Mediat italiane: Emigrantët, pakti me Shqipërinë tani është një shembull i mirë në BE

Disa vende kryesore të BE-së si Danimarka, Gjermania dhe Franca po shprehin mbështetje për qasje të ngjashme, ndërsa kërkojnë zgjidhje të reja për menaxhimin e krizës së imigracionit.

“Il Giornale” shkruan se takimi i fundit joformal i ministrave të Brendshëm të BE-së në Kopenhagen u fokusua te nevoja për krijimin e qendrave të jashtme në vende jashtë BE-së, që do të përpunonin kërkesat për azil dhe do të lehtësonin riatdhesimin e emigrantëve të paligjshëm.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka deklaruar se “ata që vijnë nga jashtë, kryejnë krime të rënda dhe nuk respektojnë mënyrën tonë të jetesës, nuk kanë vend në Evropë dhe duhet të dëbohen.”

Ministri danez i Imigracionit, Kaare Dybvad Bek theksoi se sistemi aktual i azilit në Evropë është në krizë dhe se nevojiten zgjidhje të reja dhe marrëveshje me vende të treta për të përshpejtuar riatdhesimet. Ai përmendi marrëveshjen Itali-Shqipëri si një iniciativë që ecën në këtë drejtim dhe që mund të shërbejë si pikë referimi për vende të tjera anëtare të BE-së, pavarësisht kundërshtimeve të brendshme në Itali.

“Qendrat për përpunimin e kërkesave për azil jashtë BE-së, të ngjashme me ato që Italia po ndërton në Shqipëri, po përkrahen gjithnjë e më shumë nga disa shtete anëtare. Ministri danez theksoi se nëse trafikantëve u hiqet mundësia për të garantuar hyrjen në Evropë, zinxhiri i paligjshëm i emigracionit do të goditet. Kjo, sipas tij, mund të arrihet përmes riatdhesimeve të shpejta dhe përpunimit të kërkesave për azil jashtë BE-së” – shkuan media italiane Il Giornale.

Në Gjermani, sipas të dhënave të përmendura nga Bek, aktualisht jetojnë rreth 300 mijë persona që kanë marrë përgjigje negative për azil dhe që duhet të riatdhesohen. Në këtë kontekst, edhe propozimet për qendra të ngjashme në vende si Ruanda janë në shqyrtim.

Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, e përshëndeti qasjen e re si “tërësisht të nevojshme” dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me vendet partnere për zbatim efektiv të këtyre politikave. Ai shtoi se zbatimi i këtyre marrëveshjeve nga vendet individuale ka qenë i vështirë, por nëse ndërmerren në nivel evropian, ato mund të japin rezultate më të mira.

Franca gjithashtu ka shprehur mbështetje për këtë model. Ministri i Brendshëm francez, Bruno Reitailleau, ka deklaruar se, ndonëse Franca përballet me kufizime kushtetuese, ajo nuk ka pengesa në parim për qendrat e riatdhesimit dhe mbështet çdo iniciativë që e bën procesin më efektiv.

Edhe pse marrëveshja Itali-Shqipëri është kundërshtuar brenda Italisë nga opozita dhe gjyqësori, jashtë saj po shihet si një prej modeleve më të avancuara për t’i dhënë një përgjigje konkrete krizës së migracionit dhe për të ndihmuar në krijimin e një modeli të përbashkët evropian.

Arrestohen Meriton Mjekiqi dhe vëllai i tij

Burime të besueshme të Sinjalit mësojnë se sot, më 22 korrik 2025, janë arrestuar Meriton Mjekiqi dhe Rinor Mjekiqi, lidhur me një rast të lëndimit të rëndë trupor, që dyshohet të ketë ndodhur më 11 korrik 2025.

Sipas informatave që posedon Sinjali, të dyshuarit ishin në arrati prej datës së incidentit, por janë paraqitur sot rreth orës 15:00 në Stacionin Policor në Obiliq, ku janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.

Ngjarja ka të bëjë me një përleshje fizike ku si pasojë, viktima Egzon Grajqevci ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Pas intervistimit dhe procedurave hetimore, Prokurori i Shtetit ka vendosur që ndaj Meriton dhe Rinor Mjekiqit të shqiptohet masa e ndalimit policor prej 48 orësh, thonë burimet e besueshme të Sinjalit.

DJ i njohur italian υdes në Ibiza

Michele Noschese 35 vjeç, DJ dhe producent i njohur në Itali, ka ndërruar jetë mesnatën e të premtes dhe të shtunës së kaluar në Ibiza, në kushte ende të paqarta.

I njohur si DJ Godzi, ishte në shtëpinë e tij, ku po zhvillohej një festë me miqtë e tij, kur për shkak të muzikës të lartë, fqinjët njoftuan policinë. Policia ka ndërhyrë në vendngjarje, dhe sipas disa dëshmive të personave që ishin prezentë, 35-vjeçari dyshohet të jetë goditur nga oficerët e policisë.

Babai i tij, një mjek, në një intervistë për Tg2, ka akuzuar autoritetet spanjolle. “E goditën me shkopinj. Autopsia u krye nxitimthi”, ka thënë ai.

Babai bëri të ditur gjithashtu se do të fillojë një betejë ligjore për të kërkuar drejtësi për djalin e tij.

Ndërkohë, një version i ri i ngjarjes i paraqitur nga Guardia Civil e Palma de Mallorcas, përshkruan se Noschese ka qenë nën ndikimin e drogës, dhe se ai ka kërcënuar me thikë një fqinj të moshuar.

Sipas autoriteteve, gjatë tentativës për ta mbajtur nën kontroll, ai ka filluar të shfaqë kontraksione.

Më pas janë bërë përpjekje për ta shpëtuar, por kanë qenë të pasuksesshme.

Aktualisht, autoritetet spanjolle po kryejnë një hetim për ngjarjen dhe rezultatet e autopsisë nuk janë bërë ende të ditura.

Michele Noschese jetonte në Ibiza për disa vjet, por gjithashtu performonte në shumë shtete të Evropës dhe SHBA, nga Londra në Paris dhe në qytete të tjera.

Para se të fokusohej plotësisht në muzikë, Michele kishte mbaruar studimet në ekonomi dhe kishte qenë i angazhuar në futbollin profesional.

Tërmet i fortë në Greqi, ‘shkundet’ Jugu i Shqipërinë

Tërmeti kishte një thellësi fokale të ulët, vetëm 5 kilometra nën sipërfaqe, çka e bëri lëkundjen të ndjeshme në shumë zona përreth, përfshirë pjesë të veriut të Greqisë dhe jugut të Shqipërisë, kryesisht në rrethinat e Sarandës, Gjirokastrës, Delvinës dhe pjesërisht në Vlorë.

Banorë në të dy anët e kufirit kanë raportuar se ndjenë lëkundje të forta për disa sekonda, të cilat shkaktuan shqetësim, por pa pasoja serioze. Për fat të mirë, deri në këto momente, nuk janë raportuar dëme materiale apo të lënduar në asnjë nga zonat e prekura.

Autoritetet greke dhe shqiptare kanë monitoruar situatën dhe janë në gatishmëri për çdo zhvillim të mëtejshëm. Sipas ekspertëve sizmologë, thellësia e vogël e tërmetit ka ndikuar në intensitetin e ndjeshmërisë në sipërfaqe, megjithëse përmasat e tij nuk ishin të mjaftueshme për të shkaktuar dëme të rënda.

Ky tërmet rikujton aktivitetin e lartë sizmik në rajonin e Ballkanit, i cili ndodhet në një zonë të njohur për përplasje të pllakave tektonike. Tërmete me magnituda të ngjashme ndodhin relativisht shpesh në këtë pjesë të Europës Juglindore, dhe institucionet përkatëse janë në ndjekje të vazhdueshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Ndërkohë, banorëve u bëhet thirrje të qëndrojnë të qetë, por edhe vigjilentë, dhe të ndjekin udhëzimet e mbrojtjes civile në rast se pasojnë lëkundje të tjera.

Zhvlerësimi i Euros thyen rekorde të reja këtë verë, ja sa ka arritur vlera në lekë

Kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut po thyen në ditët e fundit rekorde të reja historike.Sipas kursi zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye me 97.55 lekë, vlera më e ulët e regjistruar ndonjëherë.

Agjentët e tregut valutor shprehen se efekti i sezonit veror ka forcuar më shumë presionet rënëse mbi kursin e këmbimit të Euros, që janë të qëndrueshme prej vitesh në ekonominë shqiptare. Një rritje e këtyre presioneve në këtë periudhë ishte e pritshme, duke pasur parasysh se pjesa e dytë e korrikut dhe fillimi i gushtit shënojnë edhe pikun e sezonit veror.

Pavarësisht se Banka e Shqipërisë që prej muajit maj ka ndërhyrë në treg, me blerje të herëpashershme të valutës, përsëri kursi i këmbimit ka pësuar një rënie të lehtë poshtë kufirit të 98 lekëve, duke regjistruar minimume të reja historike.

Burime nga tregu valutor shprehen se Banka e Shqipërisë ka vazhduar blerjet, madje ndërhyrja e fundit ka qenë jo më larg se dita e hënë. Megjithatë, në rastin më të mirë kjo ndërhyrje e ka ngadalësuar rënien e Euros, por nuk ka mjaftuar për ta ringritur kursin e monedhës europiane.

Kursi i Euros pati rënë lehtë poshtë nivelit të 98 lekëve qysh në qershor, por ishte ringritur përsëri, kryesisht falë blerjeve periodike të Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, gjatë muajit korrik Euro ka rënë në mënyrë të qëndrueshëm poshtë këtij kufiri, që deri para pak javësh kishte qenë si një lloj objektivi kufi (megjithëse i padeklaruar ndonjëherë zyrtarisht), poshtë të cilit Banka e Shqipërisë nuk kishte lejuar rënien e kursit të Euros.

Duket se presionet rënëse mbi kursin e këmbimit të Euros po vazhdojnë të jenë të pranishme edhe këtë vit, madje në një masë më të madhe se pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë.

Megjithëse forcimi i Lekut me bazë vjetore është ngadalësuar ndjeshëm, kjo edhe falë ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë, sërish vlerësohet se kursi i këmbimit mund të vazhdojë të ndikojë në ecurinë e inflacionit të importuar dhe në objektivin e përgjithshëm të inflacionit, të Bankës së Shqipërisë. Vazhdimi i forcimit të Lekut besohet të ketë qenë një nga faktorët që shtynë Bankën Qendrore të ulë normën bazë të interesit në 2.5%, në fillim të këtij muaji.

Përveç efektit të zakonshëm sezonal, të lidhur me pushimet verore, flukset hyrëse të valutës në ekonominë shqiptare ngelen të larta edhe nga investimet e huaja, sidomos në pasuri të paluajtshme.

Nga ana tjetër, edhe politika fiskale shtrënguese e qeverisë, e karakterizuar nga suficite të mëdha buxhetore, ka ndikuar në uljen e ofertës së Lekut dhe në forcimin e monedhës vendase. Të dhënat paraprake treguan se buxheti e mbylli 6-mujorin 2025 me suficit në shumën e 33.5 miliardë lekëve, në rënie sidoqoftë me 35% krahasuar me suficitin e regjistruar në të njëjtën periudhë të një viti më parë./ Monitor

“Një skelet njeriu dhe një kafshe në murin e kalasë”, zbulim i rrallë në Gjirokastër

Pas rikthimit të arkeologëve në kalanë e Gjirokastrës po dalin në dritë dëshmi të reja të së kaluarës së hershme të monumentit.

Në zonën e murit antik të zbuluar rishtazi arkeologët kanë evidentuar një skelet njeriu, i cili sipas vlerësimeve paraprake i përket një mashkulli të ri. Ajo që ka ngjallur interes të veçantë është pozicioni i skeletit: trupi ndodhet në pjesën e brendshme të murit, ndërsa këmbët shtrihen jashtë tij, një detaj i pazakontë që mund të hedhë dritë mbi praktikat ndërtimore ose ngjarje të pazbuluara historike të periudhës antike.

Në të njëjtin sektor është gjetur gjithashtu edhe skeleti i një kafshe, që mendohet të jetë një kalë, duke shtuar kompleksitetin e zbulimit.

“Përveç murit të zbuluar janë gjetur në të edhe dy skelete, një skelet kafshe dhe një tjetër njeriu që është vendosur përgjatë gjatësisë së murit, mendohet se ky fragment muri i përket antikitetit të vonë, për skeletin nuk është akoma e sigurtë se cilës periudhe mund ti përkasi por mendohet se mund të jetë i antikitetit të vonë”, tha Pamela Llapaj, arkeologe.

Eshtrat do t’i nënshtrohen analizave të mëtejshme laboratorike për të përcaktuar me saktësi periudhën dhe rrethanat e varrimit.

“Është një dukuri të cilën e hasim shpesh gjatë antikitetit të vonë, varrosjen në zona të cilat mund të kenë qenë të rrënuara më parë ose i kanë hapur vetë dhe i kanë varrosur njerëzit aty brenda”, shtoi arkeologia.

Kërkimet arkeologjike do të vazhdojnë gjatë gjithë verës në pika të ndryshme të kalasë së Gjirokastrës për të dokumentuar më tej historikun e këtij monumenti të rëndësishëm.

Inteligjenca kroate: Ka rrezik përshkallëzimi të tensioneve Kosovë-Serbi

Përshkallëzimi i tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë paraqet një rrezik të vazhdueshëm. Ky fakt bëhet i ditur me anë të një raporti nga Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës së Kroacisë e cila vlerëson se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeten të paqëndrueshme.

Në raportin e saj vjetor, inteligjenca kroate hedh dritë jo vetëm mbi situatën e sigurisë në Kroaci, por edhe mbi zhvillimet në Ballkanin Perëndimor – një rajon që, sipas saj, vazhdon të përballet me sfida të thella politike dhe të sigurisë, të lidhura ngushtë me çështjet e pazgjidhura ndërshtetërore.

Edhe pse BE-ja dhe SHBA-ja mbeten të përfshira në përpjekjet për stabilizim, raporti nënvizon se zgjidhja e këtyre çështjeve vazhdon të jetë e vështirë. Kjo klimë pasigurie, sipas inteligjencës kroate, ndikon drejtpërdrejt edhe në procesin e integrimit evropian të rajonit, i cili po ec me ritme të ngadalta.

Për sa i përket Kosovës, inteligjenca kroate vë në dukje ekzistencën e grupeve që synojnë destabilizimin e situatës në veri të vendit, ku shumica e popullsisë është serbe. Si shembull për këtë, raporti përmend sulmin e armatosur të formacioneve serbe ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, më 24 shtator të vitit 2023, në të cilin mbeti i vrarë një polic.

Raporti vëren se ende nuk është e qartë se si është organizuar ky formacion paraushtarak dhe si është armatosur me armë të rënda me origjinë ushtarake. Për Millan Radoiçiqin, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit dhe ka qenë pjesëmarrës në të, raportohet se është larguar në Serbi, ku është marrë në pyetje, por ende pritet ngritja e procedurave penale kundër tij. Raporti i inteligjencës kroate përmend edhe përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për të shuar institucionet paralele serbe në veri, me qëllim forcimin e sovranitetit të shtetit dhe kufizimin e ndikimit të Beogradit në këtë zonë.

“Në rrethana të tilla, përshkallëzimi i tensioneve në Kosovë mbetet një rrezik i vazhdueshëm. Ndaj, rolin e garantuesit të sigurisë vazhdon ta luajë prania ushtarake e forcave ndërkombëtare”, përfundon Agjencia e Inteligjencës Kroate.

Përkeqësohet gjendja shëndetësore e Bruce Willis: Aktori ka humbur aftësinë për të folur dhe për të lexuar

Ikona e kinemasë amerikane, Bruce Willis, po përballet me një përkeqësim të ndjeshëm të gjendjes së tij shëndetësore si pasojë e demencës frontotemporale, një sëmundje e rëndë neurodegjenerative që prek zonat e trurit përgjegjëse për komunikimin, sjelljen dhe lëvizjen.

Sipas burimeve pranë familjes, aktori i dashur tashmë nuk është më në gjendje të flasë dhe ka humbur edhe aftësinë për të lexuar. Gjendja e tij fizike është gjithashtu përkeqësuar, pasi përballet me vështirësi serioze në ecje.

Willis u largua nga aktrimi në vitin 2022, pasi u diagnostikua me afazi, një çrregullim që ndikon në aftësinë për të komunikuar, përpara se diagnoza të rikonfirmohej si demencë frontotemporale në fillim të vitit 2023.

Përgjatë viteve 2023 dhe 2024, raporte të shumta zbuluan se ylli i filmave si Die Hard dhe Pulp Fiction ishte bërë kryesisht jofjalor dhe kishte ndaluar së lexuari, ndërsa tani përballet edhe me sfida motorike të mëdha. Megjithatë, familja ka zgjedhur të mos ndajë detaje të mëtejshme për aspektin fizik të gjendjes së tij.

Në prill të këtij viti, bashkëshortja e tij Emma Heming Willis dhe vajzat e çiftit konfirmuan përmes një deklarate se sëmundja vazhdon të jetë progresive, por e qëndrueshme. “Bruce po përballet me këtë sfidë me dinjitet dhe i rrethuar nga dashuria jonë. Ne jemi pranë tij në çdo hap,” – thuhej në deklaratë.

Largimi i Bruce Willis nga skena kinematografike ka lënë një boshllëk të madh në botën e filmit dhe në zemrat e miliona fansave që janë rritur me filmat e tij.

Temperatura deri në 44 °C, i nxehti ekstrem “mbërthen” Europën

Mbarë Europa është përfshirë nga një valë e të nxehtit ekstrem. Në Greqi, temperaturat këtë javë pritet të arrijnë 44 gradë Celsius. Këto ekstremitete do të zgjasin për gjashtë ditë, njoftoi Shërbimi Kombëtar Meteorologjik i vendit.

Turistët në Greqi thonë se po përballojnë të nxehtin duke pirë shumë ujë dhe duke kërkuar hije. Ka qenë e vështirë deri tani. Nuk e prisja të ishte kaq shumë vapë, kështu që thjesht jam përshtatur duke pirë shumë ujë.

Qëndrojmë brenda gjatë mesditës dhe po mundohemi të gjejmë restorante dhe dyqane me ajër të kondicionuar. Po pimë shumë ujë. Dushet e ftohta dhe veshja e rrobave të lehta na kanë ndihmuar shumë.

Ndërkohë, zyrtarët grekë kanë publikuar një sërë rregullash të reja për punëtorët e kompanive të ndërtimit, duke urdhëruar ndërprerjen e punës gjatë orëve të pikut.

Edhe në Itali, i nxehti ekstrem i ka nxitur autoritetet të lëshojnë alarmin e kuq në disa rajone të vendit. Ndërkohë, edhe në Turqi janë regjistruar zjarre të mëdha në disa zona dhe prej ditësh forcat zjarrfikëse janë në luftë me flakët.