Trump e quan Justin Trudeau si “guvernator”, i sugjeron që Kanadaja të bëhet shtet i 51-të amerikan

Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump ka ironizuar kryeministrin Justin Trudeau brenda natës si “guvernatori” i “Shtetit të Madh të Kanadasë”, pasi paralajmëroi për tarifa të mundshme ndaj vendit fqinj.

“Ishte kënaqësi të darkoja natën e kaluar me Guvernatorin Justin Trudeau të Shtetit të Madh të Kanadasë”, shkroi Trump në një postim në llogarinë e tij në Truth Social pak pas mesnate të martën. “Mezi pres të shoh sërish Guvernatorin së shpejti, në mënyrë që të vazhdojmë bisedimet tona të thella mbi Tarifat dhe Tregtinë, rezultatet e të cilave do të jenë vërtet spektakolare për të gjithë!”.

Trump kohët e fundit ka bërë shaka se Kanadaja duhet të bëhet shteti i 51-të, madje ia sugjeroi atë drejtpërdrejt Trudeau-t gjatë darkës së tyre në Mar-a-Lago, raportoi Fox News, duke cituar dy persona në tryezë që dëgjuan diskutimin.

Duke folur me spikeren e NBC-së, Kristen Welker, javën e kaluar, Trump bëri një sugjerim të ngjashëm ndërsa diskutonte se si plani i tij për të vendosur tarifa ndaj Kanadasë dhe Meksikës do ta bënte SHBA-në “të pasur”, duke karakterizuar deficitin tregtar SHBA-Kanada një formë subvencioni.

“Ne po e subvencionojmë Kanadanë në shumën mbi 100 miliardë dollarë në vit. Ne po subvencionojmë Meksikën për gati 300 miliardë dollarë. Nuk duhet të ta bëjmë – pse po i subvencionojmë këto vende? Nëse do t’i subvencionojmë ato, le të bëhen një shtet (i SHBA)”, tha ai në intervistën e transmetuar të dielën.

Trudeau tha të hënën se Kanadaja, “siç bëri tetë vjet më parë, do t’i përgjigjet tarifave të padrejta”, sipas Associated Press.