Ballkanit.

Por ka raste si Greqia, ku ndodhet edhe numri më i madh i emigrantëve shqiptarë, me të cilën ne nuk kemi ende një marrëveshje për pensionet. me këtë shtet, nuk ka ende dritë në fund të tunelit.

Ndërsa po negociohet me Serbinë dhe Poloninë dhe negociatat për marrëveshjet e pensioneve pritet të nisin edhe me Danimarkën; Spanjën; Slloveninë dhe Moldavinë. Kjo pavarësisht se këto shtete kanë një peshë shumë më të vogël për sa i përket numrit të emigrantëve shqiptarë.

Po ku janë të shpërndarë emigrantët shqiptarë?

Sipas të dhënave zyrtare, numri total i emigrantëve shqiptarë i kapërcen 1.6 milionë. Pjesa më e madhe e tyre jeton në Itali, pasuar nga Greqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E rëndë/ Ishte futur në një qese të zezë, gjendet mes mbeturinave, fo. shnja pa shenja jete!

Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse është zbuluar në Prishtinë, ku një foshnjë e porsalindur është gjetur e braktisur dhe pa shenja jete në një qese të zezë pranë një grumbulli mbeturinash.

Referuar raportimeve nga mediat lokale, ngjarja është zbuluar nga një qytetar i rastësishëm, i cili ka lajmëruar menjëherë autoritetet. Pas këtij njoftimi, policët dhe mjekët emergjentë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar se foshnja ishte pa shenja jete.

Trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do të kryhen ekzaminimet për zbardhjen e rrethanave të vdekjes.

Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, foshnja u gjet në një qese plastike të zezë në zonën e vendgrumbullimit të mbeturinave në rrugën “Butofci”, ndërsa policia dhe hetuesit ndodhen në terren dhe kanë nisur hetimet mbi vdekjen dhe identifikimin e personave përgjegjës.

Autoritetet kanë bërë thirrje publike për këdo që mund të ketë informacion.

“Pritet një proces maratonë”/ Klodiana Lala tregon sa do të zgjasë gjyqi i Berishës: Ish-kryeministri mund të jetë…

Gazetarja Klodiana Lala raporton se procesi gjyqësor ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha do të jetë maratonë.

Lala tha se gjyqi mund të zgjasë deri në 2 vite pasi të gjithë personat e pyetur nga SPAK në cilësinë e dëshmitarëve apo të pandehurve do të pyeten në seancat gjyqësore.

Ajo theksoi se kryetari i PD mund të jetë edhe vetë i pranishëm në seancën e parë që do të zhvillohet pasi të jetë hedhur shorti për gjykimin në themel.

Klodiana Lala: Seanca paraprake është zvarritur prej 7 muajsh. Zoti Berisha do të përballet tanimë me drejtësinë në një proces të zakonshëm, pasi nuk kanë paraqitur kërkesë për gjykim të shkurtuar. Dosja do të kalojë në themel, do të hidhet shorti sipas ligjit tek një tjetër gjyqtar dhe do të fillojë gjykimi nga e para. Kjo do të thotë se çdo person i pyetur nga SPAK në cilësinë e dëshmitarit apo personit që ka dijeni apo të pandehurit, do të japë shpjegime para drejtësisë. E po ashtu, çdo akt ekspertimi kontabël apo financiar që ka të bëjë me procedurat e privatizimit të “Partizanit” duhet po ashtu t’i nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor. Ç’ka do të thoët se do të duhet një kohë mjaft e gjatë 1 apo 2 vite që procesi gjyqësor ndaj ish-kryeministrit dhe të pandehurve të tjerë të përfundojë në shkallën e parë.

Do të jetë një proces maratonë që do të kërkojë kohë dhe shqyrtim gjyqësor për secilën provë që ndodhet në dosjen gjyqësore. Seanca e parë do të jetë një seancë ku të gjitha mediat do të jenë të pranishme. Z.Berisha mund të jetë i pranishëm në seancë, për t’u përballur me drejtësinë, bashkë me të pandehurit e tjerë.

Kursi i këmbimit të euros e nis javën në ’pikiatë’, pranë minimumit historik, ja faktorë që ndikuan..

Kursi i këmbimit të Euros me Lekun e ka nisur javën me një rënie të ndjeshme. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të hënën me 98.11 lekë, në rënie me 0.45 lekë krahasuar me javën e kaluar.

Në fakt, rënia e Euros në tregun valutor ishte e përshkallëzuar gjatë pjesës së dytë të javës së shkuar. Por, duke qenë se ditët e enjte dhe të premte ishin pushime për administratën shtetërore, kursi zyrtar i këmbimit nuk ishte përditësuar prej Bankës së Shqipërisë qysh të mërkurën e kaluar.

Në ditët e para të javës së kaluar, Euro shënoi rritje, të lidhur me një shtim të përkohshëm të kërkesës në tregun valutor. Por, siç ka ndodhur zakonisht në vitet e fundit, kjo rritje nuk ka zgjatur shumë dhe në harkun e pak ditëve monedha europiane është rikthyer në vlera të përafërta me fillimin e javës së kaluar.

Duke filluar nga gjysma e dytë e muajit prill, kursi i këmbimit Euro-Lek ka pësuar një zhvendosje në rënie. Të dhënat e viteve të fundit tregojnë se një rënie e tillë është pak a shumë e zakonshme dhe lidhet me rritjen e flukseve valutore hyrëse, të lidhura sidomos me shtimin e numrit të vizitorëve të huaj. Megjithatë, disa agjentë nuk përjashtojnë edhe një ndikim të përkohshëm të fushatës zgjedhore në kursin e këmbimit, mbështetur në perceptimin se kjo periudhë shoqërohet me një qarkullim më të lartë të valutës së huaj.

Aktualisht, kursi i këmbimit Euro-Lek ndodhet pranë pragut të 98 lekëve dhe njëkohësisht vlerës më të ulët historike, që u shënua më datë 6 maj, në nivelin e 97.99 lekëve.

Sinjalet nga kursi i këmbimit tregojnë se edhe këtë vit tregu do të ushtrojë presione nënçmuese mbi monedhën europiane. Pas një tremujori të parë në nivele më të qëndrueshme, tremujori i dytë, ashtu siç pritej, ka nisur me zhvlerësimin e Euros. Agjentët mendojnë se kjo është një rrjedhojë e një sezoni turistik më të zgjeruar, që sjell rritje të prurjeve valutore që para fillimit të verës.

Edhe politika fiskale shtrënguese, me suficite të mëdha, e viteve të fundit tenton të shtrëngojë ofertën e Lekut me kalimin e muajve, duke shtuar presionin për mbiçmimin e monedhës vendase. Deri në fund të 3-mujorit, buxheti ishte përsëri në suficit të dukshëm, në vlerën e pothuajse 34 miliardë lekëve, me një rritje të mëtejshme me 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vitin e kaluar, zhvlerësimi i mëtejshëm i Euros u frenua nëpërmjet blerjeve të mëdha dhe të paprecedente të Bankës së Shqipërisë. Banka Qendrore bleu afërsisht 933 milionë euro në tregun e brendshëm valutor në 2024, në vlerën më të lartë historike.

Duke qenë se inflacioni vazhdon të qëndrojë poshtë objektivit prej 3%, mund të pritet që Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të ndjekë një strategji të ngjashme edhe këtë vit, për të kufizuar forcimin e Lekut./Monitor

A ka komunikuar Sali Berisha me Chris LaCivita pas humbjes? Ja si përgjigjet kreu i PD-së

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur mirënjohje publike për Chris LaCivita-n, drejtuesin e fushatës së PD në zgjedhjet e 11 majit, duke e vlerësuar për kontributin dhe angazhimin e tij në proceset e partisë.

Ai nuk dha detaje nëse ka komunikuar apo jo më të pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit, duke e konsideruar si çështje privatësie.

“Dua ta falënderoj për punën që ka bërë,” u shpreh Berisha, duke shtuar se edhe pse vetë është i hapur për publikun, duhet respektuar privatësia. “Çështjet e privatësisë, pavarësisht se unë jam i hapur, kanë privatësinë e tyre. Po mjaftohem me falënderimet,” tha ai.

Këlliçi: SHBA e DASH s’kanë reaguar për mandatin e 4-t të Ramës! Do dokumentojmë gjithçka ka ndodhur më 11 maj

Drejtuesi politik i PD për Qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi shprehet se opozita dhe PD nuk do të mbyllë sytë përpara vjedhjes dhe deformimit të votës së shqiptarëve dhe të diasporës më 11 maj, duke lënë të nënkuptohet për rihapje të kutive të votimit.

Këlliçi tha se kjo që ka ndodhur me procesin zgjedhor në Shqipëri nuk ka ndodhur as në komunizëm, ndërsa rezultatin e Ramës do ta kishte zili vetë presidenti bjellorus, Lukashenko.

Sipas Këlliçit, tkurrja e mandateve të PD dhe opozitës nuk është një moment i lehtë për demokratët, duke shtuar se do të ketë një reflektim dhe analizë të thellë mbi gjithçka ndodhur, por që vëmendja do të jetë te masakra elektorale e 11 majit.

Për Këlliçin është mjaft domethënëse, fakti që për mandatin e 4-t të PS, nuk ka reaguar SHBA, DASH dhe Ambasada Amerikane në Tiranë, apo edhe kancelari të tjera evropiane.

Këlliçi theksoi ndër të tjera, se ‘lufta’ e PD është dhe duhet të jetë evidentimi i 11 majit, për të dokumentuar deformimin e votës dhe atë se çfarë ka ndodhur me procesin zgjedhor në Shqipëri.

“Ndihem si një njeri i vjedhur, vjedhjen e ka parë Shqipëria dhe bota, ndërkohë ndihesh i pafuqishëm për të folur me qytetarët që në këtë rrugëtim nuk vazhdohet. Jam hasur edhe me komente se përse nuk përdorni bandat e vjedhjen e votës. Duhet të biem dakord që këto eksperimente të kthehen në Shqipëri. S’mund ta kthejmë vendin në luftë bandash mes dy forcave politike. Kjo tezë, edhe për ata të mërziturit s’mund të qëndrojë, edhe PD ka fajet e veta, do kemi analizën tonë për të marrë masat si parti ku kemi vepruar mirë apo keq në fushatë. Jemi në një moment që të faktojmë atë që ndodhi.

Garanti i vjedhjeve është ai që ka imponuar këtë model, Edi Rama. Vjedh një mandat të 4, është rast studimor në librat politik. Ne s’do ta lëmë këtë betejë, s’është ky skenari. Ky skenar i Ramës dhe mediat e majta. Këto mediat e gjejnë fajin te opozita, Berisha e ka fajin, përveç Edi Ramës. Kemi për detyrë që themi e deklarojmë ne t’i faktojmë.

S’është moment i lehtë për PD, është e paimagjinueshme ku e ka futur kjo qeveri, diplomatët e korruptuar dhe mediat e majta, s’është e lehtë kjo që po kalon PD. Të shkosh në fushatë me program, t’u flasësh njerëzve që i prekin ato dhe të shohësh njerëz anonimë janë personat më të votuar në Shqipëri. Kush e njeh Arkend Ballën e Sara Mila, janë garant të bandave kriminele që i çojnë në parlament. Në Tiranë është bërë kasaphanë me administratën publike, policinë e shtetit. të gjithë këto që kanë ministri, janë më të votuar. Njërëz të dalë nga anonimati janë më të votuar.

Mungon një përshëndetje, nga SHBA, DASH dhe Ambasada Amerikane në Tiranë, dhe do të mungojë akoma. Kjo masakër ka ndodhur para gjithë botës, rezultatet e diasporës janë përtej çdo logjike. Ka kuti që janë hapur ku PS merr mbi 300 vota, PD 10, edhe Lukashenko do të ishte xheloz për Ramën.

Çmenduaria më e madhe është kjo, kanë ikur për shkak të Ramës dhe këto votojnë 95% Edi Ramën. Këto i përkasin vetëm komunizmin, e ne të mbyllim gojën?! Po informojmë të gjitha kancelaritë ndërkombëtare, faktet që disponojmë po i depozitojmë aty ku duhet. Votat e diasporës i kanë sjellë me trenin bullgar. Do të kërkojmë edhe rihapjen e kutive, eksperimentimin e fletëve të votimit, zyrave elektorale të paligjshme që kemi gjetur.

Kjo është çështje e shqiptarëve e jona, dhe ne duhet ta zgjidhim. Raporti paraprak i OSBE-ODIHR e vë gishtin në plagë për këto që ne themi. Është e paimagjinueshme inxhinierimi i asaj që kanë bërë. Të fitosh 83 mandate, s’ka logjikë politike, s’ka një rast në botë. Opozita ka fjalën, denoncimin, zërin, mbrojtjen e votës ku ka mundur. Edhe mandatin e fundit të Lezhës, donin ta rrëmbenin, donin të linin Kurbinin të papërfaqësuar. Jemi bërë gardh aty që të mos lëmë një zonë të tërë të papërfaqësuar. Kemi bërë gjithçka kemi pasur mundësi.

Procesi i thellë i reflektimit, që s’mund të vazhdojmë po njëlloj, pikat mbi i, rifreskimi i partisë, të gjitha duhen, dhe bëhen brenda PD, forumeve dhe janë çështje të PD. Sot vëmendja duhet të jetë te evidentimi i 11 majit. Për të dokumentuar deformimin e votës, gjithçka, e për t’u bërë të ditur OBE-ODIHR e ndërkombëtarëve, çfarë ka ndodhur në Shqipëri”, tha Kelliçi per Syri tv.