Denoncim në Policinë e Shtetit/ Vjehrra kërkon ndihmë për humbjen e nuses 17-vjeçare të djalit

Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në Tiranë, ndërsa burime zyrtare konfirmuan sot (29 maj) regjistrimin e denoncimit për humbjen e 17-vjeçares.

Një grua e moshuar ka denoncuar humbjen e nuses së mitur të djalit të saj, duke kërkuar ndihmën e Policisë për gjetjen. Nuk u dhanë detaje për dinamikën dhe rrethanat e ngjarjes së largimit dy ditë më parë të së miturës, por po bëhen kërkime nëpërmjet familjes së saj, të njohurve, kontakteve telefonike apo dhe rrjetitsocial, për ta lokalizuar dhe zbardhur këtë ngjarje.

Policia e Tiranës, po nëpërmjet specialistëve për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 në Kombinat, referuan materialet në Prokurori për hetim në gjendje të lirë edhe për një rast dhune ndaj të dyshuarës N. T., 57 vjeçe, pasi dyshohet se për motive pronësie është konfliktuar fizikisht, me 2 gra të tjera.

“Kallëzoi shtetasja H. L., 65 vjeçe, se ishte larguar nga banesa, bashkëshortja 17 vjeçe e djalit të saj. Punohet për gjetjen e kësaj shtetaseje”, bëri me dije policia e kryeqytetit.

“Koha juaj ka perënduar”/ Spiropali i pret fjalën Berishës në Kuvend, kreu i PD-së: Cila kohë?

Sali Berisha ishte i pari që mori fjalën në Kuvend këtë të enjte, e para seancë që pash shkëputjes së gjatë për zgjedhjet e 11 majit.

Teksa Berisha po fliste duke përsëritur se zgjedhjet ishin një “farsë”, fjala e kreut të PD u ndërpre pas përfundimit të kohës nga kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali.

Madje kjo e fundit, iu drejtua Berishës “koha juaj ka perënduar”.

Spiropali: Koha juaj ka mbaruar, ka perënduar

Berisha: Cila kohë?

Këmbimi valutor 29 maj/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro, çfarë ndodh me monedhat e tjera

Në tregun e këmbimit valutor shqiptar, një dollar amerikan do të blihet sot me 86.5 lekë dhe do shitet me 87.8 lekë.

Ndërkohë monedha evropiane euro do blihet me 97.8 lekë dhe do shitet me 98.6 lekë.

Franga zvicerane sot në tregun shqiptar do blihet me 104 lekë dhe do shitet me 105.3 lekë.

Ndërsa paundi britanik do blihet me 116.2 lekë dhe do shitet me 117.7 lekë.

Zjarr në ish-parkun e automjeteve, digjen 4 autobusë! Tre prej tyre të shkrumbuar totalisht

Një zjarr ka rënë mëngjesin e sotëm rreth orës 3:45 minuta në ish-parkun e automjeteve në Lushnjë.

Si pasojë e flakëve, katër autobusa janë përfishirë nga flakët- ku tre prej tyre janë shkrumbuar tërësisht ndërsa një është djegur pjesërisht.

Pas incidentit janë lajmëruar drejtuesit e tjerë për të hequr autobusët e tjerë.

Edhe pse zjarrfikësit kanë mundur të neutralizojnë flakët dëmet janë të konsiderueshme.

Ende nuk dihet nëse zjarri ishte i qëllimshëm apo jo.

Rasti po hetohet nga policia dhe prokuroria vendore.

NDODH në Gjermani/ Mori fëmijët për PUSHIME në Shqipëri, gjobitet nëna shqiptare!

Një nënë shqiptare e ka pësuar së fundmi pasi mori fëmijët e saj dhe udhëtori nga Gjermania në Shqipëri.

Raportohet se ajo është gjobitur nga autoritetet gjermane pasi mori fëmijët e saj në udhëtim duke i shkëputur nga shkolla.

Mashtrimi u zbulua gjatë kontrollit të hyrjes në aeroportin e Memmingen-it.

Nëna 35-vjeçare tani duhet të përballet me një “gjobë të majme”, njoftoi në përfundim Policia Kufitare e Aeroportit.

Shkelja e detyrimit shkollor do të kalojë më pas për trajtim tek qarqet dhe bashkitë ku banojnë ata.

Autoritetet përkatëse do të vendosin mbi shumën e gjobës.

“Në Gjermaninë Jugore, gjobat për thyerjen e detyrimit shkollor mund të jenë mjaft të “kripura”, tha në prill Bernd Stapfner, zëvendësshefi i policisë kufitare në aeroportin e Memmingen-it.

Prindërit duhet të llogarisin me gjoba nga 200 deri në 800 euro, ndërsa në raste të veçanta mund të arrijnë deri në 1000 euro

Pengmarrja e autobusit më 28 maj ’99 që tronditi Shqipërinë dhe Greqinë: Një ngjarje reale që u kthye në film. Çfarë po ndodh sot

Mediat greke u përballën me kritika të ashpra për mënyrën e pashpirt se si e trajtuan ngjarjen në transmetim të drejtpërdrejtë. Kush ishte 22 vjeçar Flamur Pisli, si u dhunua seksualisht dhe trauma që pësoi kur e refuzoi një femër

Më 28 maj 1999, Greqia përjetoi një prej episodeve më dramatike dhe të paprecedentë në historinë e saj moderne: pengmarrjen e parë të një autobusi, një ngjarje që transmetohej drejtpërdrejt në ekranet televizive dhe që përfundoi në një masakër tragjike përpara se të frymëzonte edhe kinemanë.

Ishte mëngjesi i asaj dite kur Flamur Pisli, një emigrant shqiptar 25-vjeçar, hipi në një autobus të linjës KTEL të Selanikut, në zonën Kato Sholari. Kur autobusi iu afrua qendrës së fshatit dhe ai pa se në stacion ndodheshin shumë njerëz, u ngrit nga vendi i tij, nxori armën dhe i kërkoi shoferit të ndryshonte drejtimin.

Në mes të panikut, nxori dhe hoqi siguresën e një granate dore. Brenda pak minutash, vendi u kthye në qendër të interesit të gjithë mediave greke, të cilat mbërritën në kohë rekord dhe nisën transmetimet e drejtpërdrejta.

I armatosur me granata dhe kallashnikov, Pisli kërkoi 50 milionë dhrahmi, tre kallashnikovë dhe një rrugë të sigurt për të kaluar në Shqipëri. Sipas tij, ishte viktimë e një padrejtësie nga punëdhënësi dhe autoritetet greke.

Policia greke, ende nën tronditjen e dështimit në rastin tragjik të Sorin Mateit në Athinë (ku humbi jetën Amalia Gjinaki), veproi pa përvojë dhe pa një negociator profesionist. Dorëzuan paratë dhe tre armë, të cilat Pisli i refuzoi sepse “nuk ishin të markës që kërkonte”.

Autobusi nisi rrugëtimin drejt kufirit me Shqipërinë, i shoqëruar nga forcat speciale EKAM dhe i ndjekur nga kamerat. Në një moment ndaloi edhe në shtëpinë e një ish-punëdhënësi për t’u hakmarrë, por nuk arriti qëllimin. Më pas, tentoi të shkonte në shtëpinë e një gruaje që e kishte strehuar më parë, por ajo e refuzoi ashpër.

Ndërsa koha kalonte, ai lodhej dhe nervozohej. Vazhdonte të mbante granatën pa siguresë në dorë dhe fliste me gazetarët në telefon, por edhe me pengjet, të cilëve u tregonte jetën e tij.

Në zonën e Elbasanit, autobusit iu bë pritë nga forcat speciale shqiptare. Pisli refuzoi të dorëzohej. Kur dera e autobusit u hap, forcat speciale shqiptare qëlluan për vdekje njërin prej pengjeve, 28-vjeçarin grek Jorgo Koulouri, që ngjante në fytyrë me Pislin. Më pas, vranë edhe vetë Pislin.

Reagimet dhe polemikat

Ministria e Rendit Publik në Greqi akuzoi autoritetet shqiptare se nuk lejuan ndërhyrjen e forcave greke. Akuzë pati prej tyre dhe për vdekjen e pengut. Familja e Koulurit paditi autoritetet shqiptare, por hetimi u mbyll pa asnjë përgjegjësi.

Mediat greke u përballën me kritika të ashpra për mënyrën spektakolare dhe të pashpirt se si e trajtuan ngjarjen në transmetim të drejtpërdrejtë.

Kush ishte Flamur Pisli

Flamur Pisli kishte lindur në Shqipëri në vitin 1975 dhe u vendos në Greqi së bashku me vëllain e tij më të vogël, Edin. Ky i fundit krijoi një marrëdhënie dashurie me gruan e punëdhënësit të tij, e cila mbeti shtatzënë dhe të dy u larguan fshehurazi nga fshati.

Në këtë atmosferë tensioni, Flamuri u arrestua pasi në bodrumin ku punonte u gjetën armë. Ai pretendoi se ishin vendosur aty për ta akuzuar padrejtësisht. Në burg u dhunua seksualisht dhe pas lirimit u dëbua për në Shqipëri, ku nuk u prit mirë.

Rikthehet sërish në Greqi por përballet me refuzim të ri, kësaj here nga një grua që e kishte strehuar dikur. Ndaj vendosi të rrëmbejë një autobus dhe të kthehej në Shqipëri si “hero”.

Nga realiteti në ekranin e madh

Kjo ngjarje tragjike u bë frymëzim për filmin “Omiros” të regjisorit Konstantinos Giannaris, që u shfaq në vitin 2005. Filmi rrëfen historinë e një emigranti shqiptar që merr peng një autobus në përpjekje për të dëgjuar zërin e tij, ndërkohë që gjatë rrugëtimit zbulohet se edhe të tjerët në autobus mbartin plagë dhe sekrete.

JA FILMI I PLOTË

Disa nga personazhet e filmit përfshijnë:

Stathis Papadopoulos – Elion

Theodora Tzimou – Iliana

Giannis Stankoglou – Grigoris

Minas Hatzisavvas – Oficer policie

Laertis Vasiliou – Komandant shqiptar

Manolis Afolanio – Jack (emigrant afrikan)

Filmi u nderua me dy çmime shtetërore për cilësi dhe një çmim ndërkombëtar në Vjenë.

Në fund, historia e Flamur Pislit mbetet një nga episodet më të dhimbshme dhe më të diskutueshme në marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe në mënyrën se si mediat dhe autoritetet përballen me situata të jashtëzakonshme. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Qeveria ngre “Policinë e Popullit” – Çdo qytetar mund të bëhet pjesë e forcave të Policisë Vullnetare VKM e plotë

Qeveria Shqiptare miraton vendimin për Organizimin dhe Funksionimin e Policimit Vullnetar

Në një përpjekje për të përfshirë më shumë qytetarë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të ri që përcakton rregullat për organizimin, funksionimin dhe fushën e veprimit të policimit vullnetar.

Ky vendim sipas qeverisë synon të krijojë një kuadër ligjor për përfshirjen e qytetarëve në aktivitete që mbështesin punën e Policisë së Shtetit, duke forcuar bashkëpunimin midis komunitetit dhe forcave të rendit.

Sipas vendimit, qytetarët që dëshirojnë të angazhohen si policë vullnetarë duhet të plotësojnë kritere të caktuara, përfshirë integritetin moral, aftësinë fizike dhe një histori të pastër penale. Ata do të trajnohen nga Policia e Shtetit për të siguruar që veprimtaria e tyre të jetë në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale.

Policët vullnetarë do të angazhohen në aktivitete të ndryshme, si patrullime në lagje, ndihmë në menaxhimin e trafikut, edukim për sigurinë në shkolla dhe mbështetje gjatë ngjarjeve publike. Megjithatë, ata nuk do të kenë autoritet për të ndërmarrë veprime policore si arrestime apo hetime, por do të veprojnë nën mbikëqyrjen e oficerëve të Policisë së Shtetit.

Për më shumë informacion gjeni më poshtë vendimin e plotë

V E N D I M PËR ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN DHE FUSHËN E VEPRIMIT TË POLICIMIT VULLNETAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 128, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Ky vendim ka për objekt rregullimin e organizimit, funksionimit dhe fushës së veprimit të shërbimit të policimit vullnetar, në mbështetje të strukturave të Policisë së Shtetit.

2. Qëllimi i këtij vendimi është përmirësimi i sigurisë publike, forcimi i kapaciteteve të strukturave të Policisë së Shtetit dhe inkurajimi i angazhimit qytetar, duke promovuar bashkëpunimin ndërmjet policisë dhe komunitetit për rritjen e besimit dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

3. Policimi vullnetar është një shërbim publik, i cili përfshin veprimtaritë e kryera nga policët vullnetarë në mbështetje të strukturave vendore të Policisë së Shtetit.

4. Polici vullnetar është çdo person që plotëson kushtet dhe kriteret e përcaktuara dhe që është pranuar në shërbimin e policimit vullnetar.

5. Kohëzgjatja ditore e vullnetarizmit është periudha kohore e angazhimit të vullnetarit në shërbimin e policimit vullnetar, e cila nuk tejkalon 5 (pesë) orë në ditë dhe 25 (njëzet e pesë) orë në javë.

6. Kontrata e vullnetarizmit është dokumenti ligjor, i lidhur ndërmjet vullnetarit dhe ofruesit të shërbimit të vullnetarizmit, i cili përcakton të drejtat, detyrimet, kushtet dhe kriteret për kryerjen e aktiviteteve dhe shërbimeve vullnetare, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

II. ORGANIZIMI, FUNKSIONIMI DHE FUSHA E VEPRIMIT TË SHËRBIMIT TË POLICIMIT VULLNETAR

1. Shërbimi i policimit vullnetar funksionon në mbështetje të strukturave vendore të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunon me to për:

a) sigurimin dhe garantimin e rendit publik në aktivitetet me karakter masiv, si tubime, koncerte, festivale, aktivitete sportive dhe organizime fetare, duke kryer këto detyra:

i. Ruajtjen e perimetrit të jashtëm të ambienteve ku zhvillohen aktivitetet masive;

ii. Kryerjen e shërbimit së bashku me punonjësit e Policisë së Shtetit në postblloqe/pika kontrolli në zona/rrugë me trafik të kufizuar ose ku ndalohet qarkullimi i automjeteve;

iii. Drejtimin dhe disiplinimin e lëvizjeve të grupeve të tifozëve/spektatorëve/pjesëmarrësve në aktivitet gjatë hyrjes;

iv. Mbledhjen e informacionit me interes për Policinë e Shtetit, veçanërisht për ndeshjet sportive me nivel të lartë rivaliteti, tubime, si dhe veprimtari të tjera publike me pjesëmarrje masive, për të cilat ekzistojnë të dhëna ose dyshime të arsyeshme se mund të ndikojnë në sigurinë ose në rendin publik;

v. Informimin e policisë për situata shqetësuese apo të rrezikshme, duke ndjekur nga afër dhe duke dhënë informacion në vijimësi, deri në mbërritjen e forcave policore;

vi. Këshillimin e publikut dhe shuarjen e konflikteve të lehta ndërmjet palëve që nuk kërkojnë ndërhyrje të specializuar të policisë;

vii. Ndihmën në ruajtjen dhe mbajtjen e lirë të rrugëkalimeve të emergjencës dhe drejtimin e lëvizjes së njerëzve e të automjeteve, sipas korridoreve të caktuara;

viii. Angazhimin për ruajtjen e zonave të parkimit të automjeteve të policisë, ambulancave dhe zjarrfikësve pranë vendit ku zhvillohet aktiviteti;

ix. Këshillimin dhe drejtimin e tifozëve/spektatorëve/pjesëmarrësve në përfundim të aktivitetit gjatë shpërndarjes, sipas korridoreve të caktuara të lëvizjes;

x. Ndihmën në ruajtjen e rendit në ditët e pazareve, festivaleve dhe festave lokale, ku ka grumbullime të mëdha njerëzish. b) dhënien e ndihmës për menaxhimin e trafikut rrugor në qendrat urbane dhe rurale, duke kryer këto detyra:

i. Menaxhimin e qarkullimit të sigurt të nxënësve dhe qytetarëve në kryqëzime dhe pranë shkollave;

ii. Bashkëpunimin me policinë për menaxhimin e kalimeve rrugore apo akseve ku ka një trafik të shtuar, duke përdorur tabelën apo sinjalistikën me duar;

iii. Disiplinimin e mjeteve në stacionim apo lëvizje gjatë panaireve dhe ditëve të pazareve;

iv. Angazhimin në fushata ndërgjegjësuese dhe aktivitete parandaluese me shkollat dhe komunitetin.

c) rritjen e sigurisë publike pranë institucioneve arsimore, duke kryer këto detyra:

i. Patrullimin përreth institucioneve arsimore në këmbë ose me mjete patrullimi, veçanërisht gjatë periudhave të trafikut të rënduar;

ii. Menaxhimin e trafikut pranë shkollave dhe mbështetjen në zbatimin e rregullave të qarkullimit;

iii. Monitorimin e hyrjeve dhe daljeve të fëmijëve për të parandaluar sjellje të rrezikshme;

iv. Monitorimin e aktiviteteve të dyshimta në perimetrin e sigurisë së institucioneve arsimore, duke parandaluar hyrjen e paautorizuar në ambientet e tyre;

v. Mbështetjen e aktiviteteve jashtë orarit mësimor, si ato sportive, artistike, kulturore, për të garantuar sigurinë e nxënësve/studentëve dhe pjesëmarrësve dhe garantimin e sigurisë;

vi. Bashkëpunimin me oficerët e sigurisë pranë shkollave/institucioneve arsimore për reagimin në kohë ndaj situatave emergjente të konflikteve, dhunës apo incidenteve;

vii. Mbështetjen në organizimin e simulimeve për reagimin ndaj situatave të emergjencave civile, ku kërkohet izolimi ose evakuimi dhe dhënia e ndihmës së parë; viii. Mbështetjen e punonjësve të policisë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe informimit të nxënësve, studentëve, prindërve dhe personelit pedagogjik për çështjet e sigurisë;

ix. Informimin e përgjegjësit të strukturës policore për probleme të ndryshme të sigurisë në shkolla, si shkeljet e ligjit apo identifikimi i personave, të cilët merren me shitjen e drogave të lehta, alkoolit dhe duhanit.

ç) kontrollin e territorit, mbështetjen e patrullimit policor për parandalimin e krimit dhe ndërhyrjen ndaj shkeljeve të ligjit, duke kryer këto detyra:

i. Mbështetjen dhe angazhimin e të rinjve të margjinalizuar në aktivitete parandaluese;

ii. Patrullimin gjatë orëve të natës, veçanërisht në fundjavë në zonat e frekuentuara nga të rinjtë, si baret, klubet e natës, lokalet me muzikë live dhe vende të ngjashme, me qëllim këshillimin dhe ndërgjegjësimin për shmangien e konsumit të tepërt të alkoolit, përfshirjes në konflikte dhe drejtimit të automjeteve nën ndikimin e tij;

iii. Patrullimin pranë vendparkimeve, stacioneve të urbanëve, terminaleve të autobusëve, si dhe në zona të identifikuara me risk të shtuar për sigurinë publike, me qëllim parandalimin e vjedhjeve, sjelljeve të pahijshme apo të dhunshme dhe rritjen e ndjenjës së sigurisë në mjedisin urban e në transportin publik;

iv. Patrullimin me punonjësit e Policisë së Shtetit pranë lagjeve me popullsi heterogjene dhe të margjinalizuar;

v. Bashkëpunimin me organizata komunitare për çështjet e rendit dhe qetësisë publike, duke trajtuar problematika të komunitetit dhe duke mbledhur informacion në kuadër të parandalimit.

d) mbështetjen e policisë në mbrojtjen e pronës, mjedisit dhe zonave të mbrojtura, duke kryer këto detyra:

i. Informimin e autoriteteve për dëmtime të qëllimshme ndaj mjedisit, si prerja e paligjshme e pyjeve, ndotja e ujërave dhe djegia e mbeturinave, si dhe çdo dëmtim tjetër i qëllimshëm i mjedisit, që bie ndesh me legjislacionin përkatës;

ii. Patrullimin me punonjësit e Policisë së Shtetit në rezervate natyrore dhe monumente të kulturës për parandalimin e aktiviteteve të paligjshme;

iii. Sensibilizimin e komunitetit për ruajtjen e mjedisit.

dh) mbështetjen e Policisë Kufitare, duke kryer këto detyra:

i. Informimin e individëve që kalojnë në pikat e kalimit kufitar për procedurat dhe rregullat apo asistimin e tyre në plotësimin e formularëve të ndryshëm;

ii. Mbështetjen në identifikimin e migrantëve të paligjshëm, asistimin dhe informimin e tyre për procedurat dhe legjislacionin në fuqi për trajtimin e tyre dhe azilkërkimin;

iii. Ndihmën në shërbimet e emergjencës, menaxhimin e flukseve të larta migratore në rastet e krizave humanitare dhe garantimin e kushteve të sigurisë të vendstrehimeve të tyre të përkohshme;

iv. Monitorimin e zonave në distancë në afërsi të kufirit dhe veçanërisht pikat e hyrjes në kufi, të ndryshme nga pikat e zakonshme të kalimit kufitar, duke identifikuar dhe duke parandaluar krimet ndërkufitare.

e) menaxhimin e situatave të emergjencave civile, fatkeqësive natyrore, si dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit me karakter masiv, duke kryer këto detyra:

i. Përmbushjen e detyrave, të përcaktuara nga përgjegjësi i strukturës policore në lidhje me krijimin dhe administrimin e perimetrave të sigurisë në situatat e emergjencave civile, duke garantuar rendin dhe sigurinë publike;

ii. Mbikëqyrjen dhe sigurimin e zonave të grumbullimit të qytetarëve dhe shpërndarjes së ndihmave humanitare, duke synuar shmangien e çdo rreziku që mund të cenojë sigurinë apo mirëfunksionimin e proceseve të ndihmës;

iii. Mbledhjen e informacionit dhe udhëzimin e publikut në raste emergjencash civile në lidhje me masat mbrojtëse dhe procedurat përkatëse;

iv. Angazhimin në operacionet e kërkim-shpëtimit;

v. Informimin e publikut për personat e zhdukur, si dhe mbledhjen e shkëmbimi të të dhënave me komunitetin për të ndihmuar në gjetjen e tyre;

vi. Bashkëpunimin me Policinë e Shtetit dhe organet e tjera kompetente në sigurimin dhe mbrojtjen e vendngjarjeve të ndryshme, ruajtjen e provave, identifikimin dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve, si dhe çdo veprim tjetër që ndihmon hetimet dhe garanton integritetin e procesit hetimor;

vii. Dhënien e ndihmës së parë në përputhje me protokollet e emergjencave mjekësore.

ë) mbështetjen e ekipeve për gjetjen e personave të humbur ose në rrezik jete në zonat malore dhe bregdetare.

2. Polici vullnetar e kryen veprimtarinë e tij nën mbikëqyrjen e punonjësit të policisë, të caktuar nga drejtuesi i strukturës vendore të Policisë së Shtetit.

3. Kryerja e shërbimit të policimit vullnetar është i papajtueshëm me funksionet e gjyqtarit, prokurorit, përmbaruesit gjyqësor, drejtuesit në strukturat politike, punonjësit në institucionet e sigurisë kombëtare apo publike, të Shërbimit të Provës, të Policisë së Burgjeve dhe të Gardës së Republikës.

III. PROCEDURA E APLIKIMIT DHE PËRZGJEDHJES SË SHTETASVE NË SHËRBIMIN E POLICIMIT VULLNETAR

1. Aplikantët që kërkojnë pranimin në shërbimin e policimit vullnetar duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Formularin e aplikimit, sipas formatit të përcaktuar në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;

b) Fotokopjen e kartës së identitetit;

c) Dokumentin zyrtar, që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm;

ç) Raportin mjeko-ligjor, që vërteton aftësinë e aplikantit për të ushtruar detyrën e policit vullnetar.

2. Procedura e aplikimit fillon pas shpalljes së konkurrimit publik. Aplikanti plotëson formularin e aplikimit dhe e dorëzon së bashku me dokumentacionin e kërkuar në pikën 1, të këtij kreu, në Drejtorinë Vendore të Policisë, ku ka vendbanimin e përhershëm.

3. Pas aplikimit të shtetasit, struktura policore vendore siguron me ndërveprim dokumentet e mëposhtme:

a) Certifikatën e gjendjes gjyqësore;

b) Certifikatën familjare.

4. Struktura përgjegjëse policore shqyrton dokumentacionin e dorëzuar dhe verifikon nëse aplikanti plotëson kriteret e përgjithshme të përcaktuara në pikën 1, të kreut IV, të këtij vendimi.

5. Kjo strukturë administron dokumentacionin e paraqitur nga aplikantët brenda 10 (dhjetë) ditëve punë nga përfundimi i afatit të aplikimeve dhe kryen veprimet e mëposhtme:

a) Kur dokumentacioni shoqërues është në përputhje me pikën 1, të kreut IV, të këtij vendimi, e njofton aplikantin për vazhdimin e procedurës së verifikimit të kritereve;

b) Kur dokumentacioni shoqërues nuk është në përputhje me pikën 1, të kreut IV, të këtij vendimi, e njofton kandidatin për plotësimin e të metave brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e njoftimit.

6. Mosplotësimi i të metave brenda afatit 5-ditor përbën shkak për mospranimin e aplikimit.

7. Struktura përgjegjëse, brenda 7 (shtatë) ditëve nga përfundimi i afatit për plotësimin e të metave, verifikon dokumentacionin përkatës.

8. Nëse dokumentacioni i paraqitur nuk vërteton plotësisht përmbushjen e kritereve, nuk është i plotë e i saktë ose ka dyshime të arsyeshme për vërtetësinë e tij, struktura përgjegjëse mund të kërkojë informacion ose dokumentacion shtesë nga çdo organ publik apo persona të tjerë juridikë, vendas ose të huaj.

9. Në përfundim të procesit të verifikimit, sipas pikës 8, të këtij kreu, struktura përgjegjëse njofton me shkrim secilin aplikant për pranimin ose refuzimin e tij/saj.

10. Aplikantëve, të cilëve u është refuzuar aplikimi, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit, duke bashkëlidhur argumentet dhe dokumentacionin që provon përmbushjen e kritereve.

11. Pas përfundimit të afateve të ankimit dhe shqyrtimit të tyre, bëhet përfshirja e aplikantëve në listën e të kualifikuarve, nëse provohet përmbushja e kritereve ose skualifikimi përfundimtar i tyre, jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e paraqitjes së ankimit. Më pas hartohet lista përfundimtare e aplikantëve të kualifikuar dhe caktohet numri kodik i identifikimit për secilin aplikant nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore. Lista dërgohet zyrtarisht në Akademinë e Sigurisë.

12. Në rastet kur aplikanti ka shërbyer më parë në strukturat e Policisë së Shtetit dhe ka ndërprerë marrëdhënien e punës, por trajtohet me pagesë kalimtare deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie, sipas legjislacionit në fuqi, ai/ajo paraqet dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Formularin e aplikimit;

b) Fotokopjen e kartës së identitetit;

c) Dokumentin zyrtar, që vërteton kohën e shërbimit dhe strukturën ku ka qenë i/e punësuar në Policinë e Shtetit.

13. Aplikanti nuk i nënshtrohet trajnimit në Akademinë e Sigurisë, nëse ndodhet para rastit të përcaktuar në pikën 12, të këtij kreu.

14. Aplikanti, që kualifikohet për të vazhduar procesin e trajnimit në Akademinë e Sigurisë, i nënshtrohet fazave të konkurrimit, sipas rendit të mëposhtëm:

a) Testimit të aftësive fizike;

b) Intervistës;

c) Kontrollit shëndetësor dhe psikologjik;

ç) Verifikimit të besueshmërisë.

15. Aplikanti, që kualifikohet për të vazhduar procesin e trajnimit të detyrueshëm në Akademinë e Sigurisë, i nënshtrohet procesit të verifikimit të besueshmërisë, që konsiderohet si verifikimi përfundimtar i aplikantit, nëpërmjet strukturave të hetimit të krimit, për të verifikuar faktin që aplikanti apo pjesëtarë të familjes së tij nuk janë të implikuar në veprimtari kriminale.

IV. KRITERET E PËRGJITHSHME DHE TË VEÇANTA TË PRANIMIT NË SHËRBIMIN E POLICIMIT VULLNETAR

1. Kriteret e përgjithshme të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar janë, si më poshtë vijon:

a) Të jetë shtetas shqiptar;

b) Të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar;

c) Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare apo të jetë larguar nga shërbimi civil me masë disiplinore;

ç) Të ketë përfunduar arsimin e mesëm;

d) Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;

dh) Të jetë i moshës nga 18 (tetëmbëdhjetë) deri në 65 (gjashtëdhjetë e pesë) vjeç, në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën.

2. Kriteret e veçanta të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar janë, si më poshtë vijon:

a) Të ketë përfunduar trajnimin e detyrueshëm me vlerësim pozitiv, si dhe të jetë i certifikuar nga Akademia e Sigurisë;

b) Të jetë i pajisur me vërtetimin e besueshmërisë.

V. KONTRATA E VULLNETARIZMIT

1. Kontrata e vullnetarizmit lidhet në formë të shkruar ndërmjet policit vullnetar dhe drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë.

2. Kontrata e vullnetarizmit rregullon marrëdhënien ndërmjet palëve, duke përcaktuar të drejtat, detyrimet përkatëse, kohëzgjatjen dhe kushtet e ushtrimit të shërbimit, kriteret për përfshirje, si dhe shkaqet, procedurat dhe pasojat juridike, që lidhen me pezullimin, përfundimin apo zgjidhjen e saj.

3. Forma dhe përmbajtja e kontratës tip përcaktohen në shtojcën 4, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

VI. TË DREJTAT DHE PËRGJEGJËSITË E POLICIT VULLNETAR

1. Polici vullnetar ka të drejtë:

a) të njihet paraprakisht me të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e shërbimit të policimit vullnetar, si dhe me sanksionet në rast të mospërmbushjes së detyrimeve, që rrjedhin nga ky vendim dhe nga kontrata individuale e vullnetarizmit;

b) të rimbursohet për shpenzimet e kryera gjatë orarit të shërbimit apo jashtë qendrës së banimit, kur ndihmon strukturat policore;

c) të pajiset me veshje, shenja dalluese dhe pajisje të tjera ndihmëse, në përputhje me natyrën e aktiviteteve të vullnetarizmit dhe shërbimeve që do të kryejë, sipas shtojcës 6, që i bashkëlidhet këtij vendimi;

ç) të kërkojë, në mënyrë individuale, vlerësim ose vërtetim pjesëmarrjeje për kontributin e dhënë në punën vullnetare nga struktura vendore e policisë;

d) të ndjekë trajnime falas në Akademinë e Sigurisë, sipas shtojcës 5, që i bashkëlidhet këtij vendimi;

dh) të njihet dhe të konsultohet me proceset vendimmarrëse që lidhen me strategjitë, politikat, identifikimin e nevojave të komunitetit dhe çështje të tjera që ndikojnë në ushtrimin e detyrës së tij;

e) të përfitojë këshillim ligjor për çështje që lidhen me etikën, integritetin, korrupsionin, konfliktin e interesit, konfidencialitetin dhe aspekte të tjera përkatëse, si dhe të marrë udhëzime praktike dhe shpjegime konkrete për legjislacionin në fuqi, sjelljen e pritshme nga policët vullnetarë, përfshirë edhe procedurat për trajtimin e shkeljeve disiplinore dhe ankimimet e tyre;

ë) t’i njihet kontributi në komunitet përmes vlerësimeve publike ose medaljeve.

2. Polici vullnetar gjatë shërbimit dhe/ose jashtë tij ka përgjegjësi:

a) të ndjekë programin e trajnimit të detyrueshëm;

b) të marrë pjesë në trajnime që organizon Policia e Shtetit për të përmirësuar cilësinë e punës e të shërbimit;

c) të kryejë aktivitetin e vullnetarizmit i paarmatosur, në përputhje me rregullat, udhëzimet dhe kërkesat e etikës së punonjësve të Policisë së Shtetit;

ç) të ruajë sekretin profesional, si dhe konfidencialitetin e të dhënave personale, me të cilat njihet gjatë angazhimit, si polic vullnetar;

d) të zbatojë detyrat dhe udhëzimet e dhëna nga mbikëqyrësi, në nivel vendor i Policisë së Shtetit, përveç rasteve kur:

i. janë në kundërshtim me ligjin;

ii. paraqesin rrezik për jetën dhe shëndetin e vullnetarit, si dhe atë të njerëzve të tjerë;

iii. konsiderohen moralisht të papranueshme nga ana e vullnetarit;

iv. janë në kundërshtim me kontratën e vullnetarizmit.

dh) të njoftojë përfaqësuesin apo mbikëqyrësin e Policisë së Shtetit, në lidhje me pasojat kur ndodhet përpara zbatimit të urdhrave, që mund t’i shkaktojnë dëme shëndetit ose jetës së tij.

3. Gjatë shërbimit, polici vullnetar mban përgjegjësi për dëmin e shkaktuar nga veprimet e tij, të kryera në kundërshtim me ligjin.

4. Polici vullnetar kryen shërbime publike në mbështetje të punonjësve të Policisë së Shtetit.

5. Nëse gjatë shërbimit të tij, polici vullnetar përballet me kundërshtime nga shtetas të ndryshëm, ai e përcjell problemin për zgjidhje të mëtejshme te punonjësit e Policisë së Shtetit.

VII. PËRGJEGJËSITË E PËRFITUESIT TË SHËRBIMIT

1. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është përgjegjëse për përzgjedhjen, trajnimin, organizimin, drejtimin dhe trajtimin e policit vullnetar, duke u siguruar që:

a) të trajnojë paraprakisht kandidatët që do të certifikohen si të aftë për të kryer detyra në ndihmë të Policisë së Shtetit;

b) të sigurojë kushte normale pune për policin vullnetar gjatë kryerjes së detyrave, në bazë të kontratës së shërbimit vullnetar;

c) të ruajë dhe të sigurojë konfidencialitetin e të dhënave dhe mbrojtjen e privatësisë së policit vullnetar;

ç) të rimbursojë shpenzimet e kryera nga polici vullnetar gjatë punës vullnetare, sipas akteve nënligjore në fuqi, njëlloj si punonjësit e policisë, kur ai vepron jashtë qendrës së banimit;

d) të lëshojë vërtetim me shkrim për kohën e punës që ai ka shërbyer si polic vullnetar;

dh) të ofrojë bazën e nevojshme materiale për kryerjen e aktivitetit të vullnetarizmit;

e) të sigurojë plotësimin e kushteve të nevojshme për respektimin e të drejtave të policit vullnetar;

ë) të trajtojë policin vullnetar, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 16, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”;

f) të pajisë policin vullnetar me dokument identifikimi, lidhur me statusin që ai gëzon, sipas modelit të përcaktuar në shtojcat 2 dhe 3, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Çdo vit, në bazë të nevojave dhe të propozimeve të drejtorive vendore të policisë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit përcakton numrin e policëve vullnetarë.

VIII. PLANIFIKIMI DHE PROCEDURAT E NDJEKURA PËR KRYERJEN E SHËRBIMIT TË POLICIMIT VULLNETAR

1. Planifikimi i shërbimit të policimit vullnetar përfshin:

a) marrjen e masave për hartimin e planeve përkatëse për shërbimin e policëve vullnetarë nga drejtuesit e strukturave vendore të Policisë së Shtetit. Këto plane planifikohen në librat e shërbimit, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në Procedurën Standarde të Operimit (PSO) “Planifikimi i shërbimeve të policisë” dhe PSO “Planifikimi i shërbimeve të policisë për aktivitetet masive”;

b) hapjen dhe administrimin e librit të planifikimit të shërbimit të policimit vullnetar, i cili është i posaçëm dhe i sekretuar, si dhe përmban të njëjtat rubrika, si libri i shërbimit të patrullës së përgjithshme, dhe administrohet në përputhje me kërkesat e PSO-së “Planifikimi i shërbimeve të policisë”;

c) marrjen e masave për mbikëqyrjen dhe mbështetjen e policëve vullnetarë gjatë kryerjes së detyrave të tyre nga drejtuesit e strukturave vendore të Policisë së Shtetit, ku policët vullnetarë kryejnë shërbimin.

2. Procedura përpara marrjes së shërbimit nga ana e policit vullnetar përfshin: a) kryerjen e përgatitjes vetjake, e cila konsiston në:

i. rregullimin e uniformës së shërbimit, kujdesin personal, pajisjen me bllok shënimesh dhe mjete për të shkruar;

ii. marrjen e dokumentit të identifikimit dhe të medaljonit zyrtar;

iii. kontrollin e shenjave të montuara në uniformë dhe pajisjet e shërbimit.

b) paraqitjen në orar dhe në vendin e caktuar për marrjen e shërbimit.

3. Personeli i shërbimit vullnetar instruktohet lidhur me masat që duhet të merren në fillim gjatë kryerjes dhe në përfundim të shërbimit.

4. Instruktazhi i personelit zhvillohet nga specialisti i rendit publik (me gradë “Nënkomisar”) apo nga shefi i seksionit të rendit dhe përfshin:

a) kontrollin e prezencës së personelit në bazë të planifikimit të shërbimit;

b) gjendjen e tyre shëndetësore dhe fizike;

c) pamjen e jashtme dhe uniformën e punonjësve;

ç) dokumentin e identifikimit;

d) pajisjet e shërbimit;

dh) pajisjen me formularë të raportit të shërbimit/aktivitetit;

e) masat për korrigjimin e të metave dhe mangësive të konstatuara për çështjet e mësipërme.

5. Instruktazhi gjithashtu përfshin: a) ndarjen e sektorëve/vendit të shërbimit dhe të mënyrën së kryerjes së tij;

b) përcaktimin e detyrave kryesore për secilin polic vullnetar dhe fushat në të cilat duhet të përqendrojnë vëmendjen kryesore gjatë kryerjes së shërbimit;

c) zbatimin e procedurave standarde gjatë gjithë kohës së shërbimit, sipas trajnimit të kryer, mënyrën e veprimit dhe detyrat që duhet të kryejë në rast të ndodhjes së ndonjë incidenti apo ngjarjeje kriminale/aksidentale në vendin e shërbimit;

ç) mënyrën e informimit, bashkëveprimit dhe koordinimit me shërbimet e tjera policore, si dhe mënyrën e komunikimit e të raportimit gjatë shërbimit.

6. Specialisti i rendit publik (me gradë “Nënkomisar”) apo shefi i seksionit të rendit, në përfundim të shërbimit të policimit vullnetar, pret personelin dhe vijon me kryerjen e procedurave, të cilat përfshijnë:

a) kërkimin e raportimit verbal për aktivitetin e kryer nga policët vullnetarë gjatë shërbimit;

b) evidentimin e raportimeve verbale për shërbimin e kryer nga policët vullnetarë, përfshirë ngjarjet dhe problematikat e hasura;

c) plotësimin e një informacioni përmbledhës për të gjithë problematikat e evidentuara nga policët vullnetarë dhe informimin e eprorit për to;

ç) nëse nga raportimi i mësipërm, evidentohen problematika me interes të veçantë për strukturën policore, kërkohet nga polici vullnetar plotësimi i një raporti të hollësishëm, i cili administrohet në regjistrin përkatës.

IX. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Vendimi nr.641, datë 2.10.2019, i Këshillit të Ministrave, “Për organizimin, funksionimin dhe fushën e veprimit të policimit vullnetar”, shfuqizohet.

2. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K RY E M I N I S T R I

EDI RAMA

70 euro gjobë kush ngrihet në këmbë para se të ulet avioni, hyn në fuqi rregulli i ri

Turqia u ndalon pasagjerëve të ngrihen në këmbë përpara se të fiket shenja e rripit të sigurimit në avion, në të kundërt do të gjobiten. Autoriteti Turk i Aviacionit Civil (CAA) ka miratuar rregulloren e re për të përmirësuar sigurinë dhe për të zvogëluar ndërprerjet gjatë procesit të zbarkimit të avionëve.

Kur pasagjerët nxitojnë të ngrihen, ndërsa avioni është ende në lëvizje, ata shpesh shtyjnë pasagjerët e tjerë ose rrezikojnë të shkaktojnë lëndime duke u përpjekur të hapin ndarjet sipër kokës.Vendimi synon të zvogëlojë nevojën që ekuipazhi i kabinës të lëshojë në mënyrë të përsëritur udhëzime sigurie që shpesh injorohen.

Sipas rregullit të ri, pasagjerët duhet të qëndrojnë të ulur me rripat e sigurimit të lidhur derisa avioni të arrijë vendin e caktuar të parkimit dhe shenja “lidh rripin e sigurimit” të çaktivizohet. Ata gjithashtu duhet të presin që të thirret rreshti i tyre për të zbritur nga avioni. Rregullorja, e bazuar në nenin 143 të Ligjit të Aviacionit Civil Turk nr. 2920, prek të gjithë transportuesit që operojnë fluturime në Turqi.

Pasagjerët që shkelin rregullat e reja do të përballen me gjobë prej 70 dollarësh ose 62 euro.

“Sipas rregullores, linjat ajrore janë të detyruara t’u kujtojnë pasagjerëve të vendosin rripat e sigurimit gjatë dhe pas uljes derisa të arrijnë në pozicionin e parkimit dhe të theksojnë shprehimisht se çdo shkelje do t’i raportohet autoritetit të aviacionit dhe do të vendoset një gjobë”, deklaron CAA.

Turkish Airlines e ka përditësuar tashmë njoftimin e uljes, i cili paralajmëron në mënyrë të qartë pasagjerët për penalitete të mundshme për mosrespektimin e vendimit, raporton A2cnn.

Aty thuhet, “pasagjerët që nuk i përmbahen rregullave do të raportohen në Drejtorinë e Përgjithshme të Aviacionit Civil përmes një Raporti për Pasagjerët e Shkelur dhe do t’u vendoset një gjobë administrative në përputhje me rregulloret ligjore në fuqi.”

Reagimet kanë qenë të shumta në lidhje me këtë vendim. Ndërsa disa e kanë lavdëruar, komentet në mediat sociale sugjerojnë se ka edhe skepticizëm sa i përket efektivitetit të masës për të frenuar zakonin bezdisës të përdorimit të fletëpalosjeve.

Ende nuk dihet nëse linjat ajrore të tjera do të paraqesin paralajmërime të ngjashme për Turkish Airlines për fluturimet që mbërrijnë në Turqi.

Dhυ nohen në krye të detyrës 2 punonjësit e Policisë Bashkiake në Tiranë, shpallen në kërkim dy autorët (Emrat)

Dy punonjës të Policisë Bashkiake janë gjendur nën dhunën e paprecedentë të dy personave, që i kanë sulmuar për shkak të detyrës.

Hetimet po kryhen nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas denoncimit të efektivëve.

“U shpallën në kërkim K. C., 29 vjeç, dhe E. Gj., 39 vjeç, pasi dyshohet se kanë goditur për shkak të detyrës, 2 punonjës të Policisë Bashkiake. Punohet për kapjen e këtyre shtetasve, si dhe për sqarimin e rrethanave të rastit”, njoftojnë uniformat blu.

Ngjarja është ende nën hetim, teksa nuk u zbardhën detaje nga dinamika dhe rrethanat e saj.

“Rama” thërret rezervistët në ushtri: Ja detajet e vendimit të qeverisë

Qeveria shqiptare e Edi Ramës ka miratuar vendimin që i hap rrugën rikthimit në shërbimin aktiv ushtarakëve në rezervë.

Ky vendim, i propozuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe i miratuar nga Këshilli i Ministrave, ka për qëllim të plotësojë nevojat e Forcave të Armatosura me personel të kualifikuar dhe të forcojë kapacitetet mbrojtëse të vendit, shkruan A2.

Sipas këtij vendimi, ushtarakët që kanë qenë më parë në shërbim, oficerë, nënoficerë apo ushtarë dhe detarë, do të kenë mundësi të rikthehen në shërbimin aktiv kur strukturat ushtarake kanë nevojë për specialitetin apo përvojën e tyre. Vendimi ngarkon Ministrinë e Mbrojtjes për të publikuar thirrjet për pozicione të hapura në faqen e saj zyrtare, ndërsa aplikimi do të kryhet online përmes portalit e-Albania.

Pas dorëzimit të dokumenteve, kandidatët do t’i nënshtrohen vlerësimit nga komisione përkatëse dhe kontrollit të sigurisë.

Kandidatët e përzgjedhur do të titullohen si ushtarakë aktivë, për t’u emëruar më pas në detyrën përkatëse. Ata do të ruajnë gradën që kanë pasur në momentin e daljes në rezervë dhe nuk do të kenë të drejtë për avancim gjatë periudhës së kontratës.

Vendimi gjithashtu parashikon se në rastet e mobilizimit të pjesshëm apo të përgjithshëm, rikthimi në shërbim mund të bëhet edhe pa aplikim, me njoftim të drejtpërdrejtë nga institucionet ushtarake. Ky vendim përbën një hap të rëndësishëm për të garantuar gatishmërinë në radhët e Forcave të Armatosura shqiptare sipas modeleve më të mira të vendeve të NATO-s dhe është një mundësi për shumë ushtarakë që të japin sërish kontributin e tyre në shërbim të vendit.