Presidenti i Ukrainës, Volodomyr Zelensky ka zhvilluar sot një vizitë në Greqi, ku ka nënshkruar edhe një marrëveshje për importimin e gazit nga ky vend, gjatë dimrit të vështirë për shkak të sulmeve ruse ndaj infrastukturës energjitike ukrainase.
Zelensky vuri në dukje se ky dimër, i ekspozuar ndaj dronëve dhe raketave nga Rusia, do të jetë një sfidë e madhe për vendin, por marrëdhëniet me Greqinë kanë dhënë rezultate pozitive nga bisedimet.
“Gjatë takimit tonë me Presidentin e Greqisë Konstantinos Tasoulas, diskutuam bashkëpunimin në energji, përkatësisht marrëveshjen midis Ukrainës dhe Greqisë për gazin, e cila do të na ndihmojë të kalojmë dimrin. Gjithashtu biseduam veçmas për partneritetin në projekte të përbashkëta, punën diplomatike, nevojën për të forcuar sanksionet kundër Rusisë dhe përdorimin e aseteve të ngrira ruse, përfshirjen e biznesit grek në rindërtimin e Ukrainës dhe përpjekjet e përbashkëta për të kthyer fëmijët ukrainas të rrëmbyer nga Rusia”, theksoi udhëheqësi ukrainas.
Sipas marrëveshjes, është planifikuar që furnizimet me gaz nga Greqia të fillojnë në janar, dhe paralelisht po shqyrtohet nisja e korridorit energjetik Aleksandropolis-Odessa, i cili synon të zgjerojë dhe stabilizojë rrugët e importit të gazit për Ukrainën.
Pas vizitës zyrtare të Zelensky-t, Athina konfirmoi marrëveshjet mbi bashkëpunimin në energji, hapat diplomatikë dhe presionin e sanksioneve ndaj Rusisë. Po diskutohen gjithashtu mundësitë e pjesëmarrjes së biznesit grek në rindërtimin e vendit dhe kthimin e fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia.
Në kontekstin e kërcënimeve nga Rusia, Ukraina po shqyrton përdorimin e aseteve të ngrira ruse si një mjet për të financuar restaurimin e infrastrukturës energjetike dhe për të forcuar sigurinë energjetike për sezonin e ardhshëm.