“Do ta njoftojmë kur të jetë koha”, Putin paraIajmëron armën e re, çfarë do të thotë kjo për marrëdhëniet me NATO-n

Moska është në fazat e fundit të testimit të një arme të re që ka zhvilluar për të forcuar arsenalin e saj bërthamor dhe njoftimet do të bëhen së shpejti, tha Vladimir Putin.

Deklarata e presidentit rus vjen ndërsa traktati i Ri START midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, i cili kufizon armët bërthamore, do të skadojë në shkurt të vitit 2026 pa perspektivë rinovimi, ndërsa tensionet me NATO-n po përshkallëzohen në mënyrë dramatike, për shkak të luftës së vazhdueshme në Ukrainë dhe inkursioneve ruse me dronë në vendet evropiane.

“Epërsia teknologjike e sistemeve tona të pengimit bërthamor është superiore ndaj asaj të çdo shteti tjetër bërthamor”, tha Putin, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS. “Dhe ne po i zhvillojmë të gjitha këto sisteme shumë aktivisht”, shtoi ai.

Presidenti rus, duke folur në një konferencë për shtyp në Taxhikistan në fund të një samiti të ish-shteteve sovjetike, shtoi:

“Ajo që përmenda në vitet e mëparshme po përparon – ne po e çojmë atë në fazën e përsosmërisë”.

Kremlini ka thënë se do t’i respektojë detyrimet e tij të START-it të ri për një vit pas skadimit të tij. Presidenti i SHBA-së Donald Trump është përgjigjur pozitivisht, por aktualisht nuk ka një marrëveshje të re për ta zgjatur ose zëvendësuar atë.

Gjatë fjalimit të tij, Putin tha gjithashtu se “një lloj gare armatimesh është me të vërtetë duke u zhvilluar” në botë dhe paralajmëroi se “disa vende po përgatiten për teste të armëve bërthamore”.

“Kjo është diçka për të cilën ekspertët janë të vetëdijshëm. Gjithmonë ekziston një tundim për të testuar efektivitetin e karburantit luftarak që është ruajtur në raketa për shumë, shumë vite”, tha Putin, sipas TASS.

“Gjithçka simulohet në kompjuterë dhe ekspertët e konsiderojnë këtë të mjaftueshme – por disa besojnë se është e nevojshme të kryhen teste reale, në shkallë të plotë. Dhe në disa vende, për aq sa dimë ne, ata po e shqyrtojnë këtë dhe tashmë po përgatiten”, tha ai.

Putin vazhdoi:

“Kjo është arsyeja pse thashë që nëse ata vazhdojnë me testimet, ne do ta bëjmë edhe ne. A është kjo e mirë apo e keqe? Nga pikëpamja e sigurisë – është mirë. Nga një këndvështrim më i gjerë, që ka të bëjë me parandalimin dhe veprimet që synojnë, nëse jo zvogëlimin, të paktën kufizimin e garës së armatimeve – ndoshta nuk është keq”.

Dhe ai përfundoi:

“Në të njëjtin kontekst, ne kemi propozuar zgjatjen e traktatit të Ri START për të paktën një vit. Le të mendojnë të gjithë”.

Panik/ Avionit i mbaron karburanti në ajër, pasagjeri përshkruan momentin e tmerrshëm, ja çfàrë ndodhi

Një avion pasagjerësh ishte vetëm gjashtë minuta larg mbarimit të karburantit përpara se të bënte një ulje emergjente në Mançester.

Incidenti ndodhi kur fluturimi nga Italia drejt aeroportit Prestwick të Glasgout lëshoi një sinjal emergjence për mungesë kritike të karburantit.

Avioni u detyrua të devijonte drejt Mançesterit për një ulje emergjente, ndërsa stuhia e fuqishme “Amy” godiste Britaninë me erëra të forta.

Fluturimi FR1194, i operuar nga kompania partnere Malta Air, u përball me disa tentativa të pasuksesshme për ulje, fillimisht në Prestwick dhe më pas në aeroportin e Edinburgut përpara se të ulej në mënyrë të sigurt në Manchester, pothuajse dy orë pas përpjekjes së parë për ulje.

Sipas raportimeve, avioni kishte mbetur me vetëm 220 litra karburant në rezervuar në momentin e uljes, një sasi që mjafton vetëm për 5 deri në 6 minuta të tjera fluturim. Kjo e çon avionin shumë pranë shifrës së “rezervës minimale të detyrueshme” për fluturim të sigurt, që për një Boeing 737-800 duhet të jetë të paktën 30 minuta karburant rezervë në çdo rast.

Një prej pasagjerëve në bord, tregoi përjetimet e tij gjatë fluturimit dramatik.

Avioni bëri disa rrotullime para tentativës së parë për ulje, por u ngrit menjëherë. Herën e dytë ishim shumë pranë tokës, por u ngritëm me forcë sërish. Më pas na u komunikua se do të devijonim për në Mançester.

Ai shtoi se vetëm pasi panë lajmet, udhëtarët e kuptuan se sa pranë kishin qenë një katastrofe të mundshme.

Kur zbuluam se kishim mbetur me vetëm pak minuta karburant, njerëzit ishin të tronditur. Të gjithë donin vetëm të zbrisnin dhe askush nuk kishte më dëshirë të ngjitej në një avion tjetër për një kohë të gjatë.

Ryanair ka konfirmuar incidentin dhe ka bërë të ditur se është duke bashkëpunuar plotësisht me autoritetet përkatëse që kanë nisur një hetim zyrtar. Çështja është subjekt i një hetimi të vazhdueshëm.

Raporti: Kapin nivele rekord kreditë me probleme, bankat fshinë 870 milionë euro kredi të pashlyera në 10 vitet e fundit

Këstet e kredive nuk po paguhen në kohë, kryesisht nga qytetarët por edhe nga bizneset. Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit gusht niveli i kredive me probleme u rrit, në shifrën më të lartë të vitit. 4.19% e totalit të kredisë së dhënë nga bankat tregtare klasifikohet ‘me probleme’ pasi nuk po shlyhen në kohë, ndërsa në fillim të kjo shifër ishte 4.12%.

Ndërsa në raport me vjet, edhe pse si përqindje numri kredish, ato me probleme janë në rënie, e përkthyer në vlerë paraqitet në rritje. Huaja e keqe në fund të gushtit ishte 377 milionë euro nga 374 milionë euro që ishte vlera në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Shkak për rritjen e kredisë së keqe thotë Banka e Shqipërisë është bërë mos-pagesa në kohë e kredive nga qytetarët që kanë marrë kredi në vlerë të madhe dhe në monedhën Lekë.

Rritja e stokut të kredive me probleme është vënë re në të gjithë portofolin e kredisë, por rezulton më e madhe për kredinë në Lek, për atë afatgjatë dhe për kredinë për individë”, thuhet në raportin e stabilitetit financiar të gjashtëmujorit të parë.

Rolin kryesor në mbajtjen në nivel të ulët të huasë së keqe të luhatur prej mbi një vit në pragun 4%, ka pasur fshirja e kredive të humbura.

Pa fshirjen e kredive të humbura, që gjatë periudhës kanë qenë relativisht më të larta, rritja e stokut të kredive me probleme do të ishte më e madhe. Vlera e kredive të humbura të fshira gjatë 12 muajve të fundit vlerësohet në rreth 6 miliardë lekë”, thuhet ndër të tjera në raport.

Brenda 1 dekade thotë Banka e Shqipërisë, nga sektori bankar janë fshirë 870 milionë euro kredi që nuk ishin shlyer në kohë ndër vite.

KREDITË ME PROBLEME
Gusht 2024      4.61%
Gusht 2025      4.19%
Diferenca        -0.42%
KREDITË ME PROBLEME
Gusht 2024        374 mln euro
Gusht 2025        377 mln euro
Diferenca        +288 mln euro

Katastrofë në shkolla, 4 mijë studentë helmohet nga vakti falas i qeverisë

Rreth 4 mijë student u sëmurën si pasojë e helmimit nga ushqim, pasi konsumuan vaktet falas që i ofronte shkolla me fondet e qeverise indoneziane.

Nga janari, kur filloi programi, deri në gusht, më shumë se 4 mijë studentë kanë pësuar helmim, siç thonë shifrat zyrtare nga instituti Indonezian INDEF, një fakt që ngre një pikëpyetje të madhe në lidhje më mirëfunksionimin e programit.

“Në provincën Java Perëndimore të Indonezisë, 569 nxënës nga pesë shkolla në distriktin Garut shfaqën simptoma të të përzierave dhe të vjellave pasi hëngrën pulë dhe oriz të ofruar si pjesë e vakteve falas’’, tha për ‘Reuters’, Nurdin Yana, sekretar i qeverisë lokale provincën Garut.

“Deri më sot, 10 studentë mbeten të shtruar në spital ndërsa të tjerë janë shëruar”, tha sekretari.

Qeveria lokale do të rrisë mbikëqyrjen e agjencisë që ofron ushqimet, tha sekretari, duke shtuar se programi nuk do të ndalet, por përkundrazi, nxënësve do t’u ofrohen më shumë ushqime bazë, të tilla si bukë, qumësht, vezë të ziera dhe fruta.

Çfarë ndodhi? Policia ndalon ‘Audin’ në mes të bulevardit në Tiranë, bien në pranga 3 persona

Policia ka ndaluar një automjet tip “Audi” me targa angleze në mes të bulvardit ‘Dëshmorët e Kombit’ në Tiranë.

Gjatë ndalimit të këtij automjeti janë arrestuar tre personat që ishin brenda tij.

Po ashtu bëhet e ditur se forcat e policisë që kanë marrë pjesë në operacion kanë qenë civilë.

Ndërkohë ende nuk dihen shkaqet për të cilat janë arrestuar këta persona, teksa në orët në vijim priten më shumë detaje rreth operacionit.

‘Mbi 56 mijë makina ngelin në kolaudim’, DPSHTRR publikon shifrat alarmuese: Ja defektet më të zakonshme

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit rrugor ka publikuar të dhënat për 9 muajt e parë të vitit, në lidhje me shërbimin e kontrollit teknik të mjeteve që qarkullojnë.

Gjatë kësaj periudhe janë kontrolluar mbi 232 mijë mjete, nga të cilat 86.3% përbëhën nga automjete 4+1 deri në 8+1 vende; 6.1% përbëhen nga kamionë; 4.9% e përbëjnë motomjetet; 0.5% rimorkio; 1.8% autobusë, si dhe 0.4% mjete ndërtimi/ punime toke.

Pjesa më e madhe e kontrolleve 35% ose 81.251 testime mbi kontrollin teknik të mjetit janë kryer në Tiranë, duke reflektuar fluksin më të lartë dhe përqendrimin më të madh të mjeteve në kryeqytet. Më pas renditen Durrësi me 31.647 testime, Fieri me 21.455, Shkodra me 16.317 dhe Elbasani me 14.777 testime të kryera mbi kontrollin teknik të mjetit. Nga ana tjetër, qarku i Gjirokastrës mban numrin më të ulët për numrin e mjeteve që i janë nënshtruar kontrollit teknik, që arrin shifrën 4.965 mjete. Shumë prej tyre u riparuan e u rikthyen në qarkullim me standarde më të larta sigurie.

Sipas të dhënave të DPSHTRR, 56.229 mjete kanë ngelur ose janë refuzuar në testim. Po kështu, 50.735 mjete janë ritestuar pas riparimit; 5.325 mjete të ngelura priten për t’u paraqitur pas riparimeve dhe 239 mjete janë refuzuar, për shkak të problemeve të tilla si: xhama të dëmtuar, goma të tejkonsumuara, defekte e mangësi në sistem, mangësi në dokumentacion etj.

Ndërsa, arsyet e ngeljes në testime lidhen me 34.4% mangësi vizuale dhe funksionale; 37.6% probleme me sistemin e shkarkimit të gazrave; 13.2% defekte në sistemin e drejtimit dhe 14.8% probleme me sistemin e frenimit.

Ndërkohë, mbi 6.128 mjete të vjetra u çregjistruan përfundimisht, një hap drejt rrugëve më të sigurta. Gjithashtu, ky proces është i rëndësishëm për rritjen e sigurisë rrugore dhe përmirësimit të cilësisë së mjedisit.

E FRIKSHME/ Reagimet në rrjet pas vrasjes së gjyqtarit, ja sa vite burg rrezikojnë ata që mbështesin krimin sipas Kodit të ri Penal

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në krye të detyrës ishte një nga ngjarjet më të rënda në sistemin gjyqësor në historinë e Shqipërisë.

Gjyqtari u vra nga Elvis Shkambi, familja e të cilit ishte palë në një proces gjyqësor për një konflikt pronësie prej vitesh.

Por teksa ngjarja në vetvete tronditi mbarë opinionin publik dhe bëri jehonë edhe në shtypin e botës, në rrjetet sociale në vendin tonë shpërtheu një valë histerie duke justifikuar hapur veprimin e autorit që vrau gjyqtarin.

Shumë komentues në mediat dhe rrjetet sociale shprehën përkrahje të autorit të vrasjes, duke e justifikuar veprimin kriminal të tij me argumentin se gjyqësori në Shqipëri është i korruptuar dhe zvarrit çështjet duke i shkaktuar dëme qytetarëve.

Por në draftin e Kodit të ri Penal që është ende në konsultim, është përfshirë edhe një nen që dënon pikërisht mbështetjen e kryerjes së një krimi, ku përfshihen edhe komentet apo thirrjet në rrjetet sociale.

Kjo vepër penale, siç parashikohet nga neni 409 në draftin e Kodit të ri, përfshin dënime nga 1 deri në 4 vite burg.

Për rastin konkret, atë të vrasjes së gjyqtarit Kalaja, ishte hapur edhe një faqe në Gofundme, për t’i kërkuar shqiptarëve të kontribuojnë financiarisht për autorin Elvis Shkambi që të përballojë shpenzimet për avokatin. Kjo faqe, ku u mblodhën rreth 14 mijë dollarë, tashmë është mbyllur.

Neni 409

Mbështetja e kryerjes së një krimi

1. Mbështetja e autorit të krimit për veprën që ka kryer, duke lartësuar publikisht veprimin e tij, mbështetur nëpërmjet justifikimit të veprimit dhe paraqitur atë si të dobishëm, si zgjidhje e pranueshme e situatës, apo përdhosja, mospërfillja, anashkalimi i rendit juridik apo, të drejtave themelore të viktimës të prekura nga krimi i kryer, dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.

2. Nëse mbështetja bëhet nëpërmjet mjeteve të komunikimit masiv të çfarëdo lloji, dënimi rritet deri në një të tretën e tij.

3. Nëse mbështetja sipas paragrafit të parë të këtij neni bëhet përgjatë kohës kur krimi është duke u kryer dhe, ajo ka ndikuar tek autori për vazhdimin drejt përfundimit të saj, mbështetësi është në rolin e bashkëpunëtorit përkrahës në kryerjen e krimit që ka mbështetur. Në këtë rast krimet e kryera nuk konkurrojnë me njëra-tjetrën.

“E dimë formacionin e Shqipërisë”, trajneri serb tregon frikën: Zot na ruaj nga një…

Trajneri kryesor i ekipit kombëtar të Serbisë, Dragan Stojković, iu drejtua publikut një ditë para ndeshjes kundër Shqipërisë.

Duke folur për pritshmëritë nga ndeshja, Stojković theksoi se “është e pamundur që ndeshja të jetë e mërzitshme”, duke shtuar se është i qetë dhe se pret që edhe lojtarët e tij të jenë të qetë.

Ai tha gjithashtu se nuk kishte asnjë dilemë për formacionin që do të zbresë në fushë dhe komentoi për fishkëllimat që u dëgjuan në stadiumin Rajko Mitic gjatë ndeshjes kundër Anglisë.

“Ata nuk mund të na befasojnë në lidhje me formacionin bazë, i dimë dy ndryshimet që do të kenë, por nuk mendoj se do të ndryshojnë asgjë në thelb.

Do të ketë një rotacion për shkak të dëmtimeve, por nuk do të ndryshojnë sistemin; do të luajnë me katër mbrojtës në vijën e pasme, kjo është e sigurt”, tha Stojkovic.

“Kur është një ndeshje e rëndësishme si kjo, të gjithë përpiqen të tregojnë cilësinë që kanë dhe ta vendosin atë në plan të parë.

Futbolli është një lojë e gjallë dhe nuk mund ta parashikosh kurrë se çfarë mund të ndodhë. Zoti na ruajt nga një karton i kuq… Atëherë gjithçka bie në ujë. Ne do të bëjmë gjithçka për ta paraqitur Serbinë në dritën e duhur.”

Dëshirat e trajnerit

“Duam të kemi një paraqitje maksimale në këto ndeshje kualifikuese të tetorit. Do të bëjmë gjithçka për ta arritur.

Tri pikë kundër Shqipërisë dhe tre pikë në Andorra. Duam ta bëjmë kombin të lumtur me këto rezultate, dhe për këtë po mendojmë. Sigurisht që mund të prisni një lojë ofensive nga ne.”

Skandal në Serbi/ Përkthyesi shtrembëron fjalët e Silvinjos, ndërhyn zyrtari Federatës

Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun në Federatën Shqiptare të Futbollit, Fatjon Kodra, mori pjesë në konferencën për shtyp të trajnerit Silvinjo para ndeshjes me Serbinë.

Gjatë deklaratave të teknikut kuqezi, Kodra vuri re se disa gazetarë serbë po shtrembëronin përkthimin e fjalëve të trajnerit.

Ai ndërhyri menjëherë për të kërkuar që deklaratat të interpretoheshin saktësisht sipas mënyrës si ishin thënë.

Ndërhyrja kishte për qëllim të shmangte çdo keqkuptim në komunikim.

Në vijim, Kodra zhvilloi edhe një bisedë në anglisht me një nga gazetarët e pranishëm, për t’i sqaruar pasaktësinë e citimit. Situata u qetësua pas sqarimit, ndërsa konferenca vijoi normalisht.

Del VIDEO, momenti kur Enis Vrapi shfaqet me kallash lodër në derën e Prokurorisë së Tiranës

Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e ndodhur më 23 Maj, të këtij viti, ku 42-vjeçari Enis Vrapi, i dyshuar me probleme të shëndetit mendor, alarmoi Policinë, pasi shfaqej me një armë lodër në dyert e institucioneve.

Pesë muaj më parë do të raportohej në media si një ndjekje policore me aksidentim makinash. Emisioni “FactCheck” në MCN TV zbardh për herë të parë çka ndodhur më 23 maj 2025.

Në një video të publikuar nga emisioni “FactCheck”, shfaqet Enis Vrapi 5 muaj më parë ku shkoi me kallash në dyert e Prokurorisë së Tiranës, por fatmirësisht hetimet zbuluan se ajo ishte lodër, ndërsa prangosja e tij erdhi me një bilanc të plagosurish.

Teska brenda perimetrit të sigurisë së Prokurorisë ndodhej polici i “Ilirian Guard”, Vrapi parkon fuoristradën e tij “Land Rover” në hyrjen kryesore, bllokon rrugë dhe del nga makina me një armë kallashnikov. Ai ka tentuar të futet brenda dhe i kërkon rojës të hap derën, por ka hasur në refuzim.

Pas këtij momenti ai bën verime të pakontrolluara dhe largohet me shpejtësi. Ky alarm vuri në lëvizje policinë e cila mundi ta kap vetëm pas 45 minutash por pasi ai përplasi dhjetë automjete dhe aksidentoi dy persona, mes tyre dhe një polic.