Studiuesi pretendon se ka gjetur varrin e Aleksandrit të Madh, ndodhet në…Venecia

Producenti i njohur dhe kërkuesi i historisë Josh Gates i cili punon për Discovery Channel, pretendon se ka zbuluar varrin e Aleksandrit të Madh.

Sipas teorisë së tij, është e kotë të kërkohet në sajte arkeologjike, pasi sarkofagu i Aleksandrit të Madh ndodhet në Katedralen e Shën Markut, në Venecia.

Atje, ai u transferua nga Aleksandria e Egjiptit, e cila, në bazë të dëshmive të forta arkeologjike, ishte vendvarrimi i gjeneralit të madh maqedonas.

Në kriptën e tempullit të Venedikut, ndodhet… trupi i Aleksandrit të Madh, sipas tij.

Studiuesi kombinoi të dhënat, nëpërmjet programeve moderne të realitetit të agumentuar, nga një varr në Aleksandri me atë të Shën Markut dhe identifikoi elemente të përbashkëta, duke përfshirë… Yllin e Verginës.

Video e dokumentarit:

Tërmet i fortë në Greqi, i dyti gjatë 24 orëve

Një tërmet me magnitudë 4.3 të shkallës Rihter, është regjistruar në zonën e Kyllini në Greqi.

Sipas informacioneve të Institutit Gjeodinamik, epiqendra e tërmetit ndodhet 12 kilometra jugperëndim të Andravidës.

Kujtojmë se një tërmet me magnitudë 4.9 ballë të shkallës Rihter ka ndodhur edhe në të njëjtën zonë pasditen e së shtunës, konkretisht mes Kyllini dhe Zakynthos, në Greqi.

“Një lojtar dhe njeri i mrekullueshëm”, Saka elozhe për Xhakën: E admiroj

Granit Xhaka dhe Zvicra e tij mbyllën aventurën në Euro 2024 në fazën e çerekfinaleve pasi nuk mundën të shkonin përtej pas përplasjes me Anglinë.

Helvetët u eliminuan vetëm pas goditjes së 11-metërshave, teksa edhe njëherë tjetër, mesfushori me origjinë shqiptare ishte nga më të mirët në fushë, pavarësisht se luajti me një problem muskulor.

Pas përfundimit të ndeshjes, Bukayo Saka deklaroi se e admironte së tepërmi Granit Xhakën, duke theksuar se ai ishte një njeri i mrekullueshëm.

“Graniti ka fituar shumë trofe këtë sezon.

Ai është një lojtar i shkëlqyer, por mbi të gjitha një njeri i mrekullueshëm.

Përulësia që tregoi pas ndeshjes kur erdhi dhe na takoi të gjithëve tregon shumë për karakterin e tij.

Kam shumë respekt për Xhakën dhe e admiroj atë dhe skuadrën e Zvicrës”, u shpreh Saka, i cili më parë ka luajtur me Xhakën te Arsenal.

Beqaj, pronar faktik i “Gzona”/ SPAK përgjoi dhe vajzën e tij, pyeste klientët për restorantin

Gjykata e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar la në burg dje ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, pas një seance maratonë që zgjati pothuajse 6 orë. Beqaj kërkoi lirimin e tij, kundrejt garancisë pasurore, duke mohuar akuzat e SPAK për fshehje pasurie apo mashtrim me pasoja të rënda.

Sipas Ora News, një prej provave që i ka shërbyer SPAK-ut, për të faktuar se Ilir Beqaj është pronar faktik i restorant ‘GZONA’ janë edhe komunikimet e kryera nga punonjësit e restorantit të cilët duket se i raportojnë për largimet nga puna, siç rezulton nga bisedat e përgjuara, ku administratori Gazment Prenga ka kryer me shtetasin Vladimir Prenga (ish-punonjës në këtë restorant).

Gjatë komunimeve ai shprehet se Ilir Beqaj “i ka të gjitha” dhe “çdo gjë e vendos Ermali”, duke kuptuar kështu se bisedat e komunikimet me personelin e restorantit dhe kontrollin mbi këtë subjekt ai i kryente nëpërmjet Ermal Kurtulajt.

Po ashtu rezulton se edhe familjarët e personit nën hetim, bashkëshortja dhe vajza e tij, në komunikimet e tyre flasin për “Gzonën” dhe për ndryshimet e bëra aty, fakte të cilat tregojnë për lidhjen e tyre me këtë restorant.

Në biseden (dt. 07.07.2023) rezulton se biseda zhvillohet mbi ditën ky kontakti “Deborah Beqaj” pyet se “Si kaluat mbrëmë?”, ndërkohë kontakti “Ada Cuci” i pergjigjet se:

“Mirë shumë. Te Gzona është bërë shumë nice me ndryshimet e reja… Oo kanë bërë shumë. Ka ardh një çun i ri që merret aty … Është shtruar poshtë me drasa dhe është bërë me 2 pjesë’‘.

Liberalizimi i vizave me BE, serbët e Kosovës “heqin dorë” nga Beogradi, kërkojnë pajisjen me dokumente nga Prishtina

Interesimi i qytetarëve për t’u pajisur me dokumente pas liberalizimit të vizave në Kosovë, është rritur dukshëm.

Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, rreth 270 mijë qytetarë kanë aplikuar për t’u pajisur me pasaporta dhe afro 130 mijë të tjerë me letërnjoftime.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe edhe qytetarët serbë kanë shprehur interesim të integrohen dhe të pajisjen me dokumente të Kosovës.

Kështu bëri të ditur drejtori i Agjencisë për Regjistrim Civil, Blerim Camaj, derisa tregoi se fluksi më i madh i qytetarëve me kërkesa për dokumente ka qenë në muajt janar, shkurt dhe mars të këtij viti.

“Kërkesat për pajisje me dokumente që nga janari kanë shkuar në ngritje, kështu që këtë vit kemi rritje të kërkesave.

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, kanë aplikuar diku rreth 125 mijë e 143 qytetarë për letërnjoftime.

Ndërsa, për t’u pajisur me pasaporta, diku kanë aplikuar 263 mijë e 850 qytetarë.

Ky është totali i gjashtëmujorit të parë. Tani jemi në normalitet, por kërkesat në fillim ishin shumë të mëdha, patëm një farë afati të stërzgjatur në pajisje me dokumente të qytetarëve, që iu desh të prisnin, por tani jemi në afat ligjor.

Pothuajse, afati për pajisje me pasaporta shkon diku 7 ditë pune, gjithashtu edhe për letërnjoftime.

Muaji janar, shkurt dhe nga mesi i marsit, ishte fluksi më i madh i qytetarëve për t’u pajisur me pasaporta, sepse ishte edhe liberalizmi i vizave”, theksoi Camaj.

Ai potencoi se pas liberalizmit të vizave në Kosovë është vërejtur interesim edhe nga qytetarët serbë për marrjen e dokumenteve të Kosovës.

Sipas tij rreth katër mijë qytetarë serbë kanë aplikuar për letërnjoftime në komunat veriore, ndërsa mbi tre mijë janë pajisur me pasaporta.

“Edhe qytetarët serbë janë të interesuar të integrohen dhe të pajisen me dokumente (të Kosovës).

Sidomos pas liberalizmit të vizave, qytetarët serbë kanë aplikuar nëpër komunat veriore, mendojnë diku rreth 4 mijë qytetarë janë pajisur me letërnjoftime.

Ndërsa, me pasaporta që në mujorin e parë janë pajisur diku rreth 3 mijë e 200 qytetarë.

Qytetarët serbë gjithashtu janë të pajisur diku në 4 komuna veriore me letërnjoftime mbi 46 mijë qytetarë, me pasaporta janë mbi 7 mijë e 500.

Ndërsa, në komunat me shumicë serbe në tërë territorin e Kosovës, janë të pajisur rreth 102 mijë me letërnjoftime dhe mbi 37 mijë me pasaporta”, potencoi ai.

Camaj tregoi se afro dy mijë qytetarë serbë kanë aplikuar për konvertimin e patentë shoferit, që nga vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme në muajin maj.

Ai potencoi se nga viti 2011 deri në 2020-n, janë konvertuar mbi 18 mijë patentë shoferë.

“Patentë shofer, nëse mendojmë konvertimi i patentë shoferëve që nga 10 maji kur është nxjerrë vendimi i ministrit për t’ia mundësuar qytetarëve serbë konvertimin nga patentë shoferët e strukturave jolegale të Republikës së Kosovës, deri më sot (05 korrik) kanë aplikuar rreth 1 mijë e 956 qytetarë.

Konvertimi i tyre është bërë nëpër faza, sidomos në bazë të marrëveshjeve.

Diku në marrëveshjet e para që nga viti 2011 deri në 2020, janë konvertuar mbi 18 mijë patentë shofer”, tregon Camaj.

Përveç këtyre, Camaj tha se në muajt e parë të këtij viti, për shkak të fluksit të madh të qytetarëve për dokumente, procesi shkonte më ngadalë, porse shton se tanimë gjërat i janë kthyer normalitetit.

Ai potencoi se afati për pajisje me pasaporta dhe letërnjoftime shkon në afro shtatë ditë pune. /KSP

Shpërthen në flakë makina në dalje të tunelit të Llogarasë, shpëtojnë për mrekulli familjarët

Një makinë ka marrë flakë sapo ka dalë nga tyneli i Llogorasë.

Merecedes TIP Fuoristradë ishte automjeti i cili u shkrumbua nga flakët që e përfshinë

Në makinë duke udhëtuar ishin edhe dy femijë të cilët kanë dalë së bashku me familjarët sapo kanë parë tymin.

Dyshohet se shkak i shpërthimit është shkëndija elektrike.

Himarë/Informacion paraprak

Sot, në aksin rrugor Dukat-Dhërmi, dyshohet se aksidentalisht si pasojë e një shkëndije elektrike, ka marrë flakë, në ecje e sipër, automjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin E. S, 55 vjeç. Nga flakët janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Përse u nda nga Bes Kallaku? Si reagoi Xhensila Myrtezaj para kamerave

Këngëtarja e njohur Xhensila Myrtezaj, është pyetur në lidhje me ndarjen me Besart Kallakun, në Pushime On Top, por ka refuzuar të përgjigjet.

Ajo ende nuk ka bërë një reagim zyrtar, në lidhje me krisjen e marrëdhënies së tyre.

“Donim të shuanim një prej kureshtjeve më të mëdha të showbizit të muajve të fundit, por fatkeqësisht morëm një përgjigje negative, një refuzim, nuk e dimë nëse kjo do të jetë një mënyrë që çifti të vazhdojë ta mbajë publikun të ingranuar, duke rritur më tej shitjet e tyre nga ana profesionale”, u shpreh gazetarja.

E shpëtuan Shqipërinë dy herë: Nga fashizmi, pastaj nga copëtimi

Nga Paskal Milo

Në mendimin politik e historiografik shqiptar, prej më tepër se 70 vitesh që Shqipëria është çliruar nga pushtimi nazifashist, ka patur dhe ka një debat të përqëndruar rreth përgjigjes për pyetjen: çfarë ishte lufta e shqiptarëve në vitet e Konfliktit të Dytë Botëror? Ishte Luftë Antifashiste Nacionalçlirimtare apo thjeshtë Luftë Antifashiste apo Luftë Civile?

Kjo pyetje e paraqitur për diskutim në këtë forum akademik dhe intelektual është e rëndësishme, pse përgjigja ndaj saj ka të bëjë me thelbin e vetë Luftës. Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje ka të bëjë gjithashtu me një çështje sa të vjetër aq edhe të re, sa profesionale, aq dhe spekulative, siç është procesi normal, objektiv i rishkrimit të historisë. Vini re: Rishkrim e jo ribërje të historisë, rishkrim duke përmirësuar e korigjuar dhe jo duke e përmbysur atë.

Për të mos u larguar nga tema: Pse sot historia e shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore duhet rishkruar? Për një numër arsyesh e faktorësh: se ka liri politike, njerëzore, akademike, se nuk ka censurë dhe autocensurë, se ka në vazhdimësi dokumentacion e këndvështrime të reja, kulturë e metoda të reja historiografike, largim të faktorëve subjektivë që ushtrojnë në një mënyrë ose një tjetër presion mbi historiografinë dhe që ushqejnë tradicionalizmin historiografik e të tjera.

Konceptet Luftë Nacionalçlirimtare dhe Luftë Antifashiste nuk janë përjashtuese të njëra – tjetrës, por komplementare. E para është një koncept më i gjerë e përfshin edhe të dytën. Por ato kanë dhe dallime që reflektojnë qëndrimin ndaj thelbit të luftës, të forcave që morën pjesë në të, të qëndrimit të tyre ndaj të huajve e të synimeve për të ardhmen.

Pse lufta ka qenë nacionalçlirimtare?

Lufta ka qenë nacionalçlirimtare sepse Shqipëria, populli, i gjithë kombi shqiptar në Ballkan ka qenë i pushtuar nga fashizmi shtetëror italian e gjerman. Detyra parësore e shqiptarëve ka qenë çlirimi nga pushtuesit e huaj. Prandaj lufta ishte çlirimtare, por edhe kombëtare. Kundërshtarët e këtij emërtimi përmbajtësor janë dy kategori: ata që mbrojnë e zhvillojnë tezën e luftës civile në Shqipëri dhe ata që krijimin e “Shqipërisë së Madhe” nga fashizmi e kanë përjetuar ose e interpretojnë si çlirim nga një pushtues shekullor e mizor siç ishte shovinizmi serb në Kosovë, për të rënë nën sundimin e një pushtuesi të ri që solli elemente lirie, frymëmarrje, administratë e shkolla shqipe, njëfarë zhvillimi kolonial e bashkim të përkohshëm e jo të plotë të shqiptarëve.

Për kategorinë e parë, shqiptarët luftuan njëri-tjetrin dhe jo të huajt, ndaj lufta nuk ishte nacionalçlirimtare por civile. Këtë tezë e kanë zhvilluar ish kolaboracionistët shqiptarë tradicionalë të fashizmit të tipit të Mustafa Krujës por edhe forca politike antikomuniste që për të luftuar komunizmin, bashkëpunuan me fashizmin. Sot këtë tezë e mbrojnë, e zhvillojnë dhe e kanë ngritur në nivelin e një kryqëzate antinacionalçlirimtare trashëgimtarët biologjikë e politikë të Ballit Kombëtar e të Legalitetit.

Të parët, në një farë mënyre justifikohen se përpiqen të mbrojnë baballarët dhe gabimin fatal të tyre në Luftë, për shkak të të cilit vuajtën pa të drejtë persekutimin komunist. Të dytët kanë bërë avokatinë e platformës ideologjike e politike të të dy partive të vjetra në emër të të cilës kanë garuar për rreth një çerek shekulli e kanë dështuar, aq sa kanë arritur në kufijtë më minimalë të ekzistencës së tyre. Fatin e tyre si parti e vjetër e kanë sot edhe partitë e quajtura komuniste.

Në historiografi ka një numër të vogël historianësh që kanë bërë objekt studimi raportin midis Luftës Nacionalçlirimtare dhe luftës civile. Ështe zgjedhja e tyre në një shoqëri demokratike që garanton e respekton lirinë akademike. Nuk është dukuri e re në debatin shkencor. Për herë të parë është ngritur e diskutuar në Konferencën Kombëtare për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare në nëntor 1974.

Tendenca për të qëmtuar në mënyrë seleksionuese dokumente shqiptare apo të huaja për të vërtetuar gjoja se pas tetorit 1943 në Shqipëri nuk ka patur Luftë Nacionalçlirimtare, por luftë civile, është një përpjekje për të fshehur pyllin prapa pemës.

Në Shqipëri nuk ka patur luftë civile por çfaqje të elementëve të veçanta të saj. Shqipëria ishte një vend i pushtuar nga dy divizione e gjysmë gjermane që sa hynë në vend, masakruan shqiptarë të pafajshëm, fëmijë që sa kishin lindur, gra e pleq dhe që shkaktuan vrasje, djegie, shkatërrime e mizori të pashembullta. Shqiptarët kishin përballë këtë armik që ishte dhe armiku i popujve të tjerë evropianë, sovjetik e amerikan që e luftonin në kuadrin e Kombeve të Bashkuara.

Lëvizja Nacionalçlirimtare, pushtuesin gjerman e konsideroi dhe e luftoi si armikun kryesor, ndërsa Balli Kombëtar si armik kryesor quante PKSH e partizanët dhe në luftën kundër tyre bashkëpunoi me gjermanët. Nuk ka luftë civile në një vend të pushtuar nga të huajt. Këtë nuk e tregon vetëm përvoja e Shqipërisë, por edhe ajo e vendeve fqinje, e Jugosllavisë, e Greqisë dhe vendeve të tjera evropiane.

Lëvizja çetnike në Jugosllavi me në krye Drazha Mihajlloviçin ishte e fuqishme, pati mbështetjen anglo-amerikane në fillim, por u braktis në momentin që filloi të bashkëpunojë me gjermanët kundër ushtrisë nacionalçlirimtare të Titos. E në Jugosllavi asnjë historian serioz nuk thotë se ka patur luftë civile.

Në Greqi, partia homologe e Ballit Kombëtar ishte EDES e udhëhequr nga gjenerali nacional-shovinist Napoleon Zervas. Me këtë Lëvizje Balli Kombëtar ka arritur të tentojë një marrëveshje, përmbajtja e të cilës ishte thellësisht antikombëtare. EDES bashkëpunoi me pushtuesit gjermanë në Greqi, iu kundërvu EAM-ELAS-it, por askush nuk thotë se aty pati luftë civile deri në dhjetor 1944. Lufta civile në Greqi u zhvillua si luftë për pushtet vetëm në vitet 1946-1949, kur nuk kishte pushtues të huaj.

Në Shqipëri nuk kishte luftë civile, sepse shumica e shqiptarëve u rreshtuan krah Lëvizjes Nacionalçlirimtare e jo me Ballin Kombëtar e Legalitetin. Luftë civile do të thotë jo vetëm rivalitet të ashpër për pushtet me përdorimin e forcës, por pak a shumë edhe një barazpeshë fuqie që e bën të mundur atë. Në Shqipëri, forca kryesore ishte Ushtria Nacionalçlirimtare e cila në verën e vitit 1943 kishte 15 mijë luftëtarë të organizuar, në vjeshtë të atij viti arriti rreth 30 mijë dhe në fund të Luftës në 70 mijë partizanë.

Balli Kombëtar nuk arriti të ketë veç rreth 15 mijë njerëz të armatosur dhe Legaliteti jo më shumë se 5 mijë veta. Në Lëvizjen Nacionalçlirimtare u integrua pjesa më vitale e shoqërisë shqiptare, rinia e gratë. Në radhët partizane ishin të organizuara 6000 vajza e gra shqiptare që mund t’i kishte zili çdo lëvizje tjetër antifashiste nacionalçlirimtare në Evropë. A mund të thotë kush se sa vajza e gra kishte në radhët e Ballit Kombëtar e të Legalitetit? Thuajse asnjë. Nuk ka luftë civile midis të madhit e të fuqishmit e të voglit e të dobëtit.

Balli shkoi te gjermanët, gjermanët shkuan tek Enveri

Dobësia e Ballit dhe e Legalitetit ishte se ata gabuan në strategji e në taktikë, se duke mos dashur e patur vullnet për të luftuar pushtuesin, bashkëpunuan me të për të mos harxhuar forcat e për t’i ruajtur për në fund, për betejën finale për pushtet e që nuk erdhi kurrë. Balli shkoi tek pushtuesit gjermanë e për këtë faktet e dokumentet jo vetëm shqiptare, por edhe të huaja, janë të padiskutueshme e të njohura.

Por ndofta të panjohura ose pak të njohura janë dy fakte të tjera: I pari, që pas Mukjes, Hysni Lepenica, Skënder Muço, Isuf Luzaj, Uan Filipi e të tjerë, pjesa më aktive, më e re, më radikale në kuptimin e luftës së armatosur të Ballit, kërkuan bashkëpunim me PKSH e Lëvizjen Nacionalçlirimtare për të përmbysur udhëheqjen qëndrore të tij e për të luftuar së bashku pushtuesit gjermanë. Në shtator 1944 përfaqësues të lartë të Ballit Kombëtar zhvilluan bisedime të fshehta me delegatë me mandat të PKSH e të Frontit Nacionalçlirimtar për të bashkëpunuar, me kusht që t’u falej jeta.

Fakti i dytë, udhëheqja komuniste e partizane nuk shkoi, siç bëri Balli, të kërkojë marrëveshje me pushtuesit, por ishin gjermanët që shkuan e kërkuan kompromisin me Lëvizjen Nacionalçlirimtare të paktën me sa është e dokumentuar, dy herë.

Përpjekja e parë u bë kur trupat gjermane hynë në Shqipëri. Komanda e tyre i propozoi udhëheqjes së Lëvizjes marrjen e pushtetit, krijimin e qeverisë me kushtin që forcat gjermane të mos sulmoheshin sa kohë që ato të qëndronin në Shqipëri. Moment i dytë ishte në mars 1944, kur Komanda e Lartë Gjermane kërkoi e dërgoi në Panarit të Korçës një oficer të lartë për bisedime me Shtabin e Përgjithshëm, për të nënshkruar një marrëveshje.

Gjermanët i kërkuan të mos sulmoheshin e pengoheshin trupat e tyre që të kalonin nëpër Shqipëri me destinacion Greqinë, dhe në këmbim ata do t’i dorëzonin Lëvizjes Nacionalçlirimtare “gjithë pushtetin politik e ushtarak”. Në të dy rastet Shtabi i Përgjithshëm i hodhi poshtë propozimet e përfaqësuesve gjermanë dhe u deklaroi atyre se Ushtria Nacionalçlirimtare ishte aleate me anglo-amerikanët dhe do t’i luftonin deri në fund forcat pushtuese gjermane në Shqipëri.

Kategoria e dytë e kundërshtarëve të emërtimit e të përmbajtjes të Luftës Nacionalçlirimtare kanë qenë përkrahësit e “Shqipërisë së Madhe” nën pushtimin fashist, si një rrugë e mundësi për realizimin e Shqipërisë etnike. Ata kanë patur e kanë një gjykim të ngushtë, të gabuar e tepër naiv për konceptin e lirisë, për natyrën e fashizmit dhe mungesë njohurie për të drejtën ndërkombëtare e bazat e së drejtës mbi të cilat u ndërtua Aleanca e Kombeve të Bashkuara.

Nacionalizmi si kartë politike për pushtet

Nacionalizmi që në kohën e Luftës e deri më sot, është përdorur si kartë në konkurencën politike për pushtet. Ato që u quajtën forca nacionaliste, Balli Kombëtar e Legaliteti, këtë kartë e donin për vehte, e bën pronë të tyre si një alternativë për t’iu kundërvënë Lëvizjes Nacionalçlirimtare, për ta goditur atë në një çështje që ishte e ndjeshme për shqiptarët sidomos në Kosovë e në atë hapësirë të quajtur “Toka të Lirueme” e që duke u bashkuar me atdheun mëmë e nën të njëjtin pushtues, u quajt “Shqipëria e Madhe”.

Balli Kombëtar shfrytëzoi në maksimum marrëdhëniet e PKSH me PKJ dhe qenien e dy emisarëve komunistë jugosllavë në Shqipëri, për të akuzuar Lëvizjen Nacionalçlirimtare si antikombëtare. Duhet pranuar se një propagandë e tillë qe realisht e suksesshme në Kosovë e pak në Shqipëri. Por ajo rezultoi e dështuar si taktikë. Shumica e shqiptarëve në Shqipëri shkuan pas “nacionalçlirimtares” siç e quanin ballistët Lëvizjen partizane.

Balli Kombëtar kishte një platformë nacionaliste të sintetizuar në parullën e Shqipërisë etnike, dhe këtu duhet pranuar se e vuri jo pak në vështirësi PKSH. Por Balli mbeti tek parulla, i mungoi aksioni, i mungoi vullneti për të luftuar, ngeci në dilemat dhe hezitimet e tij të njohura të orientimit, që e çuan sa në qëndrime pasive, aq edhe kompromentuese. Udhëheqja qëndrore e Ballit Kombëtar ishte e shkollës së vjetër, tradicionale të politikës, nuk ishte revolucionare në kuptimin e kapjes së ritmit e të mesazhit kryesor që kërkonte e jepte koha.

Gabimi kryesor i Ballit Kombëtar ishte se në vënd që të organizonte e të udhëhiqte një luftë të fuqishme antifashiste e nacionaliste, u përpoq që në emër të luftës për pushtetin e nesërm, të luftojë e të pengojë Lëvizjen Nacionalçlirimtare të udhëhequr nga komunistët. Vetë PKSH ka një pjesë të madhe të përgjegjësisë që nuk ofroi bashkëpunim dhe shanse reale për një marrëdhënie më të sinqertë e më të ndershme me Ballin. Por dallimi mes tyre ishte thelbësor për nga mënyra se si e kërkonin pushtetin.

PKSH e synoi pushtetin me të gjitha forcat, por në luftë për jetë a vdekje me pushtuesit e bashkëpunëtorët e tyre. Balli Kombëtar e kërkoi atë duke pritur ndërhyrjen aleate, duke kryer ndonjë aksion më të rrallë e duke përforcuar gjithnjë e më shumë bashkëpunimin me pushtuesit. Ai humbi kredencialet për t’u parë si një alternativë serioze e fuqishme, antifashiste dhe antikomuniste në sytë e shqiptarëve, por edhe të aleatëve. Bëri një gabim fatal, rrjedhojat e të cilit nuk do të vononin që të vinin.

Lufta dhe regjimi komunist që u vendos pas saj

Si 70 vite të shkuara, edhe tani ka një debat për raportin midis Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri. Ka njerëz, për fat jo shumë që e mallkojnë Luftën dhe e denigrojnë atë sepse sipas tyre ajo solli komunizmin. Një qasje e tillë nuk ka veç mllef e injorancë për të kuptuar ecurinë e procesit historik.

Detyra parësore dhe strategjike e të gjithë popujve të Kombeve të Bashkuara ishte antifashizmi, lufta kundër Fuqive të Boshtit Fashist. Stalini, Tito, Enver Hoxha e shumë të tjerë ishin komunistë, sikurse Ruzvelti, Çurçilli, De Goli e të tjerë ishin antikomunistë. Por ata u bashkuan, jo se nuk e njihnin njëri-tjetrin për çfarë përfaqësonin, por për të luftuar të gjithë bashkë e për të shkatërruar fuqinë më të madhe e më të rrezikshme që kishte njohur njerëzimi, fashizmin.

Shqipëria dhe shqiptarët, sigurisht që nuk përcaktonin fatin e Luftës së Dytë Botërore. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare në Shqipëri ishte kontribut modest i një populli të vogël në fitoren e madhe, që bëri detyrën dhe u orientua drejt. Kontributi i 70 mijë luftëtarëve shqiptarë ishte i rëndësishëm në raport me popullin shqiptar, por nuk kishte ndonjë peshë të madhe në arritjen e objektivave strategjike të Kombeve të Bashkuara në luftën kundër fashizmit.

Kjo është një e vërtetë që e dinë të gjithë, fitimtarët e të mundurit e Luftës, komunistët, ballistët e zogistët. Një akt madhor i një populli që bëri sakrifica njerëzore e materiale, që kreu një detyrë morale të jashtëzakonshme, është amorale të lidhet me rrjedhojat e padëshirueshme që erdhën më pas e jo për shkak të kësaj lufte.

Komunizmin në Shqipëri nuk mund ta sillnin 2500 komunistë, edhe sikur të ishin të gjithë instruktorë të Internacionales Komuniste. Shumica e tyre nuk e dinin se çfarë ishte komunizmi e jo më të këqijat e tij. Komunistët i tërhoqën shumicën e shqiptarëve me antifashizmin, me luftën, sakrificat e gjakun e tyre, me programin thellësisht social. Reforma agrare nuk ishte reformë komuniste. Toka ishte një ëndërr për shqiptarët e varfër.

Komunizmin në Shqipëri e ndihmuan që të vinte ata që ishin deklaruar si antikomunistë. Ata nuk u dhanë shqiptarëve një alternativë të fuqishme antifashiste dhe antikomuniste që të pëlqehej e të mbështetej fort prej tyre.

Kadare për Luftën

Nuk më pëlqen ta citoj Ismail Kadarenë për historinë, se nuk është historian, por këtë herë po e citoj më tepër për forcën e tij të mendimit e të analizës që përdor për të kundërshtuar këtë konstruksion ahistorik të kundërshtarëve të Luftës Nacionalçlirimtare. Ja çfarë shkruan ai në qershor të këtij viti: “Ndonëse ndihmesa e Shqipërisë në përplasjen botërore ka qënë modeste, pjesëmarrja ka qënë në nderin e saj. Kjo është e vërteta që jep historia. Një tjetër kundërhistori, ajo që e lidh këtë lëvizje çliruese dhe këta dëshmorë me një rend sundues dyzetvjeçar, s’është veçse një përçudnim”.

Lufta Nacionalçlirimtare është një ngjarje shumë e rëndësishme në historinë shqiptare të shekullit të XX-të jo thjesht se ajo solli 29 nëntorin e vitit 1944. Në mos në 29 nëntor, Shqipëria do të çlirohej në 29 dhjetor apo disa muaj më vonë. Lufta solli lirinë, shpresat për një të ardhme më të mirë, solli dinjitetin dhe krenarinë për shumicën e shqiptarëve që bënë zgjedhjen e duhur e të drejtë në një kohë sprove të madhe për popujt e botës.

Lufta Nacionalçlirimtare forcoi pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë. Ajo e reshtoi Shqipërinë e popullin shqiptar në anën e duhur të historisë, krahas Kombeve të Bashkuara fitimtare të Luftës kundër fashizmit. Pa atë, Shqipëria në fund të Luftës së Dytë Botërore rrezikohej për t’u coptuar.

Kjo nuk është një deklaratë që mund të bëjë të shtrembërojnë buzët ata, që me kohë u është shtrembëruar ndërgjegja dhe shtylla kurrizore e logjikës dhe analizës intelektuale qoftë nga politika, qoftë nga trashëgimia e përlyer familjare e fisnore e kohës së Luftës, apo nga snobizmi e nihilizmi tradicional i vlerave kombëtare në emër të modernizimit dhe intelektualizmit avanguardist.

Kush ka parë vetëm arkivat britanike dhe amerikane të Luftës së Dytë Botërore për Shqipërinë e Ballkanin, e kupton fare mirë se çfarë skemash copëtimi dhe çfarë alternativash masakrimi qarkullonin nëpër kabinete për Shqipërinë, e për trojet shqiptare në Ballkan.

Ajo çfarë ndodhi në Konferencën e Paqes në Paris, në gusht 1946, ishte vetëm një provë e vogël e një skenari të madh antishqiptar që do të ishte zbatuar pa mëdyshje në Shqipërinë e Jugut, siç u zbatua për Transnistrinë e Moldavinë, për vendet balltike, për Transilvaninë e Dobruxhën e për disa territore të tjera në vende si Rumania, Bullgaria, Hungaria e Finlanda që u radhitën në Boshtin fashist e jo me Kombet e Bashkuara, siç bënë shumica e shqiptarëve.

Partizanët shqiptarë shpëtuan Shqipërinë dy herë, një herë nga fashizmi dhe një herë nga copëtimi./Dita

“Jemi ilirë, jo pellazgë”, Bojaxhi prezanton projektin për ADN: Gjysma e banorëve të Shqipërisë, kosovarë

Gjergj Bojaxhiu ka krijuar një projekt shqiptar të ADN, me emrin “Rrënjët”, ku të gjithë mund të kuptojnë prejardhjen krahinore apo vendin.

I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, ai ka treguar se të gjithë shqiptarët mund të dërgojnë rezultatet e ADN në faqen “Rrënjët.com” dhe mund të kuptojnë se kanë ardhur të parët e tyre qindra vjet më parë.

Bojaxhiu ka theksuar se ky projekt është realizuar në mënyrë vullnetare dhe kupton se si shqiptarët kanë lëvizur në Ballkan apo çfarë rrënjësh kanë.

Sipas tij, në popullatën shqiptare nuk ka linja turke dhe pse kemi qene 500 vjet nën sundim.

“ADN është një vegël që ndihmon në gjetjen e rrënjeve. Te projekti ‘Rrënjët’ krahason rezultate e ADN se ku janë shpërndarë këta njerëz shqiptarë. Ti kupton se si ka lëvizur në Ballkan dhe çfarë rrënjësh ke. Kjo është ta shikosh gjenetikën jo dimensionale. Gjenetika është diçka komplekse dhe bëhen teste sepse ju jeni gjysmë nga nëna e gjysmë nga babait. Por testet më të sakta janë ato që janë xx që merr nga nëna dhe xy merr nga babai.

Ne jemi një grup vullnetarësh dhe faqja e projektit është “Rrënjët.com” dhe mbetet në kuadër të hobit. Është një faqe të hapur dhe çdo shqiptarë kudo që të jetë mund të bëjë analizat dhe rezultatet të na i dërgojë ne dhe ne të japim të dhënat.

Në popullatën shqiptare nuk ka linja turke dhe pse kemi qene 500 vjet nën sundim.

E vetmja gjë që diskutohet është çfarë është vlera dhe mangësia e ADN. Ajo që ADN nuk të tregon është pse është kjo gjë. Në qoftë se deri dje, ne jemi bërë një shoqëri që ngrihet në mëngjes dhe ka parë një ëndërr, ADN tregon se si është e vërteta. Ne jemi më të vjetrit në Europë. Në kohën e bronzit një popullatë është ndarë dhe disa kanë ardhur në Shqipëri, disa në Gjermani dhe në Francë”, u shpreh Bojaxhiu.

VIDEO/ Sulmi i Berishës ndaj Arben Imamit që mbeti në historinë e PD dhe kundërpërgjigja e tij epike

Shprehja komuniste “Armiq të popullit” do të zëvëndesohej me “Armiq të demokracisë” në PD dhe në atë grup, do të futej gjithkush që guxonte të dilte kundër Sali Berishës.

Për këtë, mjafton të kujtojmë përplasjen e tij me Arben Imamin.

“I them artistit Imami, që fyerja që i ka bërë deputetëve është e pafalshme dhe ta dijë mirë, se ai nuk është i denjë për këtë sallë, nuk është i denjë për grupin e deputetëve.

Sot po ju them, ju shkoni në partinë tuaj, e gëzofshi përgjithmonë. S’keni punë me ne”, deklaronte Berisha, kur përjashtonte Pashkon, Zogajn, Imamin etj.

“Kur thuhet se nuk ka vend në këtë sallë ky ose ky, nuk ka vend në këtë sallë Arben Imami dhe le të shkojë te partia e tij, dua të them, se nuk qëndron zoti president.

Nuk qëndron, për arsye se në dhjetorin e 1990, unë nuk i kam thënë askujt, as edhe ndonjë komunisti, që nuk e dorëzonte ende teserën, shko në partinë tënde.

Unë nuk kam qenë asnjëherë anëtar i asaj partie, megjithëse kisha kohë të bëhesha”, iu përgjigj Imami.

VIDEO