Kostas Simitis, ish-kryeministri i Greqisë dhe arkitekti i bashkimit të vendit me monedhën e përbashkët evropiane, euro, ka vdekur sot në moshën 88-vjeçare.
Mes shumë personaliteteve që reaguan për humbjen e ish-kryeministrit grek ishte edhe ish-ministër i Jashtëm shqiptar, Paskal Milo.
Milo e cilëson Simitis si një mik të çmuar të popullit shqiptar.
“Ai bëri më shumë se çdo kryeministër tjetër grek në historinë bashkëkohore për zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve me Shqipërinë”, thekson Milo.
“Sot Greqia dhe politika greke humbën një personalitet shumë të shquar të tyre, Kostas Simitis, ish-kryeministër, një nga themeluesit dhe ish-kryetar i PASOK-ut. Ai ishte modeli i urtësisë politike dhe politikani që e udhëhoqi Greqinë në modernizimin e saj.
Kostas Simitis ishte një mik i çmuar i popullit shqiptar. Ai bëri më shumë se çdo kryeministër tjetër grek në historinë bashkëkohore për zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve me Shqipërinë. U tregua solidar me të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për të vendosur vetë për të ardhmen e tyre dhe u erdhi në ndihmë mijrave prej tyre që u shpërngulën me dhunë në Shqipëri gjatë konfliktit të viteve 1998-1999”, shkruan Paskal Milo.