Makthi i turistëve britanikë, braktisin në mes pushimet nga “resorti luksoz” në Greqi për këtë arsye

Një çift nga Anglia kanë braktisur pushimet e tyre në ishullin Kavos në Greqi, për shkak të …muzikës së lartë.

Çifti nga Cheshire që ka ndarë eksperiencën “shkatërruese” për mediat britanike thotë se kishin paguar 2700 paund për një javë në një resort me pesë yje buzë detit, në Kavos, në ishullin e Korfuzit, por shumë shpejt ditët e pushimit u janë kthyer në makth.

Clive Murray, 65 vjeç dhe gruaja e tij Rosie, 52 vjeçe, thonë se thuajse gjatë çdo ore të ditës, nga bari i pishinës nuk pushonin zhurmat e muzikës tekno, që oshtinte e volum tepër të lartë.

Ata gjithashtu u ankuan për aromën e keqe të “ujërave të zeza” që thonë se ndihej vazhdimisht në dhomën e tyre.

Në këto kushte ata thonë se u detyruan të largohen nga vendi, edhe pse kishin prenotuar 5 ditë të tjera në resort, duke u kushtuar atyre mbi 3000 paund.

“Ne donim një pushim tre javësh, sepse, me ndërrimin e shtëpisë dhe gjithçka, i gjithë viti ka qenë vërtet stresues për ne” tha Clive për PA.

“Ne thjesht donim të relaksoheshim”, raporton Manchester Evening News. “Pothuajse çdo ditë, ne ecnim 50 minuta në plazh që të mund të largoheshim nga zhurmat”.

“Kështu që ne bënim sanduiçët tanë në mëngjes dhe uleshim në plazh sa më larg hotelit, për të shmangur muzikën e zhurmshme, dhe sërish e dëgjonim. E di. disa njerëz do të më quajnë një qaraman i plakur, por kishte shumë të moshuar atje dhe megjithatë hoteli kishte adoptuar një model Benidorm ose Kavos me muzikë techno shumë të lartë”, tha ai.