Moderatori i emisionit “Të Paekspozuarit”, Ylli Rakipi e pyeti gazetarin Artan Hoxha se si shpjegohet që nuk ka më lajme për kapje kokaine në portin e Durrësit, siç ndodhte më parë, disa herë më muaj.
Hoxha u shpreh se diçka çalon në këtë situatë, sepse tregu është plot dhe çmimi ka rënë shumë në 6 milionë euro kilogramë. Ai tha se në Shqipëri mundësia më e madhe për të futur kokainën është porti dhe e quajti fat të mirë faktin se gjithë sasia që hyn, duket se nuk është për tregun vendas, por për t’u dërguar në Evropë.
“Fakti që nuk është kapur, është çudi e madhe. Në vitin 2022, ka qenë çdo muaj nga 2-3 ngarkesa, që vinin nga Kolumbia, Ekuadori, Brazili. Ajo çoi në një problem të madh në port. Nga 3 nëntori, kaloi në skaner një kontenier i BanaKing, doli i pastër, pati info dhe u futën me qen, gjetën që kishte 17 kg në dy arka.
Pra, duket e çuditshme që për dy vite me radhë nuk është kapur në hyrje, por vetëm në dalje. Kokaina nuk prodhohet këtu.
Kemi patur një rast që erdhi kontejneri, e morën dhe e cuan në periferi të Durrësit, pas dy orësh e kthyen prapë.
Aty u tha që mungonin një sasi e arkave me banane.
E gjithë kjo, ose është shtrënguar shumë dhe u rrit niveli i sigurisë në port, por kjo do të reflektohej në treg, por sasia e kokainës në treg të brendshëm është shumë e lartë dhe cilësia e mirë. Kemi folur për ato festat që bëhen…
Pra bën shumë përshtypje dhe kjo përputhet, që në mes të 2022, ndodhi një evolucion, rokadë në botën e krimit të organizuar, menjëherë vjen kjo pjesa tjetër që nuk është kapur më.
Ose kanë sofistikuar kaq shumë mënyrat e futjes në vend dhe nuk kanë arritur dot t’i kapin, ose bashkëpunimi ka qenë perfekt.
Mungesë të produktit nuk ka patur, madje ra shumë çmimi, ra gati me 6 mijë euro për kg.
Një pjesë e operacioneve janë bërë me partnerët. Duket sikur diçka çalon.
Rrugët kryesore, në Shqipëri mundësia më e madhe është porti. Për fat të mirë, gjithë sasia që hyn, duket se nuk është për tregun vendas. Organizatat kriminale e zgjedhin portin, në rastet kur marrin garanci, sepse është shumë më lirë se në Antverp dhe Roterdam.
Produkti që kanë përdorur, frutat ekzotike, mish pule, qymyrguri, konserva asparagësh, në lëndë të parë që vjen për industritë ushqimore.
Pra, meqë jemi edhe në vit zgjedhor, po humbën nja 50 arka atje, dalin më keq se në ’97-ën ata”, tha Hoxha.