Shqipëri-Ukrainë / FSHF i kërkon UEFA-s të mbahet një minutë heshtje për Martinin 14-vjeçar

Ngjarja e rëndë ku mbeti i vrarë 14-vjeçari Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë ka tronditur mbarë opinionin publik.

Reagimet kanë qenë të shumta, por veçanërisht nga bota e futbollit, pasi 14-vjeçari ishte i dashuruar me këtë sport.

Klubi i Partizanit të Tiranës, po edhe i Dinamos kanë reaguar me mesazhe lidhur me ngjarjen tronditëse, pasi Martini ishte pjesë të dy klubeve. Po ashtu edhe kreu i FSHF-së, Armando Duka ka shprehur ngushëllimet e tij për këtë tragjedi.

FSHF i është drejtuar UEFA-s me kërkesën që të nderohet djaloshi i vogël në ndeshjen e sotme që Kombëtarja kuqezi zhvillon në “Arenën Kombëtare”.

Organizata ndërkombëtare është ajo që përcakton nëse miratohen kushtet apo jo që të dekretojë mbajtjen e një minute heshtje para sfidave në aktivitetet që organizon.