Incident diplomatik në samitin e NATO-s, Mitsotakis akuzon Turqinë: Po na kërcënon hapur me Iuftë

Një incident i fortë diplomatik ka shënjuar punimet e samitit të 36-të të NATO-s që po zhvillohet në Ankara. Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka akuzuar drejtpërdrejt vendin pritës, Turqinë, për “kërcënime të hapura lufte” ndaj shtetit grek, pavarësisht faktit se të dyja vendet ndajnë të njëjtën aleancë ushtarake.

Deklarata e ashpër e kreut të qeverisë greke erdhi fill pas takimit dypalësh mes Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Mitsotakis refuzoi të komentonte specifikisht mbi diskutimet për shitjen e mundshme të avionëve luftarakë amerikanë F-35 Turqisë, por u ndal te tensionet mes dy vendeve fqinje.

“Nuk do të komentoj për deklaratat e bëra më parë nga Trump dhe Erdogan. Aleanca duhet të bazohet në parimin themelor të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Vendi im vazhdon të përballet me kërcënimin e hapur të luftës nga Turqia”, deklaroi Mitsotakis, duke nënvizuar se ndjeshmëria dhe siguria e të gjithë aleatëve të NATO-s duhet të merret parasysh me të njëjtën peshë.

Pavarësisht akuzave të drejtpërdrejta, kryeministri grek u përpoq të ulte tonet në mbyllje të fjalës së tij, duke u shprehur se çështjet e mbetura pezull mund dhe duhet të zgjidhen në frymën e bashkëpunimit. Ai shtoi se mbetet një avokat i përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe se vizitat në Ankara janë gjithmonë një mundësi për dialog konstruktiv.