Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në qytetin Aurillac në Francë, ku dhjetëra kalimtarë janë sulmuar papritur nga një tufë bletësh, duke shkaktuar panik dhe lëndime të shumta me 24 të lënduar tre prej të cilëve në gjendje kritike.
Kalimtarët u pickuan për rreth 30 minuta të dielën në mëngjes, sipas prefekturës Cantal. Zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore u ofruan ndihmën e parë të plagosurve, ndërsa policia vendosi masa sigurie derisa sulmi i bletëve u ndal, sipas Guardian .
Tre personat në gjendje kritike u dërguan në një spital lokal . Pierre Matonnier, kryebashkiaku i Aurillac, i tha BFM TV të hënën se gjendja e tyre ishte përmirësuar. Sipas Matonnier, një burrë 78-vjeçar pësoi një arrest kardiak dhe u ringjall me anë të CPR-së.
Kryebashkiaku tha se incidenti mund të lidhet me grerëzat që kërcënonin një koshere bletësh të instaluar në çatinë e një hoteli më shumë se një dekadë më parë, duke bërë që bletët të bëheshin agresive.
Toger Michel Caillat, kreu i departamentit lokal të zjarrfikësve, tha se nuk kishte përjetuar kurrë një sulm të tillë.
“Sa i përket numrit të viktimave, panikut që mbizotëronte midis njerëzve dhe ashpërsisë së disa prej lëndimeve, ishte tronditëse”, tha ai.
Toskana dhe Umbria e Italisë po përballen me valën e dhunshme të motit të keq që shkaktoi dëme dhe ndërprerje në zona të ndryshme të Italisë.
Në zonat e Firences, Pratos dhe Arezzos, ranë rreth 4 mijë goditje rrufeje, përveç stuhive intensive që shkaktuan rrëzimin e pemëve.
Në të gjithë rajonin, u regjistruan 27 mijë goditje rrufeje në 12 orë.
Në zonat e Gambassi Terme dhe Montespertoli, në provincën e Firences, ranë përkatësisht 61 mm dhe 60 mm shi në pak më shumë se një orë.
Gjithashtu, vlen të përmendet një rrebesh me mbi 60 mm shi që ra në një orë në zonën e San Gimignano, në jugperëndim të Firences.
Komanda e Departamentit të Zjarrfikësve të Pizës kreu disa ndërhyrje gjatë natës për shkak të situatës së pafavorshme të motit dhe “alarmit të verdhë”, i lëshuar nga Qendra Funksionale Rajonale e Toskanës, e cila preku Provincën e Pizës në të gjithë territorin e saj.
Në Umbria, një stuhi e dhunshme goditi zonën e Orvietos gjatë natës midis 6 dhe 7 korrikut, duke shkaktuar dëme.
Në varrezat monumentale të qytetit erërat e forta shkaktuan rënien e një peme në sheshin e jashtëm, duke bllokuar hyrjen.
Ndërsa brenda uji shembi disa varre, si edhe zyra e kujdestarit u përmbyt gjithashtu.
Bashkia urdhëroi mbylljen e varrezave për tre ditë, për të lejuar masat e sigurisë dhe punimet e restaurimit.
Moti i keq, i përqendruar në pak më shumë se një orë, shkaktoi gjithashtu përmbytjen e dhomave teknike të parkimit nëntokësor në Campo della Fiera – Foro Boario, duke shkaktuar prishjen e sistemit elektrik.
Rrëshqitje dheu ndodhën përgjatë rrugëve midis Torrettës dhe liqenit Sugano, në zonën La Cacciata dhe në Torre San Severo.
Degë dhe pemë të rëna u raportuan veçanërisht në zonën e Canale, në zonën e Tamburinos dhe në San Valentino.
Aksionet e Tesla-s (TSLA) ranë me 7.6% sot para hapjes zyrtare të bursës, pasi drejtori ekzekutiv i kompanisë, Elon Musk, shpalli formimin e një partie të re politike amerikane, duke nxitur një reagim të zemëruar nga presidenti aktual i SHBA-ve, Donald Trump.
Çmimi i aksioneve pati një rikuperim të pjesshëm pas rënies fillestare, por sërish u hap me humbje të konsiderueshme në orën 9:30 të mëngjesit, duke shënuar rënien më të madhe ditore që nga 5 qershori, një moment tjetër kur Musk dhe Trump ishin përplasur publikisht, raporton CNN.
Trump reagoi me forcë ndaj njoftimit, duke e quajtur Musk një “tren të rrëmuar” që po del jashtë kontrollit. Në një postim në platformën e tij Truth Social, ai shkroi:
Jam i trishtuar kur e shoh Elon Musk të dalë plotësisht nga binarët. Ajo që po bën është një sulm ndaj stabilitetit politik dhe një përçarje e panevojshme.”- tha Trump.
Gjatë një deklarate për mediat përpara nisjes me avionin Air Force One, Trump e quajti iniciativën e Musk “qesharake” dhe paralajmëroi se një parti e tretë vetëm sa do të “mbjellë konfuzion” në skenën politike amerikane.
Sipas Neil Wilson, strateg tregu në Saxo Markets, investitorët po shfaqin dy shqetësime kryesore:
1. Tensione e mëtejshme me Trump mund të ndikojnë negativisht në subvencionet qeveritare për automjetet elektrike, nga të cilat Tesla përfiton ndjeshëm. 2. Musk po shihet si i shpërqendruar nga menaxhimi i kompanisë, në një moment kritik për zhvillimin teknologjik dhe konkurrencën globale në tregun e makinave elektrike. “Investitorët përshëndetën më herët distancimin e Musk nga politika. Tani ata frikësohen se ai po kthehet në betejën politike dhe po humbet fokusin nga Tesla.”- shkroi Wilson.
Musk, përmes një postimi në platformën e tij X (ish-Twitter) të shtunën, argumentoi se SHBA po drejtohet nga një elitë politike e korruptuar, duke deklaruar:
“Kur bëhet fjalë për falimentimin e vendit tonë me mbeturina dhe ryshfet, ne jetojmë në një sistem një partiak, jo në demokraci. Sot, Partia Amerikane është formuar për t’ju dhënë përsëri lirinë tuaj.”– tha Musk.
Kritikat e tij vijnë disa ditë pas sulmit të drejtpërdrejtë ndaj “Projektligjit të Madh dhe të Bukur” të miratuar nga Trump, një paketë e gjerë për taksat dhe politikat ekonomike që Musk e ka quajtur “e dëmshme për deficitin federal”.
Në reagimin e tij të së dielës, Trump tha se partitë e treta nuk kanë pasur kurrë sukses në historinë politike të SHBA-së dhe se ato “vetëm krijojnë përçarje dhe kaos total”.
Kabinat pa leje në Theth që u bënë objekt debati mes kryeministrit Edi Rama dhe Prokurorisë së Shkodrës, mësohet se janë në pronësi të Prek Kodrës
Emri i Prek Kodrës është i njohur për autoritetet.
Në vitin 2021 në një dokument të Njësisë Kundër Terrorizmit të Kosovës, Prek Kodra kishte planifikuar për të vrarë me snajper kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe dy politikanë të tjerë të njohur të Kosovës.
Ai është shpallur në kërkim edhe nga SPAK në kuadër të dosjes “Metamorfoza”, në akuzë për disa ngjarje kriminale.
Prokuroria e Shkodrës duke iu përgjigjur kryeministrit Rama tha se “Faktet e policisë nuk mjaftonin për ndjekje penale”.
Organi i akuzës theksoi në reagimin e saj se vendimi i prokurores Elsa Gjeli nuk është “akt vullneti personal, por akt ligjor”.
Po ashtu, thekson se shqetësimet e tilla duhet të adresohen nëpërmjet rrugëve ligjore dhe jo përmes mesazheve politike.
Nga ana tjetër, Rama ka paralajmëruar denoncim në KLP për atë që e quan si skandali “Gjeli”.
Dhuna në familje vijon të përshkallëzohet në mënyrë shqetësuese në kryeqytet.
“Vetëm gjatë fundjavës, në komisariatet e policisë së Tiranës janë denoncuar 25 raste dhune familjare, një shifër kjo alarmante që tregon një plagë të thellë sociale në rritje”.
Sipas të dhënave, incidentet përfshijnë dhunë midis bashkëshortëve, dhunë ndaj fëmijëve, por edhe ndaj prindërve, si dhe konflikte të dhunshme mes të rinjve në marrëdhënie sentimentale.
Disa nga rastet më të pazakonta përfshijnë të reja që kanë ushtruar dhunë ndaj partnerëve të tyre, duke sfiduar perceptimet tradicionale për rolet e dhunës në marrëdhëniet intime.
Një rast i tillë u denoncua nga një i ri që deklaronte se teksa kthehej në Tiranë, në automjet është dhunuar fizikisht nga e dashura. Kjo e fundit, tashmë e shpallur në kërkim nga uniformat blu.
“Në shumë raste, janë baballarët, por edhe nënat ata që kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj fëmijëve të tyre, ndërsa në të tjera, çiftet bashkëshortore janë përfshirë në përleshje të ndërsjella, duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të rendit”.
Në këto kushte, lëshimi për urdhër mbrojtje të menjëhershëm ishte për të dyja palët, si për gruan ashtu edhe për bashkëshortin e saj. Aktualisht, policia po ndjek çdo rast të denoncuar sipas procedurave ligjore, ndërsa disa prej tyre janë referuar në prokurori për ndjekje penale. /A2
Një incident në skenën e teatrit i kushtoi jetën aktorit të “Portokallisë”, Emir Hoxhaj, teksa luante një rol disa vite më parë.
I ftuar në emisionin “Hipokrati”, aktori kujtoi ngjarjen kur u plagos në kokë me një shpatë të vërtetë.
“Luaja në teatër, isha në skenë dhe ka ndodhur live, më është çarë koka. Kishim një skenë me shpata të vërteta, sepse regjisori kërkonte shpata me peshë reale, që të bënin atë zhurmën e vërtetë. Ishte një skenë lufte. Isha vërtetë me fat atë ditë, sepse kisha atë kapelen që ishte si kasketë ilire.
Ajo ishte për imazh, ishte tërësisht lëkurë. Por, duke qenë se më rrinte e madhe, I fusja një dy bluza poshtë që të më rrinte mirë. Mund të them se sto bluza mund të më kenë shpëtuar jetën. Dola nga skena, por shfaqjen më pas e vijova deri në fund dhe pastaj shkova në urgjencë. Doktori më thoshte duhet të rrish gjashtë orë sepse ke marrë dëmtim në kohë. Por, unë kisha një shfaqje tjetër”.
Artisti tregoi dy episode të tjera, që e kanë detyruar t’i drejtohet ambienteve të spitalit.
“Të dyja episodet kanë ndodhur në plazh. Njëherë kur kam çarë pak kokën dhe para disa vitesh më pickoi një merimangë. Spitalet në fakt më japin energji negative”, tha ai.
Egli Tako ka surprizuar ndjekësit me një transformim tërësisht ndryshe nga imazhi i saj i zakonshëm.
Ish-banorja e Big Brother VIP Albania është shfaqur me një stil krejtësisht të ri, duke lënë pas pamjen elegante dhe klasike për një imazh më të guximshëm dhe modern.
Në foton më të fundit, Egli është parë me flokë të gjatë, kaçurrela dhe të ngjyrosura në një nuancë të fortë të kuqe, të stiluar me gërsheta dhe aksesorë.
Ky ndryshim drastik i pamjes ka tërhequr vëmendje të madhe në rrjet, me shumë ndjekës që mezi e kanë njohur në pamje të parë.
Pas raportimeve për arrestimin e reperit të njohur Noizy, ka reaguar menjëherë, Stresi.
Në një postim në Instagram, ai ka hedhur dritë mbi ngjarjen që ka çuar në këtë arrestim, duke zbuluar se bëhet fjalë për një incident të ndodhur verën e kaluar në një diskotekë, ku ishte përfshirë shtetasi zviceran, Medi Iseni
Stresi ka publikuar edhe imazhe të Mediut të dhunuar, duke shkruar se që nga përplasja me të, ai vetë nuk ka udhëtuar më drejt Zvicrës, nga frika se mos kishte ndonjë kallëzim ndaj tij.
Sipas tij, konflikti mes Noizyt dhe Medi Isenit ka përfunduar me dhunë fizike dhe ky i fundit ka bërë denoncim edhe në Zvicër, duke çuar në pasoja ligjore.
Pas Behar Çukajt të naftës, Leonidha dhe Artur Çobos, Idajet Ismailajt të Albstarit dhe hajdutëve kinezë, zbulohet një tjetër bashkëpunëtor i Bankers Petroleum, në vjedhjen e dhjetëra milionë eurove, përmes komtratave dhe faturave fiktive, me qëllim fryrjen e shpenzimeve, devijimin dhe kamuflimin e fitimeve, zhvatjen me rimbursimin e TVSH, pastrimin e parave etj. Në skenë del bzinesmeni Baki Sinaj, i cili ka përfituar miliona euro nga kompania mafioze me natyrë kriminale Bankers Petroleum.
Baki Sinaj është themelues dhe administrator i kompanisë Q. Sinaj, bashkë me të birin Fatos Sinaj, me objekt transportimin e materialeve të lëngshme e të ngurta, materialeve të ndërtimit, materialeve industriale dhe ushqimore etj., me zyra qëndrore në Zharëz të Fierit.
Kompania e Baki dhe Fatos Sinajt është një nga subjektet e kontraktuara nga Bankers për kryerjen e shërbimeve të transportit. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Fierit dhe një raporti auditues, Bankers ka bashkëpunuar me firmën Q. Sinaj me qëllim zhvendosjen dhe kamuflimin e fitimit, shmangien e taksave, përfitimin nga rimbursimi i TVSH dhe pastrimin e parave. Vetëm gjatë vitit 2011, Bankers ka kaluar në llogaritë e kompanisë Q. Sinaj 2.4 milionë euro.
Ka dyshime të forta se një pjesë të parave që Baki dhe Fatos Sinaj përlanin nga Bankers i kapitalizonin në kompaninë e tyre. Dokumentet tregojnë se Baki dhe Fatos Sinaj kanë rritur kapitalin e kompanisë pas vitit 2011, ndërsa befas e kanë ulur ndjeshëm pas vitit 2019.
Në vitin 2020, Baki Sinaj ia ka dhuruar aksionet e tij të kompanisë nipit Qemal Sinaj, asokohe 20 vjeç. Aktualisht pronarë të kompanisë që rezulton pjesë zhvatjes së pasurisë nëntokësore të shqiptarëve janë Fatos dhe Qemal Sinaj, babë e bir. Baki Sinaj rezulton administrator.
Pjesë e të njëjtës skemë është edhe Idajet Ismailaj i Albstar-it, një nga ‘starët’ e pastrimit të parave, vjedhjes me tendera dhe ndërtimit në zona të mbrojtura. Vetëm gjatë vitit 2011, kompania e Ismailajt ka përfituar 22 milionë euro nga Bankers në funksion të skemës së fryrjes së shpenzimeve.
Pjesë e vjedhjes rezulton edhe ‘mamuthi’ i naftës Behar Çukaj me kompaninë e tij me natyrë mafioze Bolv Oil, përfitues edhe i dhjetëra milionë euro para publike. Vetëm gjatë vitit 2011, Bankers ka kaluar në llogaritë e kompanisë Bolv Oil mbi 10 milionë euro.
Paratë e paligjshme që ka përfituar nga skema zhvatëse e Bankers, Behar Çukaj rezulton se i ka pastruar në ndërtim, mbi prona të grabitura. ‘Tano Karidi’ i Bankersit është padyshim Leonidha Çobo, i një personazh i strukturuar në nivelet e bosëve të mafies.
Hetimet kanë treguar se Çobo ka vjedhur me fatura fiktive mbi 100 milionë euro, në bashkëpunim me hajdutët kinezë të Bankers. 100 milionë euro është një shifër e frikshme për realitetin shqiptar, por është modeste për ‘gropën zhvatëse’ të Bankerit, kompani e cila ka përfituar të paktën 5.5 miliardë euro.
Të lartpërmendurit janë vetëm maja e ajsbergut. Nuk mund të realizohet vjedhja më e madhe në historinë e Shqipërisë pa implikimin e kokave të politikës dhe oligarkët. Nëse SPAK do të ketë vullnet të marrë në dorë këtë dosje në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, fijet e vjedhjes së 5.5 miliardë euro, të çojnë vetëm lart dhe në disa drejtime.
Prapaskena ka indicie të forta se paratë e vjedhura janë shndërruar në vila, resorte, biznese, kulla dhe luks për disa pushtetarë, ish pushtetarë të lartë dhe oligarkë. SPAK mjafton të hetojë një fakt. Vetëm në një rast, Bankers i ka kaluar 1.5 milionë euro shtetasit Denis Alimehmeti, ndërsa ky i fundit ia ka kaluar paratë çerrit Klard Flaga, i cili më pas i qarkullonte paratë me kompani fantazmë dhe në offshore, duke përfunduar në xhepat e pushtetarëve të korruptuar.
Nga këqyrja e lëvizjeve financiare, rezultojnë pagesa nga kompanitë fantazmë të Klard Flagës drejt llogarive të djalit të Ridvan Bodes. Çerri Flaga, që i ngarkuan 1.5 milionë euro në kurriz, është vetëm një nga rastet. SPAK të mos merret me kanale, keca, arka peshku dhe brekë, por të fokusohet tek vjedhja më e madhe në histori. Vijon me emra befasues!
Bilanci
Një hetim i Prokurorisë së Fierit ka zbuluar se Bankers Petroleum, gjatë dy dekadave të operimit në Shqipëri, ka përfituar 5.5 milardë euro nga shitja e naftës. Kompania ka fryrë shpenzimet me faturime fiktive, për të mos paguar taksa. Bosët e Bankers, fillimisht kanadezët dhe më pas kinezët, kanë bërë letrat sikur kanë dalë me 117 milionë humbje. Përmes shpenzimeve të rreme, Bankers ka përfituar edhe dhjetëra milionë euro nga buxheti i shtetit për rimbursimin e TVSH-së.
Zhvatja e pasurisë nëntokësore të Shqipërisë është disa herë më e madhe, duke përfshirë kontrabandën e naftës, ndotjet dhe shkatërrimin e nëntokës së Shqipërisë përmes shpërthimeve me fuqi të madhe, të palejuara dhe me pasoja shkatërrimtare, me qëllim maksimalizimin e nxjerrjes së naftës. Eskpertët e konsiderojnë vjedhjen më të madhe në historinë e kombit shqiptar.
Të gjitha të dhënat flasin për një organizatë kriminale. Krerët e organizatës nuk kanë vjedhur vetëm, por në bashkëpunim me ‘ustallarët’ shqiptarë dhe të huaj, gjithnjë në koordinim të heshtur me qeveritë./ Prapaskena