Petro Gjikuria padit në SPAK “petalen më të bukur të trëndafilit socialist”: Si votoi në Himarë kur është nga Lushnja? Kallëzohen edhe disa ministra për…

Ish-kandidati i opozitës për Bashkinë e Himarës, Petro Gjikuria, ka paditur në SPAK të riun socialist Dasho Veizaj. Ky i fundit ka nisur të njihet edhe si ‘Petalja më e bukur e trëndafilit socialist’ për shkak të fjalimit që mbajti në një konventë rinore të PS.

Gjikuria ka vendosur të padisë në SPAK të riun Veizaj, pasi në mënyrë të paligjshme është zhvendosur si votues në Himarë. Gjikuria thekson se qindra persona u zhvendosën në mënyrë të paligjshme si votues në Himarë për t’i dhënë mandatin Vangjel Tavos, duke përfshirë edhe familjen e tij.

Ndërkohë, në padinë e Gjikurias përmendet edhe emri i Dritan Shakohoxhës. Gjikuria ka paditur në SPAK edhe një seri ministrash që shkelën ligjin duke marrë pjesë në fushatën zgjedhore.

Po ashtu, në memon e tij, Petro Gjikuria kërkon informacion nga SPAK se çfarë ka ndodhur me paditë e tij të mëhershme.

BIRN: “Protagonizmi tragjik” i Ramës pas arrestimit të Erion Veliajt

Arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj me akuzat e korrupsionit ndryshoi qëndrimin e kryeministrit Edi Rama ndaj drejtësisë së re, përmes një ligjërimi që ekspertët e analizojnë si një përpjekje për të manipuluar emocionalisht publikun dhe për të shmangur vëmendjen nga argumentet racionale.

E hëna e 10 shkurtit e gjeti kryeministrin Edi Rama në një takim rutinë në qytetin e Shkodrës, por rrjedha e ditës ndryshoi katërcipërisht në mesditë, kur ai mësoi se Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës dhe i projektuari në publik si pasardhësi i tij politik, u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme me akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Mediat raportuan për një kthim urgjent të Ramës drejt Tiranës, por ai nuk reagoi deri të martën në mëngjes. Në një lidhje live në rrjetet sociale, Rama u pa të përplaste pëllëmbën mbi tavolinën e punës dhe iu hakërrye kameras si reagim ndaj një problemi teknik.

Kur iu rikthye bisedës me ndjekësit, Rama e justifikoi veten si njeri pasionant, duke i kujtuar publikut se ishte po ai Ramë që dikur dilte me sopatë në krah rrugëve të Tiranës për të prerë shtyllat elektrike që prishnin pamjen e trotuarëve. Më pas, ai mori në mbrojtje Veliajn dhe targetoi prokurorët dhe gjyqtarët e strukturës së posaçme antikorrupsion, për herë të parë që prej krijimit të institucionit në vitin 2019.

Rama e përshkroi punën e Prokurorisë së Posaçme në hetimin ndaj Veliajt si të ‘dalë nga shinat kushtetuese’ dhe dosjen hetimore si “roman policesk”, ndërsa përpiqej të justifikonte ndryshimin e narrativës së tij ndaj drejtësisë së re si një kërkesë për ‘standarde demokrate’.

Sipas ekspertëve të psikoanalizës dhe sociologjisë, reagimet e Ramës pas arrestimit të Veliajt ekspozuan një nivel të lartë shqetësimi, po aq sa edhe përpjekjen e tij për të ndikuar në ndjeshmërinë e publikut.

Psikoterapisti Neli Demi i tha BIRN se reagimet e Edi Ramës pas arrestimit të Veliajt quhen “apel emocional” në psikologjinë politike – një teknikë që synon të largojë vëmendjen nga argumentet racionale dhe ta orientojë atë drejt reagimeve instinktive dhe ndjesore.

“Kjo sjellje, në mënyrë të qëllimshme, zakonisht përdoret për të treguar dominim, për të shmangur perceptimin e dobësisë dhe për të dhënë mesazhin se ai është ende në kontroll të situatës,” tha Demi, i pasigurtë nëse në reagimet e para, gjuha verbale dhe trupore e kryeministrit kanë qenë plotësisht të përllogaritura.

Demi e analizon më tej ligjërimin e Ramës si një kombinim mes “gjuhës emocionale, agresivitetit verbal dhe një strategjie të dyfishtë për të mbrojtur veten, pa u shfaqur hapur kundër SPAK-ut”.

“Në këtë mënyrë, ai po synon të aktivizojë instinktet e solidaritetit dhe ndjeshmërisë tek popullata që në fakt së shpejti do të jenë edhe votues, ndërsa përpiqet të krijojë një narrativë ku drejtësia është bërë e padrejtë,” shtoi ai.

Edhe Ergys Mërtiri, sociolog me profesion dhe një kritik i kryeministrit Edi Rama i analizon reagimet e këtij të fundit në dritën e përpjekjes për të ndikuar opinionin publik.

“Arrestimi i Veliajt ndikon në imazhin e tij duke e ekspozuar atë si kryetar të një grupi politikanësh të korruptuar, çfarë sigurisht e njollos përpara opinionit publik,” tha Mërtiri.

“E paraqet atë si të dobët përpara njerëzve të tij si dhe elektoratit, si një kryeministër që ia arreston prokuroria bashkëpunëtorët në zyrë. Për këtë arsye, atij i duhet të kompensojë këtë me gjuhë agresive për të treguar se ai nuk është i dobët dhe se ai nuk pyet as për SPAK e GJKKO,” shtoi ai.

Demi dhe Mërtiri vërejnë megjithatë një kontraditë të madhe në ligjërimet e fundit të Ramës, ku nga njëra anë sulmon gjyqtarin dhe prokurorin e çështjes së Veliajt dhe në anën tjetër e portretizon veten si “pronar” të reformës në drejtësi.

“Një sulm i hapur ndaj SPAK-ut do të tingëllonte si hipokrizi, dhe për këtë arsye ai menjëhere pas reagimit agresiv të fillimit, u përpoq t’i rikthehet mbrojtjes së “pronës,” analizon Demi.

“Kjo duket si një teknikë e njohur e dezinformimit politik, ku protagonisti politik përpiqet të mbajë të dyja anët e një çështje të debatuar për të minimizuar dëmin politik,” shtoi ai.

“Manipulim emocional’

Narrativa e Ramës ndaj arrestimit të Veliajt ishte e mbushur me terma që synonin të ngjallnin emocion si dhe të preknin ndjeshmërinë e publikut, duke anashkaluar faktet apo provat e dosjes hetimore.

Në këtë drejtim, Rama i portretizoi prokurorët si të ‘pashpirt’, pasi kanë ‘penguar një nënë që të çojë fëmijën në kopsht”, apo ndaluar një baba në rrugë me “fëmijën në karrocë”.

Theksimi i këtyre shembujve tregon sipas psikoanalistit Demi si Rama “po përpiqet të ndryshojë kornizën e interpretimit të ngjarjeve”.

“Në vend që publiku ta shohë hetimin apo edhe arrestimin si një çështje ligjore për korrupsionin e supozuar, z. Rama përpiqet ta zhvendosë fokusin drejt padrejtësisë njerëzore, duke e paraqitur SPAK-un në sytë e publikut si të pamëshirshëm,” i tha ai BIRN.

“Përmendja e fëmijëve synon që të aktivizojë simbolikën universale të fëmijëve si qenie të pafajshme, duke zgjuar reagime emocionale tek publiku pasi fëmijët janë një simbol universal i pafajësisë, dhe përmendja e tyre krijon një lidhje emocionale me publikun,” shtoi ai.

Edhe për Mërtirin, synimi është pikërisht manipulimi emocional i publikut, duke i ndaluar ata që të shohin tablonë e gjerë të ngjarjes mbi akuzat e ngritura ndaj Veliajt.

“Përfshirja e familjes, e sidomos e fëmijëve në retorikën e viktimizimit është diçka e shpeshtë, e ndeshur tek ata që kërkojnë të vendosin fëmijët si barrierë ndaj zemërimit të publikut dhe fëmijët janë gjithmonë një objekt retorik që zgjon ndjeshmëri dhe nëpërmjet tyre, ligjëruesi arrin të prekë publikun për ta bërë atë të ketë ndjenjë empatie për personin që ai kërkon të mbrojë,” analizon Mërtiri.

‘Protagonisti tragjik’

Edi Rama ka qenë gjithmonë një figurë kontraverse e politikës shqiptare dhe ka arritur ta portretizojë veten për një kohë shumë të gjatë larg kostumit të politikanit të zakonshëm, që sipas analizës psikologjike duket se ka qenë e qëllimshme.

Ai u përfshi në politikë në vitin 1998 si ministër i Kulturës në qeverinë e Fatos Nanos, ku i sapoardhur nga Parisi, ra në sy me veshjet me ngjyra, çorapet e kuqe dhe padurimin deri në agresivitet për të ndryshuar gjërat sipas shijeve dhe qëllimeve të tij.

Në analizën e tipareve që e dallojnë atë nga politikanët e tjerë mbizotëron stili i komunikimit që i shkon për shtat imazhit që ai ka krijuar për veten si një “jo-politikan”.

Sipas Neli Demit, kjo gjuhë metaforike është përdorur nga Rama për të krijuar për veten imazhin e “protagonistit tragjik” që përballet me të keqen.

“Ndryshe nga Berisha, që përdor një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe konfrontuese, apo Veliaj, i cili preferon një qasje më teknokratike dhe PR-friendly, Rama ka një stil më të ndërlikuar dhe teatror dhe kësisoj ai krijon një realitet paralel, ku ai është artisti që lufton kundër kaosit, një lloj protagonisti tragjik që duhet të merret me “injorancën” dhe “padrejtësinë” e institucioneve që e keqkuptojnë ose e shënjestrojnë,” thotë Demi.

Nga këndvështrimi sociologjik i Mërtirit, Edi Rama është një politikan që reflekton në mënyrën më të qartë të gjitha tiparet e një udhëheqësi që mbështetet plotësisht te ‘manipulimi i turmave’.

“Rama paraqet elokuencë për ta kamufluar estetikisht vulgaritetin e kumtit që përcjell,” tha Mërtiri, duke marrë si shembull stilemat që ai përdor si; Kadri, kazan, filxhan, sahan, tepsi.

Mërtiri e portretizon gjithashtu Ramën me tiparet e një lideri totalitar që flet me gjuhën e turmës, duke iu përgjigjur tipareve më karakteristike të saj.

“Kështu, Rama pozon para turmës si një lider i fortë, i vendosur, i aftë për të përballuar çdo intrigë e çdo komplot. Ai shfaqet në profilin e një gangsteri politik,” përfundoi ai.

/BIRN

Aksident në Korçë, humb jetën një këmbësor

Një aksident me pasojë vdekjen e një këmbësori ka ndodhur në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, pranë Maliqit.

Automjeti i drejtuar nga shtetasi G. Ç., 37 vjeç, ka përplasur një person, i cili fatkeqësisht ka humbur jetën në vendngjarje.

Policia ka shoqëruar drejtuesin e automjetit në ambientet e Komisariatit për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të identifikuar viktimën. 

Horoskopi për ditën e sotme, e Enjte 20 Shkurt 2025

Dashi

Në këtë moment është më mirë që të flisni, vetëm nëse është vërtetë e rëndësishme. Kjo pasi rrezikoni që të thoni gjëra për të cilat mund të pendoheni. Është dita kur yjet favorizojnë instinktin dhe racionalitetin. Duhet të bindni dikë për dobitë e një projekti tuaj. Ndërsa në dashuri, gjithçka do të ecë më së miri, ku qielli do të jetë mjaft i favorshëm.

Demi

Në këtë moment është më mirë që të bëni një hap pas, lidhur me disa gjëra që po zvarriten. Shumë prej jush gjatë vitit të kaluar, kanë hequr dorë nga një projekt i rëndësishëm për shkak të zhvillimeve të papritura. Urani në shenjën tuaj, mund të sjellë ndryshime të cilat mund t’iu çorientojnë. Në sferën sentimentale, parashikohet që të ketë tensione, ndaj tregohuni të kujdesshëm.

Binjakët

Nëse krahasojmë fillimin e kësaj jave me atë të javës së kaluar, diferenca është e dukshme. Tashmë ka nisur përmirësimi, ku do të jetoni emocione të bukura, sidomos në një histori që për ju ka shumë rëndësi. Për binjakët historitë që zgjasin më shumë i lodhin dhe për këtë arsye mund të ketë edhe tensione.

Gaforrja

Kjo e enjte do të jetë e mbushur me tension dhe nervozizëm. Përgjithësisht kur ndjeni negativitet përreth, prireni që të izoloheni. Por në këtë moment bëni mirë që të shmangni diskutimet, pasi mund të shkaktojnë debate shterpë.

Luani

Ndikimi pozitiv i Venusit do të bëjë që të ndiheni më mirë. Kjo është një periudhë e cila mund të shkaktojë edhe tensione, ndoshta për shkak të ndonjë vonese. Kjo nuk do të thotë se gjërat nuk do të zgjidhen, thjesht duhet pak durim. Bëni kujdes lidhur me investimet, pasi mund të pendoheni.

Virgjëresha

Në këto momente po ju besoni miqve të vërtetë, të cilët ju vlerësojnë për atë që jeni. Ndoshta dikush ju ka lënduar dhe nuk është treguar siç duhet me ju, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet t’iu besoni edhe të tjerëve. Parashikohet një periudhë e favorshme për dashurinë. Çiftet në krizë, mund të gjejnë rrugën e duhur drejt pajtimit dhe emocioneve të bukura. Parashikohet një periudhë pozitive, edhe për gjithë ata që kanë një projekt interesant.

Peshorja

Hëna e pranishme në shenjën tuaj do të bëjë që të ndiheni disi në faj, për shkak të ndonjë vesi më shumë. Në sajë të sensit të masës dhe reflektimit, do të arrini që të rikuperoni.

Akrepi

Venusi në kombinim me Uranin, do të sjellin stuhi në dashuri. Këshillohet që të mos kërkoni me çdo kusht që të ziheni, por të jeni sa më objektiv, diplomatë dhe të hapur për dialog.

Shigjetari

Ndikimi i kundërt i Marsit, do të bëjë që të hasni në polemika të shumta. Nëse keni ndonjë pengesë për të kapërcyer, veproni tani pasi nesër mund të jetë shumë vonë dhe pengesat do të jenë më të mëdha.

Bricjapi

Ndikimi i Hënës dhe Saturnit në shenjën tuaj, do të bëjë që dita të jetë e mbushur me ulje-ngritje. Nuk do ju shpëtoni dot kritikave dhe shigjetimeve të të tjerëve.

Ujori

Venusi dhe Urani të pranishëm në shenjën tuaj, do të sjellin ndryshime të papritura në jetën tuaj në çift, shkruan noa.al. Dikush prej jush do të arrijë që ta çojë një lidhje drejt zyrtarizimit, ndaj përgatituni!

Peshqit

Jeta juaj sentimentale mund të marrë një shtysë të rëndësishme, në sajë të ndikimit të Uranit. Mund të zyrtarizoni një lidhje ose ta forconi më tej atë. Mos u druani, pasi do e keni çdo situatë nën kontroll.

Beleri “nxin” Shqipërinë në PE, sulmon edhe “Vettingun”: Të drejtat e grekëve shkelen sistematikisht! Të mos u bëjmë lëshime për integrimin në BE

Eurodeputeti i Greqisë në Parlamentin Evropian, Fredi Beleri ka kritikuar Shqipërinë gjatë takimit të sotëm të Komitetit të Peticioneve, duke thënë se “po dhunon sistematikisht të drejtat e pakicave greke”.

Beleri është shprehur se çdo familje greke në Shqipëri ka probleme me pronat dhe prej ndryshimit të sistemit 34 vite më parë ende nuk kanë arritur të marrin titujt e pronësisë. Ai tha se ata përballen në gjykatat e vendit me shtyrje të proceseve, madje duke shkuar edhe më tej teksa ka sulmuar procesin e vettingut në vendin tonë duke e quajtur një “proces të errët”.

Përfaqësuesit e Komisionit Evropian iu përgjigjën kritikave të Belerit, duke u shprehur se paketa e parë para-negociatore me BE-në i ka të qarta kriteret që duhet të plotësojë vendi ynë për t’u anëtarësuar në BE, duke përfshirë edhe të drejtën e pronës.

Më tej, Beleri tha se dëshiron që Shqipëria të jetë një shtet ligjor teksa, kritikoi drejtësinë për burgosjen e figurave politike opozitare. Ai tha se BE-ja nuk “duhet t’i bëjë lëshime” Shqipërisë.

Kujtojmë se Fredi Beleri është ish-kandidat për Bashkinë e Himarës, i dënuar tre herë me vendim të formës së prerë, dy herë në Shqipëri dhe një herë në Greqi, për armëmbajtje pa leje, vjedhje votash dhe denigrim të simboleve kombëtare.

Rama thirrje të rinjve: Bëhu pjesë e Forcave të Armatosura, si mund të aplikoni

Kryeministri Edi Rama i bën thirrje të rinjve dhe të rejave të aplikojnë për tu bërë pjesë e Forcave të Armatosura.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama njofton se është hapur thirrja dhe se afati për dorëzimin e dokumentacionit është deri në 31 mars 2025.

Prej gati një viti tashmë, Ministria e Mbrojtjes ka ndërmarrë një fushatë për shtimin e numrave të pjesëtarëve të Forcave të Armatosura.

Kriteret e përgjithshme për rekrutimin e ushtarëve/detarëve aktivë:

– të jetë shtetas shqiptar;

– të mos jetë dënuar nga gjykata për vepra penale;

– të mos jetë në ndjekje penale;

– të mos jetë në proces gjykimi penal nga gjykata;

– të ketë figurë të pastër morale;

– të mos ketë probleme me deportimin;

– të mos ketë probleme me drogën dhe alkoolin;

– të mos jetë person i dyshuar, i padëshirueshëm, i evidentuar dhe implikuar nga organet e zbatimit të ligjit për veprimtari të kundraligjshme apo kriminale;

– mosha minimale e rekrutimit është 18 vjeç. Në momentin e titullimit ushtar/detar aktiv, nuk duhet të kenë mbushur moshën 30 vjeç. Përjashtim bëjnë vetëm shtetasit që do të titullohen ushtar/detar aktiv, të cilët do të jenë personel mjekësor i FA, Orkestrës Frymore dhe Orkestrës Simfonike dhe që në momentin e titullimit nuk duhet të kenë mbushur moshën 32 vjeç;

– minimalisht të ketë kryer arsimin 9 – vjeçar brenda ose jashtë vendit;

– të kenë gjatësinë trupore mbi 165 për meshkujt dhe mbi 160 cm për femrat ;

– të jetë shpallur fitues në përfundim të konkurrimit;

– të ketë kryer kontrollin shëndetësor dhe të jetë vlerësuar i aftë për ushtar/detar aktiv nga Komisioni Mjekësor Ushtarak.

– të ketë rezultuar pa probleme gjatë verifikimit të kushtit të sigurisë të kryer nga strukturat përgjegjëse.

Aplikimi në FA për ushtar/detar aktiv bëhet duke ndjekur hapat në faqen e Ministrisë së Brendshme.

Chris LaCivita sulmon gazetarin e New York Times: Nuk po loboj për Berishën, por po bëj fushatë

Angazhimi i bashkëmenaxherit të fushatës elektorale të Presidentit Trump, Chris LaCivita në Shqipëri ka ngjallur polemika në SHBA.

Gazetari i New York Times, Kenneth P. Vogel, në një postim në rrjetin social X, akuzon LaCivitan se nuk është regjistruar për të lobuar për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili është shpallur non grata nga SHBA për korrupsion.

Sakaq, LaCivita replikën me gazetarin, duke thënë se ai nuk ka nevojë të regjistrohet, pasi nuk po lobon për Berishën, por se është konsulent për fushatën e PD-së për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Ai i kujton gazetarit të NYT që po bën të njëjtën punë sicç kanë bërë qindra konsulentë demokratë, por që gazetari sipas tij, nuk do t’i përmendte kurrë.

https://twitter.com/ChrisLaCivita/status/1892248617357893751?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1892248617357893751%7Ctwgr%5E1dd71da81b695f26928429a401d7db088e5bd857%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.voxnews.al%2Fpolitike%2Fchris-lacivita-on-gazetarin-e-new-york-times-nuk-po-loboj-per-beris-i85855

Ndërkohë, në një komunikim me herët me Neë York Times, LaCivita e karakterizoi punën e tij si një vijimësi të asaj që ai bëri për ta ndihmuar Presidentin Trump drejt fitores.

“Unë po eksportoj atje idetë e fushatës së MAGA-s, pra ta bëjmë Shqipërinë të Madhe përsëri! Është në përputhje të natyrshme me idetë tona sesi të mundim një socialist në pushtet në Shqipëri që është një peng dhe kukull e familjes Soros”.

LaCivita argumenton se shpallja non grata e zotit Berisha nga ish-administrata e Biden ishte e motivuar politikisht.

Ai mendon se përvoja e Berishës përafrohet me atë të zotit Trump. LaCivita, mendon se pas sanksioneve dhe pretendimeve te pabazuara ndaj Berishës qëndron megadonori i të majtëve amerikanë George Soros.

LaCivita, i cili doli këtë muaj me Berishën në një konferencë shtypi në Shqipëri, tha se nuk do t’i drejtohej administratës Trump në emër të zotit Berisha apo partisë së tij.

“Unë nuk loboj. Unë bëj fushata, dhe kjo është ajo që po bëj, shumë e drejtpërdrejtë”.

LaCivita nuk i ka konfirmuar gazetës amerikane faktin nëse konsulentë të tjerë janë të përfshirë në fushatën elektorale në Shqipëri.

Berisha mund të marrë vizë për në SHBA? Avokati shqiptaro-amerikan shpjegon procedurën: Departamenti i Shtetit ka…

Në media është raportuar se ish-kryeministri Sali Berisha mund të përfitojë një leje të posaçme për të vizituar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndonëse është shpallur aty “non-grata” për korrupsion madhor dhe pengim të drejtësisë.

Lidhur me këtë, avokati shqiptaro-amerikan Peter Lumaj tha se është e mundshme të ndodhë. Lumaj, në emisionin “Breaking” me gazetaren Dafina Hysa tha se Departamenti Amerikan i Shtetit e ka mundësinë t’i japë dikujt leje të vizitojë SHBA-në, ndonëse mund të jetë “non-grata” dhe për sa kohë nuk përbën rrezik ndaj SHBA.

“Është e mundur, dhe mund të ndodhë. Punonjësi i zgjedhjeve të Trumpit është jashtëzakonisht i fuqishëm. Por Chris kërkon edhe një kandidat të fuqishëm, kjo pritet për t’u parë, edhe pak muaj kanë mbetur nga zgjedhjet. Nuk mund ta krahasosh Berishën me kandidatin që Chris kishte në SHBA. Por pyetja që u intereson shqiptarëve është si paguhet ky njeri? Nga vijnë këto fonde? Kush i sponsorizon?

LaCivita mund të ndikojë, cila është frika ose shqetësimi që mund të ketë SHBA nga Berisha? Jepja një vizë të diskutojë problemet me komunitetin shqiptar. Departamenti i Shtetit e ka këtë fuqi, nëse sheh një person që nuk ka rrezik, mund ta lejojë të vijë në SHBA”, u shpreh Lumaj.

Kush është shoku në katin 9 të ETC që Veliaj e takonte “i maskuar” nga i cili dilte me çantë shpine? (Video)

Në redaksinë e lajmeve në “Ora News”, ka mbërritur një tjetër video që flet për lëvizje dhe takime të dyshimta të kryebashkiakut të arrestuar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Bëhet fjalë për pamje që sipas burimeve, i përkasin vjeshtës së vitit të kaluar, që është dhe periudhë kur hetimet ndaj tij sa vinin e intensifikoheshin dhe ku Veliaj është filmuar nga punonjës në zyrat e qendrës ETC në Tiranë, të cilët theksojnë se ai është parë shumë shpesh duke hyrë dhe dalë nga kati i 9-të i godinës në fjalë.

Në videon e siguruar nga “Ora News”, shihet që “i maskuar” me një kapele të zezë, Veliaj del nga qendra dhe futet me shpejtësi në makinën e tij, teksa mban mbi shpinë një çantë të zezë sportive, ku nga pamjet shihet që është e mbushur dhe e rëndë.

Por se çfarë ka pasur Veliaj në atë çantë, lekë apo dokumente, besojmë se do të jetë detyrë e Prokurorisë së Posaçme që ta hetojë më në detaje.

Gjithsesi, pyetja që shtrohet a mos është kati i 9-të i ETC-së “Harabeli 3”, për të cilin institucionet hetimore nuk kanë informacion mbi aktivitetin që realizohet aty?

Kush është shoku apo miku i Veliajt në katin e 9-të të ETC-së?

Se çfarë ka “kurdisur” apo fshehur Erion Veliaj në këtë zyrë, i takon SPAK-ut të japë përgjigjet e tij përmes hetimeve, por nga burimet që mundësuan edhe këto pamje mësohet se ai hynte pa çantë dhe dilte pa çantë dhe makinën e tij e fshihte në anësoren e rrugicës së ETC-së.

Donald Trump sulmon ashpër Zelensky-n: Është një diktator! Bën mirë të lëvizë shpejt ose s’do i mbetet asgjë nga Ukraina

Presidenti i SHBA, Donald Trump ka sulmuar ashpër Volodomyr Zelenskyn, presidentin e Ukrainës, duke e quajtur atë një diktator, teksa e akuzon se ka shpërdoruar paratë që SHBA i ka dërguar si ndihma për luftën.

Në një postim në “Truth Social”, Trump thotë se e vetmja gjë që Zelensky dinte të bënte mirë ishte “të luante Biden-in si fyell”. Ai thotë se Evropa ka dështuar të sjellë paqe në Ukrainë, dhe se atë po e bën me sukses ai në negociatat me Rusinë.

Deklarata e Trump:

Zelenskyy pranon se gjysma e parave që i dërguam atij “mungon”. Ai refuzon të ketë zgjedhje, është shumë dobët në sondazhet në Ukrainë dhe e vetmja gjë në të cilën ishte i zoti, ishte të luante Biden “si një fyell”. Një diktator pa zgjedhje, Zelenskyy më mirë të lëvizë shpejt ose nuk do t’i mbetet asgjë nga vendi i tij.

Ndërkohë, ne po negociojmë me sukses një fund të Luftës me Rusinë, diçka që të gjithë pranojnë se vetëm “TRUMP” dhe administrata Trump mund ta bëjnë. Biden nuk u përpoq kurrë, Evropa ka dështuar të sjellë paqen dhe Zelenskyy ndoshta dëshiron të mbajë “trenin e ushqimit”. Unë e dua Ukrainën, por Zelenskyy ka bërë një punë të tmerrshme, vendi i tij është shkatërruar dhe miliona njerëz kanë vdekur pa nevojë – dhe kështu vazhdon…