Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha bën thirrje për “përmbysjen e narkodiktaturës” në Shqipëri teksa e krahason me situatën në Siri.
Në një takim me grupet e punës së PD në Tiranë, Berisha tha se Tirana do bie si Damasku dhe kryeministri Edi Rama si Bashar al-Assad.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Kam kënaqësinë që të takoj sonte trupën elektorale të PD-së për kryeqytetin e Shqipërisë, për Tiranën, e cila ka një mision të madh, ka një mision të vërtetë, fitoren e opozitës në Tiranë dhe përmbysjen e narkodiktaturës në Shqipëri.
Ra Damasku, ra Asadi, bie Tirana, bie Edvini.
Këto janë raporte të vërteta.
Pushteti dhe kryeqyteti janë ndonjëherë sinonime të njëri-tjetrit.
Ndaj dhe në përmbushje të këtij misioni, iu takon juve së pari të riparoni çdo gabim që mund të jetë bërë në krijimin e këtij ekipi elektoral për kryeqytetin dhe të përfshini personalitete, aktivistë, anëtarë, mbështetës influentë në zonat tona, në mënyrë që të jemi sa më përfaqësues dhe sa më të fortë në këtë betejë.
Kjo është një betejë e një rëndësie, më e rëndësishmja.
Ju garantoj që në një mënyrë ose një tjetër, po të kemi parasysh pasojat shkatërrimtare demografike të këtij regjimi, PD nuk ka bërë ndonjëherë në ekzistencën e saj betejë më të rëndësishme se kjo betejë.