Në fshatrat e peshkatarëve të Omanit me pamje nga Ngushtica. Irani është vetëm 30 kilometra larg, por lufta duket shumë larg.
Khasab, Oman – Barka çan dallgët e Hormuzit ndërsa një erë e tërbuar nga veriu fshikullon ujërat strategjike. Pas një kthese rreth shkëmbinjve, shfaqet Kumzari, kufiri i fundit i Omanit, vetëm tridhjetë kilometra Iarg brigjeve të Iranit.
Shtëpitë shumëngjyrëshe prej shekujsh qëndrojnë të kapura pas shkëmbit, dëshmitare të heshtura të një Gjiri Persik që është kthyer në nyjën më kritike të tregtisë globale të naftës dhe pikën e vlimit të konfliktit të SHBA-së dhe Izraelit me Iranin.
Në plazhin e vogël, e vetmja portë hyrëse për këtë fshat ku arrihet vetëm nga deti, na pret një i moshuar me çallmë në hijen e një shtëpie, duke u mbrojtur nga vapa mbi 40 gradë Celcius. Dhitë kullosin mes gurëve, të pashqetësuara.
Prej pesëdhjetë ditësh, turistët pothuajse janë zhdukur. Në Kumzar, fshat me dyqind shtëpi, një shkollë dhe një xhami, jeta mbahet me peshkim dhe vizitorët evropianë. Por bllokada e Ngushticës ka ndryshuar gjithçka.
“A e ndjeni luftën?”- pyesim tre burra para një dyqani ushqimor. Njëri largohet, tjetri tund kokën: “No war, no war” (jo luftë), përsërit ai. Këtu lufta mbetet vetëm tridhjetë kilometra larg. Omani është një nga vendet më pak të prekura nga konflikti.
“Këtu sirenat e alarmit nuk kanë rënë kurrë, jemi në paqe”- shton ai. Një djalosh na tregon se gjatë Iftarit pa dy raketa në qiell, por që ngjanin si fishekzjarrë. E megjithatë, pikërisht përballë ndodhet Bandar Abbas, porti iranian me bazat ushtarake të sapobombarduara.
Kur qielli është i pastër, Irani dallohet qartë. “Jemi fqinjë shtëpie!”– na thonë banorët, të cilët flasin kumzari, një përzierje gjuhësh që dëshmon kalimin e detarëve nëpër shekuj.

Gjatë lundrimit, takojmë varka të vogla iraniane që ecin me shpejtësi drejt shtëpisë, të ngarkuara me rroba, ushqime dhe pajisje elektronike të blera në Oman. Për shkak të sanksioneve dhe bllokadës detare të dyfishtë – nga Trump dhe konflikti aktual- tregtarët iranianë marrin nga porti i Khasab-it aty pranë çdo gjë, deri edhe makina.
Në Kumzar askush nuk flet për Pasdaranët apo ultimatumet e Trump. Omani, si ndërmjetës, ka bërë të pamundurën për të shmangur bombat, por këtu lufta vjen përmes efekteve dytësore: largon punën dhe i mbush rrugët me heshtje.

Vetëm fëmijët e mbushin sadopak zbrazëtinë. Vogëlushja Lejla na përshëndet me “Bye bye” pasi na tregon byzylykët e saj ngjyrë ari, ndërsa të tjerët luajnë në ujë me kuti plastike, duke i imagjinuar si anije.
Largimi nga Kumzari të lë ndjesinë e një mirazhi që mund të zhduket në çdo moment. Gjatë rrugës së kthimit, pamja ndryshon. Në këtë pamje spektakolare, famën nuk e bën bukuria, por nafta që nuk po qarkullon.
Nga brigjet e Khasabit duken disa nga mijëra anijet e bllokuara në të dy anët e Ngushticës. Një ushtri gjigante dhe e palëvizshme hekurishtesh, që pret në heshtje fundin e bllokadës për të rinisur lundrimin, ndërsa banorët e Kumzarit vazhdojnë jetën e tyre të thjeshtë, sikur lufta të ishte vetëm një vizatim në horizont. / Corriere della Sera
Galeria fotografike (
2 / 2
)


