“Edhe Skënderbeun të zbresësh këtu, fiton sërish Edi Rama”, përmbysja në Dibër zhgënjen demokratët

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike në KZAZ e qarkut të Dibrës janë të dëshpëruar nga rezultati dhe fajësojnë për këtë makinerinë elektorale të Partisë Socialiste, e cila nga ana e saj po rivalizon se cilët nga kandidatët e listës së hapur do të shkojnë në Kuvend.

“Kjo punë ka mbaruar. Është krijuar një sistem i atillë, që në këtë vend edhe Skënderbeu ose edhe ndonjë profet ta zbresësh, fiton sërish Edi Rama,” thotë me zhgënjim një anëtar i opozitës në KZAZ nr.18 në Bulqizë.

Lodhja nga orët e gjata të punës për zgjedhjet e 11 majit, por edhe rezultati përtej pritshmërive i lexohet në fytyrë. Komisioneri demokrat beson se socialistët fituan përmes një kombinimi mes kërcënimeve, blerjes së votës dhe një mekanizmi që ai e quajti “biskotë elektorale”. “Nuk ka bir nëne që jua ndal,” shtoi ai.

Dikur bastion i Partisë Demokratike, qarku i Dibrës në këto zgjedhje e mori drejtimin në favor të Partisë Socialiste. Pasditen e së hënës, kur ishin numëruar thuajse gjysma e 222 qendrave të votimit në të gjithë qarkun, rezultati sugjeron se ndarja e mandateve do jetë 2 me 3 në favor të partisë në pushtet.

Qarku i Dibrës është qarku i tretë më i vogël në Shqipëri pas Kukësit e Gjirokastrës dhe do të mandatojë 5 deputetë më 11 maj. Dibra është gjithashtu qarku që gjatë dy dekadave të fundit, ka njohur disa nga ndryshimet më trullosëse politike, ndryshime të cilat, larg të qenit pasojë e ndonjë temperamenti lokal për kërkim të larmishmërisë politike, janë produkt i disa prej krimeve zgjedhore më të mirëdokumentuara në historinë e re të Shqipërisë, përfshirë edhe atë që njihet gjerësisht si dosja 184.

Në ambientet e qendrave të numërimit në të katër KZAZ-të e Dibrës, gara duket se është zhvendosur tek kandidatët e listës së hapur. Përfaqësuesit e kandidatëve socialistë, Danjel Gjura, Murat Dani dhe Agron Malaj i gjen përballë monitorëve. Përpos shënimit të votave të partisë, puna e tyre është të mbajnë shënim votat e kandidatëve, për ta po aq e rëndësishme.

“I sheh, këta, duan ta hanë të gjallë njëri-tjetrin. Shifi. Këta të gjithë kanë një profil biznesi. Pushtetin e mjelin me tendera e koncesione,” thotë një tjetër përfaqësues i opozitës në sallën e numërimit të votave në Peshkopi.

Në këtë garë, Murat Dani është vetëm 24 vjeç. Në ato pak dalje publike, ai ka treguar me fjalë të kursyera se ka studiuar në Mbretërinë e Bashkuar për inxhinieri. Në zonën e Dibrës njihet më shumë i ati, Jeton Dani, biznesmen prej dy dekadash me aksione në fushën minerare, hidroenergjetike dhe së fundmi në energjinë solare.

Po kaq i përmendur në këto zgjedhje është edhe Agron Malaj, ish-kryetari i bashkisë së Matit, i cili e shtroi me asfalt elektoral ambicien e tij drejt Kuvendit të Shqipërisë. Persona të afërt me Malajn i gjen thuajse në çdo KZAZ, teksa mbajnë shënim votat për kandidatin.

Danjel Gjura, ish-drejtues i zyrës së Transportit Rrugor në Dibër dhe pretendent kryesor gjithashtu për një vend në parlamentin e ardhshëm, u vendos në qendër të vëmendjes mediatike gjatë ditëve të fundit, për shkak të tensioneve parazgjedhore me grupet e opozitës që quajtën veten struktura të mbrojtjes së votës. Në një incident në Maqellarë, Gjura u përfshi gjithashtu në një incident në garën brenda llojit.

Të dielën e zgjedhjeve, në të gjitha qendrat e votimit të KZAZ-ve Bulqizë dhe Dibër, në ambientet e jashtme dhe pa lidhje me administrimin zgjedhor, ishin persona që mbikëqyrin dhe sillnin persona për të votuar, shumica të identifikuar si punonjës të administratës publike. Gjithashtu në çdo qendër votimi, një person raportonte në kohë reale për personat që hynin dhe votonin. Nga këqyrja në distancë, aplikacioni mban në hapje logon e Partisë Socialiste dhe aty bëhet raportimi në kohë reale se për kë parti do të votoj personi./BIRN

Vijon skuqja e hartës, PS merr me rezultat të thellë një tjetër bashki

PS fiton bindshëm me një diferencë mbi 6 mijë vota ndaj PD në bashkinë e Divjakës. Në bashkinë e Divjakës PS siguroi 10 427 vota ndërsa PD 3 882 vota.

Forcë e tretë në Divjakë është renditur Nisma Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt, me 906 vota, ndjekur nga partia Mundësia e Agron Shehajt me 231 vota

Rezultatet:

PS 10.427 vota

PD 3.882 vota

Shqiperia Behet 906 vota

Mundesia 231 vota

Koalicioni Djathtas per Zhvillim 149 vota

Levizja Bashke 137 vota

PSD 102 vota

AKSH 90 vota

Koalicioni Euroatlantik 90 vota

Levizja Atdheu 26 vota

Aleanca Demokracia e Re 11 vota

Fitoi mandatin nga lista e hapur e PD në Kukës, kush është 25-vjeçarja që la jashtë Parlamentit deputetin aktual Isuf Çela

Nga zgjedhjet e 11 majit qarku i Kukësit nxori tre deputetë, dy nga Partia Demokratike dhe një nga Partia Socialiste.

25-vjeçarja Elvira Peka do të jetë deputetja e re që do të përfaqësojë rrethin e Hasit në Parlamentin e Shqipërisë.

E dalë nga lista e hapur e Partisë Demokratike, Peka ka arritur të marrë 2050 vota, duke lënë pas deputetin Isuf Çela, i cili mori vetëm 667 vota, duke mbetur jashtë Parlamentit të ri.

Po ashtu, 25-vjeçarja Elvira Peka ka marrë më shumë vota edhe se kandidati tjetër i PD, Shkëlqim Shehu, i cili mori vetëm 378.

Elvira Peka ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin Ekonomik dhe punon në një zyrë kontabiliteti.

Ndërsa Partia Socialiste arriti të marrë vetë një mandat deputeti, atë të drejtuesit politik, Eduard Shalsi.

FSHF vendos sistemin e “lotarisë” për biletat e ndeshjes Shqipëri-Serbi! Ja si duhet të veproni

Federata Shqiptare e Futbollit thotë se aplikimi për blerjen e biletave për ndeshjen Shqipëri-Serbi do të bëhet përmes plotësimit të një formulari dhe më pas fituesit do të përzgjidhen automatikisht.

Kjo sipas FSHF-së bëhet për arsye të kërkesës së lartë që ka për bileta. Formulari që do të duhet të plotësohet do të publikohet në 15 maj.

Njoftimi i FSHF:

Biletat për Shqipëri – Serbi; Informacion i rëndësishëm!

Për shkak të kërkesës së jashtëzakonshme për ndeshjen e 7 qershorit, FSHF do të aplikojë një procedurë speciale për shitjen e biletave:

Aplikimi: Formulari për regjistrim publikohet deri më 15 maj 2025

Maksimumi 4 bileta për person

Përzgjedhja automatike e aplikantëve

Njoftimi i fituesve më 30 maj 2025

Pagesa online nga 30 maj – 2 qershor

Bileta elektronike në email

Çdo biletë mund të transferohet vetëm një herë

Siguro vendin tënd dhe jepi zemër Kombëtares!

Fitore e thellë e PSD-së në Vaun e Dejës/ Rama pati paralajmëruar “tradhtinë”: Kristian mos luaj me dy porta..

Në Vaun e Dejës janë numëruar të 53 kutitë dhe ka dalë rezultati zyrtar.

Forcë e parë në këtë bashki të Shkodrës është shpallur Partia Social-Demokrate me 5951 vota, ndërsa Partia Demokratike ka grumbulluar 4698.

Në vendin e tretë është renditur Partia Socialiste me 2482 vota.

Vau i Dejës është bashkia e parë në të cilën fituese nuk është shpallur as Partia Demokratike dhe as Partia Socialiste.

Por ky rezultat lokal duket se nuk ka qenë surprizë për drejtuesit politikë, pasi gjatë fushatës, kryeministri Edi Rama paralajmëroi publikisht kryebashkiakun Kristian Shkreli duke i thënë: “Mos luaj me dy porta”, një deklaratë që tani merr më shumë kuptim në dritën e këtij rezultati.

Mafiozi shqiptar merr peng rojet e burgut grek të Korydallos, tenton të vrasë bashkëkombasin

Një i burgosur shqiptar raportohet se ka marrë peng për disa çaste rojet e burgut famëkeq grek të Koridhallos.

Sipas televizionit grek ALPHA, shqiptari arriti të mbante dy roje, t’u merrte çelësat, radiot dhe telefonat, dhe filloi të lëvizte nga një krah në tjetrin për të arritur në Repartin C, ku po kërkonte bashkëkombësin e tij me qëllim vrasjen e tij.

Siç raportohet nga autoritetet, kjo është me shumë mundësi një porosi për vrasje me pagesë brenda burgut që nuk u ekzekutua për shkak të ndërhyrjes së autoriteteve të burgut.

Emrat e personave të përfshirë në këtë ngjarje nuk bëhen të ditur, por sipas medieve greke, autori është person i njohur në botën e mafias shqiptare, i dënuar për tentativë vrasje, ndërsa objektivi i tij është një tjetër shqiptar i dënuar për trafik narkotikësh, raporton Voxnews.al.

“Sipas burimeve të Alpha, ai gjendet shumë lart në shkallët e mafias shqiptare është, është i dënuar për tentativë vrasje. Ai me një thikë ka arritur t’i marrë çelsat dhe i ka mbyllur brenda një dhome dy rojet. Ka hapur një pas një portat e burgut dhe ka ecur për gati 150 metra. Aty kërkoi një të burgosur tjetër i cili është i dënuar për trafik narkotikësh. Ishte me fat ai tjetri që nuk ndodhej aty. Kjo ngjarje nuk arriti të kryhej, pasi ndërhynë autoritetet e burgut”, ka deklaruar gazetari grek.

Numërohen 10 mijë vota nga diaspora, cila parti kryeson?

Teksa numërohen votat për subjektet politike, njëkohësisht po numërohen dhe votat e ardhura nga diaspora.

Deri në këto momente janë hapur 10 056 zarfe nga 194889 që janë dërguar në total.

Sipas rezultateve të deritanishme PS ka marrë 5 573 vota, që përbëjnë 55.80% të votave të numëruara, ndërsa PD ka marrë 2 814 vota ose 28.17% të votave.

Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet ka arritur të sigurojë 811 vota (8.12 %), ndërsa subjektet e tjera kanë marrë mbështetje më të vogël.

Partia Mundësia 301 vota, Lëvizja Bashkë 217 vota, Partia Socialdemokrate 104 vota.

Partia Koalicioni Euroatlantik 71 vota.

Meloni takon Mitsotakis: Mbështesim pranimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian

Kryeministrja e Italisë Goirgia Meloni dhe ai i Greqisë, Qirjako Miçotaqis kanë nënshkruar dy marrëveshje të rëndësishme në fushën e energjisë dhe transportit hekurudhor.

“Greqia do të investojë mbi 400 milionë euro në rrjetin e saj hekurudhor, ndërsa Italia do të kontribuojë 360 milionë euro për të blerë trena të rinj dhe për të ndërtuar stacione të reja”, tha Mitsotakis.

Në frontin e energjisë, Mitsotakis theksoi ambicien për të trefishuar kapacitetin e ndërlidhjes së energjisë elektrike midis dy vendeve dhe tha se Greqia është një vend eksportues i energjisë elektrike.

Gjatë takimit, ata folën edhe për Ballkanin Perëndimor, dukt theksuar se mbështesin rrugën e anëtarësimit drejt BE-së, angazhim të cilin do ta përsërisin edhe gjatë samitit dy-ditor të Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet në Tiranë.

“Italia dhe Greqia ndajnë rrugën e pranimit të Ballkanit Perëndimor në Evropë si një angazhim i përbashkët që do ta përsërisim në ditët në vijim në samitin e Komunitetit Politik Evropian të planifikuar në Tiranë”, thanë kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në deklaratat për shtyp pas takimit ndërqeveritar Itali-Greqi.

“Ana e errët e Maldiveve të Europës”, gazeta britanike anti-reklamë Shqipërisë: Aty ka 30 familje mafioze

Shpesh jemi mësuar të shohim në mediat e huaja artikuj që promovojnë Shqiprinë turistike, madje shpesh duke u aluduar se shumë prej këtyre artikujve janë pjesë e fushatave të paguara nga Shqipëria.

Gjithsesi duket se kjo reklamë ka dhënë rezultat, pasi shqipëria në vitet e fundit ka parë një shpërthim të turizmit masiv.

Por gazeta britanike “The Sun” e cituar më pas edhe nga Daily Express, paralajmëron pushuesit se në Shqipëri ka “mafie”.

Në një artikull të shkurtër të titulluar “Ana e errët e Maldiveve të Evropës”, Daily Express thotë se turistët kërkojnë të largohen nga vende si Greqia dhe Spanja për të eksploruar vende më pak të populluara.

Artikulli citon profesorin e kriminologjisë, Xavier Raufer, i cili thotë se Shqipëria ka 30 familje mafioze, dhe se mafiozët më të fuqishëm janë bazuar në vendet bregdetare, e thënë ndryshe aty ku shkojnë turistët. Ai paralajmëron edhe për “trafikim të qenieve njerëzore” dhe thotë se vendi ynë është pjesë e linjës së trafikut të heroinës nga Afganistani.

“Do t’i gjeni këto familje në të gjithë Shqipërinë – sigurisht, më e fuqishmja është ajo përgjatë detit sepse është më e mirë për trafikim, tha ai.

“Ana e errët e Maldiveve të Europës”, gazeta

Artikulli i The Sun

Shkodra Elektronike merr një koment të bukur nga kanali zyrtar i Youtube!

Faqja zyrtare e Eurovision në Youtube ka nisur postimin e disa “reels” të shkurtër, ku prezanton të gjithë garuesit në edicionin e këtij viti që do të mbahet në Bazel.

Mes tyre është edhe dyshja e veçantë shqiptare, Beatriçe dhe Kola, të Shkodrës Elektronike. Ata i janë përgjigjur me humor disa pyetjeve “thumbuese”, teksa kanë zbuluar se “nuk janë çift”.

Por ajo që bie në sy është se vetë kanali zyrtar i Youtube u ka lënë një koment duke shkruar: “Kjo është gjithçka”. Ky vlerësim ka tërhequr vëmendjen e qindra ndjekësve të tjerë.

Herë pas here, kanali zyrtar i Youtube nuk ngurron të komentojë në video të ndryshme dhe të veçanta në këtë platformë.

Video këtu!

Shkodra Elektronike në Youtube