Kreu i SPAK, Arben Kraja thotë se hetimet për çështje të bujshme si hetimi i lobimit të LSI dhe ndaj Ilir Metës është duke vijuar sipas çdo procedure, ndërsa prokurorët janë në pritje edhe të provave nga jashtë shtetit.
Kraja tha se një tjetër hetim që është hapur me kërkesë të familjarëve është ai i “Gërdecit”, duke shtuar se nën hetim është ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Për Sali Berishën, Kraja tha se janë duke u verifikuar mundësitë e përfshirjes së tij në çështjen e Gërdecit dhe atë të ndërtimit të Kompleksit Partizani.
Lidhur me vizitën e tij në SHBA, Kraja tha në RTSH se aty “u hodhën piketat” për punën e ardhshme të SPAK.
Pjesë nga deklarata:
Çështja e lobimit është hapur me kërkesë nga jashtë, çështja e Gërdecit është hapur me kërkesë të familjarëve. Po vazhdojmë hetimet, janë komplekse se ka kaluar kohë e gjatë. Ne po hetojmë ngjarjen, ish-ministri i Mbrojtjes është me statusin nën hetim.
Vizita në SHBA s’kishte të bënte me mua personalisht, por me institucionin dhe për suportin e dhënë për institucionit. Jemi partnerë dhe shkëmbejmë me njëri-tjetrin informacione. Shkuam aty për të vendosur piketat e ardhshme të bashkëpunimit.
Për hetimin e Metës është me kallëzim të gazetarëve, nuk mund të them më tepër. Jemi duke kryer të gjitha veprimet. Shkojnë dhe vijnë përgjigjet, pa diskutim. Nuk dua të futem në detaje, do t’i bëjmë të gjitha veprimet e nevojshme, përfshi dhe marrjen e provave nga jashtë vendit.
Për Berishën ka çështje konkrete ku diskutohet që mund të jetë përfshirë ish-presidenti apo ish-kryeministri, është çështja e Gërdecit dhe çështja e pallateve Partizani. Nuk mund të them më shumë.