Kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjen e fundit në kualifikueset e Botërorit, këtë herë ndaj Anglisë në stadiumin “Air Albania”.
Në prag të këtij dueli, në konferencë për shtyp ka dalë trajneri i kuqezinjve, Silvinjo.
Silvinjo tha se ka folur personalisht me Armando Brojën dhe me gjithë skuadrën, pas sjelljes së tij në përfundim të ndeshjes Andorra-Shqipëri, ku sulmuesi duhet të merrej me zor nga Hysaj për të festuar me shokët kualifikimin për në playoff-et e Kupës së Botës.
“Po, fola me të. Fola edhe me grupin. E kemi zgjidhur, nuk ka probleme. Por sigurisht që fola me të. Ishte pak i zhgënjyer, por tani kjo ka kaluar”, tha Silvinjo.
“Ishte i zhgënjyer që u zëvendësua. Por nuk e di pse ishte kaq i mërzitur. Ne në atë pikë ishim në kërkim të fitores. Çështja është e zgjidhur dhe nuk ka asnjë problem.”
“Në fakt Broja ka bërë mirë në disa ndeshje. Me Serbinë bëri shumë mirë. Nuk është fokusi sesi një lojtar luan në atë rol, por edhe për të ekuilibruar skuadrën. Nuk fokusohemi dot në një lojtar. Ai është një nga lojtarët që kemi. Nëse ndodh që një lojtar tjetër mund të bëjë një pozicion, do të provohet. Uzuni, mund të luajë në të majtë, sulmues i dytë dhe djathtas”, shtoi Silvinjo.
Sa i përket Anglisë, Silvinjo tha se nuk ka vend për shumë iluzione, pasi është një prej skuadrave favorite për të fituar Kupën e Botës.
“Nuk dua të konfuzoheni. Po flasim për Anglinë, që është mes favoritëve për të fituar Botërorin. Janë komplet nivel tjetër. Mos e ngatërroni me ekipin tonë. Ne për herë të parë do të luajmë në “play off”. Është ndeshje shumë e vështirë. Tuchel është një trajner i madh. Ai ka lojtarë të mëdhenj në skuadër. Janë ekip që kanë shtatë fitore dhe nuk kanë pësuar asnjë gol”, tha Silvinjo.
Kujtojmë se Kombëtarja siguroi për herë të parë në histori kualifikimin në “play off” të Botërorit.
Kjo u arrit falë fitores minimale ndaj Andorrës dhe humbjes së Serbisë ndaj Anglisë.