Xhensila Myrtezaj gjen “paqe” në kishë, këngëtarja: “E fortë është zemra e të drejtit që shpreson te Zoti”.

Xhensila Myrtezaj po kalon kohë aspak të lehta për të. Divorci ende në proces me aktorin Bes Kallaku, gjithë zërat që qarkullojnë për ta dhe komentet e vazhdueshme lidhur me pikëpyetjet e marrëdhënies së tyre, duket se nuk kanë të ndalur dhe (ish) çifti gjithnjë e më shumë është në qendër të vëmendjes së mediave dhe rrjetit. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe (dhe jo vetëm) Xhensila duket se përpos fëmijëve të saj, ka gjetur prehje dhe qetësi në kishë. Madje, këngëtarja ka ndarë me rrjetin edhe një ritual që kryen gjithnjë.

Ajo tregon se zgjedh gjithnjë një faqe rastësisht, ndërsa intuita dhe besimi e çojnë në një faqe të caktuar që ajo e merr si mesazh.

Cili ishte mesazhi për Xhensilën këtë herë? Fjala!

“E fortë është zemra e të drejtit që shpreson në Zotin.

Ti i fsheh në strehën e fytyrës sate larg nga ngatërresat e njerëzve, i strehon në tendën tënde larg nga gjuhët ngatërrestare.

Mos kërkoni lavdi prej njëri-tjetrit, thotë Zoti por kërkoni lavdinë që vjen prej një Hyji të vetëm.” – kanë qenë rreshtat që Xhensila ka dashur të theksojë këtë herë në mesazhin që ajo ka marrë.

Shkoi për të lindur në Spanjë, Olta Gixharit i ndodh ajo që nuk e kishte menduar(Foto)

Olta Gixhari këtë periudhë ndodhet në Spanjë teksa shkoi të lindë vogëlushin e saj.

Mirëpo nga disa “story” të postuara në rrjetet sociale ajo na ka treguar se ka ndodhur diçka e papritur atje që lidhet me kohën.

Teksa në vendin tonë temperaturat janë të larta, duket se zona ku Olta jeton ka rikthyer dimrin, e madje artistja ka ndezur oxhakun dhe ka veshur rrobat me mëngë të gjata.

Festa e Shna Ndout/ Besimtarët mbyllin pelegrinazhin në “Kishën e Mrekullive”

Kjo e enjte shënon fundin e 13 të martave të mira dhe pelegrinazhit të besimtarëve. “Shna Ndoun” e cilësojnë si “kishën e mrekullive”.

Ndër pelegrinë, ka nga ata që në këtë kishë besojnë që fëmijë dhe vijnë shpesh për t`u lutur për çfarë kanë nevojë dhe për të gjetur qetësi.

“Jam lutur për të gjithë familjen time. Vij çdo vit sepse kam besim. Kam rastisur tek një fëmijë që nuk fliste dhe arriti të numëronte. Kam shumë besim”, është shprehur një qytetare për gazetarin Arlind Isa.

Gjithashtu janë marrë të gjitha masat për të garantuar siguri në gjatë pelegrinazhit. Të angazhuar kanë qenë forca policie, gjithashtu edhe emergjencat shëndetësore.

Eksperti thotë se Ervis Martinaj mund të jetojë në ndonjë bunker nëntokësor

Eksperti i sigurisë, Fajton Softa thotë se nuk përjashtohet mundësia që Ervis Martinaj të jetë gjallë, dhe të jetojë i strehuar në ndonjë bazë të nëndheshme.

Duke komentuar rreth fatit të Martinajt, Softa tha se për sa kohë nuk ka asnjë fakt, është e mundur që ai të jetë gjallë, ta kenë vrarë, madje edhe të jetojë në Shqipëri.

Ai solli ndër mend rastin e bosit italian të mafias Matteo Messina Denaro, i cili jetonte në një apartament modest, për vite të tëra, ndërsa drejtësia italiane e kishte shpallur në kërkim

Pjesë nga deklarata e Softës në emisionin “5 Pyetje”:

Nganjëherë i kërkojmë larg dhe mund t’i kemi afër, sepse vendi më i sigurtë është vendi jot ku ke ndërtuar kështjellën tënde. Shpesh ka ndodhur që personat më të kërkuar kanë jetuar afër banesave të tyre, duke ndërtuar edhe strehime të nëndheshme. Edhe persona të tjerë për të cilët është thënë se janë vrarë, janë copëtuar. Ervis Martinaj mund të jetë jashtë, mund të jetë brenda, mund të jetë i vrarë, të gjitha gjasat janë për aq kohë sa nuk ka asnjë të dhënë për fatin e tij.

Nëse do të jetë gjallë, mundësitë e tij financiare janë të tilla, që mund të bëjë edhe ndërhyrje estetike. Njerëzit nga këto ndërhyrje kanë ndryshuar edhe gjininë, jo më pamjen.

Shqipëria ka pasur jo pak raste kur tunelet e nëndheshme janë përdorur, rasti i një arratisjeje nga një burg i sigurisë së lartë, ku morën një ambient me qira afër dhe gërmonin duke shkuar afër burgut. E njëjta gjë ka ndodhur me persona që kishin krijuar një bazë të nëndheshme.

SHQIPËRI-ITALI 1-0! Sky Sport pranon humbjen e parë: 50.000 shqiptarë dhe 31.000 italianë në stadium

Shqipëria do të nis aventurën e saj në Europian kundër Italisë. Kuqezinjtë do të provojnë gjithçka kundër “axurrëve”, që të marrin fitoren e parë dhe të ëndërrojnë për të shkuar më larg të jetë e mundur në turneun që do të zhvillohet në Gjermani.

Dihej që në momentin e parë kur u vendos ky Europiani që do të zhvillohej në Gjermani, se nëse Shqipëria do të shkonte, do të ishte mes Kombëtareve me mbështetjen më të madhe. Armand Duka, kreu i FSHF dhe zëvendës presidenti i UEFA-s u shpreh se dy ndeshjet më të kërkuara për bileta në grupet e Europianit ishin Zvicër-Gjermani dhe Shqipëri-Itali.

Kjo tregon saktësisht se çfarë mbështetje të madhe kanë kuqezinjtë tanë në Gjermani. Ndërkohë tanimë është “Sky Sport”, media italiane, që tregon humbjen e parë që kanë pësuar nga shqiptarët. Bëhet fjalë për humbjen në tribuna, ku dukshëm është një dominim i të kuqëve.

Stadiumi i Dortmundit ku do të zhvillohet ndeshja jonë ndaj Italisë ka kapacitet prej 81.000 vendesh. Nga këto, 50.000 bileta janë blerë nga shqiptarët, ndërsa 31.000 bileta janë marrë nga italianët. Një numër jo i pakët i biletave të marra nga italianët, do të rezultojnë që janë të marrë nga po shqiptarët. Këto statistikat vijnë nga “Sky Sport”, që përveç habisë së madhe për këtë dominim, ia bën të qartë italianëve se kjo nuk është një ulje interesi e italianëve për Kombëtaren, por Shqipëria është mes atyre Kombëtareve që do të ketë mbështetjen më të madhe në Gjermani.

Në Itali e kanë zbukuruar, por në fakt në Gjermani, Shqipëria do të jetë Kombëtarja që do të ketë mbështetjen më të zjarrtë dhe më të shumtë në numër. Një motiv shtesë ky për djemtë e Kombëtares që stadiumet në Gjermani do t’i kenë si në Tiranë, për të provuar gjithçka munden që të shkruajnë historinë me gërma të arta. /Sport Ekspres/

“Do t’i hidhja Enverit helm në kafe, pilulat erdhën nga Franca…” Procesverbali sekret dhe shoqja e qelisë së Fiqret Shehut: “Ja pse pohoi…”

Kadri Hazbiu një nga figurat kyçe të sistemit komunist, u arrestua më 15 tetor 1982. Procesi gjyqësor kundër tij dhe të pandehurve të tjerë ishte një ndër më të bujshmit e epokës së diktaturës, jo vetëm për numrin e madh të të dënuarve, por edhe për cilësitë e veçanta të të gjykuarve, si ish-funksionarë të lartë të Policisë Sekrete.

Procesi ndaj Hazbiut drejtohej nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe përgjegjës i grupit të hetimit ishte ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai.

Në mesnatën e 9 shtatorit 1983, Kadri Hazbiu dhe të dënuarit e tjerë shkuan para skuadrës së pushkatimit, diku në shpatet e kodrave të Linzës. Ka zëra se Hazbiu ka qenë I vdekur kur e kanë nxjerrë nga qelia drejt vendin të ekzekutimit. Zyrtarisht, ai është pushkatuar më 10 shtator 1983 pasi u dënua për tradhti të lartë ndaj atdheut si “armik i popullit dhe i Partisë”.

DITA ka publikuar në rubrikën Histori dosjen sekrete të këtij procesi. Në seancën e 28-të, e parafundit e këtij gjyqi maratonë, Aranit Çela, kreu i Gjykatës së Lartë, sjell ato që ai i quan “provat e fundit për të pandehurit”, ku mes të tjerave flet për një “plan për eliminimin e Enver Hoxhës me helmim të vonuar e marrjen e pushtetit”.

Nga ato që thotë Çela, dallohet se cilët nga të pandehurit nuk i kanë pranuar deri në fund akuzat.

Pohimet e atyre që i kanë pranuar, mes të cilëve edhe vetë bashkëshortja e Mehmet Shehut, me gjasa janë marrë nën torturë dhe vërtetësia e tyre është e dyshimtë.

Por ato figurojnë në procesverbalin sekret të këtij gjyqi.

Më poshtë, pjesë nga çfarë shkruhet aty:

Çela (kryetar i Gjykatës): -Vazhdojmë me provat ndaj të pandehurve… Gjatë gjykimit të çështjes, të pandehurit Kadri Hazbiu e Feçor Shehu kanë mohuar vënien në shërbim të agjenturave të huaja dhe veprimtarinë e gjerë të spiunazhit që kanë kryer. Një qëndrim të tillë mbajti në gjyq dhe i pandehuri Llambi Peçini, duke mohuar ato ç’ka pohuar me hollësi në hetuesi.

Pavarësisht nga ky qëndrim i tyre, faktet dhe rrethanat që u përmendën vërtetohen në mënyrë bindëse nga një sërë provash që u administruan në seancën gjyqësore. Kështu, të pandehurit Mihallaq Ziçishti, Gani Kodra, Xhavit Ismailaga e Ali Çeno, pohuan vënien në shërbim të agjencive të huaja dhe veprimtarinë e spiunazhit që kanë kryer, qoftë vetë prej tyre, qoftë dhe në bashkëpunim me Kadri Hazbiun, Feçor Shehun e Llambi Peçinin. Të njëjtën gjë pohuan dhe armiqtë Fiqret Shehu, Llambi Ziçishti, Nesti Nase e Skënder Shehu kur u gjykuan për veprimtarinë e tyre gjyqësore, apo kur dëshmuan për shtatë të pandehurit në gjykatë…

Tashmë është zbuluar plotësisht mekanizmi i kryerjes së puçit ushtarak dhe roli që do të luanin secili nga të pandehurit. Kështu, ishte përcaktuar që pas likuidimit fizik të Sekretarit të Parë (Enver Hoxhës), do të ndiqej me vëmendje situata në Byronë Politike dhe po qe se nuk do të zhvillohej siç e kishin parashikuar këta tradhtarë, atëherë do të përdorej dhuna.

E mirë informuara Fiqret Shehu, gjatë gjykimit të saj shpjegoi:

“Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu që kryesonin grupin tonë, kishin menduar dhe masat që duheshin marrë e veprimet që duheshin kryer në rast se Byroja Politike nuk do të ishte dakord që Mehmet Shehu të zgjidhej Sekretar i parë… Në këtë rast do të përdorej forca, do të arrestohej personi që do të kundërshtonte propozimin e Kadri Hazbiut për Mehmet Shehun, duke hyrë në veprim Feçor Shehu e të tjerë… Dhe në qoftë se shumica e anëtarëve të Byrosë do të shprehej kundër atij propozimi, do të arrihej deri në rrethimin e Selisë së Komitetit Qendror me tanket e repartit të Gardës së Republikës që do të urdhëroheshin nga Feçor Shehu. Ndërsa Kadri Hazbiu do të mbante në gatishmëri repartin e tankeve në Sauk dhe po të ishte e nevojshme, do të urdhëronte përdorimin e menjëhershëm të tyre… Do të aktivizoheshin edhe Mihallaq Ziçishti me Llambi Peçinin për arrestimin e izolimin e atyre personave që do të bëheshin pengesë për marrjen e drejtimit të Partisë e të shtetit nga Mehmeti dhe Kadriu…”

Nga zhvillimi i gjyqit rezultoi plotësisht e provuar se të pandehurit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno e Xhavit Ismailaga, në bashkëpunim me agjenturat e huaja, kanë kryer veprime terroriste për likuidimin fizik të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.

Ngjarjet e Kosovës në pranverën e vitit 1981, kriza e rëndë politike që ka mbërthyer Jugosllavinë titiste dhe qëndrimi parimor, i hapur e i vendosur i Partisë tonë në përkrahjen e kërkesave të ligjshme të vëllezërve kosovarë, i bënë jugosllavët të kërkonin nga Mehmet Shehu likuidimin fizik të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë të Punës së Shqipërisë dhe përmbysjen e gjendjes së shëndoshë në vendin tonë.

Lidhur me realizimin e kësaj veprimtarie terroriste, armikja Fiqret Shehu ka deponuar në hetuesi e në gjyq se i ka thënë Mehmet Shehut ta shpejtojë nisjen në Paris, pasi donte takim një person i agjenturës së huaj, i cili do të jepte disa porosi dhe një pako të vogël për të. Pasi siguruan helmin me efekt të vonuar, pjesëtarët e organizatës kundër revolucionare të kryesuar nga poliagjenti Mehmet Shehu, përgatitën planin e detajuar të veprës terroriste dhe pastaj të marrjes së pushtetit, duke ndarë rolet e detyrat në vartësi të funksionit që kryente secili.

Me hollësi e kanë sqaruar këtë moment armiqtë Fiqret Shehu, Llambi Ziçishti e Nesti Nase gjatë gjykimit të tyre: “Aty nga mesi i vitit 1981, nga ku unë u ktheva nga Franca dhe solla pilulat e helmit me efekt të ngadalshëm, Mehmet Shehu më tha se e kishte biseduar me Kadri Hazbiun çështjen e likuidimit fizik të Udhëheqësit të Partisë dhe të rrugëve që mund të përdoreshin për arritjen e saj, ashtu siç e kishte biseduar këtë problem edhe me Llambi Peçinin”.

Armikes Fiqret Shehu ju ngarkua detyra që gjatë pushimeve në Vlorë, kur Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë të shkonte për vizitë tek Mehmet Shehu, të gjente momentin për t’i hedhur në kafe helmin me efekt të vonuar.

Armiku Llambi Ziçishti do manipulonte rezultatet e analizave teknologjike dhe të autopsisë mjekoligjore. Detyra të rëndësishme kanë pasur dhe anëtarët e tjerë të kësaj organizate. Kështu, i pandehuri Ali Çeno do lajmëronte në momentin e duhur Kadri Hazbiun e Feçor Shehun që të ndërhynin me forcë, duke përdorur dhe teknikën luftarake, kurse të pandehurit Llambi Ziçishti e Llambi Peçini, ishin ngarkuar të bënin arrestimet e nevojshme.

I dënuari Nesti Nase ka shpjeguar: “Mehmet Shehu më tha: Ka ardhur koha që ndryshimet të bëhen me pahir, ose me anë të forcës. Dhe, për këtë problem kam biseduar edhe me Feçorin e Kadriun, të cilët janë ngarkuar se si do të veprojnë. Ti Nesti duhet të mendosh për të vepruar menjëherë për të justifikuar ndryshimet që do të bëhen në udheheqje dhe qëndrimet që do të mbajmë”.

Këto janë ato që deklaron kreu i Gjykatës sipas procesverbalit, ku bie në sy veçanërisht pohimet e Fiqret Shehut, bashkëshortes së Mehmet Shehut.

Në një dëshmi të dhënë vite më pas në media, Vjollca Leka, ish-shoqja e qelisë së Fiqret Shehut, ka thënë se pohimet e saj janë marrë nën premtimin se fëmijët nuk do keqtrajtoheshin.

Ajo kujton tjetërsimin që e kishte bërë të venë e Mehmetit të shpërfytyruar dhe mban mend reagimet e saj kur e ka pyetur se çfarë kishte ndodhur.

“Thashë që janë të gjithë armiq, që nga burri im e deri tek roja i thjeshtë që, më paraqitën në proces. Ashtu duhet të ishin. Ashtu i kërkonin të ishin. Ashtu i denoncova edhe unë. Çfarë të bëja tjetër. Mbase mbajnë fjalën dhe nuk u bëjnë gjë fëmijëve”.

Marrë me shkurtime nga rubrika HISTORI e gazetës DITA

“Boshnjakët e Serbisë” që e flasin gjuhën Shqipe me mirë se në Shqipëri..(VIDEO)

Historia e shqiptareve eshte nje histori e ndare mes visesh te ndryshme te Ballkanit dhe jo vetem…here e njohur, por edhe e panjohur, e dukshme, por edhe e padukshme.

Shqiptaret i gjen sot kudo ne tè gjithe rajonin. Sic jane edhe shqiptaret ge jetojne ne zonen e Sanxhakut ne Serbi. Per ta, ështe folur pak ose aspak, ndak le t’i zbuloime…..

Dikur, Sanxhaku ka qene pjese e vilajetit te Kosoves, qe se bashku me vilajetin e Janines, Manastirit dhe Shkodres perbenin Shqiperine e viteve te lidhjes se Prizerenit ne 1878-n.

VIDEO

“I shkruajta letër Berishës, më telefonoi djali i tij”, dëshmia e Luan Hoxhës te amerikanët: “Kam frikë…”

Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu është marrë i pandehur për shpërthimin me pasoja katastrofike të Gërdecit. Ai ka mohuar të ketë patur dijeni, por nuk është ashtu.

Një kabllogram i Wikileaks botuar nga DITA, tregon një raportim të Ambasadës në Tiranë për DASH, lidhur me atë që ndodhi nê Gërdec.

Kabllogrami i klasifikuar sekret raporton një bisedë në Ambasadë mes ambasadorit, stafit të ngushtë të tij dhe ish-shefit të Shtabit të Ushtrisë, Luan Hoxha.

Hoxha thotë se Shkëlzen Berisha e ka kërcënuar dhe shton se ish-ministri Mediu ka ndjekur gjithë procesin në detaje.

Më poshtë teksti i kabllogramit, publikuar nga DITA:

“…Në një takim të kërkuar me ambasadorin, Hoxha tregoi historinë e tij që qëndronte pas shkarkimit që iu bë kohët e fundit duke e lidhur këtë me shpërthimin e Gërdecit.

Në ndryshim nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili nëpërmjet deklaratave publike u vë fajin operativëve të ushtrisë për Gërdecin, Hoxha deklaroi në Ambasadë se që nga fillimi se ish-ministri Mediu ka marë të gjitha vendimet, nga zgjedhja e Gërdecit si vend për shkatërrimin e municioneve, deri tek llojet e municioneve që do të shkatërroheshin dhe planifikimi i kohës se kur do të bëhej shkatërrimi.

Hoxha pranoi se stafit të tij ishte thënë të transportonte municionin në atë vend dhe të ruante vendin, asgjë më tepër. Hoxha tha se kur ai vizitoi Gërdecin në mes të 2007-ës, ushtarët e tij po bënin këto dy detyra, dhe në sipërfaqe u duk se s’kishte asgjë të gabuar.

Ai akuzon se gjatë pjesës së dytë të projektit, nisur në dhjetor 2007, ishte urdhëruar nga Mediu, pavarësisht shqetësimit të tij drejtuar me një letër kryeministrit Berisha, zonjës Topalli dhe Mediut.

Pas kësaj, presioni mbërriti përmes telefonit nga një ‘djalë i ri”, i cili më pas u konfirmua si Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit, që e urdhëroi të vijonte dërgimin e municionit të kalibrit të lartë në Gërdec, “pa asnjë vonesë”.

I pyetur nëse e kishte raportuar këtë informacion për Prokurorinë e Përgjithshme, Hoxha u përgjigj “po”, ai kishte dhënë të gjitha informatat dhe dokumentet për hetuesit, me përjashtim të informacionit lidhur me djalin e Berishës. Mbi këtë ai tha se nuk ndihej i sigurtë që të fliste.

Ambasadori i tha se nëse hetimet e prokurorisë do të jenë të suksesshme ata që dinë të vërtetën duhet të flasin hapur. Hoxha ishte dakord se në interes të drejtësisë ai duhej të fliste hapur, por nuk konfirmoi që do ta bënte këtë. (shënim: Hoxha tha se ka plot të tjerë që e dinë këtë informacion).

Koment i ambasadës: Ky është incidenti i dytë që një zyrtar shpreh një shqetësim të fortë, rrethuar me frikë, për sigurinë personale dhe profesionale, në fshehtësi të plotë me Ambasadorin.

I pari erdhi nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Disa jashtë mbështesin versionin e ngjarjeve të Hoxhës. Si shef i ushtrisë, marrëdhëniet me ish-ministrin Mediu ishin gjithmonë të tendosura; ai duket se në mënyrë frekuente ishte jashtë loje duke patur mungesë autoriteti për të përmbushur detyrat në zyrën e tij.

Sipas të dhënave, Prokurorja e Përgjithshme duket se e ka fokusuar investigimin e saj larg ushtrisë dhe Mediut. Nëse versioni i Hoxhës përmban elementë të vërtetë mund të ndihmojë në dhënien përgjigje të elementëve relevantë dhe pyetjes më të madhe: Përse PD ka avancuar me sulmet konstante ndaj institucioneve të pavarura pikërisht në këtë kohë, duke alarmuar komunitetin ndërkombëtar dhe duke e drejtuar atë drejt pikëpyetjeve për kredencialet demokratike të Shqipërisë kur ndodhet përpara ratifikimit të marrëveshjes më NATO-n…”

(fundi i kabllogramit)/ dita

FOTO: Prill 1939, si u pushtua Shqipëria

Vendimi për pushtimin e Shqipërisë nga Mbretëria e Italisë u mor më 23 Mars 1939, vetëm pasi qeveria gjermane e siguroi Italinë se deti Mesdhe, si dhe deti Adriatik, njiheshin si dete italiane dhe në këtë mënyrë Italia i kishte duart e lira për të vepruar edhe në Shqipëri.

Në këtë periudhë Marina Mbretërore Italiane kishte kontroll të plotë në detin Adriatik dhe Jon.

Trupat e ekspeditës ushtarako-detare italiane, u grumbulluan dhe imbarkuan në portet e Pulias (Bari, Brindisi dhe Taranto) në fillim te muajit prill.

Lëvizja për zbarkimin në Shqipëri filloi në orën 11:00 të datës 6 prill 1939 dhe përfundoi në orën 18:30 të po të njëjtës datë. Zbarkimi u realizua në katër porte Shqiptare, Shëngjin, Durrës, Vlorë dhe Sarandë, në mëngjezin e datës 7 prill 1939. Ushtria Italiane komandohej nga Gjeneral Alfredo Guzzoni.

Në operacionin e zbarkimit morën pjesë rreth 22.000 trupa, të cilat përfaqësonin 2 divizione këmbësorie, 4 regjimente bersalierësh, 3 batalione tankesh, 1 grup qerresh të korracuara, 1 batalion special “San Marko”, 2 batalione këmishëzinjsh, 1 regjiment granatierësh, 2 grupe artilerie të kalibrit të mesëm, etj.

Në total zbarkuan 64 njësi artilerie, 125 tanke, 860 automjete, 1.200 motorçikleta, 5.500 biçikleta dhe 2.500 hajvanë.

Operacioni i zbarkimit u krye nga 34 anije transporti, nga të cilat 5 çisterna, 7 anije shumëfunksionesh dhe 22 anije transporti. Operacioni i zbarkimit drejtohej nga Gjeneral Giovanni Mese.

Operacioni i zbarkimit ishte e shoqëruar nga një flotilje e Marinës Mbretërore prej 39 anijesh, nga të cilat 2 korracata, 7 kryqëzorë, 16 destrojerë, 14 gjuajtësa, si dhe 10 nëndetëse. Flotilja detare komandohej nga Admiral Ettore Sportiello. Operacioni i zbarkimit u mbështet gjithashtu nga 140 avionë të bazuar në Brindisi dhe Foggia.

Numri total i forcave pjesëmarrëse në operacionin e zbarkimit dhe mbështetjes ishte 45.000-50.000 vetë.

Zbarkimi i trupave italiane ishte planizuar që të bëhej i njëkohshëm në të gjitha portet shqiptare, në Durrës, Vlorë, Sarandë dhe Shëngjin. Metoda e zbarkimit u zgjodh direkt në porte, sepse nuk kishte pritshmëri për ndonjë kundërveprim nga ushtria shqiptare.

Skalionet e para, pas një bombardimi të fuqishëm nga ajri dhe deti të buzës së ujit dhe thellësisë, ju drejtuan porteve. Pati vetëm luftime sporadike të patriotëve dhe vullnetarëve shqiptarë të cilët pas pak orësh luftimi e pushuan rezistencën.

Ushtria shqiptare nuk pati ndonjë plan dhe nuk bëri ndonjë tentativë për të organizuar mbrojtjen kundërdesante dhe për të thyer sulmin italian.

Në datën 8 prill trupat italiane hynë në Tiranë, në datën 9 prill hynë në Shkodër dhe në Gjirokastër dhe në 12 prill kishin kapur të gjithë territorin shqiptar. Në Shqipëri, brenda një kohe të shkurtër, mbas pushtimit, Shtatmadhorija Italiane do të disllokonte sasira të mëdha forcash dhe mjetesh me qëllim sulmin ndaj Mbretërisë Greke dhe shtrirjes fashiste në Ballkan.

Lufta e Dytë Botërore kishte nisur, pavarësisht se zyrtarisht do të shpallej më 1 shtator 1939, ditën e sulmit të Gjermanisë kundër Polonisë.

, FOTO: Prill 1939, si u pushtua Shqipëria
, FOTO: Prill 1939, si u pushtua Shqipëria
, FOTO: Prill 1939, si u pushtua Shqipëria
, FOTO: Prill 1939, si u pushtua Shqipëria
, FOTO: Prill 1939, si u pushtua Shqipëria
, FOTO: Prill 1939, si u pushtua Shqipëria

Materiali dhe fotot, nga Artur Meçollari

Mbledhja e Byrosë në ’84-ën, për sëmundjen e “Komandantit”: Shtypi i huaj po flet shumë rreth gjendjes shëndetësore të shokut Enver, një gazetë greke shkruante sikur kishte vdekur, kurse TV italian…

Nga Dashnor Kaloçi

Plot 39 vjet më parë, në mesnatën e 11 prillit të vitit 1985, pas dy ditësh në koma, pushoi zëmra e udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, diktatorit Enver Hoxha, njeriut që e kishte qeverisur me dorë të hekurt vendin e tij, që nga nëntori i vitit 1944, kur ai erdhi në pushtet menjëherë pas largimit të forcave gjermane, gjë e cila shënoi edhe mbarimin e Luftës.  Vdekja e tij erdhi edhe si pasojë e një sëmundje (diabeti), që atij i ishte shfaqur që në vitet e para të pasluftës, e cila u bë shkak edhe për një infarkt akut, që ai pësoi në vitin 1973, duke i shpëtuar paq vdekjes, por që në fillimet e viteve ’80-të, iu acarua së tepërmi, duke i dhënë edhe mjaft komplikacione, kjo solli dhe vdekjen e tij në mesnatën e 11 prillit 1985.

Por keqësimi i shëndetit të Enver Hoxhës, filloi që nga ditët e para të shkurtit të vitit 1984, gjë e cila shkaktoi një alarm të vërtetë tek “shokët e udhëheqjes”, duke bërë që Ramiz Alia, njeriun të cilin Enveri, pas eliminimit të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, në dhjetorit të vitit 1981, e kishte “pagëzuar dhe promovuar si pasardhësin e tij, të mblidhte disa herë në takime pune anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike, për t’i informuar ata për situatën e rëndë shëndetësore, që po kalonte “Komandanti”, apo dhe komunikuar herë pas here, mbi sëmundjen e tij dhe “masat që po merrte Partia”, për ta kaluar atë situatë tejet të vështirë.

Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe nga disa dokumente me siglën “Tepër sekret e një rëndësie të veçantë”, të nxjerra nga Arkivi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, (Fondi 14, Ap. O.U)

Gjëja e parë që bie në sy nga këto dokumente me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike, të mbajtur në datën 17 shkurt 1984, është fakti se Ramiz Alia, tashmë kishte marrë në dorë “frenat” e shtetit shqiptar dhe në një farë mënyre ai ishte tashmë edhe “de facto” kreu i Partisë së Punës së Shqipërisë, duke vendosur vetë për gjithçka. Dhe tjetra që vihet re në këto dokumente, është preokupimi mjaft i madh i Ramiz Alisë dhe gjithë “shokëve të udhëheqjes”, për ta mbajtur sa më të fshehtë sëmundjen e Enverit dhe gjendjen shëndetësore të tij.

Pasi ka bërë një rezyme të gjendjes shëndetësore të Enver Hoxhës dhe ekipin e mjekëve shqiptarë që ishin angazhuar në atë drejtim, Ramiz Alia, ka diskutuar me “shokët e Byrosë”, edhe për mundësinë e sjelljes nga jashtë shtetit të disa mjekëve specialistë, kryesisht nga Franca, por nuk është pranuar nga vetë Enveri, dhe as nga Ramizi me Nexhmijen, pasi i druheshin lajmeve të shtypit botëror, sepse një gazetë greke, kishte shkruar se Enver Hoxha kishte vdekur.

Nisur nga këto, në ato mbledhje, Ramiz Alia i ka porositur “shokët e Byrosë”, që të kenë kujdes në ruajtjen e sekretit “për shëndetin e shokut Enver”, madje të mos bisedojnë as me familjarët e tyre dhe në shtëpi e në publik, të rrinë të qeshur, që populli të mos kuptojë gjë.

Por për më shumë, na njohin dokumentet i më poshtëm me proces-verbalet e mbledhjeve të Byrosë Politike të datës 17 shkurt dhe 11 nëntor të vitit 1984, të cilat po e publikojmë.

(Vijon nga numri i kaluar)

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË PPSH, MBI GJENDJEN SHËNDETËSORE TË ENVER HOXHËS

“Tepër sekret, i rëndësisë së veçantë”

Proces-verbal i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, i datës 11 nëntor 1984

Këtë mbledhje të Byrosë Politike, e thirri Sekretari i Komitetit Qendror të PPSH-së, shoku Ramiz Alia, për të informuar shokët kryesorë të udhëheqjes së partisë, mbi gjendjen shëndetësore të shokut Enver.

Ata u mblodhën në sallën e vogël të pushimit, në katin e sipërm, dhe fjala e shokut Ramiz u stenografua.

SHOKU RAMIZ ALIA: Mendova të bisedoja me të gjithë ju, shokë për t’ju informuar mbi gjendjen shëndetësore të shokut Enver. Të gjithë e keni ndjekur dhe në përgjithësi jeni në dijeni për gjendjen e tij shëndetësore.

Tani dëshiroj t’ju bëj të njohur, që të keni parasysh edhe si qëndron kjo çështje ditët e fundit, pse siç e patë dhe vetë, në mbledhjen e Plenumit të 9-të të Komitetit Qendror, në 27 shtator, gjendja e tij është rënduar ca.

Shëndeti i shokut Enver karakterizohet nga një dobësi e përgjithshme e organizmit. Rezistenca e tij fizike ka rënë mjaft, gjë që siç e patë, shprehet deri në të folurin e tij me vështirësi.

Këtë gjendje ai na e ka vënë edhe vetë në dukje, kur erdhi herën e fundit në aparat dhe midis të tjerash na tha se ka dëshirë të na flasë për shumë gjëra, por nuk flet dot. Kohët e fundit shokut Enver, i janë vështirësuar edhe lëvizjet e gjymtyrëve.

E vërteta është se gjatë këtyre ditëve, ai pati edhe njëfarë gripi, që natyrisht ka ndikuar jo për mirë në rëndimin e kësaj gjendjeje. Për të gjitha këto arsye, mendova t’ju vija në dijeni juve shokë të Byrosë, për të pasur një tablo të plotë mbi këtë gjendje.

Burimi kryesor i rënies shëndetësore të shokut Enver, është sëmundja e diabetit. Sikurse e dini të gjithë, ai vuan prej një kohe të gjatë, që nga viti 1948, nga diabeti.

Kjo sëmundje në përgjithësi i ka prekur enët e gjakut, duke ia pakësuar mundësinë e qarkullimit, gjë që i dobësuar organizmin. Mjekimet kundër kësaj sëmundjeje i janë bërë vazhdimisht me rigorozitet.

Po ato i janë bërë në rregull edhe në sajë të rigorozitetit dhe të vullnetit e kujdesit të vazhdueshëm të vetë shokut Enver, i cili u është përmbajtur me përpikëri rekomandimeve të mjekëve dhe i ka zbatuar këshillat e tyre me një disiplinë shembullore.

Kjo ka bërë të mundur, të shmangeshin për një kohë të gjatë ato efekte negative që mund të vërtetoheshin shumë më shpejt, po të lihej pas dore terapia e caktuar.

Sidoqoftë, këtu te diabeti qëndron burimi kryesor i gjendjes së vështirë, që po kalon tani shoku Enver. Si rrjedhim i sëmundjes së diabetit, shoku Enver ka kaluar një infarkt të miokardit, 11 vjet më parë, në tetor 1973. Shumë nga shokët këtë ngjarje nuk e dinë, po një pjesë e mirë, si Adili, Manushi, etj., kanë dijeni për këtë sëmundje, nga e cila u prek ai në atë kohë.

Edhe në këtë rast, shoku Enver u mjekua me shumë kujdes dhe përsëri duhet vënë në dukje, se ka qenë gjithashtu shumë i disiplinuar në zbatimin e kurave. Mund të them madje, se atëherë u trajtua me aq efektivitet kundër infarktit, saqë më vonë nuk ka pasur më asnjë shqetësim dhe ka vazhduar të punojë normalisht.

Duhet përmendur se përpara tre vjetëve, aty nga viti 1980-1981, kanë filluar t’i duken disa fenomene të tjera të quajtura ‘edema pulmonare’, që s’janë gjë tjetër, veçse grumbullim ujërash në mushkri, që i shkaktojnë vështirësi në frymëmarrje.

Për këtë arsye mjekët tanë, kanë qenë të detyruar të merrnin herë pas here masa, për shkarkimin e ujërave të tepërta nga mushkëritë, që të lehtësohej dhe të rikthehej në gjendje normale.

Shkaku i ‘edemave pulmonare’ vjen nga dobësimi i muskulit të zemrës, që nuk ka fuqinë e duhur për të thithur ujërat e tepërta që i krijohen në mushkëri dhe i shkaktojnë vështirësitë në të marrit frymë.

Nga fillimi i këtij viti, pati një periudhë që këto fenomene iu bënë më të shpeshta dhe e rënduan gjendjen e tij shëndetësore, por ky fenomen tani nuk po vihet re më. Siç jeni në dijeni, në shkurtin e këtij viti, shoku Enver pati edhe një ishemi cerebrale.

Pali me Muhon nuk ishin, kur ne u mblodhëm të nesërmen me këtë rast. Megjithatë, edhe ata mësuan për atë moment tepër të rrezikshëm, për jetën e shokut Enver, por gjendja u dominua mirë, në sajë të ndërhyrjes shumë të shpejtë e shumë efektive të mjekëve tanë.

Pas kësaj goditjeje, shoku Enver u përmirësua, por duhet pranuar se në përgjithësi gjendja e tij shëndetësore, erdhi duke u keqësuar, pasi ishemia i krijoi vështirësi në lëvizjen e gjymtyrëve të këmbës dhe të dorës, që iu prekën, dhe i është krijuar një lodhje e përgjithshme.

Për këtë arsye, disa herë i kishim propozuar shokut Enver, të sillnin nga jashtë mjekë për ta vizituar. Kam biseduar unë vetë veçanërisht me të, ka biseduar veçanërisht gjithashtu Nexhmija, në të njëjtën kohë kemi biseduar një herë tjetër të dy bashkë me Nexhmijen, po ai nuk e ka pranuar kurrsesi, propozimin tonë. Ai e argumenton me dy arsye.

Së pari, me besimin e plotë që ka te mjekët tanë, në diagnozën që i kanë bërë ata dhe në mjekimin që i kanë bërë dhe vazhdojnë t’i bëjnë. Së dyti, është pastaj aspekti politik i këtij hapi, që ai mendon se duhet parë me kujdes para se të veprohet.

Edhe pa marrë mjekë nga jashtë, të gjithë kemi parë çfarë shkruan shtypi në botë, rreth gjendjes së personit të tij, madje një gazetë greke, aty një muaj më parë, shkruante sikur kishte vdekur. Edhe televizioni italian ka folur për gjendjen e rëndë shëndetësore të shokut Enver.

Pra, pa sjellë mjekë dhe bëhet zhurmë jashtë, prandaj merret me mend çfarë mund të flitet e të shkruhet pastaj në opinionin botëror, sikur të thërritet ndonjë. Duhet pasur parasysh pastaj, në radhë të parë, shqetësimi që do të shkaktohej në popullin tonë.

Dy-tri javë përpara, biseduam përsëri me shokun Enver, e më së fundi ai pranoi të bëhet diçka në këtë drejtim, po jo të vinin këtu mjekë të huaj për ta vizituar, por të dërgoheshin jashtë, në Francë, mjekët tanë për të bërë një konsultë me specialistët francezë.

Për këtë arsye, dërguam në Paris tre nga mjekët tanë, që merren me kurimin e shokut Enver, mjekun e tij personal, Isuf Kalon, mjekun kardiolog, Ylli Popën dhe Bajram Prezën, si neurologu, që ka ndjekur kurat kundër ishemisë cerebrale.

Mjekët tanë morën të gjitha të dhënat e nevojshme dhe me anën e ambasadës sonë në Paris, organizuan një konsultë me kryetarin e Shoqatës Francë-Shqipëri, mjekun profesor Pol Miliezin në krye, të cilit i folën hapur dhe natyrisht në mënyrë konfidenciale, se fjala ishte për shokun Enver.

Kjo u bë që ai me ekipin e tij, të kuptonin se duhej ruajtur sekreti i çështjes, prandaj i’u theksua se vetëm ata e dinin këtë gjë.

S’ka dyshim se qeverisë së tyre, specialistët francezë do t’i kenë folur, po të paktën në shtyp, ata nuk mund të thonë gjë, se një gjë e tillë do të ishte shumë negative për ta. Kështu pra, specialistëve francezë, iu paraqit gjithë dokumentacioni, duke filluar që nga historiku i sëmundjes, elektro-kardiogramet që i janë bërë gjatë kësaj kohe, etj.

Dihet se në mjekësinë modern, nuk ecet më me metodat e vjetra, duke i vënë veshin ose prekur trupin e të sëmurit; sot bëhen më parë analizat e nevojshme dhe mbi bazën e tyre organizohen konsulta.

Kështu u veprua atje edhe për rastin e shokut Enver, dhe kjo konsultë ishte shumë efektive. Ç’doli prej saj? Të gjithë specialistët francezë në konsultë, ishin plotësisht të një mendimi me diagnozën e mjekëve tanë, nga fillimi e deri në fund.

E dyta, të tërë ishin dakord me mënyrën e mjekimit, me terapinë që është ndjekur, qoftë kundër diabetit, ashtu edhe me atë për forcimin e zemrës, kundër edemave, etj…!

Madje specialistët francezë, thanë se, edhe sikur vetë ta kishin ndjekur pacientin, vështirë se mund të bënin më tepër nga këto që kanë bërë mjekët tanë, të cilët kanë përdorur teknikën moderne të mjekimit dhe ilaçet e fundit që kanë siguruar, i kanë dhënë në dozat e përshtatshme me efikasitet.

Jo se ne kishim ndonjë dyshim në trajtimin e mjekëve tanë ndaj shokut Enver, sepse kurdoherë kemi qenë të bindur që efektiviteti i mjekimeve nga ana e tyre, ka qenë i mirë, po fakti që edhe specialistët francezë, kishin të njëjtin mendim me tanët, na qetësoi dhe na bindi, se nuk kemi të bëjmë me ndonjë gjë tjetër.

Për sa i përket zemrës, si mendimi i specialistëve francezë, ashtu edhe i tanëve është i njëllojtë. Ky organ ka arritur në fazën e një insuficience të theksuar, muskuli i zemrës është dobësuar së tepërmi dhe është pikërisht ky burimi i pafuqisë së përgjithshme, që ka deri tani shoku Enver.

Pra faktori kryesor në këtë gjendje që shkakton edhe fenomenet e tjera negative të shokut Enver, është zemra. Madje kur u diskutua për diagnozën, francezët thanë se ishemia cerebrale që goditi disa muaj përpara shokun Enver, aty e ka burimin, nuk kemi të bëjmë me stenozë të arteries karotide, siç kishin menduar mjekët tanë.

Memorie.al