Tragjedi në Adriatik, 19-vjeçarja serbe humb jetën gjatë fluturimit me parashutë

Një vajzë 19-vjeçare nga Serbia humbi jetën tragjikisht pasi u shkëput nga parashuta dhe ra nga një lartësi prej 50 metrash në brigjet e Adriatikut, në Budva të Malit të Zi.

Viktima, Tihana Randonji? nga Novi Sadi, ishte me pushime kur ndodhi ngjarja e rëndë, ndërsa po xhirohej një video promovuese për një agjenci turistike lokale.

Sipas mediave ndërkombëtare, përfshirë Daily Mail, vajza, e cila ndodhej në ajër me parashutë, ka filluar të tërheqë në mënyrë të pakontrolluar litarët, para se të shkëpuste rripin e sigurisë dhe të binte.

Sipas dëshmitarëve që ndodheshin në plazh, ajo bërtiste me panik: “Ulëmëni! Ulëmëni!” dhe “Ndihmë!”, vetëm pak çaste para rënies fatale.

Ende mbeten të paqarta rrethanat e vdekjes, ndërsa po shqyrtohen edhe pamjet e një videoje publicitare në të cilën ajo shfaqej me bikini duke fluturuar mbi rivierën e Budvas, e buzëqeshur dhe e qetë.

Dëshmitarë lokalë thanë për mediat se para ngritjes në ajër, Tihana nuk shfaqi asnjë shenjë frike dhe ishte në humor të mirë, përshëndeti miqtë në plazh dhe u përgatit për fluturimin.

Megjithatë, sipas të përditshmes Republika, vajza mund të ketë pësuar një krizë paniku gjatë fluturimit, që ndoshta çoi në një reagim të pavetëdijshëm e fatal.

Pronarja e agjencisë turistike që organizoi aktivitetin u shpreh: “Dukej e lumtur dhe në humor të mirë. Asgjë nuk tregonte se kishte frikë nga lartësitë. Nuk e dimë pse hoqi rripin e sigurisë. Ndoshta nuk ishte një vendim i vetëdijshëm, por një akt i frikës ekstreme.”

Prindërit e vajzës, Branka dhe Goran, kanë shpërndarë një mesazh prekës lamtumire para varrimit të saj: “Kurrë nuk do ta pranojmë që je larguar. Do të jetosh përgjithmonë në zemrat tona. Të duam pafundësisht, bija jonë e guximshme, do të na mungosh gjithmonë. Prehu në paqe dhe u bëfsh një me engjëjt, tani je një prej tyre.”

Policia lokale ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat që çuan në këtë ngjarje të rëndë.

Era e VPN-ve në Shqipëri: Si po “dështon” ndalimi i TikTok, rriten shikimet e videove

Më 13 mars 2025, qeveria shqiptare vendosi një ndalim njëvjeçar të aksesit në TikTok, duke përmendur shqetësime mbi sigurinë kibernetike dhe ndikimin negativ të përmbajtjeve të dëmshme tek të rinjtë.

Megjithatë, ky ndalim ka rezultuar të jetë joefektiv, pasi përdoruesit shqiptarë kanë gjetur mënyra për ta anashkaluar, kryesisht përmes përdorimit të rrjeteve private virtuale (VPN).

Pavarësisht përpjekjeve për bllokimin e platformës, TikTok mbetet jashtëzakonisht i popullarizuar në Shqipëri. Sipas të dhënave të kompanisë mëmë ByteDance, në fund të vitit 2024, aplikacioni kishte 1.53 milionë përdorues mbi moshën 18 vjeç në një vend me një popullsi prej 2.4 milionë banorësh.

Analiza të fundit tregojnë se ndalimi ka pasur ndikim minimal në përdorimin e platformës. Sipas një raporti të Pikasa Analytics, vetëm një rënie prej 3.3% e postimeve është vërejtur pas ndalimit, ndërsa shikimet e videove janë rritur me 14% krahasuar me javën para ndalimit.

Pas ndalimit të TikTok, përdorimi i VPN-ve në Shqipëri ka shënuar një rritje të jashtëzakonshme. Sipas ProtonVPN, përdorimi i shërbimit të tyre është rritur me 1200% në ditën e parë të ndalimit, dhe kjo tendencë vazhdon të rritet. Aktualisht në Shqipëri, në Appstore, VPN-të janë aplikacioni i tretë më i shkarkuar i muajit të fundit, pas ChatGPT dhe Temu.

Keishliii, një nga influencueset më të njohura në TikTok në Shqipëri, ka ruajtur një aktivitet të qëndrueshëm në platformë. Me mbi 134,000 ndjekës dhe një normë angazhimi prej 5.80%, ajo vazhdon të tërheqë një audiencë të gjerë. Postimet e saj arrijnë mesatarisht 101,200 shikime dhe 4,700 pëlqime, duke treguar një interes të vazhdueshëm nga ndjekësit e saj, pavarësisht ndalimit.

Një tjetër krijuese përmbajtjeje e njohur është Hatixhe Brika e njohur si Hati, e cila ka parë një rritje të numrit të ndjekësve të saj me 30% nga fillimi i vitit deri më tani. Ajo ka arritur 512.5 mijë ndjekës momentalisht dhe ka një numër pëlqimesh në total prej 32 milion, që nga nisja e përdorimit të platformës.

Por çfarë tregon kjo?

Sipas ekspertit të teknologjisë, Tomi Kallanxhi, ndalimi i TikTok në Shqipëri ka treguar se në epokën dixhitale, përpjekjet për të kufizuar aksesin në platforma të njohura mund të jenë joefektive dhe të sjellin pasoja të paparashikuara.

“Rritja e përdorimit të VPN-ve dhe vazhdimi i përdorimit të TikTok sugjerojnë se qytetarët janë të gatshëm të gjejnë mënyra për të anashkaluar kufizimet,” thotë ai.

Kallanxhi thekson se për shumë përdorues, ndalimi u bë një nxitje për të mësuar teknologji të reja. “Ka raste kur përdoruesit, duke kërkuar mënyra për të rikthyer aksesin në TikTok, mësuan të përdornin VPN, të ndryshonin parametrat e rrjetit apo të instalonin aplikacione të tjera mbrojtëse. Kjo në vetvete është një formë edukimi dixhital.”

Sipas tij, suksesi i TikTok lidhet me faktin që algoritmi i platformës është jashtëzakonisht tërheqës dhe arrin të kuptojë dhe të shërbejë përmbajtje sipas preferencave të secilit përdorues në mënyrë pothuaj perfekte. Kjo është arsyeja pse TikTok po e zëvendëson gjithnjë e më shumë YouTube për brezin Z.

“Sot, rreth 67% e të rinjve të kësaj moshe në Shqipëri e përdorin më shumë TikTok sesa YouTube,” vëren Kallanxhi.

“Unë nuk e shoh këtë fenomen si një shqetësim, por si një përparësi,” shton ai. “Është një mundësi për të kuptuar se ku shkon vëmendja e brezit të ri dhe si mund të kanalizohet ajo drejt përmbajtjes cilësore, në vend që të luftojmë me ndalime teknike që nuk funksionojnë.”

Pse TikTok mbetet kaq i përdorur?

Përgjigja është e thjeshtë: TikTok nuk është thjesht një aplikacion për video të shkurtra. Ai është bërë një platformë argëtimi, informimi, tregtie dhe madje edhe aktivizmi. Algoritmi i personalizuar, shpejtësia në përhapjen e përmbajtjes dhe mundësia për të arritur audienca të gjera e bëjnë atë një mjet të fuqishëm.

Në Shqipëri, TikTok është kthyer në një dritare të rëndësishme për influencuesit, artistët, bizneset e vogla dhe opozitën politike. Kjo e fundit ka shprehur publikisht pakënaqësinë ndaj vendimit, duke e cilësuar si një akt të motivuar politik për të kufizuar zërat kundër qeverisë, sidomos në prag zgjedhjesh./Monitor

Jo vetëm Mira Murati, por edhe Kozeta Garrett! Kush është vajza nga Saranda që drejton Microsoft

Suksesi nuk është rastësi, është vullnet, dije dhe guxim. Kjo që do të dëgjoni është historia e vajzës nga Saranda, Kozeta Garret, e cila në vitin 1996 ikën përgjithmonë nga Shqipëria për të studiuar në Itali në degën e matematikës.

Por që rrugëtimi i saj i dijes vazhdoi në fushë, teknologjia do të bëhej e ardhmja e saj. Sot ajo është drejtoresha globale e sigurisë kibernetike e gjigantit Microsoft.

Kozeta Garret është një tjetër grua shqiptare që po shkëlqen në arën ndërkombëtare të teknologjisë.

Të punosh për Microsoftin nuk është krenari vetëm për Kozetën, por për të gjithë ne. Nëse deri më tani njihnim vetëm Mira Murati, themeluesen e OpenAI, Kozeta Garret është një tjetër emër për të cilët të gjithë ne duhet duam, sepse ajo po jep shembullin e femrës shqiptare që prek majat në revolucionin e teknologjisë.

Pjesë nga intervista për Top Channel:

Keni ikur nga Shqipëria në vitin 1995?

GarretPo, shkova në Itali për të studiuar në Itali, më pas në Hollandë, Gjermani, Kuvajt, e më pas në USA. Studimet i kam përfunduar për matematikë.

Ndërkohë që vazhdoni të studioni?

Garret: Jam gjithmonë dukë mësuar gjëra të reja, duke investuar në njohuri për rritje profesionale, për të kuptuar risitë e teknologjisë në vazhdimësi. Si dhe gjithashtu mënyrë se si të mbrohemi nga teknologjia.

Fillimet e tua kanë qenë të vështira?

Garret: Fillimi është gjithmonë të vështira, por më shumë punë dhe vendosshmëri mund të arrish gjithçka. Unë besoj që shqiptarët janë ndër njerëzit më të zgjuar në botë, pasi ata po shkëlqejnë në skenën ndërkombëtare

Dy gra, dy histori suksesi, një komb, ato e kanë emrin Mira dhe Kozeta.

E keni takuar ndonjëherë Mira Muratin?

Garret: Akoma jo, dhe jam në pritje, është kënaqësi të takohem me të.

Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj: Deputetë të PD-së po përgatiten të riasgjesojnë Berishën, lufta do të jetë fizike

Avokati i kreut të PD-së, Genc Gjokutaj, ka kërcënuar në rrjete sociale, deputetë të Partisë Demokratike të cilët sipas tij “po përgatiten të riasgjesojnë PD dhe Berishën”. 

Në një reagim në facebook, Gjokutaj deklaron se “lufta me ta sot është më e ashpra”, duke shtuar se “do të luftohet fizikisht dhe jo online si dje”, një paralajmërim i qartë për përshkallëzim të konfliktit politik në linjën e përplasjeve brenda PD-së.

Postimi i plotë:

Doktor Berisha e solli PD ne jete pas nje koma artificiale te shkaktuar nga armiqte e saj!

Sot armiqte e dikurshem te PD te “penduar” por te paguar dje dhe sot nga Rama & Co po pergatiten te riasgjesojne PD dhe Berishen!

Disa prej tyre edhe deputete te PD  neser te klonuar nga Rama

Jane te shfaqur me emer dhe mbiemer ndaj beteja me ta sot eshte më e ashpra pse do te luftohet fizikisht dhe jo online si dje!

Nuk mund te largojme shpetimtarin tonë por atentatorët ndaj tij! Qofshnin burra, gra, gay apo lesbike!

Lufta eshte e shpallur!

Bujrum! G

Rrëfimi i familjes shqiptaro-palestineze: Një djalë e humbëm, tjetri shëtit me flamurin shqiptar në Gaza. Gruaja nga Korça s’më braktis

“Përshëndetje nga Gaza. Jemi vendosur në çadër, pasi shtëpia jonë është në një vend shumë të rrezikshëm”, kështu e nis rrëfimin në shqip, palestinezi Abdullah Jabir, i cili bashkë me familjen e tij, gruan dhe djalin, jetojnë në atë që konsiderohet sot  “ferri mbi tokë”.

“Kam jetuar në Shqipëri nga viti 1994. Jam i martuar me Albinën, nusen time të dashur nga Korça. Kam djalin tim Jakubin, ndërsa djalin tjetër e kemi humbur nga kjo luftë, Ibrahim, ndërsa djali i madh, Ahmedi, është në Tiranë”, thotë ai, teksa zbulon se Ahmedi edhe është martuar para gjashtë muajsh.

Abdullah zbulon në një rrëfim për “Off the Record” në A2 CNN, pse ka zgjedhur të jetojë këtu, pavarësisht se ka humbur një djalë.

Jemi palestinezë, prindërit e mi janë këtu. Kemi shtëpinë këtu në Gaza dhe po vazhdon jeta. Ndodhi lufta dhe ne këtu na ndihmoi shumë ambasada shqiptare në Egjipt. I kam lumtur nusen me Ibrahimin dhe Jakubin për të ikur, sepse unë nuk lë dot mamanë dhe motrën me gjithë familjen, që janë këtu, por prapë nusja tha, Abdullah unë kurrë nuk të lë. Jemi vendosur në Gaza”.

Nuk preferon të flasë shumë për atë që po bën ushtria izraelite në Gaza. “Ju i shikoni vetë”, thotë ai. Teksa flet, në sfond dëgjohen bombardimet e ushtrisë izraelite. “Janë bombat e izraelitëve sipër popullit të Gazës. Por nuk do të flas për atë, ju i shihni vetë. Do flas për vështirësitë e popullit të Gazës. 2,2 milionë persona sot nuk gjejnë bukë. Jetojmë një herë me bukë, një herë pa bukë. Por edhe ky, për zotin, nuk është problem. Nuk gjejmë ujë, duhen gati një orë për të mbushur bidonin. Jeta është tmerr. Telefonin që po filmojmë, ecim gati gjysmë ore që të gjejmë një pikë për ta karikuar”.

Pavarësisht asaj që po përjeton familje e tij, Abdullah thotë se nga kjo luftë, anëtarët e familjes janë më afër njëri-tjetrit. Vërtet kohë e vështirë, por e ka bërë familjen prej hekuri. Dashuri, kujdes për njëri-tjetrin”.

Jabir tregon se në zonën e Gazës ku ai jeton, palestinezët duan të mësojnë shqip dhe kanë fituar respekt të veçantë për Shqipërinë.

“Albina përfaqëson Shqipërinë brenda Gazës. Në çdo vend ku ajo shkon dhe marrin vesh që është shqiptare dhe ka mundësi të largohet nga ky siklet dhe nuk largohet, sepse ka mundësi të rrijë afër burrit dhe familjes, nuk e dini çfarë respekti kanë. Sa njerëz e duan Shqipërinë në Gaza, nga Albina. Kanë filluar mësojnë gjuhën shqipe, për zotin, nga Albina. Jakubi që vesh bluzën me flamur shqiptar dhe del për qejf, thotë jam palestinez shqiptar”, tregon ai.

ANALIZA: Putini ka “zgjuar” Gjermaninë. Një ditë Rusia do të pendohet për NATO-n

Corriere della Sera’ shkruan se agresioni i Vladimir Putinit ndaj Ukrainës dhe kërcënimet ndaj Perëndimit ka zgjuar Gjermaninë nga pacifizmi i saj historik.

Vendimet e Berlinit për të furnizuar armë Ukrainës dhe për të lejuar përdorimin e tyre brenda territorit rus tregojnë një kthesë strategjike të rëndësishme.

Sipas artikullit, rikthimi i Gjermanisë si fuqi ushtarake përbën një rrezik real për Rusinë, pasi Berlini ka kapacitet financiar dhe teknologjik shumë më të madh. Në të njëjtën kohë, veprimet e Putinit dhe dobësimi i angazhimit amerikan po shtyjnë Evropën dhe Azinë drejt një riorganizimi të mbrojtjes, ku Japonia dhe Koreja e Jugut mund të ndjekin të njëjtin drejtim. Kështu, Rusia mund të përballet në të ardhmen me pasoja që i ka nxitur vetë.

Pjesë nga shkrimi i “Corriere della Sera”:

Reagimi i ashpër i Vladimir Putinit ndaj vendimeve të fundit të Gjermanisë – për të furnizuar me shumë armë Ukrainën dhe për të lejuar përdorimin e tyre thellë brenda territorit rus – zbulon një pikë të dobët të udhëheqësit rus. Ai ndoshta po e kupton tashmë pasojën më të madhe të sjelljes së tij agresive.

Me pushtimin e Ukrainës, Putini e detyroi Suedinë dhe Finlandën, dy shtete tradicionalisht neutrale, të bashkohen me NATO-n. Tani, duke refuzuar edhe ndërhyrjen e Donald Trump, ai ka përshpejtuar procesin e riarmatosjes së Gjermanisë – një shtet që për afro tetë dekada ishte pacifist dhe disi i çarmatosur.

Rikthimi i Gjermanisë në skenën ushtarake mund të jetë goditje e madhe për Moskën. Historikisht, Gjermania ka qenë një nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë e Rusisë. Të zgjosh këtë “gjigant të fjetur” mund të jetë një nga gabimet më të mëdha strategjike të Putinit.

Sipas vëzhgimit klasik të sekretarit të parë të NATO-s, Lord Ismay, qëllimi i Aleancës ishte: “Të mbajë amerikanët brenda (në Evropë), rusët jashtë dhe gjermanët poshtë.” Kjo logjikë e pas Luftës së Dytë Botërore e përshkruante qartë balancën e fuqisë dhe frikën nga një Gjermani e riarmatosur. NATO i siguronte të gjithëve që Amerika do të mbronte Evropën, pa pasur nevojë që Gjermania të ringrihej ushtarakisht.

Por tani, pas veprimeve të Putinit dhe dobësimit të përkushtimit amerikan, Gjermania ndjehet e pambrojtur dhe e detyruar të kujdeset vetë për sigurinë e saj. Kreu aktual i CDU-së, Friedrich Merz, nuk është militarist, por duhet të veprojë.

Edhe pse do të duhen vite për të rindërtuar forcat e armatosura gjermane dhe industrinë e saj të mbrojtjes, potenciali financiar dhe teknologjik i Gjermanisë është shumë më i madh se ai i Rusisë. Prandaj, një ditë, Putini mund të pendohet që e detyroi Berlinin të zgjohej nga letargjia e tij gjeopolitike.

I njëjti skenar po shfaqet edhe në Azi: nëse Amerika largohet nga rajoni, Japonia dhe Koreja e Jugut mund të ndihen të detyruara të riarmatosen, ndoshta edhe me armë bërthamore. Përpjekjet e Xi Jinping për të dobësuar praninë amerikane në Indo-Paqësor mund të prodhojnë të njëjtat pasoja të padëshiruara si veprimet e Putinit në Evropë.

Në thelb, dy liderët autoritarë, Putin dhe Xi, po nxisin një ringjallje të fuqive që për dekada kanë qëndruar të përmbajtura – Gjermania, Japonia – dhe një riorganizim të thellë të arkitekturës globale të sigurisë. Kjo mund të rezultojë në një kthim të fuqishëm të ekuilibrave të vjetër, me pasoja afatgjata që mund t’i kushtojnë shumë vetë Rusisë dhe Kinës.

FOTO/ E kritikoi për anglishten, kryebashkiaku i Ersekës SHPËRTHEN me ofendime ndaj qytetarit!

Disa ditë më parë u publikua një video nga një takim zyrtar mes përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe autoriteteve vendore shqiptare.

Nga ky takim, kryebashkiaku i Ersekës, Erion Isai, u bë objekt memesh në rrjet për shkak të anglishtes dhe përmendjes së çuditshme të Donald Trump-it gjatë diskutimeve për integrimin, klimën dhe ekonominë.

Në seksionin e komenteve në Instagram, një qytetar i zhgënjyer nga performanca e Isait reagoi me një koment të ashpër.

Por ajo që ndodhi më pas është krejtësisht e papranueshme dhe e pajustifikueshme: kryebashkiaku i ka shkruar qytetarit në mënyrë private në Instagram, duke e fyer rëndë me një fjalor rrugësh, aspak të denjë për një përfaqësues të një institucioni publik, shkruan joq.

FOTO/ E kritikoi për anglishten, kryebashkiaku i Ersekës

Screenshoot i marre nga Joq

Fyerjet e rënda janë të dokumentuara me prova, pasi qytetari ka dërguar pamje të mesazheve në redaksinë tonë.

Përveç fyerjeve, Isai e ka ftuar qytetarin edhe në një përballje “tek e tek”, duke e kthyer debatin virtual në një sfidë personale, që më shumë i ngjan një sherri lagjeje sesa sjelljes së një zyrtari lokal.

Nusret publikon foton me Ramën: Më shumë se një mbret!

Kuzhinieri-biznesmeni me origjinë turke, Nusret Gokçe ka publikuar një foto me kryeministrin Edi Rama.

Dyshja u bë bashkë me rastin e zhvillimit të finales së UEFA Champions League mbrëmjen e shkuar në Mynih të Gjermanisë.

Nusret ka publikuar foto me personalitete të shumtë nga mbrëmja teksa duket se për Ramën ka një etiketim paksa më të veçantë.

“Më shumë se një mret”, shkruan Nusret krahas fotos me Ramën duke i shtuar dhe një kurorë, një simbol në emoji “për mos marrje më sysh” dhe dy zemra të kuqe.

Nusret Gökçe, i njohur më mirë si Salt Bae, është një shef kuzhine dhe pronar restorantesh. Teknika e Gökçe për përgatitjen dhe spërkatjen e mishit u bë një meme në internet në janar 2017. Ai themeloi Nusr-Et, një zinxhir restorantesh luksoze për biftek.

Që nga viti 2021, Nusr-Et ka degë në Turqi, Greqi, Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar dhe Arabinë Saudite. Emri i zinxhirit të restoranteve vjen nga emri i tij dhe et, që do të thotë “mish” në turqisht.

VIDEO/ Dalin PAMJET e aksidentit TRA GJlK në Kavajë, humbën JETËN dy turistë!

Dy turistë anglezë pranë “Shkëmbit të Kavajës” morën me qira mjetin lundrues Jet Ski, të cilin e pronetuan për disa orë.

Pasi u pajisen me jelek shpëtimi, ata kaluan në hapësirën e dedikuar për mjetet lundruese dhe nuk u kthyen deri sa u konstatuan nga policia kufitare.

Tv Klan ka publikuar pamjet e ngjarjes së ndodhur paraditen e të dielës.

https://streamable.com/e/l05dx1?quality=highest

Siç duket në këtë video, dy turistët anglezë presin të nisen me Jet Ski.

Pasi ndihmohen nga punonjësi i pikës së dhënies me qira të mjeteve, ata nisën në orën 09:41.

Gjatë kësaj kohe miqtë e tyre, i filmojnë me telefon, për të dokumentuar xhiron e tyre në det.

Teksa dy turistët anglezë lundrojnë në det, dy efektivë të policisë kufitare paraqiten pranë biznesit për të kontrolluar dokumentacionin.

Tetë minuta pasi nisën nga bregu i detit, viktima Sylvester Obeng, i cili ishte drejtuesi i mjetit kreu një manovër me shpejtësi e për pasojë humbi kontrollin e mjetit duke përfunduar poshtë tij, ndërsa partnerja e tij në det të hapur.

Kjo skenë siç duket në pamje pikaset nga miku i tyre në breg të detit i cili lajmëron pronarin e biznesit dhe efektivët e policisë.

Këta të fundit lajmërojnë në radio patrullën që ndodhej në det duke kryer kontrolle.

Mjeti lundrues i policisë kufitare niset me shpejtësi, por arrin 1 minutë më vonë pranë dy turistëve anglezë. Ata përpiqen tu japin ndihmën e shpejtë, por 34-vjeçari nuk ia doli të mbijetojë. E gjithë dinamika e aksidentit, u deklarua në polici nga partnerja e viktimës e cila i tha bluve se morën me qira mjetin dhe nuk iu kërkua as patentë dhe as iu dha skafandër.

Por mungesa e patentës dhe kokores për policinë janë shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë nga pronari i biznesit, 56-vjeçari Luiz Xhumari, i cili këtë të hënë u vu në pranga.

Sipas bluve të Durrësit, ai u ka dhënë me qira Jet Ski-në dy turistëve pa i pajisur ata me skafandër mbrojtëse, por vetëm me jelek shpëtimi.

Gjithashtu nga ana policisë është pezulluar dhe aktiviteti i subjektit. Për sqarimin e plotë të ngjarjes policia po kryen verifikime edhe ndaj dy shtetasve anglezë, për të parë nëse kanë qenë nën efektin e alkoolit ndonëse deri më tani nuk ka të dhëna të tilla./Tv Klan

Parkon në mes të rrugës dhe bllokon kalimin, 39-vjeçari dh▪︎non policët që e gjobiten

Një 39-vjeçar nga fshati Kaninë është arrestuar mbrëmjen e së shtunës në Vlorë, pasi kundërshtoi me dhunë punonjësit e policisë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00, në lagjen “Hajro Çakërri”, ku i arrestuari kishte parkuar makinën në mënyrë të gabuar, duke bllokuar rrugën për mjetet dhe kalimtarët. Pasi iu kërkua të largohej dhe u njoftua për gjobën, ai reagoi me dhunë ndaj efektivëve të policisë që ndodheshin në vendngjarje.

Pas incidentit, ai u shoqërua dhe u arrestua. Ndaj tij do të hetohet për kundërshtim të forcave të rendit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik.”

“Strukturat e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me oficerin e Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, arrestuan në flagrancë shtetasin N. A., 39 vjeç, banues në fshatin Kaninë, Vlorë.

Ky shtetas, më datë 01.06.2025, rreth orës 21:00, në lagjen “Hajro Çakërri”, ka ndaluar dhe parkuar automjetin në kundërshtim me rregullat e qarkullimit rrugor, duke penguar lëvizjen e lirë të mjeteve dhe përdoruesve të tjerë të rrugës, në shkelje të dispozitave të parashikuara në Kodin Rrugor. Pasi i është komunikuar masa administrative për shkeljen, ky shtetas ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e patrullës së përgjithshme, gjatë ushtrimit të detyrës”, njofton policia.