SPAK surprizon me prova të reja për Veliajn, ja çfarë u zbulua

Apeli i GJKKO-së ka shtyrë për ditën e nesërme dhënien e vendimit për kërkesën ndaj masës së sigurisë për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj. Seanca e radhës pritet që të mbahet të mërkurën (nesër) në orën 12:30.

Avokatët e Veliajt mësohet se kanë kërkuar të njihen me prova të reja. Sipas informacioneve, kryebashkiaku Veliaj ende nuk ka mbajtur fjalën e tij në seancën e Apelit e cila sot zgjati mbi 7 orë.

Sipas Syri.net, prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado kanë dorëzuar prova dhe fakte të reja që rëndojnë pozitat e Veliajt. Syri.net shkruan se janë disa audiopërgjime ambientale dhe telefonike të bëra ndaj kryebashkiaku Erion Veliaj i cili komunikon me vëllain e tij Arbër Veliaj ku përmenden dhjetëra emra gazetarësh dhe bashkëpunëtorësh të tij.

Gjithashtu ka fakte dhe prova të tjera që lidhen me kryebashkiakun Veliaj, familjaret e tij dhe biznesmenët që ka bashkëpunuar ndër vite.

Nga përgjimet e dhëna si prova nga SPAK që janë lexuar në seanca nga prokurorët dhe janë administruar nga avokatët. Këto përgjime SPAK i ka vënë në dispozicion Apelit të GJKKO me pretendimin se Veliaj po ushtron presion mediatik kundër njerëzve të drejtësisë.

SHBA dhe Ukraina arrijnë marrëveshje pas 8 orësh, Kievi pranon armëpushimin 30-ditor! Uashingtoni rifillon ndihmën e sigurisë

Shtetet e Bashkuara “do të heqin menjëherë pauzën për ndarjen e informacionit të inteligjencës dhe do të rifillojnë ndihmën e sigurisë për Ukrainën”, thanë SHBA dhe Ukraina në një deklaratë të përbashkët në lidhje me takimin e tyre sot në Jeddah, Arabi Saudite.

“Kyiv gjithashtu shpreh gatishmërinë për të pranuar propozimin e SHBA-së për të miratuar një armëpushim të menjëhershëm, të përkohshëm 30-ditor, i cili mund të zgjatet me marrëveshje të ndërsjellë të palëve dhe i cili është subjekt i pranimit dhe zbatimit të njëkohshëm nga Federata Ruse”, thuhet në deklaratë.

“Shtetet e Bashkuara do t’i komunikojnë Rusisë se reciprociteti rus është çelësi për arritjen e paqes”, shkruhej në deklaratë.

Të dy palët janë takuar për më shumë se tetë orë në qytetin saudit të martën.

Egli Tako bëhet e gjallë, ja çfarë publikoi në rrjete sociale (Video)

Që nga dalja e saj nga shtëpia e Big Brother VIP për çështje shëndetësore, shumë është përfolur sa i përket gjendjes së Egli Takos.

Heshtja e saj i hapi shteg thashethemeve nga më të ndryshmet sa i përket gjendjes së saj.

Dikush tha që është në depresion të thellë. Të tjerë aluduan se është në izolim dhe mund të kthehet në shtëpinë më të famshme si lojtare.

Megjithatë, e vërteta nuk duket të jetë në asnjë nga versionet e përfolura.

Në TikTok po qarkullon një video e saj në natyrë teksa bën vrap.

Nuk dihet me siguri nëse video është bërë më moti.

Mbetet të shihet se si do i rikthehet Egli përditshmërisë pas mbi 70 ditëve shumë intensive e të vështira.

https://www.tiktok.com/embed/v2/7480527586737540358?lang=sq-AL&referrer=https%3A%2F%2Fshqiperia-ime.com%2Fegli-tako-behet-e-gjalle-ja-cfare-publikoi-ne-rrjete-sociale-video%2F

SPAK forcon akuzat me prova të reja, Lala zbulon detajet: Pozita e kryebashkiakut mund të rëndohet

Vendimi i Apelit të Posaçëm për Erion Veliajn u shty për nesër (12 mars) pasi avokatët kërkuan kohë për t’u njohur me provat e reja të paraqitura kundër kryebashkiakut të Tiranës nga prokurorët e çështjes së tij, Ols Dado dhe Altin Dumani.

Sipas gazetares Klodiana Lala, pozitat e Veliajt, i cili kërkon lirinë, mund të rëndohen me paraqitjen e provave të reja.

“Veliaj kundërshton masën e sigurisë duke argumentuar se nuk ekzistojnë kushte dhe kritere të prishë provat dhe do të ndihet i lirë për të shkuar në punë.

Fakti që SPAK ka sjellë prova të reja, kjo mesa duket e rëndon deri diku pozitën e Veliajt, i cili ka diskutuar deri më tani mbi bazën e provave që kanë patur në dispozicion”, tha ajo.

Kujtojmë se në seancën e sotme, Veliaj nuk ka parashtruar agrumentet e tij para togave të zeza.

“I kthen menjëherë kafshët në gur, por jo flamingot”/ Njihuni me liqenin më vdekjeprurës në botë

Liqeni Natron në Tanzani është një nga fenomenet natyrore më të çuditshme dhe misterioze në botë. Me një temperaturë ekstreme dhe ujë të pasur me kripë, ky liqen është një habitat ku vetëm disa specie mund të mbijetojnë.

E njohur për veçoritë e saj të jashtëzakonshme, Natron ka tërhequr interesin e shkencëtarëve dhe turistëve për shkak të ngjyrave të tij të pazakonta dhe kushteve të rrezikshme që ofron.

Ideja e një liqeni që i kthen në çast kafshët në gur tingëllon si nga mitologjia greke, por në fakt ky fenomen tejet i veçantë ndodh në liqenin Natron në Tanzani, i cili është një nga liqenet më vdekjeprurës në botë.

Përkundër kimisë së tij jomikpritëse, Liqeni Natron pret një nga fenomenet më spektakolare të jetës së egër të Afrikës.

Liqeni Natron pret një nga fenomenet më spektakolare të jetës së egër të Afrikës. Mbi dy milionë flamingo më të vogla – 75% e popullsisë së botës – përdorin këto ujëra kaustike si terrenin e tyre kryesor të çiftëzimit, duke krijuar një kufi rozë të gjallë rreth liqenit të kuq.

Flamingot lulëzojnë këtu pikërisht sepse pak grabitqarë mund të lundrojnë në mjedisin e ashpër, duke e bërë atë një vend të shenjtë paradoksal. Fotografët e kafshëve të egra zakonisht vizitojnë midis gushtit dhe tetorit, kur numri i flamingove arrin kulmin në një shfaqje mahnitëse të përshtatshmërisë së natyrës.

Gjatë stinës së shirave, pellgu mbushet me ujë, por më vonë temperaturat e larta shkaktojnë avullim intensiv. Aty gjallojnë vetëm disa baktere të pasura me pigment të kuq, që e ngjyros intensivisht ujin, duke dhuruar pamje fantastike.

Liqeni Natron është shumë i cekët, thellësia varion nga 1.5 deri në 3 metra. Nxehtësia e ujit arrin deri në 50 dhe madje edhe 60 ° C. Përmbajtja e kripërave të natriumit në ujërat e liqenit është shumë e lartë. Në muajt më të nxehta (shkurt dhe mars) edhe uji bëhet i trashë për shkak të kësaj. Këto kushte favorizojnë aktivitetin e cianobaktereve halofil që jetojnë në liqenin Natron, për shkak të pigmentit të të cilit uji ka një ngjyrë të kuqe të gjakut. Megjithatë, hija e ujit ndryshon në varësi të sezonit dhe thellësisë – liqeni mund të jetë portokalli ose i kuq, dhe nganjëherë duket si një pellg i zakonshëm.

Ujërat e Natronit në Tanzani janë një rrezik i vërtetë. Për shkak të nivelit të lartë të ujit alkali, kripë e ngrirë çon në djegie të rënda nëse një person, një kafshë ose një zog është zhytur në liqen. Pikërisht kështu shumë zogj kanë gjetur vdekjen. Më pas, trupat e tyre ngurtësohen dhe mumifikohen, duke u mbuluar me substanca minerale.

Këto veçanti të këtij liqeni lidhen edhe me Ol Doinyo Lengai, i njohur si “Mali i Zotit”, i cili është i vetmi vullkan aktiv që lëshon natrokarbonat.

Nuk ka dalë nga shtëpia e BBV?! Mikesha e Eglit flet për të

“Big Brother VIP” nuk zhgënjen kurrë kur bëhet fjalë për drama dhe mistere. Dhe dalja e papritur e Egli Takos ka lënë pas një valë spekulimesh, mes të cilave edhe se ajo do rikthehet sërish në reality-show. Modelja Sara Gjoka, mikesha e Eglit, e ftuar në “Live From Tirana”, foli mbi thashethemet që po qarkullojnë.

“Thashetheme kam dëgjuar pafund të ndryshme që thonë se është në gjendje shumë të keqe gati që mund të jetë edhe spitalore nga çështja mendore. Ka edhe thashetheme që thonë se nuk ka dalë fare nga shtëpia dhe prandaj nuk duket askund dhe ndoshta kjo është e gjitha një lojë dhe një pauzë nga produksioni. Pra mund të jetë e izoluar diku, nuk ka dalë nga shtëpia e Big Brother, është përfolur plot. Me gjendjen e Eglit që kam parë kohët e fundit nuk e mendoj një rikthim dhe nuk më duket shumë e besueshme kjo çështja e të mos dalurit nga shtëpia e BBV ende.”

Sa i përket marrëdhënies së diskutueshme mes Eglit dhe Gjestit, ajo tha:

“Ka pasur një dinamikë reciproke, por në një pikë Egli ka kaluar kufijtë me reagimet e saj. Megjithatë, unë mendoj se Gjesti ka qenë manipulues dhe ka dhënë sinjale të përziera”.

Misteri vazhdon, ndërsa publiku pret me padurim të zbulojë të vërtetën pas këtij largimi të papritur.

Ja data kur mbyllet TikTok! AKEP urdhër kompanive të internetit në Shqipëri: Bllokoni aksesin

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka kërkuar zyrtarisht mbylljen e aksesit të TikTok.

Në një e-mail të dërguar të gjitha subjekteve ISP (ofrues të shërbimeve të internetit) kërkohet që të bllokojnë aksesin e TikTok brenda datës 13 Mars.

AKEP bazohet në urdhërin e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se TikTok do të qëndrojë i mbyllur për një vit, derisa kompania t’i paraqesë Shqipërisë hapa konkrete se si do të luftojë duke bllokuar apo hequr të gjithë materialin e dëmshëm dhe të rrezikshëm që shpërndahet në platformë dhe shpesh ndikon edhe te të rinjtë shqiptarë.

Njoftimi i AKEP:

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) me shkresën nr. 1196 prot., datë 10.03.2025 (administruar në AKEP me nr. 359/2 prot., datë 10.03.2025), ka kërkuar marrjen e masave të nevojshme për bllokimin e aksesit në aplikacionin TIK TOK dhe infrastrukturën e tij digjitale në territorin shqiptar, duke ndërmarrë veprimet e mëposhtme:

Bllokimi i IP-ve të TikTok në territorin e Shqipërisë.

Bllokimi i DNS-ve te TikTok në territorin e Shqipërisë.

Bllokimi i SNI (Server Name Indications) të TikTok në territorin e Shqipërisë.

Bllokimi i IP-ve të kompanisë ByteDance në territorin e Shqipërisë.

Në shkresën e AKSK-së citohet baza ligjore (Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 151 datë 6.3.2025) dhe listën e të gjitha IP-ve dhe domaineve, për të cilat kërkohet bllokimi i aksesit.

Bazuar në germën ç), të pikës 2 të nenit 30 të ligjit nr. 54/2024 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” dhe germës e), pika 1, të nenit 9, si dhe pikës 9 të Aneksit E, të Rregullores së AKEP nr. 47 datë 26.10.2017 “Për zbatimin e regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm”, çdo operator/sipërmarrës që ofron shërbime/rrjete të komunikimeve elektronike sipas regjimit të autorizimit të përgjithshëm, duhet të respektojë kufizimet e transmetimeve të përcaktuara me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme nga AKSK.

Për sa më lart, ju përcjellim shkresën e AKSK-së.

Gjithashtu, secili sipërmarrës (ISP), duhet te paraqese konfirmim me shkrim në AKEP dhe për dijeni AKSK, për mbylljen e aksesit IP-ve dhe domaineve të cituara në shkresën e AKSK, brenda datës 13 mars 2025.

Sondazhi/ Ja cili politikan pëlqehet më shumë 2 muaj përpara zgjedhjeve

Barometri Euronews – Albania ka zhvilluar matjen e dytë zgjedhore pas matjes së Janarit 2025. Sërish metodologjia e përdorur dhe kampioni ka qwnë i njëjtë, 1600 qytetarë të pyetur në gjithë territorin e vendit, ballë për ballë.

Periudha kohore e mbledhjes së të dhënave për matjen e dytë zgjedhore të Barometrit Euronews-Albania është 15-25 Shkurt 2025.

Matjet e dyta politike të Barometrit Euronews Albania për zgjedhjet e 11 Majit sjellin pëlqyeshmërinë që kanë liderët e partive kryesore politike 2 muaj përpara zgjedhjeve.

Edi Rama në matjen e dytë ka 51.1% mendim pozitiv dhe 46.5% mendim negativ.

Adriatik Lapaj renditet i dyti me 31.4% që e pëlqejnë dhe 34,6% që kanë mendim negativ për të.

Agron Shehaj renditet i treti për mendimin pozitiv me 31.1 % dhe 38.6% mendim negativ.

Më pas vjen Sali Berisha, 28.4% mendim pozitiv për të dhe 66.6% mendim negativ.

Arlind Qori 21.9% mendim pozitiv dhe 37.5% mendim negativ.

Endri Shabanin e pëlqejnë 17.8 % e qytetarëve dhe nuk e pëlqejnë 34.9 % e të pyeturve.

Enkelejd Alibeaj 12.6% mendim pozitiv dhe 58.2% mendim negativ.

Lulzim Basha ka 10.1% pëlqyeshmërinë dhe 84.7% mendim negativ.

I fundit për pëlqyeshmërinë është Ilir Meta me 5.3% mendim pozitiv dhe 87% mendim negativ.

Nëse krahasojmë shifrat e pëlqyeshmërisë me matjet e para politike të Barometrit (1 muaj më parë)

Edi Rama ka rënë me 2.3% në pëlqyeshmëri, Adriatik Lapaj ka rënë me 5.8% në pëlqyeshmëri, 3% ka rënë pëlqyeshmëria e Agron Shehajt, 2,4% ka rënë në pëlqyeshmëri Arlind Qori, 4.4% ka rënë Endri Shabani, 0.3% ka rënë Alibeaj, 2.2 % ka rënë Lulzim Basha dhe 1.4% Ilir Meta. I vetmi me 1% rritje në pëlqyeshmëri është Sali Berisha.

Zëri i Amerikës: Shqipëria gati të çelë negociatat për dy grup-kapituj të tjerë me BE-në

Në Tiranë, kryenegociatorja e Shqipërisë me BE-në, Majlinda Dhuka tha se vendi është gati të çelë negociatat me BE-në edhe për dy grup-kapituj të tjerë, ndërsa shpreson shumë që të gjithë grup-kapitujt të hapen sivjet.

Dy grup-kapitujt e rinj kanë të bëjnë me ekonominë dhe konkurrencën, ndërsa BE po përgatit qëndrimin e vet, për t’u organizuar së shpejti konferenca tjetër ndërqeveritare. Por opozita, gjatë një mbledhje me kryenegociatoren në Këshillin e Integrimit Europian, u shpreh mosbesuese për rezultatet e deritanishme të integrimit dhe për mungesën e transparencës në këtë proces, siç e cilësoi një përfaqësuese e saj.

Pasi ka hapur negociatat vitin e kaluar dhe ka nisur punën me Grup-kapitullin 1 (Themeloret/Shteti i të drejtës) dhe Grup-kapitullin 6 (Marrëdhëniet me jashtë), Tirana ka paraqitur në BE qëndrimin për Grup-kapitujt 2 dhe 3, (Konkurueshmëria dhe Rritja gjithëpërfshirëse) se është gati për çeljen e negociatave mbi to.

Kryenegociatorja e Shqipërisë me BE-në, Majlinda Dhuka, tha sot para Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian se negociatat e pritshme për dy grupkapituj të rinj përfshijnë 17 fusha të tjera, që i përkasin ekonomisë, tregut dhe konkurueshmërisë, duke dëshmuar ritmin e përshpejtuar të saj në rrugëtimin drejt BE-së, si një partner i besueshëm në politikën e jashtme, i cili po punon tashmë për forcimin e shtetit të së drejtës.

“Shqipëria do t’i konsolidojë hemelet e shtetit europian në rrugën drejt anëtarësimit, do ta forcojë pavarësinë e gjyqësorit, do të mbështesë fort zbatimin dhe konsolidimin e reformës në drejtësi, luftën për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit”, tha zonja Dhuka.

Zonja Dhuka tha se Shqipëria ka bërë përparim në reformat ekonomike për t’u afruar me tregun europian, ndërsa BE paraqiti dhe vuri në zbatim Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, krahas të cilës Tirana përgatiti Agjendën e Reformave Europiane, dhe nga zbatimi i saj ofrohet mbështetje mbi 900 milionë euro programe investimesh.

Ajo nënvizoi vlerësimet e BE-së nga progres-raporti se Shqipëria ka bërë përparim në 32 nga 35 fusha, dhe se sot ajo është mesatarisht e përgatitur në 24 fusha nga 33, sa I përket kritereve për anëtarësim.

Por kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Jorida Tabaku, deputete e opozitës, u shpreh skeptike për ecurinë e deritanishme, përkundër rezultateve të renditura nga kryenegociatorja Dhuka.

Zonja Tabaku tha se zgjerimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor është tashmë një çështje sigurie me përparësi të lartë dhe se autoritetet duhej të kishin hapur një diskutim kombëtar mbi angazhimet dhe detyrimet e Shqipërisë për procesin e integrimit me qytetarët, me sindikatat, grupet e interesit, shoqërinë civile, qarqet e biznesit, e jo të mbahet i mbyllur pa transparencë në një sirtar të qeverisë.

Ajo theksoi se në rrugën e integrimit europian Shqipëria ka shumë detyra përpara sa i takon Grup-kapitullit 1 (Themeloret), ka nevojë për më shumë punë dhe më shumë qëndrueshmëri.

“Ne nuk matemi dot me sa kapituj janë hapur, por me sa kapituj janë mbyllur me sukses. Shqipria është sot në një moment delikat për të parë nëse ka mundësi që institucionet demokratike të funksionojnë, a ka mundësi që të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme, a ka mundësi që të tregojmë se ato standartet europiane, të cilat aspirojmë çdo ditë, së pari t’I zbatojmë vet”, tha zonja Tabaku.

Opozita vlerëson se disa nisma të fundit ligjore të qeverisë kanë shkuar kundër frymës së BE-së, si ligji për auditin, ai për zonat e mbrojtura, kontratat pa garë, por shton se Shqipëria duhet të ndërmarrë hapat e duhur brenda afateve të përcaktuara, duke mos humbur më shumë kohë.

Ndërsa drejtuesi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasadori Silvio Gonzato, kujtoi se rezultatet në Grupkapitullin 1 Themeloret janë përcaktuese në ritmin e negociatave, por sfida thelbësore, sipas tij, mbetet kryerja e reformave në mënyrë që ligjet e Shqipërisë të jenë në përputhje të plotë me legjislacionin e BE-së.

Parlamenti Europian njoftoi se do të hapë një zyrë për Ballkanin Perëndimor në Tiranë, një mundësi më e mirë për fuqizimin e dialogut mes parlamenteve dhe shoqërisë civile të rajonit me institucionet europiane.

Komisionerja e re e BE-së për zgjerimin Marta Kos, pritet të vizitojë Shqipërinë për herë të parë në fund të kësaj jave, ndërsa brenda marsit Shqipërinë pritet ta vizitojë edhe zëvendës-presidentja e BE-së, Kaja Kalas, komisionere për politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Ibrahimoviç zgjedh Shqipërinë? Sulmuesi “molla e sherrit” e radhës mes Dardanëve e kuqezinjve

Në kulmin e debatit dhe zhurmës që ka shkaktuar në orët e fundit vendimi i kapitenit të përfaqësueses së 21 vjeçarëve të Kosovës, Etnik Brruti për të zgjedhur të luajë me kombëtaren e Shqipërisë, një tjetër lojtar i rëndësishëm pritet të bëhet “molla e sherrit” mes Shqipërisë e Kosovës.

Bëhet fjalë për sulmuesin e Lazios, Arijon Ibrahimoviç. Megjithëse Zv.Drejtori i kombëtares kosovare, Saimir Ujkani pati deklaruar pak kohë më parë se “dardanët” janë në ndjekje të Ibrahimoviç, për ta bindur atë të luajë për ekipin përfaqësues të Kosovës, së fundmi mësohet se edhe sulmuesi duket se ka zgjedhur që të veshë fanellën kuqezi.

Anësori bëhet me dije se pëlqen projektin e Sylvinhos dhe tashmë ka nisur punën për të përfaqësuar Kombëtaren kuqezi. Lojtari ka nisur tashmë procesin për t’u paisur me pasaportë shqiptare dhe shumë shpejt pritet të jetë protagonist në fushën e lojës, me përfaqësuesen kuqezi.

Kujtojmë se interes për shërbimet e tij kanë shfaqur edhe Gjermania dhe Kosova, por mesa duket 19-vjeçari ka preferuar të përjetojë emocionet me fanellën kuqezi. Gjithashtu Ibrahimovic ka luajtur në Serie A për Frosinonen, ndërsa shihet me interes edhe nga skuadra të mëdha të kontinentit. Kartoni i tij zotërohet nga Bayern i Mynihur, ndërsa këtë sezon Arijon Ibrahimoviç po luan në formë huazimi me Lazion në Serinë A.