“Iu luta me dorë në zemër, mos me Nokën”/ Sula tregon përplasjen me Berishën: Na morën në qafë

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashamir Sula, ka ndarë një moment të rëndësishëm që, sipas tij, mund të kishte ndryshuar rrjedhën e zhvillimeve brenda PD-së, duke theksuar se kishte paralajmëruar Sali Berishën për pasojat e vendimeve që po merrte, përpara se ky i fundit të vendosej në arrest shtëpie.

“Unë i jam drejtuar me dorë në zemër Berishës. I kam thënë: ‘Doktor, të lutem, mos dëgjo këta që ke afër’”, tha Sula, duke shtuar se kjo bisedë kishte ndodhur përpara se Sali Berisha të vendosej në arrest shtëpie.

Sula theksoi se paralajmërimi i tij për Berishën ishte i qartë: “I thashë: ‘Mos na e lër partinë në dorë të Flamur Nokës se na morëm qafë.’ Por Berisha nuk më dëgjoi dhe ja ku jemi sot.”

“Unë i jam drejtuar me dorë në zemër Berishës, i kam thënë: “Doktor të lutem mos dëgjo këta që ke afër.”

Këtë ia thashë atëherë ku nuk kishte kaluar ende në arrest shtëpie. Sali Berisha sot po të ishte në arrest shtëpie unë s’do flisja më sot.

Do thosha: “S’ka faj ka qenë në arrest shtëpie, prandaj humbi zgjedhjet. I humbën këtë zgjedhjet.” Po atëherë i thashë: “Mos na e lër partinë në dorë të Flamur Nokës se na morëm qafë.” Por Berisha nuk më dëgjoi dhe ja ku jemi sot”, tha Sula.

Deklaratat e tij vijnë në një moment reflektimi për rezultatet zgjedhore dhe drejtimin e Partisë Demokratike.

Macron inkurajon investitorët të zgjedhin Shqipërinë: Do jetë në BE brenda dy viteve

Presidenti francez Emmanuel Macron mbajti një fjalim nga Tirana në Forumin Ndërkombëtar FII (Future Investment Initiative), një platformë globale që mbledh liderë politikë dhe drejtues të korporatave më të mëdha në botë për diskutimin e inovacionit, investimeve dhe të ardhmes së ekonomisë botërore.

Macron u bëri thirrje përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse në këtë forum që të investonin në Shqipëri, pasi sipas tij, vendi ka një udhëheqje të fortë dhe një të ardhme të sigurt drejt Bashkimit Europian.

Ai theksoi se kjo thirrje vjen jo vetëm sepse Rama është miku i tij, por edhe sepse me mandatin e tij të që mori, Shqipëria do të shkojë drejt BE-së brenda dy viteve. Macron shtoi se ky proces do të mbështetet fort nga Franca dhe Gjermania.

“Është jashtëzakonisht mirë t’ju kesh në Europë. E di që vini nga pjesë të ndryshme të botës, dhe ky është një vend i qëndrueshëm dhe i besueshëm. Në këtë botë, mos i nënvlerësoni fuqitë e cilësive të tilla, dhe jam shumë i lumtur që jeni këtu. Përtej shakave që bëj me kryeministrin Edi Rama, këtu në Shqipëri keni qartësisht një pikë hyrëse të rëndësishme në Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë. Shqipëria është një pikë kyçe në Mesdhe dhe në Europë. Prandaj, ju inkurajoj të investoni në Shqipëri, sepse ka një udhëheqje të fortë. Nuk po flas vetëm sepse është miku im, por sepse ka sjellë rezultate. Në dy vitet që vijnë, duke pasur një mandat të qartë, Shqipëria do të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, dhe dua t’ju siguroj se ne, si europianë, do të japim rezultate. Tashmë kemi një linjëzim të fortë mes Francës dhe Gjermanisë dhe do të bëjmë maksimumin për të realizuar agjendën që kemi diskutuar. Ju lutem, investoni në Europë, besoni në Europën e fortë që po ndërtojmë, sepse kemi nevojë për besimin tuaj dhe investimet tuaja. Kjo do të na ndihmojë të realizojmë këtë agjendë të ambicioshme, e cila është e duhur jo vetëm për europianët, por edhe për rajonet e tjera, për të krijuar sa më shumë stabilitet”, tha Macron për pjesëmarrësit në këtë forum.

“I besuan Edit një mandat të fortë”, flet e emocionuar Linda Rama: U lidh filli mes prindërve dhe asaj që ëndërruam në ’91

Linda Rama ka ndarë ndjesitë e saj lidhur me angazhimin dhe përgjegjësinë që ndien si bashkëshortja e Kryeministrit Edi Rama.

Ajo shprehu mallëngjimin që ndjeu gjatë periudhës së fundit, duke theksuar lidhjen që po krijohet mes brezave dhe ëndrrës së shqiptarëve për ta bërë Shqipërinë pjesë të Evropës.

“Jam e mallëngjyer sepse ndjeva sikur po lidhej filli midis prindërve tanë dhe asaj që ëndërruam në vitin 1991, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa. Qeveria e parë demokratike mori mbështetje të jashtëzakonshme dhe pas kaq shumë vitesh, shqiptarët besuan se ëndrrat mund të realizohen dhe i dhanë Edi Ramës një mandat të fortë,” tha ajo.

Linda Rama theksoi gjithashtu rëndësinë e përgjegjësisë që ka për të mos zhgënjyer ata që kanë besuar dhe mbështetur këtë proces.

Sipas saj, ky është një mision për të krijuar mundësi të reja për të rinjtë dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për fëmijët.

Rama iu ul në gjunjë Melonit, mediat e huaja: Elon Musk do të jetë bërë xheloz!

Tiranë- Kryeministri Edi Rama përshëndeti dhe mirëpriti më shumë se 40 udhëheqës evropianë në takimin e Komunitetit Politik Evropian.

Ndërkohë një video e mënyrës se si kryeministri Edi Rama e mirëpriti kryeministren italiane Giorgia Meloni, është bërë virale në mediat sociale dhe mediat e huaja i kanë kushtuar shkrime këtij momenti.

“Videoja e tregon atë të gjunjëzuar dhe me duart e kryqëzuara për të mirëpritur udhëheqësen italiane, një gjest që shumë përdorues të medias pretenduan se do ta bënte Elon Musk xheloz, duke iu referuar thashethemeve për një marrëdhënie romantike midis miliarderit të teknologjisë dhe politikanit.”, shkruajnë mediat e huaja

Një mikpritje e tillë “e përzemërt” nuk ishte vetëm për Melonin, kjo sepse video të tjera në mediat sociale tregojnë se si Rama e priti presidentin francez Emmanuel Macronin me një përqafim vëllazëror

“Rama politikan i zoti”, dhëndri i Trump: Aeroporti i Vlorës, mundësi e madhe. Në Sazan diçka spektakolare

Në Tiranë po mbahet, Samiti Ekonomik Ndërkombëtar ‘Future Investment Initiative Europe’, ku i pranishëm është edhe Jared Kushner, nën cilësinë e CEO-s dhe themeluesit të “Affinity Partners”.

“Edi është një politikan shumë i aftë – na tregoi se çfarë mund të bëjë një artist me një vend. Ata do të ndërtojnë një aeroport në Vlorë, dhe kjo është një mundësi shumë e madhe për t’u shfrytëzuar në rajon”,- tha Kushner.
“Isha shumë i tërhequr nga rajoni dhe zhvillimet rajonale demografike. Shpenzuam 1 vit me studim tregu.

Pas një analize rezultoi se mjedisi ishte perfekt. Shumë njerëz më kanë pyetur pse po investojmë në Shqipëri. Shumë veprime të qeverisë po ndryshojnë klimën e jetesës – ato përkthehen në rroga më të larta, në më shumë mirëqenie. Është një lokacion perfekt.

Shumë pak km larg Italisë, 10 minuta distancë nga aeroporti i ri. Do të ndërtojmë diçka spektakolare dhe do e prezantojmë së shpejti. Kush do e vizitojë resortin?

Së pari unë me gruan. Do ndërtojmë një komunitet të shkëlqyer dhe do tërheqim markat më prestigjioze në botë”,- tha Kushner.

“Mirë se vjen në Shqipëri”/ Videoja e liderëve ‘bebe’ me ‘AI’ në Samitin e Tiranës bën ‘namin’ në mediat ndërkombëtare

52 liderët e kontinentit evropian të kthyer në fëmijë përmes inteligjencës artificial teksa shprehen në gjuhën e tyre “Mirë se vjen në Shqipëri” është kthyer në një lajm ndërkombëtar, madje dhe si një tjetër mundësi për turizmin në Shqipëri.

https://sot.com.al/wp-content/uploads/2025/05/WhatsApp-Video-2025-05-16-at-13.09.55.mp4?_=1

Politico Europe: “Raportoi për reagimet e ndryshme të liderëve ndaj videos, duke përmendur se Kryeministrja italiane Giorgia Meloni qeshi me zemër, ndërsa Kryeministrja daneze Mette Frederiksen shfaqi një buzëqeshje të habitur. Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan mbeti serioz, por u pa një buzëqeshje e lehtë kur u shfaq imazhi i tij si foshnjë me mustaqe”.

Associated Press (AP): “Raportoi se liderët evropianë u surprizuan kur panë veten e tyre të paraqitur si fëmijë në një version të animuar të krijuar me inteligjencë artificiale gjatë hapjes së samitit në Tiranë”.
Cadena SER (Spanjë): “Theksoi se videoja e krijuar me inteligjencë artificiale tregonte liderët politikë evropianë si foshnja duke përshëndetur të pranishmit me fjalët “Mirë se vini në Shqipëri”, duke përfshirë figura si Emmanuel Macron, Ursula von der Leyen dhe Viktor Orbán”.

RTÉ Irlandë: “Publikoi një video që tregonte liderët e shteteve të paraqitur si foshnja në një klip të shkurtër, duke përfshirë reagimet e tyre gjatë shfaqjes së videos”.

Irish Examiner: “Raportoi për videon që tregonte liderët evropianë si foshnja duke thënë “Mirë se vini në Shqipëri” në gjuhët e tyre amtare, duke theksuar reagimet e ndryshme të të pranishmëve gjatë shfaqjes së saj.

Edhe në Itali thuajse të gjithë mediet i dhanë një peshë të rëndësishme të kësaj surprize, ndërsa në një kërkim në internet rezulton se video ka marrë një përhapje tejet të gjerë e në çdo gjuhë. Madje “The telegraf” ka zgjedhur të shkojë edhe më tej, përmes një kuizi ofron disa prej tyre duke i kërkuar ndjekësve të gjejnë se kujt i përket.

“Në dy vitet që vijnë Shqipëria pjesë e BE”/ Eksperti i integrimit europian për deklaratën e Macron: Kurrë s’kam lexuar diçka kaq pozitive…

Eksperti i integrimit europian, Shenoll Muharremi, ka analizuar deklaratën e presidentit francez Emmanuel Macron për Shqipërinë.

Në një postim në Facebook ai shkruan se “kurrë nuk ka lexuar diçka kaq pozitive për Ballkanin”.

“25 vjet jam aktivisht me agjendën Europiane. Kurrë skam lexu kështu diçka, kaq pozitive për një vend nga Ballkani! Bravo Shqipëri 🇦🇱👏🏻

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Shqipëria të jetë pjesë e Evropës. Ky vend është qartë një pikë hyrëse e Ballkanit Perëndimor dhe, më gjerë, një pikë kyçe në Mesdhe dhe në Evropë. Prandaj, ju inkurajoj të investoni në Shqipëri, sepse ka një udhëheqje të fortë. Nuk e them këtë sepse Rama është miku im, por sepse ai ka sjellë rezultate. Në dy vitet që vijnë, duke pasur një mandat të qartë, Shqipëria do të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Jeni të sigurt se ne, si Europë, do të japim rezultatet e pritura, së bashku me Gjermaninë, për të realizuar këtë axhendë. Prandaj, ju lutem, investoni në Shqipëri dhe në Evropë”, tha Macron për pjesëmarrësit në këtë forum”.

Dyshohet se është piramida më e madhe në Tokë! Mali misterioz në pyllin tropikal të Amazonës

Një kodër në formë piramide në pyllin tropikal të Amazonës ka ndezur thashethemet. Nëse është vepër e duarve të njeriut, është piramida më e madhe e lashtë e të gjitha kohërave. Në Parkun Kombëtar Sierra del Divisor në Peru, pranë lumit Ucayali në Amazonë, pranë kufirit me Brazilin, ndodhet një kreshtë që mund të shihet në distancë prej më shumë se 400 kilometrash. Formacioni, rreth 400 metra i lartë, njihet si Cerro El Cono (‘kodër konike’ në spanjisht) dhe besohet nga disa të jetë piramida më e madhe e krijuar ndonjëherë nga një qytetërim i lashtë.

Kodra e pjerrët në formë piramide ka sipërfaqe më të sheshta se malet e tjera, të cilat me kalimin e kohës janë mbuluar me bimësi dhe pyje. Për shkak të formës së saj, shumë besojnë se nuk është një formacion natyror. Sipas agjencisë peruane të lajmeve La Republica, disa studiues alternativë kanë filluar ta eksplorojnë këtë ide, duke besuar se Serro El Cono është një strukturë e ndërtuar nga njeriu, e ngjashme me piramidat e Gizës ose Amerikës Qendrore. Legjendat lokale thonë gjithashtu se Cerro El Cono qëndron mbi rrënojat e një piramide, e cila u ndërtua në një kohë të panjohur në të kaluarën nga një qytetërim i lashtë në Amazonë.

Mali adhurohej nga banorët e tij shumë kohë para mbërritjes së evropianëve, madje edhe para shfaqjes së qytetërimit të afërt, inkëve. Popujt indigjenë atje ende e adhurojnë malin si një shpirt të shenjtë malor që mbron komunitetin e tyre. Mali quhet Apu i Andeve. Studimet e kësaj zone janë të rralla dhe askush nuk ka gjetur ende prova që konfirmojnë se është një formacion artificial. Megjithatë, nëse vërtetohet ndonjëherë, Serro El Kono do të ishte kodra më e lartë antike në histori, duke tejkaluar shumë lartësinë e piramidës më të lartë të Egjiptit, Piramidës së Madhe të Gizës (146 metra), ose çdo tempulli të njohur antik.

Pavarësisht të gjitha legjendave dhe formës misterioze të këtij gjiganti amazonian, shkencëtarët ende besojnë se shpjegimi më i mundshëm është me origjinë gjeologjike ndoshta një vullkan i shuar ose një strukturë shkëmbore natyrore. Shumica besojnë se Cerro El Cono është ndoshta një vullkan i shuar që u ngrit në mes të pyllit tropikal. Mund të jetë një kon vullkanik, një tapë vullkanike ose një ndërhyrje magmatike, të gjitha këto janë forma që u krijuan nga proceset vullkanike miliona vjet më parë. Një kon vullkanik formohet nga depozitimi i lavës, hirit dhe materialeve të tjera të shpërthyera rreth një vrime vullkanike.

Një tapë (ose qafë) vullkanike është një masë e ngurtë magme e ngurtësuar brenda një vullkani që mbetet pas erozionit të materialeve më të buta në periferi. Ndërhyrja magmatike ndodh kur magma hyn midis shkëmbinjve, ngurtësohet nën tokë dhe më vonë bëhet e dukshme si një kodër ose majë e vetmuar pas ekspozimit. Pavarësisht se si u krijua Cerro El Kono, ai është një formacion krejtësisht unik në Amazonë dhe sekretet e tij ende presin të zbulohen.

‘SPAK kontrolloi disa lokale përpara zgjedhjeve’, Lala zbulon kandidatin socialist në ‘telashe’ nga hetimet

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në një emision televiziv, ka dhënë një analizë të thelluar mbi zgjedhjet e fundit, duke theksuar se procesi nuk ishte pa probleme, sidomos për shkak të ndikimit të eksponentëve të krimit të organizuar në disa qarqe si Durrës, Shkodër, Elbasan dhe Fier.

Sipas saj, janë të paktën 39 çështje penale që po hetohen për korrupsion zgjedhor, ndërsa e cilëson të dyshimtë faktin që nuk ka asnjë çështje të hapur që lidhet me Partinë Socialiste, pavarësisht përfshirjes së administratës dhe përdorimit të aseteve publike në fushatë.

Lala shtoi se SPAK kreu kontrolle edhe në disa lokale të lidhura me kandidatin Ani Dyrmishi, për shkak të dyshimeve për lidhje të krimit të organizuar me shtabin e tij elektoral. Ajo theksoi se duhet pritur për të parë çfarë do të zbulohet më tej.

Lala tha se ka pasur edhe incidente të drejtpërdrejta gjatë votimeve, si në Kashar, ku vëzhgues të kandidatit të PS Ornaldo Rakipi goditën sekretarin e KZAZ-së, dhe se vetë ajo ka arritur të filmojë një çantë me para në vendngjarje. Ajo vuri në dukje se në disa raste, personazhe me të kaluar kriminale kanë qenë të pranishëm në qendrat e votimit apo në numërim, si në rastin e përplasjes së Flamur Nokës me Xhabaftët në Vorë.

Në Fier, Lala përmendi presionin “nën rrogoz” dhe faktin që qytetarët nuk votuan deri në orët e vona të ditës. Po ashtu, në Elbasan përmendi kandidaturën e Sara Milës, që sipas saj është objekt hetimi për lidhje të mundshme me krimin e organizuar, duke vënë në pikëpyetje rritjen e votave të saj.

Lala kritikoi gjithashtu përzgjedhjen e kandidatëve, ku sipas saj, emra pa asnjë kontribut kanë hyrë në Kuvend, ndërsa figura me integritet kanë mbetur jashtë. Ajo vuri në dukje edhe presionin ekstrem mbi numëruesit dhe vështirësinë e punës së tyre.

Për sa i përket SPAK, Lala theksoi se ka pritshmëri të larta nga prokuroria, por gjithashtu kërkoi më shumë angazhim nga policia dhe SHISH për të ndihmuar në zbulimin e krimeve zgjedhore, që sipas saj këtë herë kanë qenë më të sofistikuara dhe të vështira për t’u zbuluar.

“Në Durrës, Arkend Balla ishte kandidati i PS më i votuari, teksa në 2021 nuk kishte marrë më shumë se 2 mijë vota. Tani, 4 vjet më vonë, ai rezulton më i votuari edhe se vetë Kryeministri kur ishte në Durrës në 2021. Ky është një dyshim i fortë për krim zgjedhor. SPAK kishte bëri kontrolle edhe në disa lokale për kandidatin tjetër Ani Dyrmishi, pasi kishte dyshime se bota e krimit kishte lidhje me shtabin elektoral. Duhet të presim se çfarë do të zbardhet. Shpresoj që 39 dosjet e SPAK të tregojnë të vërtetën dhe realitetin. Nuk besoj se ishte ky vullneti real i shqiptarëve,” përfundoi gazetarja.

“Kur u tregoj miqve për resortin në Sazan më thonë ‘duam një vend aty’”, dhëndri i Trump: Po tërheqim disa nga markat më të njohura në botë

Jared Kushner, dhëndri i presidentit të SHBA, Donald Trump ka treguar detaje interesante lidhur me projektin që ai pritet të zbatojë në ishullin e Sazanit.

Në fjalim online në forumin ekonomik ndërkombëtar të titulluar “Future Investment Initiative Europe” që po zhvillohet në Tiranë, Kusher foli për resortin turistik me vlerë 1.4 miliardë dollarë. Resorti në ishullin e Sazanit konsiderohet si ndër më luksozët në rajon dhe Mesdhe.

Pyetje: Kush do të jenë blerësit? Kush do të jenë vizitorët? Si shpresoni t’i tërhiqni?

Jared Kushner: E vetmja që e di me siguri është vetja ime, gruaja dhe familja ime. Pra, po e dizajnojmë këtë vend në mënyrë që të jetë një vend ku ne do të donim të kalonim verën. Dhe sa herë ua tregoj miqve tanë, ata më thonë: “Duam edhe ne një vend aty pranë”. Po tërheqim disa nga markat më të njohura në botë që duan të bëhen pjesë e kësaj. Dhe mendoj se do të jetë e jashtëzakonshme. Pra, po e dizajnojmë si vendi ku ne vetë do të donim të kalonim verën, dhe nëse e realizojmë mirë, besoj se edhe shumë familje të tjera do të duan të kenë një shtëpi aty ose ta vizitojnë shpesh.

Pyetje: Kur e nisët “Affinity Partners”, nuk mendoj se pasuritë e paluajtshme ishin pjesë e strategjisë tuaj. Si ndodhi që vendosët të bëni këtë ndryshim? Na tregoni edhe për investime të tjera që po konsideroni në Europë. Çfarë mundësish shihni në këtë pjesë të botës?

Jared Kushner: Kur isha në sektorin e pasurive të paluajtshme, gjithmonë më tërhiqnin tregjet që ishin të nënvlerësuara, por kishin të gjithë elementët e duhur. Në Nju Jork, isha në SoHo para se të bëhej shumë i njohur. Në Brooklyn para se të bëhej trend. Dhe në Jersey City para se të bëhej interesant. Të gjitha këto kishin të njëjtën gjë me Shqipërinë – themeli i duhur, por njerëzit nuk e kuptonin ende. Ndihesha sikur ishim dhjetë vjet përpara trendit. Po ashtu, përmasa, shkalla e mundësive dhe elementi qeveritar që ndihmon zhvillimin. Kemi pasur shumë sukses në Europë. Nuk kemi bërë shumë, por kemi investuar në një kompani në Gjermani që tani ka dyfishuar vlerën. Rritja e tyre ka qenë e jashtëzakonshme. Po ashtu kemi investuar në Revolut, që është ndoshta platforma më e mirë e teknologjisë financiare që është ndërtuar ndonjëherë. Po rritet me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe jemi shumë krenarë për këtë.

Pyetje: A ka ndryshuar strategjia juaj e investimeve që kur vjehrri juaj, Presidenti Trump, mori detyrën? Dhe nëse po, si dhe çfarë shihni në strategjinë tuaj për tregje të tjera të hapura?

Jared Kushner: Vazhdojmë të bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë. Kemi investuar tashmë rreth 2.5 miliardë dollarë. Më shumë se gjysma është në SHBA. Kemi disa investime ndërkombëtare, ku mendojmë se tregjet dhe mundësitë janë të çmueshme gabimisht. Po shoh diçka edhe nga një interes personal. Nuk e di nëse do të kualifikohet për fondin, por kam ndihmuar shumë Steven për të promovuar Marrëveshjet e Abrahamit – për të siguruar që ekzistueset të funksionojnë dhe për të gjetur mundësi të reja.(BalkanWeb)